Konferenca e Përgjithshme
Gjithçka do të Jetë Mirë për Shkak të Besëlidhjeve të Tempullit
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Gjithçka do të Jetë Mirë për Shkak të Besëlidhjeve të Tempullit

Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa respektimi i besëlidhjeve që keni bërë ose mund të bëni në tempull.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ky sesion i konferencës së përgjithshme ka qenë, për mua, një kohë e shenjtë. Jam mirënjohës për detyrën për t’u folur miliona shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve tanë anembanë botës. Ju dua dhe e di se Zoti ju do.

Mbi 50 vjet më parë, pata privilegjin të shërbeja si president i Kolegjit “Riks” në Reksburg të Ajdahos. Në mëngjesin e 5 qershorit 1976, bashkëshortja ime, Kethi, dhe unë udhëtuam me makinë nga Reksburgu për në Tempullin e Ajdaho‑Follsit për të qenë në vulosjen e një miku të ngushtë. Natyrisht, me katër djem të vegjël në shtëpinë tonë në atë kohë, udhëtimi ynë për në tempull mund të realizohej vetëm me ndihmën e një dadoje guximtare! I lamë fëmijët tanë të çmuar nën kujdesin e saj dhe bëmë udhëtimin e shkurtër me makinë prej 30 minutash.

Përvoja jonë në tempull atë ditë ishte e mrekullueshme, siç ishte përherë. Sidoqoftë, pas përfundimit të vulosjes në tempull, teksa po përgatiteshim për t’u kthyer në shtëpi, vumë re se shumë punonjës dhe frekuentues të tempullit po bisedonin të nervozuar në hyrjen kryesore të tempullit. Brenda pak çastesh, një nga punonjësit e tempullit na tha se diga e sapondërtuar e Tetonit në Ajdahon lindore ishte shembur! Më shumë se 300 milionë metra kub ujë po vërshonin nga diga në një sipërfaqe prej 775 kilometra katrorë të luginave fqinje. Pjesa më e madhe e qytetit të Reksburgut ishte nën ujë, me shtëpitë dhe automjetet që i morën përpara ujërat vërshuese. Nga 9 000 banorë, dy të tretat ngelën papritur pa shtëpi.1

Siç mund ta përfytyroni, mendimet dhe shqetësimet tona u drejtuan te siguria e fëmijëve tanë të dashur, te qindra studentë të kolegjit dhe te trupa pedagogjike dhe një komunitet që e donim. Ishim më pak se 50 km larg shtëpisë, dhe prapëseprapë atë ditë, kohë përpara telefonave celularë dhe mesazheve me celular, nuk kishim mënyrë komunikimi të menjëhershme me fëmijët tanë, as nuk mund të ktheheshim me makinë nga Ajdaho‑Follsi për në Reksburg, ngaqë të gjitha rrugët ishin mbyllur.

Mundësia jonë e vetme ishte ta kalonim natën në një motel të zonës në Ajdaho‑Folls. Kethi dhe unë u gjunjëzuam së bashku në dhomën tonë të motelit dhe iu përgjëruam me përulësi Atit Qiellor për sigurinë e fëmijëve tanë të dashur dhe mijëra të tjerëve që ishin prekur nga ngjarja tragjike. Më kujtohen ecejaket e Kethit në orët e para të mëngjesit, me shqetësim për fëmijët e saj. Pavarësisht nga shqetësimet e mia, qeshë në gjendje ta flija mendjen dhe të bija në gjumë.

Nuk kaloi shumë kur shoqja ime e dashur e përjetshme më zgjoi dhe tha: “Hal, si mund të flesh në një kohë si kjo?”

Më pas këto fjalë më erdhën qartësisht në zemër e mendje. I thashë bashkëshortes sime: “Kethi, cilido qoftë përfundimi, gjithçka do të jetë mirë për shkak të tempullit. Ne kemi bërë besëlidhje me Perëndinë dhe jemi vulosur si një familje e përjetshme.”

Në atë çast, ishte sikur Shpirti i Zotit pohoi në zemrën dhe mendjen tonë atë që të dy ne e dinim tashmë se ishte e vërtetë: ordinancat vulosëse, që gjenden vetëm në shtëpinë e Zotit dhe që administrohen nga autoriteti i duhur i priftërisë, na kishin lidhur së bashku si bashkëshort e bashkëshorte, dhe fëmijët tanë ishin vulosur me ne. Vërtet që nuk kishte vend për frikë, dhe ishim mirënjohës që më vonë mësuam se djemtë tanë ishin të sigurt.

Ndoshta kjo thënie nga Presidenti Tomas S. Monson, e ilustron më së miri atë që unë dhe Kethi ndiem atë natë të paharrueshme. “Teksa e frekuentojmë tempullin, mund të na vijë një përmasë shpirtshmërie dhe një ndjenjë paqeje. … Ne do ta rrokim mirë domethënien e vërtetë të fjalëve të Shpëtimtarit, kur Ai tha: ‘Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: … zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë’ [Gjoni 14:27].”2

Jam bekuar që ta ndiej atë paqe sa herë që hyj në tempullin e shenjtë. Më kujtohet dita e parë kur hyra në Tempullin e Solt‑Lejkut. Isha i ri në moshë.

E hodha vështrimin te një tavan i lartë, i bardhë që i jepte aq shumë dritë dhomës, saqë gati dukej sikur ishte njësh me qiellin. Në atë çast, në mendjen time erdhi një mendim me këto fjalë të qarta: “Kam qenë në këtë vend të ndriçuar më parë”. Por pastaj më erdhën menjëherë në mendje këto fjalë, por jo nga zëri im: “Jo, ti nuk ke qenë kurrë këtu më parë. Ti po kujton një çast përpara se të lindeshe. Ti ishe në një vend të shenjtë si ky ku Zoti mund të vinte.”

Vëllezër dhe motra, dëshmoj me përulësi se kur e frekuentojmë tempullin, neve mund të na kujtohet natyra e përjetshme e shpirtit tonë, marrëdhënia jonë me Atin dhe Birin e Tij hyjnor dhe dëshira jonë përfundimtare për t’u kthyer në shtëpinë tonë qiellore.

Në fjalimet e konferencave të kohëve të fundit, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

“Vendi më i sigurt për të qenë shpirtërisht është të jetoni brenda besëlidhjeve tuaja të tempullit!”

“Çdo gjë që ne besojmë dhe çdo premtim që Perëndia ia ka bërë popullit të Tij, përmblidhen në tempull.”3

“Çdo person që bën besëlidhje … në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit.”4

Ai gjithashtu ka dhënë mësim se “kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire.”5

Nën udhëheqjen e frymëzuar të Presidentit Nelson, Zoti e ka përshpejtuar dhe do të vazhdojë ta përshpejtojë ndërtimin e tempujve kudo në botë. Kjo do t’u lejojë të gjithë fëmijëve të Perëndisë mundësinë për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, dhe për të bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta. Kualifikimi për të bërë besëlidhje të shenjta nuk është një përpjekje njëherëshe, por një model për tërë jetën. Zoti ka thënë se do të kërkojë gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.6

Pjesëmarrja e shpeshtë në ordinancat e tempullit mund të krijojë një model përkushtimi ndaj Zotit. Kur i mbani besëlidhjet tuaja të tempullit dhe i kujtoni ato, ju ftoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë që t’ju forcojë e t’ju pastrojë.

Ju mund të përjetoni më pas një ndjenjë drite dhe shprese që dëshmon se premtimet janë të vërteta. Do të arrini ta dini se çdo besëlidhje me Perëndinë është një mundësi që të vini më pranë Tij, e cila do të krijojë më pas një dëshirë në zemrën tuaj për t’i mbajtur besëlidhjet e tempullit.

Neve na është premtuar: “Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne”7.

Është nëpërmjet besëlidhjeve të vulosjes në tempull që ne mund të marrim sigurinë për lidhjet e dashura familjare që do të vazhdojnë pas vdekjes dhe do të zgjatin në përjetësi. Respektimi i besëlidhjeve të martesës dhe familjare të bëra në tempujt e Perëndisë do të sigurojë mbrojtje nga ligësia e egoizmit dhe krenarisë.

Përkujdesja e vazhdueshme e vëllezërve dhe motrave për njëri‑tjetrin do të vijë vetëm me përpjekjet ngulmuese për ta udhëhequr familjen tuaj në udhën e Zotit. Jepuni fëmijëve mundësi të luten për njëri‑tjetrin. Dallojini shpejt fillimet e mosmarrëveshjeve dhe vërini në dukje mirësisht veprat e shërbimit vetëmohues, veçanërisht ndaj njëri‑tjetrit. Kur vëllezërit dhe motrat [në familje] luten për njëri‑tjetrin dhe i shërbejnë njëri‑tjetrit, do t’u zbutet zemra dhe do t’u kthehet nga njëri‑tjetri dhe prindërit e tyre.

Pjesërisht, kjo është ajo që përshkroi Malakia kur parashikoi ardhjen e profetit Elija: “Ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij.”8

Sprovat, sfidat dhe pikëllimet do të na vijnë me siguri të gjithëve. Askush prej nesh nuk është i imunizuar nga “gj[e]mb[i] në mish”9. Prapëseprapë, kur e frekuentojmë tempullin dhe i kujtojmë besëlidhjet tona, ne mund të përgatitemi për të marrë drejtim vetjak nga Zoti.

Kur Kethi dhe unë u martuam dhe u vulosëm në Tempullin e Loganit në Jutë, në atë kohë Plaku Spenser W. Kimball kreu vulosjen tonë. Në ato pak fjalë që tha, ai dha këtë këshillë: “Hal dhe Kethi, jetoni në atë mënyrë që kur thirrja të vijë, ju të mund të largoheni me lehtësi”.

Fillimisht, ne nuk e kuptuam se çfarë domethënie kishte ajo këshillë për ne, por bëmë më të mirën për ta jetuar jetën tonë në një mënyrë që do të ishim të përgatitur të largoheshim për t’i shërbyer Zotit kur thirrja të vinte. Pasi kishim qenë të martuar për gati 10 vjet, një thirrje e papritur erdhi nga Komisioneri i Arsimimit të Kishës, Nil A. Maksuelli.

Këshilla e dashur e dhënë nga Presidenti Kimball në tempull që të ishim në gjendje “të largohe[shim] me lehtësi”, u bë realitet. Kethi dhe unë morëm një thirrje për t’u larguar nga ajo që dukej një situatë familjare idilike në Kaliforni, për të shërbyer në një detyrë dhe në një vend për të cilin nuk dija asgjë. Sidoqoftë, familja jonë ishte gati të largohej për shkak se një profet, në një tempull të shenjtë, një vend zbulese, pa një ngjarje të ardhshme për të cilën ne ishim të përgatitur asokohe.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jap dëshmi se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa respektimi i besëlidhjeve që keni bërë ose mund të bëni në tempull. Pavarësisht se ku jeni në shtegun e besëlidhjeve, unë ju nxit të kualifikoheni dhe të merrni të drejtën për ta frekuentuar tempullin. Vizitojeni atë aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat. Bëni dhe mbani besëlidhje të shenjta me Perëndinë. Mund t’ju siguroj për të njëjtën të vërtetë që i tregova Kethit në mes të natës pothuaj pesë dekada më parë në një dhomë moteli në Ajdaho‑Folls: “Pavarësisht nga përfundimi, gjithçka do të jetë mirë për shkak të besëlidhjeve të tempullit”.

Ju jap dëshminë time të sigurt se Jezusi është Krishti. Ai jeton dhe e drejton Kishën e Tij. Tempujt janë shtëpitë e Zotit. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i gjallë i Perëndisë në tokë. E dua atë dhe e dua secilin prej jush. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.