Konferenca e Përgjithshme
Besnikë deri në Fund
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Besnikë deri në Fund

Me dorën e Tij, ju do të jeni në gjendje ta mposhtni çfarëdolloj Goliathi që shfaqet në jetën tuaj.

Të dashur miq të rinj në moshë, sot do të doja t’ju flisja drejtpërdrejt juve – rinisë së Kishës.

Ka kaluar një vit qëkurse u thirr Presidenca jonë e Përgjithshme e Të Rejave. Sa shumë gjëra kanë ndodhur këtë vit që kaloi!

Kemi takuar shumë prej jush dhe i kemi studiuar së bashku mësimet e Krishtit. Kemi kënduar këngë, kemi zënë miq e mikesha të reja dhe kemi shërbyer me ju në komunitetet tona. Jemi forcuar duke dëgjuar dëshmitë tuaja në konferencat e rinisë dhe në ngjarjet botërore. Kemi adhuruar së bashku në shtëpinë e Zotit.

Çdo herë, kemi dhënë një mesazh nga Zoti ynë Jezu Krisht. Sonte nuk do të jetë ndryshe; unë kam një mesazh për ju, rininë e Kishës së Jezu Krishtit.

Pyetjet e Mëdha

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si mund të jeni besnikë ndaj Perëndisë ndërsa jetoni në një botë me mëkat? Ku e merrni forcën që të shkoni përpara dhe të vijoni së bëri mirë? Si përjetoni ju gëzim të vërtetë?

Mendoj se përvoja e Davidit me Goliathin1 mund të ndihmojë.

Davidi dhe Goliathi

Te Dhiata e Vjetër, ushtria e filistejve po luftonte me izraelitët, dhe çdo mëngjes e çdo mbrëmje, një filiste gjigant, që quhej Goliath, e sfidonte cilindo prej izraelitëve që të ndeshej me të.

Pamja
Davidi dhe Goliathi.

Mes popullit izraelit jetonte Davidi, një bari i ri në moshë, shumë herë më i vogël se Goliathi në trup, por me një besim gjigant te Jezu Krishti! Davidi doli vullnetar për t’u ndeshur. Madje dhe mbreti u përpoq që t’ia kthente mendjen Davidit, por ai zgjodhi ta vendoste mirëbesimin e tij te Jezu Krishti.

Më parë, Davidi ishte ndeshur me një luan, si edhe me një ari. Nga përvoja e tij vetjake, ai e dinte se Perëndia e kishte mbrojtur atë dhe e kishte nxjerrë fitimtar. Për Davidin, kauza e Perëndisë ishte kauza më e rëndësishme. Ndaj, plot besim se Perëndia nuk do ta braktiste atë, ai mblodhi pesë gurë të lëmuar, mori hobenë e tij dhe shkoi të përballej me gjigantin.

Pamja
Pesë gurët e Davidit.

Shkrimet e shenjta na tregojnë se guri i parë që hodhi Davidi e goditi Goliathin në ballë, duke ia marrë jetën.2

Kërkimi për Përgjigjen

Ndonëse Davidi përdori vetëm një gur për ta vrarë Goliathin, ai ishte i përgatitur me pesë gurë. Me pesë! Kjo më bën të mendoj rreth mënyrës se si unë mund ta përgatit veten për t’u përballur me botën.

Po sikur çdo gur i Davidit të përfaqësonte një forcë që na nevojitet për të dalë triumfues në jetën tonë? Çfarë mund të ishin ata pesë gurë? Unë mendova këto mundësi:

  1. Guri i dashurisë sime për Perëndinë.

  2. Guri i besimit tim te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

  3. Guri i njohurisë së identitetit tim të vërtetë.

  4. Guri i pendimit tim të përditshëm.

  5. Guri i qasjes sime te fuqia e Perëndisë.

Le të flasim rreth asaj se si ne bekohemi nga këto forca.

Së pari, guri i dashurisë sime për Perëndinë. Ta duam Perëndinë është urdhërimi i parë, i madh.3 Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë na mëson: “Perëndia ju do. Ai është Ati juaj. Dashuria e Tij e përsosur mund t’ju frymëzojë që ta doni Atë. Kur dashuria juaj për Atin Qiellor është ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj, shumë vendime bëhen më të lehta.”4

Dashuria jonë për Perëndinë dhe marrëdhënia jonë e ngushtë me Të na japin forcën që na nevojitet për ta shndërruar zemrën tonë dhe për t’i kapërcyer më lehtësisht sfidat tona.

Së dyti, guri i besimit tim te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Kur Jezu Krishti erdhi në tokë, Ai vuajti për mëkatet tona5 dhe Ai mori mbi Vete pikëllimet tona, dhembjet tona, dobësitë tona dhe sëmundjet tona fizike e mendore. Ja pse Ai e di se si të na ndihmojë. Pasja e besimit te Jezu Krishti do të thotë t’i mirëbesojmë plotësisht urtësisë së Tij, kohës së caktuar prej Tij, dashurisë së Tij dhe fuqisë së Tij për të shlyer për mëkatet tona. Guri i besimit te Jezu Krishti do ta mundë çfarëdolloj “gjiganti” në jetën tonë.6 Ne mund ta mundim këtë botë të rënë për shkak se Ai e mundi atë i pari.7

Numër tre, guri i njohurisë së identitetit tim të vërtetë. Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, na mësoi se identitetet tona më të rëndësishme janë: identiteti si fëmijë të Perëndisë, si fëmijë të besëlidhjes dhe si dishepuj të Jezu Krishtit.8

Çdo gjë ndryshon kur unë e di se cili apo cila jam vërtet.9 Kur dyshoj tek aftësitë e mia, unë shpesh përsërit në mendjen time ose me zë të lartë: “Unë jam një bijë e Perëndisë, unë jam një bijë e Perëndisë”, aq herë sa e kam të nevojshme derisa ta ndiej sërish vetëbesimin për të vazhduar përpara.

Së katërti, guri i pendimit tim të përditshëm. Tek udhëzuesi Për Forcën e Rinisë, ne lexojmë: “Pendimi nuk është ndëshkim për mëkatin; është mënyra se si Shpëtimtari na çliron nga mëkati. Të pendohesh do të thotë të ndryshosh – të largohesh nga mëkati dhe të kthehesh drejt Perëndisë. Do të thotë të përmirësohesh dhe të marrësh falje. Ky lloj ndryshimi nuk është një ngjarje që ndodh vetëm një herë; është një proces i vazhdueshëm.”10

Asgjë nuk është më çliruese sesa të ndiejmë faljen e Perëndisë dhe të dimë se jemi të pastër dhe jemi pajtuar me Të. Falja është e mundur për çdo njeri.

Guri i pestë është guri i qasjes sime te fuqia e Perëndisë. Besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë, të tilla si ato që i bëjmë në ordinancën e pagëzimit, na japin të drejtën për fuqinë e perëndishmërisë.11 Fuqia e Perëndisë është një fuqi e vërtetë që na ndihmon të përballemi me sfidat, të marrim vendime të mira dhe ta rritim aftësinë tonë për t’i duruar situatat e vështira. Është një fuqi me anë të së cilës mund të rritemi në ato aftësi të veçanta që na nevojiten.12

Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë shpjegon: “Besëlidhjet ju lidhin me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. Ato e rritin fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj.”13

Le të flasim për atë lidhje. A ju kujtohet kur Krishti dha mësim për ndryshimin midis një shtëpie të ndërtuar mbi shkëmb dhe një shtëpie të ndërtuar mbi rërë?14 Plaku Diter F. Uhtdorf shpjegoi: “Një shtëpi nuk mbijeton në një stuhi ngaqë shtëpia është e fortë. Gjithashtu nuk mbijeton thjesht ngaqë shkëmbi është i fortë. Shtëpia i mbijeton stuhisë ngaqë i është … ngjitur në mënyrë të palëkundur atij shkëmbi të fortë. Është forca e lidhjes me shkëmbin që ka rëndësi.”15

Pamja
Shtëpi e ndërtuar mbi një shkëmb.

Lidhja jonë vetjake me Jezu Krishtin do të na japë guximin dhe vetëbesimin që të bëjmë përpara midis njerëzve që nuk i respektojnë bindjet tona fetare ose që na bullizojnë. Krishti na fton që ta mbajmë Atë pandërprerë në mendimet tona; Ai na thotë: “Shihni tek unë në çdo mendim”16. Të menduarit rreth Shpëtimtarit na jep qartësi të mendjes për të marrë vendime, për të vepruar pa frikë dhe për t’i thënë ‘jo’ asaj që bie ndesh me mësimet e Perëndisë.17 Kur kam një ditë të vështirë dhe ndihem sikur nuk përballoj dot më, të menduarit rreth Krishtit më sjell paqe dhe më jep shpresë.

Si mund të mbështetemi te kjo fuqi e Jezu Krishtit? Bindja ndaj besëlidhjeve tona dhe rritja e besimit tonë te Jezu Krishti janë çelësi.

Faktikisht, do të dëshiroja që Davidi të kishte edhe një gur tjetër; ai do të ishte guri i dëshmisë sime. Dëshmia jonë ndërtohet nga përvoja vetjake shpirtërore në të cilat ne dallojmë ndikimin hyjnor në jetën tonë.18 Askush nuk mund të na e marrë atë njohuri. Të diturit e asaj që dimë nga të përjetuarit e përvojave tona shpirtërore është i paçmuar. Të qenit i vërtetë ndaj asaj njohurie na jep liri. Na jep gëzim! Nëse e duam të vërtetën, ne do ta kërkojmë atë dhe, pasi ta gjejmë atë, do ta mbrojmë atë.19

Një Ftesë

Ashtu siç zgjodha unë gurin me numër gjashtë, ju ftoj që të mblidheni me klasën tuaj, me kuorumin tuaj ose familjen tuaj dhe të mendoni rreth asaj se çfarë forcash të tjera ju nevojiten që t’i fitoni për të qëndruar besnikë ndaj Perëndisë dhe, si rrjedhim, ta mundni botën.

Një Premtim

Të dashur miq, Krishti dëshiron fort që të na shoqërojë në rrugëtimin e jetës tonë. Ju premtoj se, ndërsa mbaheni fort te shufra e hekurit, ju do të ecni dorë për dore me Jezu Krishtin.20 Ai do t’ju udhërrëfejë dhe Ai do t’ju mësojë.21 Me dorën e Tij, ju do të jeni në gjendje ta mposhtni çfarëdolloj Goliathi që shfaqet në jetën tuaj.

Dëshmia

Unë dëshmoj se ka gëzim në të luturit çdo ditë, në leximin e Librit të Mormonit çdo ditë, në marrjen e sakramentit çdo të diel dhe në vajtjen në seminar – po, madje në mëngjes herët! Ka gëzim në të bërit mirë.

Ka gëzim në të qenit besnik ndaj Perëndisë së universit, Shpëtimtarit të botës, Mbretit të mbretërve. Ka gëzim në të qenit dishepull i Jezu Krishtit.

Perëndia është Ati ynë. Ai i njeh dëshirat e zemrës suaj dhe mundësitë tuaja dhe Ai ka mirëbesim te ju.

Të dashur të rinj e të reja, Jezu Krishti do t’ju ndihmojë të jeni besnikë deri në fund. Për këto të vërteta jap dëshminë time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.