Konferenca e Përgjithshme
Vishuni me Zotin Jezu Krisht
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Vishuni me Zotin Jezu Krisht

Nëpërmjet nderimit të besëlidhjeve tona, ne i japim mundësi Perëndisë për të derdhur morinë e bekimeve të premtuara, që lidhen me ato besëlidhje.

Ndërkohë që po rriteshin dy fëmijët e mi më të vegjël, zbulova libra që ishin zbavitës dhe përfshirës, por gjithashtu përdornin simbolikë në tregimet e tyre. Teksa lexonim së bashku mbrëmjeve, më pëlqente shumë t’i ndihmoja fëmijët e mi që të kuptonin simbolikën që po përdorte autori për të dhënë mësim parime më të thella, madje parime të ungjillit.

Një ditë, kur djali im më i vogël ishte në fillim të adoleshencës, e kuptova që kjo gjë po zinte vend. Kishte filluar të lexonte një libër të ri dhe thjesht donte të shijonte tregimin, por mendja e tij vazhdonte të përpiqej që të gjente kuptimin më të thellë në gjithçka që po lexonte. Ai ishte i acaruar, por unë po buzëqeshja me vete.

Jezusi dha mësim nëpërmjet tregimeve dhe simboleve – një fare sinapi për të dhënë mësim fuqinë e besimit, një deleje të humbur për të dhënë mësim vlerën e shpirtrave, një djali plëngprishës për të dhënë mësim për karakterin e Perëndisë. Shëmbëlltyrat e Tij ishin simbole nëpërmjet të cilave Ai mund të jepte mësime më të thella për ata që kishin “vesh për të dëgjuar”. Por ata që nuk kërkonin domethënie më të thellë, nuk do të kuptonin, po ashtu si shumë njerëz që i lexuan të njëjtët libra që u lexova fëmijëve të mi, nuk e ditën kurrë se kishte domethënie më të thella dhe shumë më tepër për të mësuar nga ato tregime.

Kur Perëndia, Ati e ofroi Birin e Tij të Vetëmlindur si një flijim për ne, Jezu Krishti Vetë u bë simboli më i lartë i dashurisë së pavdekshme të Atit tonë në Qiell për secilin prej nesh. Jezu Krishti u bë Qengji i Perëndisë.

Ne kemi privilegjin dhe bekimin e të qenit të ftuar në një marrëdhënie besëlidhjesh me Perëndinë, në të cilën vetë jeta jonë mund të bëhet një simbol i asaj besëlidhjeje. Besëlidhjet krijojnë llojin e marrëdhënies që e lejon Perëndinë të na japë formë e të na ndryshojë me kalimin e kohës dhe të na lartësojë që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari, duke na afruar gjithnjë e më shumë tek Ai dhe Ati ynë dhe përfundimisht duke na përgatitur që të hyjmë në praninë e Tyre.

Çdo person në tokë është një bir ose bijë e dashur e Perëndisë. Kur zgjedhim të jemi pjesë e një besëlidhjeje, ajo e zmadhon dhe e thellon marrëdhënien tonë me Të. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se kur zgjedhim të bëjmë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të mund të bëhet shumë më e afërt nga ç’ishte përpara besëlidhjes sonë dhe ajo i jep mundësi Atij që të na bekojë me një masë shtesë të mëshirës dhe dashurisë së Tij, një dashuri besëlidhëse e cila quhet hesed në gjuhën hebraike. Shtegu i besëlidhjeve është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë, marrëdhënies sonë të hesed‑it me Të.

Ati ynë dëshiron një marrëdhënie më të thellë me të gjithë bijtë dhe bijat e Tij, por ajo është zgjedhja jonë. Kur zgjedhim të afrohemi më shumë tek Ai nëpërmjet një marrëdhënieje besëlidhjesh, kjo e lejon Atë që të na afrohet më shumë neve dhe të na bekojë më plotësisht.

Perëndia cakton kushtet dhe angazhimet e besëlidhjeve që ne bëjmë. Kur zgjedhim të hyjmë në atë besëlidhje, ne i dëshmojmë Atij, nëpërmjet veprimeve tona simbolike të secilës besëlidhje, se jemi të gatshëm t’u bindemi kushteve që ka caktuar Ai. Nëpërmjet nderimit të besëlidhjeve tona, ne i japim mundësi Perëndisë për të derdhur morinë e bekimeve të premtuara, që lidhen me ato besëlidhje, përfshirë fuqinë e shtuar për të ndryshuar e për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari ynë. Jezu Krishti është në qendër të të gjitha besëlidhjeve që bëjmë, dhe bekimet nga besëlidhjet bëhen të mundura për shkak të flijimit të Tij shlyes.

Pagëzimi me anë të zhytjes është porta simbolike nëpërmjet së cilës hyjmë në një marrëdhënie besëlidhjesh me Perëndinë. Të qenit të zhytur brenda në ujë dhe dalja përsëri është simbol i vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit në një jetë të re. Kur pagëzohemi, ne simbolikisht vdesim dhe lindemi sërish në familjen e Krishtit dhe tregojmë se jemi të gatshëm që të marrim mbi vete emrin e Tij. Ne vetë e mishërojmë atë simbolikë të besëlidhjes. Në Dhiatën e Re lexojmë: “Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur”. Me pagëzimin tonë, ne simbolikisht veshim Krishtin.

Ordinanca e sakramentit gjithashtu na drejton te Shpëtimtari. Buka dhe uji janë simbole të mishit dhe të gjakut të Krishtit të derdhur për ne. Dhurata e Shlyerjes së Tij na ofrohet simbolikisht çdo javë kur një mbajtës i priftërisë, duke përfaqësuar Vetë Shpëtimtarin, na ofron bukën dhe ujin. Kur kryejmë veprimin e ngrënies dhe të pirjes së emblemave të trupit dhe gjakut të Tij, Krishti simbolikisht bëhet një pjesë e jona. Ne sërish veshim Krishtin kur bëjmë një besëlidhje të re çdo javë.

Kur bëjmë besëlidhjet me Perëndinë në shtëpinë e Zotit, ne e thellojmë më tej marrëdhënien tonë me Të. Çdo gjë që bëjmë në tempull, na drejton te plani i Atit tonë për ne, në thelb të të cilit është Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes. Zoti do të na mësojë rresht pas rreshti nëpërmjet simbolikës së ordinancave dhe besëlidhjeve teksa e hapim zemrën dhe plot lutje kërkojmë të kuptojmë domethëniet më të thella.

Si pjesë e ordinancës së dhurimit në tempull, ne autorizohemi që të mbajmë veshjen e brendshme të priftërisë së shenjtë. Ajo është një detyrim i shenjtë si edhe një privilegj i shenjtë.

Në shumë tradita fetare, njerëzit mbajnë një veshje të jashtme dhe të veçantë si simbol i bindjeve dhe zotimit fetar individual ndaj Perëndisë, dhe veshje ceremoniale shpesh mbahen nga ata që drejtojnë shërbesat e adhurimit. Ato veshje të shenjta mbajnë domethënie të thellë për njerëzit që i veshin. Ne lexojmë në shkrimet e shenjta se në kohët e lashta, vishej gjithashtu veshje e shenjtë ceremoniale në lidhje me ritet në tempull.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ata prej nesh që kanë zgjedhur të bëjnë besëlidhje me Perëndinë në shtëpinë e Zotit, mbajnë veshje të shenjta ceremoniale të jashtme gjatë adhurimit në tempull, simbolikë e veshjes që mbahej në ritet e lashta në tempull. Ne gjithashtu mbajmë veshjen e brendshme të priftërisë së shenjtë, si gjatë adhurimit në tempull ashtu edhe në jetën tonë të përditshme.

Veshja e brendshme e priftërisë së shenjtë është thellësisht simbolike dhe gjithashtu na drejton te Shpëtimtari. Kur Adami dhe Eva hëngrën frutën dhe iu desh të largoheshin nga Kopshti i Edenit, atyre iu dhanë tunika prej lëkure si një mbulesë për ta. Ka të ngjarë që një kafshë u flijua për të bërë ato tunika prej lëkure – simbolikë e flijimit të vetë Shpëtimtarit për ne. Kafer është fjala bazë hebraike për shlyerjen dhe njëri nga kuptimet e kësaj fjale është “të mbulosh”. Veshja jonë e brendshme e tempullit na kujton se Shpëtimtari dhe bekimet e Shlyerjes së Tij na mbulojnë gjatë gjithë jetës. Ndërsa e veshim veshjen e brendshme të priftërisë së shenjtë çdo ditë, ai simbol i bukur bëhet një pjesë e jona.

Në librin e Dhiatës së Re “Letra … drejtuar Romakëve” ne lexojmë: “Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës. … Vishuni me Zotin Jezu Krisht.”

Sa mirënjohëse jam për privilegjin e mbajtjes së veshjes së brendshme të priftërisë së shenjtë për të më kujtuar se Shpëtimtari dhe bekimet e Shlyerjes së Tij të pafundme vazhdimisht më mbulojnë gjatë gjithë rrugëtimit tim në vdekshmëri. Gjithashtu më kujton se kur i mbaj besëlidhjet që kam bërë me Perëndinë në shtëpinë e Zotit, unë kam veshur simbolikisht Krishtin, i cili Vetë është një parzmore e dritës. Ai do të më mbrojë nga e liga, do të më japë fuqi dhe aftësi të shtuar dhe do të jetë drita ime dhe udhërrëfyesi im përmes errësirës dhe vështirësive të kësaj bote.

Ka domethënie të thellë dhe të bukur simbolike në veshjen e brendshme të priftërisë së shenjtë dhe në marrëdhënien e saj me Krishtin. Besoj se gatishmëria ime për ta mbajtur veshjen e brendshme të shenjtë bëhet simboli im kundrejt Tij. Ajo është shenja ime vetjake ndaj Perëndisë, jo një shenjë për të tjerët.

Sa mirënjohëse jam për Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin. Flijimi i Tij shlyes për ne u bë simboli më i madh i dashurisë së pafundme të Tij dhe të Atit tonë në Qiell për ne, me simbolet e qarta të asaj dashurie dhe të atij flijimi – shenjat në duart, këmbët dhe ijën e Shpëtimtarit – që mbetën edhe mbas Ringjalljes së Tij.

Teksa i mbaj besëlidhjet dhe detyrimet e mia ndaj Perëndisë, përfshirë mbajtjen e veshjes së brendshme të priftërisë së shenjtë, vetë jeta ime mund të bëhet një simbol vetjak i dashurisë sime dhe mirënjohjes sime të thellë për Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin, dhe për dëshirën time që ta kem Atë gjithmonë me vete.

Nëse nuk e keni bërë këtë gjë ende, ju ftoj të zgjidhni një marrëdhënie më të thellë me Perëndinë nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të në shtëpinë e Zotit. Studiojini bisedat e profetit tonë (përfshirë mësimet e bukura në shënimet në fund të bisedave të tij, që i kanë shumica e bisedave të konferencave). Ai ka folur në mënyrë të përsëritur rreth besëlidhjeve për vite dhe veçanërisht që nga bërja President i Kishës. Mësoni nga mësimet e tij rreth bekimeve të bukura dhe fuqisë e aftësisë së shtuar që mund të jenë tuajat nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve me Perëndinë.

Manuali i Përgjithshëm thotë se nuk kërkohet që të kesh një thirrje misioni ose të fejohesh gati për t’u martuar që të bësh besëlidhje në tempull. Një person duhet të jetë të paktën 18 vjeç, të mos jetë më duke ndjekur shkollën e mesme ose një shkollë të barasvlershme dhe të jetë anëtar i Kishës për të paktën një vit. Kërkohen gjithashtu standarde të shenjtërisë vetjake. Nëse keni dëshirën që ta thelloni marrëdhënien tuaj me Atin tuaj në Qiell dhe Jezu Krishtin duke bërë besëlidhje të shenjta në shtëpinë e Zotit, ju ftoj të flisni me peshkopin ose presidentin tuaj të degës dhe t’ia bëni atij të ditura dëshirat tuaja. Ai do t’ju ndihmojë të dini se si të përgatiteni për t’i marrë dhe për t’i respektuar ato besëlidhje.

Nëpërmjet një marrëdhënieje besëlidhjesh me Perëndinë, vetë jeta jonë mund të bëhet një simbol i gjallë i zotimit tonë ndaj Atit tonë në Qiell dhe i dashurisë sonë të thellë për Të, i hesed‑it tonë për Të dhe i dëshirës sonë për të përparuar dhe përfundimisht për t’u bërë si Shpëtimtari ynë, duke qenë të përgatitur që një ditë të hyjmë në praninë e Tyre. Dëshmoj se bekimet e mëdha të asaj marrëdhënieje besëlidhjesh vlejnë shumë më tepër se çmimi që kërkohet. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.