Konferenca e Përgjithshme
Në Përkrahje të Brezit të Ri
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Në Përkrahje të Brezit të Ri

Janë marrëdhëniet në jetën e të rinjve e të rejave ato që kanë ndikimin më të madh në zgjedhjet e tyre.

Gjatë përgatitjes për t’ju folur, më ka tërhequr historia e Helamanit dhe e bijve të rinj në moshë të popullit të Amonit. E kam ndier fuqinë e profetëve të Librit të Mormonit tek u japin mësim prindërve, peshkopëve dhe anëtarëve të lagjes nëpërmjet studimit të këtij rrëfimi.

Helamani ishte një njeri që të rinjtë amonitas mund t’i mirëbesonin. Ai i ndihmoi ata që të formoheshin dhe të bëheshin të pjekur në drejtësi. Ata e njihnin dhe e donin atë dhe “deshën që [ai] të ishte udhëheqësi i tyre”1.

Helamani i donte këta të rinj si bij dhe e pa potencialin e tyre.2 Plaku Dejll G. Renland dha mësim se “që t’u shërbejmë të tjerëve me efektshmëri, ne duhet t’i shohim ata … nëpërmjet syve të Atit Qiellor. Vetëm atëherë ne mund të fillojmë ta kuptojmë vlerën e vërtetë të një shpirti. Vetëm atëherë ne mund ta ndiejmë dashurinë që Ati Qiellor ka për të gjithë fëmijët e Tij.”3 Peshkopët sot janë bekuar me dhuratën e dallimit për të parë identitetin hyjnor të të rinjve e të të rejave nën kujdesin e tyre.

Helamani i “numëro[i]”4 të rinjtë që ishin nën kujdesin e tij. Ai i dha përparësi ndërtimit të marrëdhënieve të forta me ta.

Në një kohë kritike, kur jeta dhe vdekja vareshin në fije të perit, Helamani dhe luftëtarët e tij të rinj i humbën gjurmët e ushtrisë që po i ndiqte. Helamani u këshillua me të rinjtë:

“Vini re, ne nuk e dimë a kanë ndaluar me qëllim që ne t’u biem. …

Prandaj, ç’thoni djemtë e mi, …?”5

Këta të rinj besnikë u përgjigjën: “Atë, vër re, Perëndia ynë është me ne dhe ai nuk do të lejojë që ne të biem; prandaj, le të shkojmë”6. Beteja u fitua teksa Helamani i përkrahu këta të rinj në vendosmërinë e tyre7 për të vepruar8.

Amonitët e rinj kishin një kauzë të madhe dhe ishin të guximshëm për ta “ndihmuar popullin”9. “Këto forca të vogla”, të udhëhequra nga Helamani, përhapën “shpresë të madhe dhe shumë gëzim”10 në zemrat e ushtrive nefite me përvojë. Peshkopët sot mund ta udhëheqin rininë e tyre të talentuar në mënyrë të pashembullt në bekimin e lagjes dhe mbledhjen e Izraelit. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se ky është “misioni për të cilin [ata] u dërgua[n] në tokë”11.

Ashtu si këta amonitë të rinj në moshë që ishin “njerëz të besuar në çdo kohë, në çdo gjë që u besohej”12, Helamani i ndoqi me besnikëri udhëheqësit e tij. Pavarësisht nga sfida apo pengesa, Helamani qëndroi gjithmonë i “[palëkundur] me vendosmëri”13 për ta çuar përpara qëllimin e tyre. Kur ai u udhëzua që të “marsho[nte] me djemtë e [tij] të vegjël”14, ai u bind.

Rinia sot bekohet kur peshkopët e ndjekin udhërrëfimin e udhëheqësve tanë për t’u “këshilluar me presidenten[/t] e Të Rejave të lagjes”15. Presidentët e kunjeve sigurohen që peshkopët dhe presidentet e Të Rejave udhëzohen për përmbushjen e përgjegjësive të tyre ndaj rinisë.16

Helamani i respektoi besëlidhjet. Kur Amoni ua mësoi ungjillin prindërve të djelmoshave, ata e përqafuan atë me zemër të hapur. Ata ishin kaq të zotuar ndaj jetës së tyre të re për dishepullim të drejtë sa bënë një besëlidhje për të “ul[ur] armët e rebelimit të tyre”17. E vetmja gjë që i bëri të merrnin në konsideratë shkeljen e kësaj besëlidhjeje, kthimin në të kaluarën e tyre të njohur të luftimeve, ishte të parit e nefitëve në rrezik.

Amonitët donin t’i ndihmonin këta njerëz që u kishin ofruar një shtëpi të sigurt. Helamani, së bashku me të tjerët, i bindën ata që ta mbanin besëlidhjen e tyre për të mos luftuar kurrë. Ai mirëbesonte më shumë në forcën që do të siguronte Perëndia sesa në forcën që këta amonitë mund të kishin siguruar me shpatat dhe shigjetat e tyre.

Kur Helamani dhe luftëtarët e tij të rinj në moshë u përballën me sfida të frikshme, Helamani ishte i vendosur. “Vër re, nuk ka rëndësi – ne besojmë se Perëndia do të na çlirojë.”18 Në një rast, kur ata ishin në prag të vdekjes nga uria, përgjigjja e tyre ishte që t’ia “derdh[nin] tërë shpirtrat [e] t[yre] në lutje Perëndisë, që ai t[’i] … forconte dhe t[’i] … çlironte … dhe … Zoti … [i] vizitoi me sigurime se do t[’i] … shpëtonte”19 “për shkak të besimit të tyre të pamasë në atë që iu mësua të besojnë”20.

Nga Helamani ne mësojmë se këta të rinj u përkrahën nga prindërit e tyre. Këta prindër besnikë e dinin se kishin përgjegjësinë kryesore për t’i mësuar fëmijët e tyre. Ata u mësuan fëmijëve të tyre që t’i zbatonin urdhërimet dhe të “ecnin drejtësisht”21 para Perëndisë. Nënat e tyre u mësuan se “në qoftë se nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte”22. Etërit e tyre dhanë një shembull të fuqishëm për bërjen e besëlidhjeve.23 Këta ish‑luftëtarë i dinin tmerret e betejës. Ata ia besuan bijtë e tyre pa përvojë kujdesit të Helamanit dhe i përkrahën ata duke u dërguar “shumë furnizime”24.

Helamani nuk ishte vetëm teksa i shërbente ushtrisë së tij të re në moshë. Ai kishte rreth tij njerëz të cilëve u drejtohej për përkrahje dhe udhërrëfim. Ai iu drejtua kapiten Moronit për ndihmë dhe e mori atë.

Askush që shërben në mbretërinë e Zotit, nuk shërben vetëm. Zoti na ka bekuar me lagje dhe kunje. Nëpërmjet organizatës së Tij të rivendosur, ne kemi burimet, urtësinë dhe frymëzimin për ta përballuar çdo sfidë.

Një peshkop ofron udhërrëfim për lagjen nëpërmjet këshillave.25 Ai nxit intervistat tremujore për dhënien e shërbesës dhe më pas e inkurajon kuorumin e pleqve dhe Shoqatën e Ndihmës që të përmbushin përgjegjësinë e tyre për t’u dhënë shërbesë familjeve. Këto presidenca marrin drejtimin në vlerësimin e nevojave dhe gjetjen e zgjidhjeve të frymëzuara. Presidentët e kunjeve ofrojnë përkrahje duke i udhëzuar presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës në këto përgjegjësi.

Udhërrëfimi i nevojshëm për udhëheqësit dhe prindërit gjendet te programet kompjuterike Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe Gospel Living [Të Jetuarit e Ungjillit]. Në këto burime të frymëzuara, ne mund të gjejmë shkrime të shenjta, mësime të profetëve bashkëkohorë dhe Manualin e Përgjithshëm. Nënndarja për Rininë te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ka shumë burime për presidencat e kuorumeve dhe të klasave26 dhe ka broshurën Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Ndërsa të gjithë anëtarët e lagjes i studiojnë këto burime të frymëzuara dhe kërkojnë udhërrëfim nga Shpirti, gjithsecili do të udhëzohet nga Zoti për forcimin e të rinjve dhe të rejave.

E gjithë lagjja do të bekohet e forcohet kur anëtarët të përqendrohen te brezi i ri. Pavarësisht nga papërsosuritë dhe mangësitë tona, Ati Qiellor e fton secilin prej nesh, nëpërmjet shoqërimit të Shpirtit të Tij, që t’i zgjatë dorën e ndihmës të tjerëve. Ai e di se ne rritemi dhe shenjtërohemi kur i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë.27 Nuk ka rëndësi sa të papërsosura janë përpjekjet tona. Kur bashkëpunojmë me Zotin, ne mund të mirëbesojmë se përpjekjet tona do të jenë në përputhje me atë që Ai do të bënte për të rinjtë e të rejat.

Duke ndjekur drejtimin e Frymës së Shenjtë për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat, ne bëhemi dëshmitarë të dashurisë së Atit Qiellor në jetën e tyre. Të vepruarit sipas nxitjeve që vijnë nga Zoti, ndërton marrëdhënie dashurie dhe mirëbesimi. Janë marrëdhëniet në jetën e të rinjve e të rejave ato që kanë ndikimin më të madh në zgjedhjet e tyre.

Të rinjtë e të rejat do të mësojnë modelin e zbulesës ndërsa marrin pjesë me ne në procesin e të kërkuarit dhe të vepruarit sipas nxitjeve për t’u shërbyer të tjerëve. Ndërsa të rinjtë e të rejat i drejtohen Zotit për këtë udhërrëfim të frymëzuar, marrëdhënia e tyre me Të dhe mirëbesimi tek Ai do të thellohen.

Ne shprehim mirëbesimin tonë tek të rinjtë e të rejat duke u ofruar përkrahje e udhëzim, pa e marrë ne kontrollin.28 Teksa bëjmë një hap pas dhe i lejojmë të rinjtë e të rejat të mësojnë nëpërmjet këshillimit së bashku, zgjedhjes së një drejtimi të frymëzuar dhe zbatimit të planit të tyre, ata do të përjetojnë gëzim dhe rritje të vërtetë.

Presidenti Henri B. Ajring dha mësim se “ajo që do të ketë më shumë rëndësi është ajo që ata mësojnë nga [ju] rreth asaj se cilët ata janë vërtet dhe çfarë ata vërtet mund të bëhen. Mendoj se këtë nuk do ta mësojnë aq shumë nga leksionet. Ata do ta marrin nga ndjesitë e asaj se çka ju jeni, cilët mendoni se janë ata dhe çfarë mendoni se ata mund të bëhen.”29

Të rinjtë e të rejat tona na mahnitin me guximin tyre, besimin e tyre dhe aftësitë e tyre. Ndërsa ata zgjedhin të jenë dishepuj plotësisht të angazhuar të Jezu Krishtit, ungjilli i Tij do të skalitet në zemrat e tyre. Ndjekja e Tij do të bëhet pjesë e asaj që janë, jo vetëm e asaj që bëjnë.

Helamani i ndihmoi amonitët e rinj në moshë që të shihnin se si jetonte një dishepull i guximshëm i Jezu Krishtit. Ne mund të jemi shembuj të fuqishëm për të rinjtë e të rejat të mënyrës se si jetojnë sot dishepujt e Krishtit. Prindërit besnikë po luten për këta shembuj në jetën e fëmijëve të tyre. Asnjë program nuk mund ta zëvendësojë ndikimin e të rriturve që kanë dashuri e që i mbajnë besëlidhjet.

Si president i kuorumit të priftërinjve, peshkopi mund të japë një shembull për të rinjtë se si të jenë bashkëshortë besnikë dhe etër të dashur30 nëpërmjet mbrojtjes, sigurimit dhe kryesimit31 në mënyra të drejta. Peshkopët, me një “përqendri[m] që ka pikërisht në qendër rininë”32, do të kenë një ndikim që do të zgjatë për breza të tërë.

Të rinjtë e të rejat sot janë ndër shpirtrat më fisnikë33 të Atit Qiellor. Ata ishin ndër mbrojtësit e palëkundur të së vërtetës dhe lirisë së zgjedhjes në botën para lindjes.34 Ata lindën në këto ditë për ta mbledhur Izraelin nëpërmjet dëshmisë së tyre të fuqishme për Zotin Jezu Krisht. Ai e njeh secilin prej tyre dhe e njeh potencialin e tyre të madh. Ai është i duruar ndërsa ata rriten. Ai do t’i shëlbojë dhe mbrojë ata. Ai do t’i shërojë dhe udhërrëfejë ata. Ai do t’i frymëzojë ata. Ne, prindërit dhe udhëheqësit e tyre, jemi përgatitur për t’i përkrahur ata. Ne kemi Kishën e Shpëtimtarit për të na ndihmuar teksa rritim brezin e ri.

Unë jap dëshmi se Kisha e Krishtit, e rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe e udhëhequr sot nga Presidenti Rasëll M. Nelson, është organizuar për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat të përmbushin qëllimin e tyre të madh në këto ditë të mëvonshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Alma 53:19.

  2. “Nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, … mund të jeni një pjesë e madhe e … diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore! … Ju jeni nga më të mirët që Zoti ka dërguar ndonjëherë në këtë tokë. Ju keni kapacitetin për të qenë më të zgjuar e më të mençur dhe për të pasur më shumë ndikim mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm!” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  3. Dejll G. Renland, “Nëpërmjet Syve të Perëndisë”, Liahona, nëntor 2015, f. 94.

  4. Alma 56:55.

  5. Alma 56:43–44.

  6. Alma 56:46.

  7. “Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë” (Dejll G.Renland, “Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104).

  8. “Kur ne i fuqizojmë të rinjtë dhe të rejat duke i ftuar dhe lejuar të veprojnë, Kisha do të shkojë përpara në mënyra të mrekullueshme” (nga një mbledhje me Plakun Dejvid A. Bednar; shihni edhe 2020 Temple and Family History Leadership Instruction, 27 shkurt 2020, Gospel Library [Biblioteka e Ungjilli]).

  9. Alma 53:22.

  10. Alma 56:17.

  11. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  12. Alma 53:20.

  13. Alma 58:12.

  14. Alma 56:30.

  15. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 7.1.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  16. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 6.7.2.

  17. Alma 23:7.

  18. Alma 58:37.

  19. Alma 58:10–11.

  20. Alma 57:26.

  21. Alma 53:21.

  22. Alma 56:47.

  23. Shihni tek Alma 23:7; 24:17–19.

  24. Alma 56:27.

  25. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 7.1.1.

  26. “Kur kërkojmë të vërtetë të përjetshme, dy pyetjet vijuese mund të na ndihmojnë që të dallojmë nëse një koncept vjen nga Perëndia apo nga një burim tjetër: A jepet mësim vazhdimisht koncepti në shkrimet e shenjta dhe nga profetët e gjallë? A pohohet koncepti nëpërmjet dëshmisë së Frymës së Shenjtë? Perëndia zbulon të vërteta doktrinore nëpërmjet profetëve dhe Fryma e Shenjtë na i pohon ato të vërteta neve dhe na ndihmon t’i vëmë ato në jetë” (Xhon C. Pingri i Riu, “E Vërteta e Përjetshme”, Liahona, nëntor 2023, f. 100).

  27. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 4:2–4.

  28. “Nëse rinia [jonë] është tepër e pakngarkuar [me punën e Perëndisë], ajo ka më shumë gjasa të jetë e mbingarkuar me botën. … Sa presidenca të kuorumeve të dhjakëve dhe mësuesve janë aty që thjesht të ftojnë dikë për të bërë një lutje apo për të shpërndarë sakramentin? Vëllezër, këta vërtet janë shpirtra të veçantë dhe ata mund të bëjnë gjëra me rëndësi, po t’u jepet mundësia!” (Neal A. Maxwell, “Unto the Rising Generation”, Ensign, prill 1985, f. 11).

  29. Henry B. Eyring, “Teaching Is a Moral Act” ( fjalim i mbajtur në konferencën vjetore të universitetit “Brigam Jang”, 27 gusht 1991), f. 3, speeches.byu.edu.

  30. Shihni tek “Tema e Kuorumeve të Priftërisë Aarone”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  31. Shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  32. “Është shpresa jonë që peshkopatat do t’u vënë theks dhe përqendrim më të madh përgjegjësive të priftërisë për të rinjtë dhe do t’i ndihmojnë ata për detyrat e kuorumeve të tyre. Këshillues për Të Rinjtë, të aftë dhe në moshë madhore, do të thirren për t’i ndihmuar presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe peshkopatën në detyrat e tyre. Kemi besim se më shumë të rinj e të reja do t’i përgjigjen kësaj sfide dhe do të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve për shkak të këtij përqendrimi që ka pikërisht në qendër rininë tonë” (Kuentin L. Kuk, “Përshtatje për të Forcuar Rininë”, Liahona, nëntor 2019, f. 41).

  33. “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë – ndoshta, mund të them, skuadrën e Tij më të mirë – për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë – ata lojtarë më të mirë, ata heronj – jeni ju!” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].)

  34. “Adoleshenti/ja që doni, mund të ketë qenë fare mirë një nga luftëtarët/et e guximshëm/me që ishte në anën e lirisë së zgjedhjes dhe së vërtetës. … Ne mund të japim ndihmë në mënyrën se si reagojmë ndaj vendosmërisë së tyre për të zgjedhur për veten. Ata do ta ndiejnë nëse i shohim sikur mund të kishin qenë fare mirë një nga luftëtarët/et besnikë/e nga ekzistenca para lindjes, ende të zotuar/a për mbrojtjen e lirisë së zgjedhjes morale dhe të vetëdijshëm/me për vlerën e saj të madhe për t’u sjellë atyre lumturi. Nëse ne mund t’i shohim ata si luftëtarë/e besnikë/e nga ekzistenca para lindjes, ne mund t’i shohim gjithashtu pretendimet e tyre për pavarësi si një shenjë të potencialit të tyre, një shenjë se ata po e vënë në provë fuqinë e lirisë së zgjedhjes që do t’u sjellë atyre lumturi” (Henry B. Eyring, “A Life Founded in Light and Truth” [takim shpirtëror në universitetin “Brigam Jang”, 15 gusht 2000], f. 3, 4, speeches.byu.edu).