Konferenca e Përgjithshme
Mrekullitë, Engjëjt dhe Fuqia e Priftërisë
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Mrekullitë, Engjëjt dhe Fuqia e Priftërisë

Nëse i dëshironi bekimet e priftërisë, përfshirë mrekullitë dhe shërbesën e engjëjve, ecni në shtegun e besëlidhjeve që Perëndia e ka vënë në dispozicion.

Shumë njerëz sot thonë se mrekullitë nuk ekzistojnë më, se engjëjt janë imagjinarë dhe se qiejt janë mbyllur. Unë dëshmoj se mrekullitë nuk kanë pushuar, engjëjt janë mes nesh dhe qiejt janë vërtet të hapur.

Kur Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, ishte në tokë, Ai i dha çelësat e priftërisë Apostullit të Tij kryesor, Pjetrit.1 Nëpërmjet këtyre çelësave, Pjetri dhe Apostujt e tjerë udhëhoqën Kishën e Shpëtimtarit. Por kur ata Apostuj vdiqën, çelësat e priftërisë u hoqën nga toka.

Unë dëshmoj se çelësat e lashtë të priftërisë janë rivendosur. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, si dhe profetë të tjerë të lashtë u shfaqën si qenie të ringjallura, duke i dhënë Profetit Jozef Smith ato që Zoti i përshkroi si “çelësat e mbretërisë sime dhe një periudhë të ungjillit”2.

Po të njëjtat çelësa janë kaluar nga njëri profet tek tjetri deri më sot. 15 burrat që i mbështetim si profetë, shikues dhe zbulues, i përdorin ato për të udhëhequr Kishën e Shpëtimtarit. Ashtu si në kohët e lashta, ka një Apostull më të vjetër në detyrë, i cili i mban dhe autorizohet për t’i ushtruar të gjithë çelësat e priftërisë. Ai është Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti dhe Presidenti i Kishës së rivendosur të Krishtit në kohën tonë: Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Nëpërmjet Kishës së Shpëtimtarit, ne marrim bekimet e priftërisë, përfshirë fuqinë e Perëndisë për të na ndihmuar në jetën tonë. Nëpërmjet çelësave të autorizuar të priftërisë, ne i bëjmë premtime të shenjta Perëndisë dhe marrim ordinanca të shenjta që na përgatitin për të jetuar në praninë e Tij. Duke filluar me pagëzimin e konfirmimin dhe më pas në tempull, ne shkojmë përpara në një shteg të besëlidhjeve që na udhëheq për t’u kthyer tek Ai.

Kur [një mbajtës priftërie] na vendos duart mbi kokë, ne gjithashtu marrim bekimet e priftërisë, përfshirë udhëzim, ngushëllim, këshillim, shërim dhe fuqinë për ta ndjekur Jezu Krishtin. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë i bekuar nga kjo fuqi e madhërishme. Siç është zbuluar në shkrimin e shenjtë, ne i referohemi asaj si fuqia e Priftërisë së shenjtë Melkizedeke.3

Në rininë time fitova një respekt të madh për këtë fuqi, veçanërisht kur ajo u shfaq në bekimet e priftërisë. Ndërsa po shërbeja si misionar i ri në moshë në Kili, shoku im misionar dhe unë u arrestuam dhe na ndanë veç e veç. Asnjëherë nuk na u tha arsyeja. Qe një kohë trazire të madhe politike. Mijëra njerëz u arrestuan nga policia ushtarake dhe për ta nuk u dëgjua më kurrë.

Pasi më morën në pyetje, qëndroja i vetëm në një qeli burgu, duke mos e ditur nëse do t’i shihja përsëri njerëzit e mi të dashur. Iu drejtova Atit tim Qiellor, duke iu lutur plot zjarr: “Atë, gjithmonë më është mësuar se Ti vëzhgon mbi misionarët e Tu. Të lutem, Atë, unë nuk jam aspak i veçantë, por kam qenë i bindur dhe kam nevojë për ndihmën Tënde sonte.”

Farat e kësaj ndihme ishin mbjellë shumë vite më parë. Pas pagëzimit tim, isha konfirmuar anëtar i Kishës dhe më ishte dhënë dhurata e Frymës së Shenjtë. Kur u luta, i vetëm, pas hekurave të burgut, Fryma e Shenjtë më erdhi menjëherë dhe më ngushëlloi. Ai më solli ndërmend një fragment shumë të veçantë nga bekimi im patriarkal, që është një bekim tjetër i priftërisë. Në atë bekim, Perëndia më premtoi se, nëpërmjet besnikërisë sime, unë do të isha në gjendje të vulosesha në tempull për kohën dhe për përjetësinë me një grua plot bukuri, virtyt e dashuri, se ne do të bëheshim prindër të bijve dhe bijave të çmuara, dhe se unë do të bekohesha e lartësohesha si një atë në Izrael.

Ato fjalë të frymëzuara rreth së ardhmes sime, ma mbushën shpirtin me paqe. E dija se ato kishin ardhur nga Ati im i dashur Qiellor, i cili gjithmonë i mban premtimet e Tij.4 Në atë çast pata sigurinë se do të lirohesha nga burgu dhe do të jetoja për t’i parë të përmbusheshin ato premtime.

Gati një vit më vonë, Ati Qiellor më bekoi vërtet me një bashkëshorte që është plot bukuri, virtyt e dashuri. Lineta dhe unë u vulosëm në tempull. U bekuam me tre bij të çmuar dhe katër bija të çmuara. U bëra baba, të gjitha sipas premtimeve të Perëndisë në bekimin patriarkal që e mora kur isha një djalosh 17‑vjeçar.

“Prandaj, vëllezër [dhe motra] të mi[a] të dashur[a], a mos pushuan mrekullitë, për shkak se Krishti u ngjit në qiell? …

… Jo; as engjëjt nuk kanë pushuar së shërbyeri fëmijëve të njerëzve.”5

Unë dëshmoj se mrekullitë dhe shërbesat po ndodhin vazhdimisht në jetën tonë, shpesh si një përgjigje e drejtpërdrejtë e fuqisë së priftërisë. Disa bekime të priftërisë përmbushen menjëherë, në mënyra që mund t’i shohim e kuptojmë. Të tjerat po shpalosen dalëngadalë dhe nuk do të realizohen tërësisht në këtë jetë. Por Perëndia i mban të gjitha premtimet e Tij, gjithmonë, siç tregohet në këtë rrëfim nga historia jonë familjare:

Gjyshi im nga babai, Grent Ris Boueni, ishte një njeri me besim të madh. Më kujtohet mirë kur e dëgjoja të rrëfente se si e mori bekimin e vet patriarkal. Në ditarin e tij ai shënoi: “Patriarku më premtoi dhuratën e shërimit. Ai tha: ‘Të sëmurët do të shërohen. Po, të vdekurit do të ngrihen sërish nën duart e tua.’”

Vite më vonë, Gjyshi po bënte një mullar bari kur ndjeu nxitjen që të kthehej në shtëpi. U takua me babanë e tij që po vinte drejt tij. “Grent, nëna jote sapo ndërroi jetë”, – tha babai i vet.

Po citoj sërish nga ditari i Gjyshit: “Nuk u ndala, por shkova me nxitim brenda në shtëpi dhe dola në verandën ku ajo shtrihej në kanape. E vështrova dhe mund të shihja se nuk kishte mbetur asnjë shenjë jete në të. M’u kujtua bekimi im patriarkal dhe premtimi se po të isha besnik, nëpërmjet besimit tim do të shëroheshin të sëmurët dhe do të ngriheshin sërish të vdekurit. I vura duart mbi kokën e saj dhe i thashë Zotit që, në qoftë se premtimi që Ai më kishte bërë nëpërmjet patriarkut ishte i vërtetë, ta bënte të shfaqej në këtë kohë dhe ta kthente sërish nënën time në jetë. I premtova Atij që nëse do ta bënte këtë gjë, unë kurrë nuk do të ngurroja për të bërë gjithçka brenda fuqisë sime për të ndërtuar mbretërinë e Tij. Teksa lutesha, ajo hapi sytë dhe tha: ‘Grent, më ngri. Kam qenë në botën e shpirtrave, por ti më thirre që të kthehem. Qoftë kjo gjithmonë një dëshmi për ty dhe për tërë familjen time.’”

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka mësuar që të kërkojmë dhe të presim mrekulli.6 Dëshmoj se ngaqë priftëria është rivendosur, fuqia dhe autoriteti i Perëndisë janë mbi tokë. Nëpërmjet thirrjeve dhe këshillave, burra e gra, të rinj e të moshuar, mund të marrin pjesë në punën e priftërisë. Është një punë mrekullish, ku marrin pjesë [edhe] engjëjt. Është puna e qiellit dhe i bekon të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Në vitin 1989, familja jonë prej shtatë vetash po kthehej nga një aktivitet në natyrë i lagjes. Ishte vonë. Lineta po priste fëmijën tonë të gjashtë. Pati një nxitje të fortë që të vinte rripin e sigurimit, gjë që e kishte harruar ta bënte. Fare pak pas kësaj, morëm një kthesë në rrugë; një makinë kaloi vizën ndarëse dhe u fut në korsinë tonë. Duke ecur me 112 km në orë, devijova që t’i shmangesha goditjes së makinës që po vinte drejt nesh. Furgoni ynë u rrotullua, rrëshqiti poshtë në rrugë dhe doli jashtë saj, duke ia dalë më së fundi të ndalonte me anën e pasagjerit përtokë.

Gjëja tjetër që më kujtohet, është se dëgjova zërin e Linetës: “Shejn, na duhet të dalim nga dera jote”. Unë qëndroja i varur në ajër, i mbajtur nga rripi im i sigurimit. M’u deshën disa sekonda që të orientohesha. Filluam të nxirrnim secilin fëmijë nga furgoni nëpërmjet dritares sime, që tani ishte tavani i furgonit. Ata po qanin, duke vrarë mendjen se çfarë kishte ndodhur.

Shpejt e kuptuam se mungonte Emilia, bija jonë 10‑vjeçare. E thirrëm në emër me zë të lartë, por nuk pati asnjë përgjigje. Anëtarë të lagjes, të cilët gjithashtu po udhëtonin për në shtëpi, ishin te vendi i aksidentit duke kërkuar furishëm për të. Ishte kaq shumë errësirë. Pashë përsëri në furgon me një elektrik dore dhe, për tmerrin tim, pashë trupin e vockël të Emilisë të bllokuar nën furgon. Thirra plot dëshpërim: “Duhet ta ngremë furgonin për të nxjerrë Emilinë”. Kapa pjesën e sipërme të furgonit dhe e tërhoqa mbrapa. Pati vetëm pak njerëz të tjerë që po e ngrinin, por në mënyrë të mrekullueshme, furgoni u ngrit e qëndroi mbi rrotat, duke e bërë të dukshëm trupin pa jetë të Emilisë.

Emilia nuk po merrte frymë. Fytyra e saj ishte bërë ngjyrë kumbulle të purpurt. Unë thashë: “Nevojitet t’i japim një bekim”. Një mik i dashur dhe anëtar i lagjes ra në gjunjë me mua dhe nëpërmjet autoritetit të Priftërisë Melkizedeke, në emrin e Jezu Krishtit, ne e urdhëruam që të jetonte. Në atë çast, Emilia mori frymë thellë e me çjerrje.

Pas një kohe që u duk si orë të tëra, mbërriti më së fundi ambulanca. Emilinë e çuan me nxitim në spital. Asaj i ishte shtypur një mushkri dhe i ishte dëmtuar një tejzë në gju. Shqetësoheshim për dëmtim të trurit për shkak të kohës që ajo ishte pa oksigjen. Emilia ishte në komë për një ditë e gjysmë. Vazhduam të luteshim e të agjëronim për të. Ajo u bekua me një shërim të plotë. Sot Emilia dhe bashkëshorti i saj, Kevini, janë prindër të gjashtë vajzave.

Për mrekulli, të gjithë të tjerët ishin në gjendje të largoheshin pa ndonjë dëmtim. Foshnja që Lineta do të lindte, ishte Tajsoni. Edhe ai nuk pati asnjë dëmtim dhe lindi shkurtin vijues. Tetë muaj më vonë, pasi e kishte marrë trupin e tij tokësor, Tajsoni u kthye në shtëpi tek Ati Qiellor. Ai bir është engjëlli ynë mbrojtës. E ndiejmë ndikimin e tij në familjen tonë dhe mezi presim që të jemi me të përsëri.7

Ata që e ngritën furgonin prej Emilisë, vunë re se dukej sikur furgoni nuk kishte asnjë peshë. E dija se engjëjt qiellorë ishin bashkuar me engjëjt tokësorë për ta larguar makinën nga trupi i Emilisë. Gjithashtu e di se Emilia u kthye sërish në jetë nëpërmjet fuqisë së priftërisë së shenjtë.

Zoti ua zbuloi këtë të vërtetë shërbëtorëve të Tij: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”8

Unë dëshmoj se “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë”9 – Priftëria Melkizedeke – me çelësat, autoritetin dhe fuqinë e saj, është rivendosur në tokë në këto ditë të mëvonshme. E di se, ndërkohë që jo të gjitha rrethanat dalin ashtu siç mund të shpresojmë e lutemi, mrekullitë e Perëndisë gjithmonë do të vijnë sipas vullnetit të Tij, kohës së Tij dhe planit të Tij për ne.

Nëse i dëshironi bekimet e priftërisë, përfshirë mrekullitë dhe shërbesën e engjëjve, ju ftoj të ecni në shtegun e besëlidhjeve që Perëndia e ka vënë në dispozicion për secilin prej nesh. Anëtarë dhe udhëheqës të Kishës që ju duan, do t’ju ndihmojnë të ndërmerrni hapin pasues.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, jeton dhe e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet profetëve të gjallë, të cilët mbajnë dhe ushtrojnë çelësat e priftërisë. Fryma e Shenjtë është real. Shpëtimtari e dha jetën e Tij për të na shëruar, për të na rifituar dhe për të na kthyer në shtëpi.

Unë dëshmoj se mrekullitë nuk kanë pushuar, engjëjt janë mes nesh dhe qiejt janë të hapur. Dhe o, sa të hapur janë ata! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.