Konferenca e Përgjithshme
Cikli i Fuqishëm e i Virtytshëm i Doktrinës së Krishtit
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Cikli i Fuqishëm e i Virtytshëm i Doktrinës së Krishtit

Ju ftoj ta jetoni doktrinën e Krishtit në mënyrë të përsëritur, të vazhdueshme e të qëllimshme dhe t’i ndihmoni të tjerët në udhën e tyre.

Vite më parë, bashkëshortja ime, Ruthi, bija jonë, Eshli, dhe unë iu bashkuam turistëve të tjerë në një ekskursion me kajak në shtetin e Havait në Shtetet e Bashkuara. Një kajak është një varkë jo shumë e ngritur mbi nivelin e ujit, si kanoe, në të cilën vozitësi ulet duke parë drejt përpara dhe përdor një rrem me dy fletë për të shtyrë ujin prapa nga njëra anë dhe më pas në anën tjetër. Plani ishte që të vozitnim drejt dy ishujve të vegjël në bregun e Oahut dhe të ktheheshim përsëri. Kisha vetëbesim sepse, kur isha i ri, kisha vozitur me kajak nëpër liqene malore. Mendjemadhësia nuk premton kurrë për mirë, apo jo?

Udhërrëfyesi ynë na dha udhëzime dhe na tregoi kajakët që do të përdornim në oqean. Ndryshonin nga ata me të cilët kisha vozitur më parë. Duhej të ulesha mbi kajak, në vend që të ulesha brenda tij. Kur hipa në kajak, qendra ime e rëndesës qe më e lartë nga sa isha mësuar dhe isha më pak i qëndrueshëm në ujë.

Kur u nisëm, vozita më shpejt se Ruthi dhe Eshli. Pas njëfarë kohe, isha goxha përpara tyre. Ndonëse krenar për ritmin tim heroik, ndalova së vozituri dhe prita që ato të më arrinin. Një valë e lartë – rreth 13 centimetra1 – goditi pjesën anësore të kajakut tim dhe më hodhi përmbys në ujë. Kur arrita ta ktheja kajakun drejt dhe mezi ia kisha dalë mbanë për t’u ngjitur sërish mbi të, Ruthi dhe Eshli më kishin kaluar tashmë, por unë kisha shumë vështirësi me frymëmarrjen që të rifilloja vozitjen. Përpara se të mund të mbushesha me frymë, një valë tjetër, kjo me të vërtetë gjigante – të paktën 20 centimetra2 – e goditi kajakun tim dhe më përmbysi përsëri. Kur arrita ta ktheja kajakun në pozicionin e duhur, kisha ngelur aq shumë pa frymë sa kisha frikë se nuk do të mund të ngjitesha mbi të.

Duke e parë situatën time, udhërrëfyesi voziti drejt meje dhe e stabilizoi kajakun tim, duke e bërë më të lehtë që të ngjitesha mbi të. Kur pa se isha ende pa frymë për të vozitur vetë, ai lidhi një litar rimorkimi te kajaku im dhe filloi të voziste, duke më tërhequr me vete. Shpejt u mbusha me frymë dhe fillova vetë të vozisja siç duhej. Ai e lëshoi litarin dhe arrita tek ishulli i parë pa ndihmë të mëtejshme. Me të mbërritur, rashë në rërë, i rraskapitur.

Pasi grupi ishte çlodhur, udhërrëfyesi më tha me zë të ulët: “Z. Renland, nëse vazhdoni të vozitni, duke e ruajtur hovin tuaj, mendoj se do të jeni në rregull”. E ndoqa këshillën e tij teksa vozitëm drejt ishullit të dytë dhe më pas u kthyem në pikënisjen tonë. Dy herë, udhërrëfyesi voziti pranë meje dhe më tha se po ia dilja mbanë shumë mirë. Valë edhe më të larta e goditën kajakun tim në pjesën anësore, por unë nuk u përmbysa.

Duke e vozitur kajakun në mënyrë të vazhdueshme, e ruajta hovin dhe shkuarjen përpara, duke e zbutur ndikimin e valëve që më goditnin anash. I njëjti parim gjen zbatim në jetën tonë shpirtërore. Ne bëhemi të cenueshëm kur e ngadalësojmë ritmin dhe veçanërisht kur ndalojmë.3 Nëse e ruajmë hovin shpirtëror duke “vozitur” në mënyrë të vazhdueshme drejt Shpëtimtarit, ne jemi më të sigurt dhe të siguruar ngaqë jeta jonë e përjetshme varet nga besimi ynë tek Ai.4

Hovi shpirtëror krijohet “gjatë një jete të tërë teksa ne e përqafojmë vazhdimisht doktrinën e Krishtit”5. Bërja e kësaj, dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, prodhon një “cik[ël] … të fuqishëm e të virtytshëm”6. Në të vërtetë, elementet e doktrinës së Krishtit – të tilla si besimi te Zoti Jezu Krisht, pendimi, hyrja në një marrëdhënie besëlidhëse me Zotin nëpërmjet pagëzimit, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund7 – nuk kanë për synim të përjetohen si ngjarje që ndodhin vetëm një herë, pa menduar më për to. Në veçanti, “durimi deri në fund” nuk është vërtet një hap më vete në doktrinën e Krishtit, a thua se ne i plotësojmë të katër elementet e mëparshme dhe më pas ulemi galiç, i shtrëngojmë dhëmbët dhe presim të vdesim. Jo, durimi deri në fund është zbatimi në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë të vazhdueshme i elementeve të tjera të doktrinës së Krishtit, duke krijuar “ciklin … [e] fuqishëm e të virtytshëm” që përshkroi Presidenti Nelson.8

Në mënyrë të përsëritur do të thotë që ne i përjetojmë elementet e doktrinës së Krishtit herë pas here gjatë gjithë jetës sonë. Në mënyrë të vazhdueshme do të thotë që ne ndërtojmë dhe përmirësohemi me çdo përsëritje. Edhe pse i përsëritim elementet, ne nuk po sillemi thjesht përqark pa një trajektore që synon përpara. Përkundrazi, ne i afrohemi Jezu Krishtit çdo herë që po kalojmë një cikël.

Hovi përfshin si shpejtësinë, ashtu edhe drejtimin.9 Nëse do ta kisha vozitur kajakun fuqishëm në drejtimin e gabuar, mund të kisha krijuar një hov të konsiderueshëm, por nuk do të kisha arritur në pikëmbërritjen e synuar. Po kështu në jetë kemi nevojë të “vozitim” drejt Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai.10

Besimi ynë te Jezu Krishti ka nevojë të ushqehet çdo ditë.11 Ai ushqehet kur lutemi çdo ditë, i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, reflektojmë për mirësinë e Perëndisë çdo ditë, pendohemi çdo ditë dhe i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë çdo ditë. Ashtu siç nuk është e shëndetshme që ta shtyjmë ngrënien e gjithë ushqimit tonë deri ditën e diel dhe më pas të hamë me babëzi racionin tonë javor të ushqimit, nuk është shpirtërisht e shëndetshme ta kufizojmë në një ditë në javë sjelljen që na e ushqen dëshminë.12

Kur marrim mbi vete përgjegjësinë për vetë dëshminë tonë13, ne fitojmë hov shpirtëror dhe gradualisht zhvillojmë besim themelor te Jezu Krishti, dhe doktrina e Krishtit bëhet qendrore për qëllimin e jetës.14 Po ashtu hovi ndërtohet kur përpiqemi fort që t’u bindemi ligjeve të Perëndisë dhe të pendohemi. Pendimi është i gëzueshëm dhe na lejon të mësojmë nga gabimet tona, që është mënyra se si përparojmë përjetësisht. Padyshim që do të kemi raste kur do të përmbysemi prej kajakëve tanë dhe do të gjendemi në ujë të thellë. Nëpërmjet pendimit mund të dalim sërish përsipër dhe të vazhdojmë, pavarësisht se sa herë kemi rënë.15 Gjëja e rëndësishme është që të mos dorëzohemi.

Elementi i radhës i doktrinës së Krishtit është pagëzimi, i cili përfshin pagëzimin me ujë dhe, nëpërmjet konfirmimit, pagëzimin me Frymën e Shenjtë.16 Ndërkohë që pagëzimi është një ngjarje e vetme, ne e përtërijmë besëlidhjen tonë të pagëzimit në mënyrë të përsëritur kur marrim sakramentin. Sakramenti nuk e zëvendëson pagëzimin, por ai i lidh elementet fillestare në doktrinën e Krishtit, besimin dhe pendimin, me marrjen e Frymës së Shenjtë.17 Kur e marrim me vetëdije sakramentin, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë18, siç e ftuam kur u pagëzuam dhe u konfirmuam19. Ndërsa e mbajmë besëlidhjen e përshkruar në lutjet e sakramentit, Fryma e Shenjtë bëhet shoqëruesi ynë.

Ndërsa Fryma e Shenjtë ushtron një ndikim më të madh në jetën tonë, ne zhvillojmë në mënyrë përparuese dhe të përsëritur cilësi si të Krishtit. Zemrat tona ndryshojnë. Tendenca jonë për të bërë keq zvogëlohet. Prirja jonë për të bërë mirë rritet derisa ne duam vetëm që “të bëjmë mirë vazhdimisht”20. Dhe në këtë mënyrë ne kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë qiellore, që është e nevojshme për të duruar deri në fund.21 Besimi ynë është rritur dhe ne jemi gati ta përsëritim sërish ciklin e fuqishëm e të virtytshëm.

Hovi shpirtëror që e ka drejtimin përpara, na shtyn të bëjmë besëlidhje të tjera me Perëndinë në shtëpinë e Zotit. Besëlidhjet e shumëfishta na afrojnë më pranë Krishtit dhe na lidhin më fort me Të. Nëpërmjet këtyre besëlidhjeve kemi të drejtë më të madhe përdorimi të fuqisë së Tij. Për të qenë i qartë, besëlidhjet e pagëzimit dhe të tempullit nuk janë, në vetvete, burimi i fuqisë. Burimi i fuqisë janë Zoti Jezu Krisht dhe Ati ynë Qiellor. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve krijojnë një kanal përçues për fuqinë e Tyre në jetën tonë. Kur jetojmë sipas këtyre besëlidhjeve, ne më së fundi bëhemi trashëgimtarë të gjithçkaje që ka Ati Qiellor.22 Hovi i prodhuar nga të jetuarit e doktrinës së Krishtit jo vetëm që e fuqizon shndërrimin e natyrës sonë hyjnore në fatin tonë të përjetshëm, por gjithashtu na jep shtysë që t’i ndihmojmë të tjerët në mënyrat e duhura.

Mendoni se si më ndihmoi udhërrëfyesi i ekspeditës pasi u përmbysa nga kajaku. Ai nuk bëri me zë të lartë nga larg një pyetje të padobishme, të tillë si: “Z. Renland, çfarë po bëni në ujë?” Ai nuk voziti drejt meje dhe nuk më qortoi, duke thënë: “Z. Renland, nuk do të ishe në këtë situatë po të ishe më i aftë fizikisht”. Ai nuk filloi ta tërhiqte kajakun tim ndërkohë që sa po përpiqesha të hipja mbi të. Dhe nuk më korrigjoi përpara grupit. Përkundrazi, ai më dha ndihmën që më nevojitej në kohën kur më nevojitej. Më dha këshilla kur isha i gatshëm për t’i pranuar. Dhe bëri ç’ishte e mundur për të më dhënë zemër.

Ndërsa u japim shërbesë të tjerëve, nuk është e nevojshme të bëjmë pyetje të padobishme apo të themi atë që është e dukshme. Shumica e njerëzve që po hasin vështirësi, e dinë se po hasin vështirësi. Nuk duhet të jemi gjykues; gjykimi ynë as nuk ndihmon, as nuk është i mirëpritur dhe, më së shpeshti, është i keqinformuar.

Krahasimi i vetvetes me të tjerët mund të na çojë drejt bërjes së gabimeve fatale, veçanërisht nëse arrijmë në përfundimin se jemi më të drejtë nga ata që po hasin vështirësi. Një krahasim i tillë është si të mbytesh pa shpresë në tre metra23 ujë, ta shohësh dikë tjetër duke u mbytur në katër metra24 ujë, ta gjykosh atë si mëkatar më të madh dhe të ndihesh mirë me veten tënde. Në fund të fundit, ne të gjithë po ndeshemi me vështirësi në udhën tonë. Askush prej nesh nuk e fiton vetë shpëtimin.25 Kurrë nuk mundemi. Jakobi, në Librin e Mormonit, dha mësim: “Kujtoni, se pasi të pajtohe[m]i me Perëndinë, është vetëm dhe nëpërmjet hirit të Perëndisë që [ne] shpëto[hemi]”26. Të gjithë ne kemi nevojë për Shlyerjen e pafundme të Shpëtimtarit, jo thjesht ndonjë pjesë të saj.

Na nevojitet vërtet e gjithë dhembshuria, ndjeshmëria dhe dashuria jonë teksa ndërveprojmë me njerëzit përreth nesh.27 Atyre që po hasin vështirësi, “iu nevojitet të përjetojnë dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit të pasqyruar në fjalët dhe veprimet t[ona]”28. Ndërsa japim shërbesë, ne shpesh u japim zemër të tjerëve dhe ofrojmë ndihmë. Edhe nëse dikush nuk e mirëpret atë, ne vazhdojmë të japim shërbesë si të na lejojnë. Shpëtimtari dha mësim se “të tillëve ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre”29. Detyra e Shpëtimtarit është të shërojë. Detyra jonë është të duam, të duam dhe të japim shërbesë në një mënyrë të tillë që të tjerët të tërhiqen drejt Jezu Krishtit. Ky është një nga frytet e ciklit të fuqishëm e të virtytshëm të doktrinës së Krishtit.

Ju ftoj ta jetoni doktrinën e Krishtit në mënyrë të përsëritur, të vazhdueshme e të qëllimshme dhe t’i ndihmoni të tjerët në udhën e tyre. Dëshmoj se doktrina e Krishtit është qendrore në planin e Atit Qiellor; ajo është, në fund të fundit, doktrina e Tij. Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, ne shtyhemi përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe nxitemi për t’i ndihmuar të tjerët që të bëhen dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Ne mund të bëhemi trashëgimtarë në mbretërinë e Atit Qiellor, e cila është kulmi i të jetuarit me besnikëri të doktrinës së Krishtit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.