Instituti
Mësimi 4 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta


“Mësimi 4 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 4 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 4 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta

Pamja
i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Mos iu dorëzoni gënjeshtrës së Satanit se ju nuk keni kohë për t’i studiuar shkrimet e shenjta. … Ushqyerja me bollëk me fjalën e Perëndisë çdo ditë është më e rëndësishme sesa gjumi, shkolla, puna, shfaqjet televizive, videolojërat apo mediat shoqërore” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Liahona, nëntor 2014, f. 93). Ndërkohë që e studioni këtë material, merrni parasysh se përse Plaku Skot donte që ju t’i vini një përparësi kaq të lartë studimit të shkrimeve të shenjta. Vlerësoni se çfarë roli luajnë aktualisht shkrimet e shenjta në jetën tuaj.

Pjesa 1

Çfarë përparësie kanë shkrimet e shenjta në jetën time?

Pasi Lehi dhe familja e tij kishin udhëtuar për ditë me radhë në vendin e shkretë, Zoti e urdhëroi Lehin që t’i dërgonte bijtë e tij sërish në Jerusalem për t’ia marrë Labanit fletët prej tunxhi. Fletët prej tunxhi ishin një vëllim i shkrimit të shenjtë të lashtë, i krahasueshëm me Dhiatën tonë të Vjetër, që përmbante një anal të judenjve dhe shumë shkrime të profetëve (shih 1 Nefi 5:11–16; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fletë Tunxhi”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Zoti e dinte se këto shkrime të shenjta do të ishin thelbësore për familjen e Lehit dhe pasardhësit e tyre. Zoti madje e urdhëroi Nefin që ta vriste Labanin për të marrë analin, duke thënë: “Është më mirë që të mbarojë një njeri, sesa një komb të bjerë dhe të mbarojë në mosbesim” (1 Nefi 4:13).

Kur Lehi mori fletët prej tunxhi dhe filloi t’i “shqyrto[nte] ato” (1 Nefi 5:10), “ai u mbush me Shpirtin dhe filloi të profetizonte” (vargu 17).

Pamja
Lehi duke lexuar fletët prej tunxhi
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 1 Nefi 5:19, 21–22, duke kërkuar arsyen përse ishte thelbësore që familja e Lehit t’i mbante me vete shkrimet e shenjta ndërkohë që udhëtonte drejt tokës së premtuar.

Duke komentuar mbi vlerën e shkrimeve të shenjta në vetë jetën e saj, Presidentja Xhuli B. Bek, e cila shërbeu si Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

Pamja
Presidentja Xhuli B. Bek

“Gëzim ka ardhur nga zakoni i leximit të përditshëm të shkrimit të shenjtë, të cilin e fillova para kaq shumë vitesh. Disa ditë kam mjaft kohë për të medituar mbi shkrimet e shenjta. Ditë të tjera reflektoj për disa vargje. Ashtu si ushqyerja dhe frymëmarrja e mbajnë gjallë trupin tim fizik, edhe shkrimet e shenjta e ushqejnë dhe i japin jetë shpirtit tim. Tani unë i bëj jehonë Nefit dhe them: ‘Shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta dhe zemra ime i mediton ato. … Vini re, shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit; dhe zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar’ (2 Nefi 4:15–16).” (“My Soul Delighteth in the Scriptures”, Liahona, maj 2004, f. 109).

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Shënoni disa arsye përse mendoni se studimi vetjak i shkrimeve të shenjta duhet të jetë një përparësi në jetën tuaj.

Pjesa 2

Si mund të më ndihmojnë shkrimet e shenjta që ta njoh më mirë Jezu Krishtin?

Gjatë shërbesës së tij, Nefi krijoi dy anale – fletët e mëdha dhe fletët e vogla të Nefit. Fletët e mëdha të Nefit fillimisht përmbanin historinë laike të popullit të Nefit. Fletët e vogla të Nefit u krijuan për “qëllimin e veçantë” të mbajtjes së një anali për shërbesën e popullit të Nefit (1 Nefi 9:3). Nefi shpalli se “i gjithë qëllimi [i tij]” për këtë anal ishte t’i bindte të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të shpëtohen (1 Nefi 6:4).

Kur Nefi ia dha përgjegjësinë për fletët e vogla vëllait të tij Jakobit, ai i vuri si detyrë Jakobit të shënonte vetëm atë që ishte “më [e] çmueshme” (Jakobi 1:1–2).

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Jakobi 1:4, 6–8 dhe Jakobi 4:3–4, duke kërkuar atë që Jakobi e konsideroi si “më të çmueshme” (Jakobi 1:2).

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se Nefi, Jakobi dhe profetët e tjerët në Librin e Mormonit ia kanë shtuar dëshminë e tyre profetëve të shkrimit tjetër të shenjtë. Ai shpjegoi:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Siç rezulton nga një vijimësi e pafundme e proklamatave profetike – nga dëshmitë e “të gjithë profetë[ve të] shenjtë” [Jakobi 4:4] për “shumë mijëra vjet para ardhjes së tij” [Helamani 8:18] – Libri i Mormonit bën deklaratën solemne se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.” (“A Testimony of the Book of Mormon”, Ensign, nëntor 1999, f. 69).

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë keni arritur të dini dhe të ndieni rreth Jezu Krishtit kur keni lexuar shkrimet e shenjta – veçanërisht Librin e Mormonit? Cilat fragmente të caktuara ju kanë sjellë më afër Tij?

Pjesa 3

Si mund të më udhërrëfejnë shkrimet e shenjta për zgjidhjen e problemeve dhe marrjen e vendimeve?

Pasi Lehi përmbushi çdo gjë që iu urdhërua atij [të bënte], Zoti siguroi një mjet të quajtur Liahona (shih Alma 37:38). Liahona vepronte si një busull dhe shërbente si një udhërrëfyes ndërsa familja e Lehit udhëtonte nëpër vendin e shkretë. Ajo paraqiste gjithashtu mesazhe vetjake nga Zoti. Nefi mësoi se Liahona punonte “sipas besimit dhe zellit” që ata tregonin ndaj mesazheve të Zotit (1 Nefi 16:28–29).

Pamja
Liahona

Rreth 500 vjet më vonë, kur Alma ia besoi të birit të tij Helamanit mbajtjen e fletëve prej tunxhi dhe shkrimeve të tjera të shenjta, ai dha këndvështrime rreth funksionimit të Liahonës.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexojini dhe përsiatini këndvështrimet e Almës tek Alma 37:40–41, 43–45 rreth mënyrës se si shkrimet e shenjta mund të përputhen ose krahasohen me Liahonën.

Teksa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Plaku W. Rolf Kerr dha mësim:

Pamja
Plaku W. Rolf Kerr

“Fjalët e Krishtit mund të jenë një Liahonë vetjake për secilin prej nesh, që na tregojnë udhën. Le të mos jemi përtacë për shkak të lehtësisë së udhës. Le t’i marrim me besim fjalët e Krishtit në mendjen dhe zemrën tonë siç shënohen në shkrimin e shenjtë dhe siç shprehen nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë. Le të ushqehemi me bollëk me besim dhe zell me fjalët e Krishtit, sepse fjalët e Krishtit do të jenë Liahona jonë shpirtërore që na tregon të gjitha gjërat që duhet të bëjmë.” (“The Words of Christ—Our Spiritual Liahona”, Liahona, maj 2004, f. 37).

Pamja
ikonë, diskutoni

Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Merrni parasysh ta pyesni një mik/e apo një pjesëtar të familjes se si shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë kanë qenë një burim udhërrëfimi – si një Liahonë vetjake – në jetën e tyre. Gjatë diskutimit tuaj, ju mund të doni të tregoni vetë përvojën tuaj që lidhet me këtë.