Instituti
Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Mbrojtja e Vetvetes kundrejt Doktrinave të Rreme të Ditëve të Fundit


“Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Mbrojtja e Vetvetes kundrejt Doktrinave të Rreme të Ditëve të Fundit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Mbrojtja e Vetvetes kundrejt Doktrinave të Rreme të Ditëve të Fundit

Pamja
një i ri duke mbajtur shkrimet e shenjta

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti: “Jetojmë në kohë të vështira. Ka një prirje në rritje për ta ‘quaj[tur] të keqen të mirë dhe të mirën të keqe’ [2 Nefi 15:20; shih edhe Isaia 5:20]” (“Të Rregullt dhe Sipas Modës së Bristolit: Jini të Denjë për në Tempull – në Kohë të Mira dhe në Kohë të Këqija”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 40). Me njohurinë paraprake dhe dashurinë e madhe, Zoti siguroi Librin e Mormonit, që ndihmon të nxjerrë në pah mësimet dhe idetë e rreme që mbizotërojnë në kohën tonë. Ndërsa e studioni këtë material, merrni parasysh se cilat parime nga Libri i Mormonit mund t’ju ndihmojnë ta dalloni mashtrimin dhe ta mbroni të vërtetën.

Pjesa 1

Si mund të më mbrojë Libri i Mormonit ndaj mësimeve të rreme në botë sot?

Presidenti Ezra Taft Benson dhe Presidenti Rasëll M. Nelson dhanë mësim ato që vijojnë rreth fuqisë së Librit të Mormonit për ta na mbrojtur nga mësimet e rreme:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Libri i Mormonit i nxjerr në dukje armiqtë e Krishtit. Ai i ngatërron doktrinat e rreme. … Ai i forcon ndjekësit e përulur të Krishtit kundër synimeve, strategjive dhe doktrinave të liga të djallit në kohën tonë.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 139)

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Libri i Mormonit u jep dritë mësimeve të Mësuesit sikurse dhe nxjerr në pah taktikat e kundërshtarit [shih 2 Nefi 26–33]. Libri i Mormonit jep mësim doktrinën e vërtetë për të zhdukur traditat e rreme.” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 62)

Nefi shënoi një profeci mbresëlënëse në lidhje me daljen në dritë të Librit të Mormonit, që ishte një pjesë thelbësore e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit (shih 2 Nefi 27:6–23). Më pas Nefi profetizoi rreth mësuesve të rremë, doktrinave të marra dhe taktikave të djallit, që do ta çonin popullin në udhë të gabuar (shih 2 Nefi 28).

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 2 Nefi 28:7–9, 20–22, 29–30 dhe merrni parasysh të shenjoni mësimet e rreme që tha Nefi se do të hasnim në ditët e fundit.

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Një studim i përditshëm i Librit të Mormonit e fton Frymën e Shenjtë në jetën tonë. Fryma e Shenjtë është ndihma më e madhe për dallimin e të vërtetës nga gabimi. Kur keni parë shembuj të mësimeve të rreme që Nefi paralajmëroi se do të hasnim në ditët e fundit? Si i dalluat ato? Çfarë keni bërë për ta mbrojtur veten ndaj këtyre mësimeve të rreme?

Pjesa 2

Si mund të përgatitem ndaj atyre që mund të synojnë të ma shkatërrojnë besimin te Jezu Krishti?

Libri i Mormonit paralajmëron ndaj antikrishtëve. Një antikrisht është “dikush ose diçka që falsifikon planin e vërtetë të ungjillit për shpëtimin dhe që haptazi apo fshehurazi kundërshton Krishtin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Për antikrishtët Presidenti Nelson tha:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ju kujtohet Korihori, anti-Krishti? Duke vjellë pavërtetësi për Shpëtimtarin, Korihori shkonte nga njëri vend në tjetrin derisa e sollën para një prifti të lartë që e pyeti: ‘Përse vete poshtë e lart duke përdhosur udhët e Zotit? Përse u mëson këtyre njerëzve se nuk do të ketë Krisht, për të prishur gëzimin e tyre?’ [Alma 30:22.]

Çdo gjë që i kundërvihet Krishtit ose doktrinës së Tij, do ta prishë gëzimin tonë. Ajo përfshin filozofitë e njerëzve, kaq të shumta në internet dhe në botën e faqeve personale në internet, të cilat bëjnë pikërisht atë që bëri Korihori.” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 83–84)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Që të përgatiteni për orën mësimore, studioni një nga rrëfimet në vijim: 1) Sheremi dhe Jakobi, 2) Nehori dhe Gideoni ose 3) Korihori dhe Alma. (Shënim: Referencat përkatëse të shkrimeve të shenjta për këto fragmente janë dhënë në pjesët vijuese.) Secili rrëfim përmban historinë e një antikrishti, i cili kundërshtoi Zotin dhe Kishën e Tij, si edhe të dikujt që u përgjigj me besim te Jezu Krishti. Ndërsa studioni, shkruajini përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve vijuese në ditarin tuaj. Ejani në klasë të përgatitur për të treguar atë që mësuat.

Studiojini Pyetjet

  1. Çfarë taktikash përdori ky antikrisht për të shkatërruar besimin e njerëzve te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij?

  2. Cilët janë disa shembuj nga ditët e sotme të ideve të rreme që jepen mësim ose mënyrave që përdoren nga antikrishti në këtë rrëfim? Si i përhap Satani këto ide në kohën tonë?

  3. Cilat janë disa parime ose praktika të cilat i mësuat nga shembulli besnik i personit që iu kundërpërgjigj mesazheve të rreme? (Renditni të paktën tre.) Si mund t’i përdorë sot dikush këto parime dhe praktika për t’iu përgjigjur doktrinave dhe akuzave të rreme?

Përdorni burimet më poshtë ndërsa studioni rrëfimin që keni zgjedhur.

Sheremi dhe Jakobi

Pamja
Sheremi duke debatuar me Jakobin

Lexoni te Jakobi [LiM] 7:1–14 ose shikoni materialin filmik nga Libri i Mormonit “Sherem Denies Christ (Jacob 7)” [“Sheremi Mohon Krishtin (Jakobi [LiM] 7)”] deri në kodin kohor 04:20 dhe përgjigjuni pyetjeve të mësipërme për studim.

Themeli shpirtëror i Jakobit ishte një burim force për mposhtjen e pretendimeve të Sheremit (shih Jakobi [LiM] 7:5). Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe merrni parasysh se si mund ta ndiqni shembullin e Jakobit.

Pamja
Plaku Ronald A. Rasband

“Kur kam këshilluar individë [që kanë vështirësi me besimin], kam shqyrtuar vendimet e tyre, të marra përgjatë viteve, të cilat i bënë t’i harrojnë përvojat e shenjta, të ligështohen dhe të dyshojnë. I nxita ata, siç po ju nxit ju tani, që të sillni ndër mend, veçanërisht në kohë krizash, kohën kur ju e ndiet Shpirtin dhe dëshmia juaj ishte e fortë; kujtoni themelet shpirtërore që keni ndërtuar. Ju premtoj që, nëse do ta bëni këtë, duke shmangur gjërat që nuk e ndërtojnë ose forcojnë dëshminë tuaj apo që përqeshin besimet tuaja, ato kohë të çmuara kur dëshmia juaj lulëzonte, do t’ju kthehen sërish në kujtesë përmes lutjes së përulur dhe agjërimit. Ju siguroj se ju do të ndieni edhe një herë sigurinë dhe ngrohtësinë e ungjillit të Jezu Krishtit.” (“Në Mënyrë që të Mos Harroni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 114)

Shënoni në ditarin tuaj së paku një përvojë shpirtërore që mund ta sillni ndërmend në një çast kur besimi juaj te Jezu Krishti ose tek ungjilli i Tij po sfidohet.

Nehori dhe Gideoni

Pamja
Nehori, nga James H. Fullmer

Studioni vargjet tek Alma 1:2–16 dhe përgjigjuni pyetjeve të mësipërme për studim. Studimi i tyre mund t’ju ndihmojë të vini re që Nefi dha mësim se “intrigat e priftërinjve kanë të bëjnë me njerëz [burra ose gra] që predikojnë dhe e vënë veten si një dritë për botën, që të marrin fitime dhe të kenë lëvdata nga bota; por ata nuk kërkojnë mirëqenien e Sionit” (2 Nefi 26:29).

Përse mendoni se mësimet e rreme të Nehorit fituan popullaritet mes disa njerëzve? Lexojeni përshkrimin vijues për taktikat e kundërshtarit nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dhe mendoni rreth asaj se si kjo gjen zbatim ndaj mësimeve të Nehorit të shënuara tek Alma 1:4.

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Satani është mashtruesi i madh, ati i gënjeshtrave (shih Gjoni 8:44). Kjo jo sepse Satani thotë vetëm gënjeshtra. Gënjeshtrat e tij më të efektshme janë gjysmë të vërteta ose gënjeshtra të shoqëruara nga e vërteta.” (“Reading Church History” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 16 gusht 1985], f. 9)

Shënoni në ditarin tuaj një përgjigje për pyetjen vijuese: Si mund të zhvilloj guxim më të madh për të zgjedhur atë që është e drejtë kundrejt asaj që pëlqehet në masë, por është e gabuar?

Korihori dhe Alma

Pamja
Të Gjitha Gjërat Tregojnë se Ka një Perëndi (Alma dhe Korihori), nga Walter Rane

Lexoni Alma 30:12–18, 23, 27–28, 32–33, 39–46 ose shikoni materialin filmik nga Libri i Mormonit “All Things Denote There Is a God (Alma 30)” [“Të Gjitha Gjërat Tregojnë se Ka një Perëndi (Alma 30)”] deri në kodin kohor 07:45 dhe përgjigjuni pyetjeve të mësipërme për studim.

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u dha këshillën vijuese anëtarëve të Kishës:

Pamja
Presidenti M. Rasëll Ballard

“Le të hapim sytë ndaj profetëve të rremë dhe mësuesve të rremë, si burra edhe gra, që janë deklarues të vetëcaktuar të doktrinave të Kishës, dhe që kërkojnë të përhapin ungjillin e tyre të rremë dhe të tërheqin pasues duke financuar simpoziume, libra dhe revista, përmbajtja e të cilave sfidon doktrinat themelore të Kishës. Hapni sytë nga ata që flasin dhe botojnë [materiale] në kundërshtim me profetët e vërtetë të Perëndisë dhe që aktivisht kthejnë të tjerët në besim me moskokëçarje të shkujdesur për mirëqenien e përjetshme të atyre që kandisin.” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 63)

Ndërsa po jepte dëshmi për të vërtetën, Alma i dha Korihorit disa prova për ekzistencën e Perëndisë. Shënoni në ditarin tuaj prova që i keni parë, të cilat “tregojnë se ka një Perëndi” (Alma 30:44). Në çfarë mënyrash këto prova mund ta forconin besimin tuaj te Perëndia dhe dëshminë për Të?