Instituti
Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Fuqia Çliruese e Zotit


“Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Fuqia Çliruese e Zotit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 24 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Pamja
një e re duke u lutur

Fuqia Çliruese e Zotit

Kur jeni përballur me një sprovë, a jeni gjendur ndonjëherë duke bërë pyetjen: “Përse po më ndodh kjo?” ose “Përse nuk ma heq Zoti këtë sprovë?” Nga Libri i Mormonit mund të marrim mësime të rëndësishme rreth burimeve të sprovave tona dhe se si mund të bekohemi ndërsa i drejtohemi Shpëtimtarit për ndihmë. Ndërsa studioni në përgatitje për orën mësimore, merrni parasysh se si mund ta thelloni mirëbesimin tuaj në dashurinë, fuqinë dhe urtësinë e pafundme të Jezu Krishtit, ndërsa Ai ju përkrah në sprovat me të cilat përballeni dhe ju çliron prej tyre.

Pjesa 1

Përse kam sprova, edhe kur po bëj atë që është e drejtë?

Libri i Mormonit ilustron se sprovat kanë burime të ndryshme. Disa sprova vijnë si rrjedhojë e mëkatit. Për shembull, Zizromin e zunë ethet përvëluese dhe sëmundje të shkaktuara nga ndjenja e fajit për mëkatet e veta (shih Alma 15:3). Nefitët dhe lamanitët përjetuan për vite luftëra për shkak të zgjedhjeve të liga të Amalikias (shih Alma 46:9–10). Gjithsesi, jo të gjitha sprovat vijnë si rrjedhojë e ligësisë. Familja e Lehit dhe Ishmaelit përjetoi vështirësi të shumta që ishin pjesë e natyrshme e udhëtimit përmes vendit të shkretë (shih 1 Nefi 16:9–17:4).

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti atë që vijon rreth sprovave:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Në shkollën e vdekshmërisë, mësuesi shpesh është dhembja dhe pikëllimi, por mësimet kanë si qëllim që të na rafinojnë, bekojnë dhe forcojnë, jo që të na shkatërrojnë.” (“Faith through Tribulation Brings Peace and Joy”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 17.)

Pamja
Alma Pagëzon në Ujërat e Mormonit, nga Arnold Friberg

Thënia e Plakut Hejls ilustrohet në përvojën e Almës dhe njerëzve të tij. Ata besonin në paralajmërimet e profetit Abinadi. Pasi u kthyen në besim te Zoti dhe u pagëzuan nga Alma, njerëzit u detyruan të iknin në vendin e shkretë nga ushtria e mbretit të lig Noe. Pas një udhëtimi tetëditor, ata mbërritën në një vend të ri që e quajtën Helam. Këtu ata e jetuan ungjillin dhe “u shtuan dhe … përparuan jashtëzakonisht” (Mosia 23:20). Megjithatë, atyre së fundi iu prish paqja nga një ushtri lamanite që i gjeti dhe i robëroi. (Shih Mosia 17–1823.)

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Mosia 23:21–24, duke kërkuar arsyet përse Zoti i lejon edhe të drejtët të përjetojnë sprova.

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Në çfarë mënyrash synimi për ta kuptuar këndvështrimin e përjetshëm të Zotit mbi sprovat, mund të na ndihmojë ta rikonceptojmë mënyrën se si i shohim sprovat tona?

Pjesa 2

Përse është e rëndësishme që unë t’i mirëbesoj kohës së duhur të Zotit gjatë sprovave të mia?

Pasi Alma dhe njerëzit e tij ia vunë veshin thirrjes së Abinadit për t’u penduar dhe u arratisën në vendin e shkretë, mbreti Noe dhe pjesa tjetër e popullit nuk e pranoi profetin dhe nuk u pendua. Për shkak të mëkateve të tyre, ata u mposhtën nga lamanitët dhe u robëruan. Gjatë mbretërimit të mbretit Limhi, të birit të Noeut, lamanitët, u vunë taksa të rënda njerëzve dhe i përndoqën së tepërmi. Populli i Limhit dështoi tri herë në përpjekjet për t’u çliruar nga robëria dhe shumë njerëz vdiqën gjatë këtyre përpjekjeve. (Shih Mosia 12:2; 19:1–21:12.) Më në fund ata iu drejtuan Zotit për ndihmë.

Pamja
Kthimi, nga David Hoeft
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Mosia 21:13–16 duke parë mënyrën se si Zoti e bekoi popullin e Limhit ndërsa kërkoi ndihmën e Tij.

Kur populli i Limhit e përuli me të vërtetë veten dhe priti për Zotin, një grup kërkimi i dërguar nga mbreti Mosia e gjeti popullin e Limhit. Grupi i kërkimit dhe mbreti Limhi u këshilluan me njerëzit rreth mënyrës se si të arratiseshin nga robëria. Natën që ishte caktuar, ata iu dhanë verë shtesë lamanitëve, të cilët u dehën dhe i zuri gjumi. Populli i Limhit më pas u arratis në vendin e shkretë dhe mbërriti i sigurt në Zarahemla. (Shih Mosia 21:23–22:14.)

Pamja
Limhi dhe Populli i Tij Arratiset për në Zarahemla, nga Stiven Lloyd Neal

Siç ilustrohet në këtë rrëfim, Zoti kishte qëllimet dhe kohën e Tij për çlirimin e popullit të Limhit.

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht. Besim do të thotë të mirëbesosh – të mirëbesosh në vullnetin e Perëndisë, të mirëbesosh në mënyrën se si Ai i bën gjërat dhe të mirëbesosh në kohën e planifikuar prej Tij. Ne nuk duhet të përpiqemi që t’ia imponojmë Atij kohën tonë. Ashtu siç tha Plaku Nill A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

‘Ajo që duhet të bëjmë, është që t’i mirëbesojmë aq shumë Perëndisë sa të mirëbesojmë gjithashtu në kohën e Tij të duhur. Në qoftë se besojmë me të vërtetë se Ai do me zemër të mirën tonë, a nuk do të lejojmë që planet e Tij të shpalosen ashtu si Ai e mendon më mirë?’” [Even As I Am (1982), f. 93.] (“Timing”, Ensign, tetor 2003, f. 12)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Duke përdorur atë që keni mësuar nga përvoja e popullit të Limhit, shënoni parimet rreth mënyrës se si Zoti i përkrah ose i çliron ata që i drejtohen Atij në sprovat e tyre. Përgatituni t’i tregoni këto parime në klasë.

Pjesa 3

Si mund të marr forcë nga Zoti ndërkohë që i duroj sprovat e mia?

Një ushtri lamanite e ndoqi pas popullin e Limhit por humbi [gjatë rrugës]. Ata si përfundim i gjetën priftërinjtë e ligj të Noeut, që ishin bashkuar me ushtrinë lamanite. Ndërsa udhëtonin në vendin e shkretë, ata zbuluan njerëzit e drejtë të Almës dhe i robëruan. Amuloni, i cili kishte qenë një nga priftërinjtë e ligj të Noeut, qe caktuar nga mbreti lamanit që të sundonte mbi njerëzit e Almës. Amuloni caktoi mbikëqyrës për njerëzit dhe kërcënoi se do të vriste këdo që kapej duke u lutur. (Shih Mosia 22:15–16; 23:25–24:1; 24:8–11.)

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Mosia 24:10–16, duke kërkuar mënyrën se si Zoti i ndihmoi njerëzit e Almës gjatë fatkeqësive të tyre. Mund të merrni një minutë për të përsiatur mënyrën se si Ai ju ka ngushëlluar dhe inkurajuar mes sprovave dhe mundimeve tuaja.

Njerëzit e Almës ushtruan besim dhe durim dhe në fund Zoti i çliroi ata. Ai “bëri që mbi Lamanitët të vinte një gjumë i rëndë” (Mosia 24:19), duke lejuar që Alma dhe njerëzit e tij të arratiseshin nga vendi i Zarahemlës. (Shih Mosia 24:17–25.)

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për këtë përvojë:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Sfidat dhe vështirësitë nuk u hoqën menjëherë nga njerëzit. Por Alma dhe pasuesit e tij u forcuan dhe aftësia e tyre e shtuar i bëri barrët më të lehta. …

Barrët e veçanta në jetën e secilit prej nesh na ndihmojnë që të mbështetemi te meritat, mëshira dhe hiri i Mesias së Shenjtë (shih 2 Nefi 2:8). Unë dëshmoj dhe premtoj se Shpëtimtari do të na ndihmojë për t’i mbajtur me lehtësi barrët tona (shih Mosia 24:15). Ndërsa [marrim zgjedhën] së bashku me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta dhe marrim fuqinë aftësuese të … Tij në jetën tonë, ne vërtet do të kërkojmë gjithnjë e më shumë ta kuptojmë vullnetin e Tij dhe të jetojmë sipas atij. Ne gjithashtu do të lutemi për forcën që të mësojmë nga rrethanat tona, t’i ndryshojmë apo t’i pranojmë ato, në vend të lutjes pa mbarim që Perëndia të na i ndryshojë rrethanat tona në përputhje me vullnetin tonë.” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 89, 90)

Pamja
Takimi me Shpëtimtarin, nga Jen Tolman
Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Reflektoni për mënyra të ndryshme se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e kanë rritur aftësinë tuaj për të mbajtur barrët. Merrni parasysh të shprehni mirënjohjen tuaj në lutje për ndihmën e Tyre.