Instituti
Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Pas Provës së Besimit Tuaj


“Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Pas Provës së Besimit Tuaj”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Pas Provës së Besimit Tuaj

Pamja
i ri duke parë nga dritarja

A jeni lutur ndonjëherë për një mrekulli? A kërkoni një dëshmi më të thellë shpirtërore për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij? A ka ndonjë gjë që po shpresoni të merrni nga Zoti në jetën tuaj në këtë çast? Mendoni për këto shpresa dhe dëshira teksa studioni më shumë rreth besimit dhe mënyrës se si Libri i Mormonit na mëson ta ushtrojmë atë.

Pjesa 1

Si mund të më ndihmojë ushtrimi i besimit te Jezu Krishti që të mësoj e të rritem ndërkohë që përballem me sprova?

Në librin e Ethërit, Moroni shënoi se ndërsa shoqërinë jaredite e pushtuan luftërat, kryengritja dhe ligësia, Zoti dërgoi profetin Ethëri për t’i shpallur popullit besim, pendim e shpresë.

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Ethëri 12:3–7, 12, 18 dhe merreni parasysh arsyen pse besimi në Perëndi është thelbësor për përparimin tonë shpirtëror.

Për shkak se Zoti na do dhe dëshiron që ne të përparojmë, Ai na jep mundësi për ta vënë në provë besimin tonë tek Ai. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Çdo herë që ju provoni besimin tuaj – që domethënë, të veproni me denjësi sipas një përshtypjeje – ju do të merrni provën vërtetuese të Shpirtit. Kur veproni sipas kuptimit më të mirë prej jush të gjërave, por ende jeni të pasigurt për atë që duhet të bëni, nëse ushtroni besim, do të drejtoheni të gjeni zgjidhje që nuk do të mund t’i kishit gjetur në asnjë mënyrë tjetër.” (“Fuqia Shndërruese e Besimit dhe Karakteri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 44.)

Pamja
e re duke parë perëndimin e diellit

Mendoni rreth rasteve në jetën tuaj kur keni vepruar me besim në Zot dhe keni marrë një dëshmi shpirtërore më pas. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi njëherë se si të qëndruarit besnik gjatë një sprove e ndihmoi atë të rritej shpirtërisht:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Ndonëse atëherë vuajta, kur shoh pas tani, jam mirënjohës që nuk pati një zgjidhje të shpejtë për problemin tim. Fakti se isha i detyruar t’i drejtohesha Perëndisë për ndihmë thuajse çdo ditë gjatë një periudhe të zgjatur vitesh, më mësoi vërtet se si të lutesha e të merrja përgjigje për lutjen dhe më mësoi në një mënyrë shumë praktike të kisha besim te Perëndia. Unë arrita të njoh Shpëtimtarin tim dhe Atin tim Qiellor në një mënyrë dhe në një shkallë që, përndryshe, nuk do të mund të kishte ndodhur ose që do të më duhej shumë më tepër kohë për ta arritur. Mësova t’i mirëbesoj Zotit me gjithë zemër. Unë mësova të eci me Të ditë pas dite.” (“Prova e Besimit Tuaj”, Liahona, nëntor 2012, f. 42.)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mësimesh keni nxënë ose çfarë bekimesh keni marrë ndërsa keni qëndruar besnikë gjatë kohëve të mundimit? Si mund të ndihmojë kjo lloj përvoje që të vini më pranë Jezu Krishtit?

Pjesa 2

Në çfarë mënyrash mund të bekohem dhe fuqizohem duke ushtruar besim te Jezu Krishti?

Sikurse shënohet tek Ethëri 12:7–22, Moroni dha shembuj të njerëzve që ushtruan besim dhe u bekuan me mrekulli, zbulesa, çlirim, kthim në besim dhe premtime. Duke komentuar për vëllanë e Jaredit, i cili e lëvizi malin Zerin nëpërmjet fuqisë së Zotit, Moroni e mbylli fjalën e tij kështu: “Dhe po të mos kishte besim, ai nuk do të kishte lëvizur; prandaj, [Zoti] vepron, pasi njerëzit të kenë besim” (Ethëri 12:30).

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Besimi në Jezu Krisht na shtyn të bëjmë gjëra që përndryshe nuk do t’i bënim. Besimi që na nxit të veprojmë, na jep më shumë të drejtë përdorimi të fuqisë së Tij.” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 41.)

Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Gjeni një fragment ose tregim në Librin e Mormonit, ku ilustrohet që njerëzit marrin ndihmë hyjnore pas ushtrimit të besimit te Jezu Krishti. Nëse do të donit nja dy shembuj, merreni parasysh të lexoni sa vijon:

Pasi të studioni njërin nga këto fragmente ose njërin që menduat vetë, përsiatini pyetjet e mëposhtme dhe mbajini shënim përgjigjet tuaja. Përgatituni t’i tregoni idetë tuaja në klasë.

  1. Si ushtroi individi ose si ushtruan njerëzit besim te Jezu Krishti? Çfarë bekimesh dhe fuqie hyjnore u dha Zoti pasi ata ushtruan besim tek Ai?

  2. Çfarë parimesh ose praktikash mund të mësoni nga ky tregim? Si mund t’i zbatoni ato në jetën tuaj?

Pamja
Maunat Jaredite, nga Gary E. Smith

Plaku L. Uitni Klejton, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dha mësim sa vijon rreth të jetuarit me besim.

Pamja
Plaku L. Uitni Klejton

“Perëndia na kërkon të tregojmë durim me Të – t’i mirëbesojmë Atij dhe ta ndjekim Atë. Ai na lutet që të mos ‘dysho[jmë], sepse nuk sh[ohim]’. Ai na paralajmëron se nuk duhet të presim përgjigje të thjeshta apo zgjidhje të shpejta nga qielli. Gjërat rregullohen kur ne qëndrojmë të vendosur gjatë ‘provës së besimit [tonë]’, sado e vështirë që mund të jetë ajo provë për t’u duruar apo sado e ngadaltë mund të jetë ardhja e përgjigjes [shih Ethëri 12:6]. Nuk po flas për ‘bindje të verbër’ [shih Boyd K. Packer, “Agency and Control”, Ensign, maj 1983, f. 66–68], por për një siguri të matur te dashuria dhe koha e përsosur të Zotit.” (“Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 99.)

Pamja
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mund të jetë duke ju kërkuar Zoti të bëni, gjë e cila do të kërkonte që ju të vepronit me besim? Si mund ta tregoni mirëbesimin tuaj tek Ai ndërsa shkoni përpara?

Pjesa 3

Çfarë nevojitet të bëj që ta marr ose ta forcoj dëshminë time vetjake për Librin e Mormonit?

Pas shkatërrimit të qytetërimit nefit, Moroni mbeti i vetëm për ta përfunduar Librin e Mormonit. Përpara se ta vuloste analin, ai dha disa fjalë këshille dhe inkurajimi. Ai i nxiti lexuesit e ardhshëm që t’i qasen Librit të Mormonit me besim në mënyrë që të marrin një dëshmi vetjake nga Fryma e Shenjtë që ai është i vërtetë.

Pamja
Moroni duke shkruar mbi fletë të arta
Pamja
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexojeni ftesën e Moronit te Moroni 10:3–5 dhe merreni parasysh ta shenjoni mënyrën se si mund të ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe të arrijmë ta dimë se Libri i Mormonit është i vërtetë.

Pamja
një i ri dhe një e re në moshë madhore duke lexuar Librin e Mormonit

Ndërkohë që shërbente si anëtar i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, Plaku Xhin R. Kuk shpjegoi se si pranimi i ftesës së Moronit është një vepër besimi:

Pamja
Plaku Xhin R. Kuk

“Vërejeni mënyrën e veçantë në të cilën i marrim përgjigjet nga Perëndia: Ne duhet të ‘kërko[jmë] me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht’ [Moroni 10:4]. Merreni parasysh sërish gjuhën e ‘pas[jes së] besim[it] në Krisht’. Kjo nënkupton një gjendje të rëndësishme mendore. Të kemi besim në Krisht do të thotë se ne e pranojmë se ka një Perëndi; pranojmë se nëpërmjet fuqisë së Birit të Tij, Jezu Krishtit, Perëndia mund t’i përgjigjet lutjes sonë; dhe besojmë se Perëndia mund të na e manifestojë të vërtetën. Ne nuk mbajmë më një qëndrim asnjanës duke ushtruar kështu besim në Krisht. Ne veprojmë! Ndonëse besimi ynë mund të jetë i vogël, ne bëjmë sikurse na mësoi Alma: Ne ‘ushtro[jmë] një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se [ne] nuk mund të bë[jmë] më shumë sesa të dëshiro[jmë] të beso[jmë] [që Perëndia mund të na ndihmojë], [ta] lë[më] këtë dëshirë të veprojë në [ne]’ (Alma 32:27).” (“Moroni’s Promise”, Ensign, prill 1994, f. 14.)

Pamja
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Merreni parasysh se si ftesa dhe premtimi i Moronit ndjekin modelin e marrjes së një dëshmie pas ushtrimit të besimit (shih Ethëri 12:6). Çfarë përvoje keni pasur me marrjen e një dëshmie për vërtetësinë e Librit të Mormonit? Çfarë mund të bënit për të marrë dëshminë tuaj vetjake për Librin e Mormonit ose për ta thelluar atë që tashmë e keni?