2008
Të Bëhesh një Dëshmitar i Krishtit
Mars 2008


Të Bëhesh një Dëshmitar i Krishtit

Pamja
Elder D. Todd Christofferson

Apostujt, me anë të detyrës së tyre të priftërisë, kanë autorizimin të jenë dëshmitarë të veçantë të Krishtit në të gjithë botën (shih DeB 107:23). Dëshmia e tyre është thelbësore në punën e Zotit për shpëtim. Megjithatë, apostujt nuk duhet dhe nuk qëndrojnë të vetëm. Të gjithë ne, të cilët jemi pagëzuar dhe konfirmuar, kemi marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit me një zotim për “të [qëndruar] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Është brenda aftësisë së secilit prej nesh të bëhemi një nga dëshmitarët e Tij. Me të vërtetë, Zoti mbështetet mbi “të dobëtit dhe të thjeshtët” për të shpallur ungjillin e Tij (shih DeB 1:19, 23) dhe është dëshira e Tij “që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës” (DeB 1:20).

Merrni në konsideratë disa mënyra se si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mund të bëhet një dëshmitar i Krishtit.

Ne jemi dëshmitarë të Krishtit kur marrim një dëshmi të sigurt e personale që Ai jeton.

Të jesh një dëshmitar i Jezu Krishtit, në kuptimin më themelor është të zotërosh një dëshmi të sigurt e personale se Ai është Biri hyjnor i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Apostujt e lashtë e dinin se Jezusi ishte Mesia i premtuar dhe folën nga përvoja personale për Ringjalljen e Tij të vërtetë. Megjithatë, një dëshmitar i Krishtit nuk është e nevojshme ta ketë parë Atë ose të ketë hyrë në praninë e Tij. Kur Pjetri i dëshmoi Jezusit: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”, Zoti u përgjigj se kjo njohuri nuk i erdhi Pjetrit si pasojë e afërsisë fizike ose përvojave me Jezusin, por sepse Ati i Tij në Qiell ia kishte zbuluar atë atij (shih Mateu 16:15–17). Jezusi ia bëri të qartë Thomait se dikush mund të kishte të njëjtin besim ose dëshmi si ajo që kishte marrë Thomai, pa e prekur apo parë Atë: “Jezusi i tha: ‘Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!’” (Gjoni 20:29).

Dëshmia jonë për Krishtin zakonisht fillon me dëshminë e të tjerëve – njerëz të cilët i njohim ose për të cilët kemi njohuri dhe tek të cilët kemi besim. Ne kemi dëshminë e ruajtur të Apostujve që “këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë” (Veprat e Apostujve 2:32). Ne kemi Dhiatën e Vjetër dhe të Re të parashugurimit, shërbesës dhe Shlyerjes së Tij. Ne kemi një dhiatë tjetër, Librin e Mormonit, qëllimi qendror i të cilit është për “bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”1. Ne kemi dëshminë e Profetit Jozef Smith që ai pa dhe dëgjoi Atin duke iu drejtuar Jezusit dhe duke shpallur: “Ky është Biri Im i Dashur” (Joseph Smith – Historia 1:17) dhe deklaratën e mëpasshme të Profetit se, “pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton! Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit” (DeB 76:22–23). Ne kemi dëshmitarët e veçantë të vetë kohës sonë, të cilët jetojnë mes nesh dhe nga të cilët, me vetë sytë dhe veshët tanë, ne marrim një dëshmi përforcuese. Shumë të tjerë janë bekuar më tej të dëgjojnë dëshmitë e prindërve, gjyshërve dhe miqve besnikë.

Ata që hyjnë në besëlidhjen e pagëzimit, marrin një dhurim të veçantë besimi tek Jezu Krishti dhe me dhuratën e Frymës së Shenjtë vjen pohimi se dëshmitë që kemi marrë në lidhje me Krishtin, janë të vërteta. Nefi e konfirmoi se kjo do të ndodhte: “Dhe atëherë ju jeni në këtë shteg të ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme; po, ju keni hyrë nëpërmjet portës; ju keni bërë sipas urdhërimeve të Atit dhe të Birit; dhe ju keni marrë Frymën e Shenjtë që dëshmon për Atin dhe Birin, deri në plotësimin e premtimit të cilin ai ka bërë, që në qoftë se ju do të hynit nëpërmjet udhës, ju do të merrni” (2 Nefi 31:18; theksimi i shtuar).

Është një dhuratë shpirtërore të besosh fjalët e të tjerëve dhe një dhuratë akoma më e madhe “[e dhënë] me anë të Frymës së Shenjtë të [dish] se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës” (DeB 46:13).

Kjo dëshmi shpesh vjen me ndjenja – një djegie, paqe, një ndjenjë sigurie, një ndjesi ndriçimi të mendjes. Zoti i dha Oliver Kaudrit një dëshmi të Librit të Mormonit me anë ndjenjash shpirtërore që konfirmuan “që fjalët ose vepra që ke qenë duke shkruar, janë të vërteta” (DeB 6:17). Zoti më pas shtoi: “Në qoftë se ti dëshiron dëshmi të mëtejshme, sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde, që të mund të dije lidhur me të vërtetën e këtyre gjërave. A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?” (DeB 6:22–23). Shpirti që i flet paqe mendjes së dikujt nuk është e vetmja formë me anë të së cilës vjen dëshmia, por, për sa kohë është nga Perëndia, nuk ka tjetër më të madhe. Ashtu si nga ushqimi me bollëk tek fjalët e Krishtit në shkrimet e shenjta ne “mund të [dëshmojmë] se e [kemi] dëgjuar zërin [e Tij] dhe i [dimë] fjalët e [Tij]” (DeB 18:36), ne mund të dëshmojmë me anë të ndjenjave shpirtërore pohuese nga Perëndia se ne e njohim Birin e Tij dhe se Ai jeton.

Ne jemi dëshmitarë të Krishtit kur jetojmë duke pasqyruar mësimet e Tij.

Gjatë shërbesës së Tij në Hemisferën Perëndimore, Shpëtimtari dha këtë urdhërim: “Prandaj, mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë” (3 Nefi 18:24). Njerëzit duhet të munden të shohin tek ne një pjesë të Jezu Krishtit. Mënyra si veprojmë, flasim, dukemi dhe madje mendojmë, do ta pasqyrojnë Atë dhe sjelljen e Tij. Alma e shprehu këtë si një ndryshim të madh në zemrën tonë dhe marrjen e shëmbëlltyrës së Tij në pamjen tonë (shih Alma 5:14). Në të njëjtën temë, Zoti na urdhëroi të bëhemi madje si Ai (shih 3 Nefi 27:27). Megjithëse nuk ishim të pranishëm me Të në shërbesën e Tij, ndërsa kërkojmë shkrimet e shenjta, ne e shohim Jezusin dhe ato që tha dhe bëri Ai. Dhe ndërsa e ndjekim atë model, ne japim dëshmi për Të.

Më kujtohet shembulli i një prifti katolik të cilin e njoha ndërsa punonim bashkë në aktivitetet e shërbimeve për komunitetin në Neshvill, Tenesi. Atë Çarls Strobel zhvilloi një projekt për t’i nxjerrë burrat e pastrehë nga rruga pak nga pak, me anë të një programi trajnimi i cili siguronte aftësi për jetesë dhe mundësi punësimi për ta. Ai kushtoi orë të panumërta për t’i ndihmuar këta burra të bënin ndryshime të qëndrueshme për mirë dhe për t’u mbështetur tek vetja. U habita kur mësova se nëna e tij ishte vrarë nga një burrë i pastrehë jo shumë vite më parë. Dashuria si e Krishtit e atë Strobelit shtrihej madje edhe tek burrat në mes të të cilëve u gjet ai i cili me dhunë kishte marrë jetën e çmuar të nënës së tij.

Mesazhi qendror i apostujve dhe profetëve në të gjitha kohërat, është nevoja për t’u penduar për të marrë një falje të mëkateve nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Vetë pendimi ynë jep dëshmi për Të dhe për fuqinë e mëshirës së Tij për të na falur dhe pastruar. Nuk është e nevojshme të kemi arritur përsosmërinë, në mënyrë që dëshmia jonë të jetë e vlefshme, për sa kohë që jemi duke u përpjekur ta përshtasim jetën tonë me standardin e Shpëtimtarit. Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) me mençuri na këshilloi durim si edhe zell në këtë proces:

“Të bëhesh si Krishti, është një përpjekje që zgjat gjithë jetën dhe shumë shpesh përfshin rritje dhe ndryshim i cili është i ngadaltë, thuajse i padukshëm. …

… Për çdo Pal, çdo Enos dhe çdo mbret Lamoni, ka qindra dhe mijëra njerëz për të cilët procesi i pendimit është shumë më delikat, shumë më i pandjeshëm. Ditë pas dite ata i afrohen më shumë Zotit, duke mos e kuptuar se po ndërtojnë një jetë si perëndia. Ata jetojnë jetë të qeta mirësie, shërbimi dhe zotimi. Ata janë si lamanitët, për të cilët Zoti tha se ‘u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin’ (3 Nefi 9:20; kursivet të shtuara).”2

Ne jemi dëshmitarë të Krishtit kur i ndihmojmë të tjerët të vijnë tek Ai.

Nefi rrëfeu me gëzim se “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26). Në mënyrë të ngjashme mund të jemi aktivë duke i ndihmuar të tjerët, veçanërisht fëmijët tanë, të vijnë te Krishti.

Thënia e Nefit “ne flasim për Krishtin” sugjeron që të mos ngurrojmë për të folur për ndjenjat tona në lidhje me Shpëtimtarin në bashkëbisedime dhe ambiente joformale. Shpesh këto janë situata ku, ballë për ballë, me një qëndrim të hapur dhe miqësor, ne mund të diskutojmë se kush është Ai dhe çfarë Ai bëri dhe mësoi, duke i nxitur të tjerët që gjithashtu ta duan dhe ta ndjekin Atë.

“Ne gëzohemi në Krishtin” nënkupton që ne jetojmë me një qëndrim përgjithësisht të lumtur, i cili reflekon besimin tonë te Krishti. Ne e dimë se “hiri i tij mjafton” që ne të shëlbohemi nga vdekja dhe mëkati dhe të përsosemi në Të (shih Moroni 10:32–33). Ndërsa përballemi me zhgënjime dhe madje tragjedi, ne e dimë se për shkak të Tij, lumturia jonë e përjetshme është e siguruar. Ndërsa besimi ynë tek Jezu Krishti shndrit, ne u tregojmë të tjerëve të cilët janë “të munduar dhe të rënduar”, se si të gjejnë çlodhje tek Ai (shih Mateu 11:28–30).

“Ne predikojmë për Krishtin” sigurisht i referohet punës misionare me kohë të plotë dhe si anëtarë, por gjithashtu përfshin atë që bëjmë në shërbimet e adhurimit, klasat e Shkollës të së Dielës dhe mjedise të ngjashme ku Ai është subjekti i studimit dhe udhëzimit. Përfshirja jonë si mësues, ashtu edhe si studentë, është pjesë e ndarjes së dëshmisë për Të, dhe studimi personal i cili e mbështet atë përfshirje, dëshmon akoma më tej për besimin tonë.

“Ne profetizojmë mbi Krishtin” do të thotë se ne shprehim dëshminë tonë për Të nëpërmjet fuqisë së Shpirtit (shih 1 Korintasve 12:3). “Dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë” (Zbulesa 19:10). Ashtu si ata që dëshmuan në lashtësi për ardhjen e Tij të parë, ne gjithashtu konfirmojmë me fjalë dhe vepra profecitë e Ardhjes së Tij të Dytë. Nëpërmjet kryerjes së pagëzimeve dhe ordinancave të tjera të shenjta për paraardhësit tanë nëpërmjet autoritetit të priftërisë të rivendosur nga Elija në pritje të “[ditës së] madhe dhe [të] llahtarshme [të] Zotit” (Malakia 4:5–6; shih gjithashtu DeB 2; 128:17–18), ne dëshmojmë se Krishti do të vijë përsëri dhe se zemra jonë duhet të kthehet tek etërit tanë për t’u përgatitur për ardhjen e Tij (shih Malakia 4:6; DeB 2:2).

“Dhe shkruajmë sipas profecive tona” sugjeron urtësinë e regjistrimit të vazhdueshëm të dëshmisë sonë për Krishtin. Ne e kuptojmë se dëshmia që japim “shënohet në qiell, që engjëjt ta vështrojnë; dhe ata gëzohen për [ne]” (DeB 62:3). Vetë pasardhësit tanë dhe të tjerë mund të vështrojnë dhe të gëzohen mbi dëshminë tonë për Krishtin, të shkruar ose shënuar për të mirën e tyre madje para se disa nga ta të lindnin.

Ndërsa ndieni dëshminë e Shpirtit të Shenjtë për Të, të konfirmuar dhe rikonfirmuar shpirtit tuaj në shumë përvoja dhe rrethana të ndryshme, ndërsa përpiqeni ta mbani lart dritën e shembullit të Tij në vetë jetën tuaj ditë pas dite, dhe ndërsa e ndani dëshminë tuaj me të tjerët dhe i ndihmoni ata të mësojnë prej Tij dhe ta ndjekin Atë, ju jeni një dëshmitar i Jezu Krishtit. Perëndia ju dhëntë dëshirën e zemrës suaj për të qenë mes atyre “që morën dëshminë e Jezusit” (DeB 76:51) dhe qenë besnikë ndaj asaj dëshmie përgjatë gjithë jetës së vdekshme (shih DeB 138:12).

Shënime

  1. Ballina e Librit të Mormonit.

  2. “A Mighty Change of Heart,” Tambuli, mars 1990, fq. 7.