2008
Unë Jam Udha
Mars 2008


“Unë Jam Udha”

Shpëtimtari dha mësime të rëndësishme kur tha: “Unë jam …”

Ndonjëherë përvojat më të paharrueshme me shkrimet e shenjta vijnë kur zbulojmë modele që dalin në pah ndërsa lexojmë. Për shembull, a e keni vënë re sa shpesh Ungjilli i Gjonit e përmend Jezusin duke thënë fjalët “Unë jam”? Kur Jezusi e tha këtë, ai zakonisht ishte duke bërë një krahasim për t’u mësuar njerëzve se kush është dhe çfarë Ai bën për ta. Shihini me vëmendje disa nga këto krahasime dhe do të mësoni shumë rreth Shpëtimtarit.

Buka e Jetës

“Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. … Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë” (Gjoni 6:35, 51).

Festa e Pashkës përkujton çlirimin e izraelitëve nga Egjipti dhe përfshin ngrënien e bukës pa maja. Ndërsa kjo festë po afrohej, Jezusi kreu mrekullinë e ushqimit të 5000 vetëve. Shumë që e panë këtë mrekulli e ndoqën Atë sepse Ai u kishte dhënë atyre ushqim, kështu që Ai i mësoi ata të kërkonin ushqimin “që mbetet për jetë të përjetshme” (Gjoni 6:27). Ai më pas i mësoi rreth manës, duke u kujtuar se ajo erdhi nga qielli për të ushqyer izraelitët në shkretëtirë. Ai shpalli: “Unë jam buka e jetës”, duke u thënë atyre për ushqimin shpirtëror që Ati Qiellor dërgoi nëpërmjet Tij, si edhe premtimin e jetës së përjetshme që Ai solli.

Gjatë një feste tjetër të Pashkës, Jezusi përdori bukë për të simbolizuar trupin e Tij si pjesë të sakramentit. Kur ne marrim bukën çdo javë gjatë sakramentit, ne kujtohemi për Jezu Krishtin – sakrificën e Tij, Ringjalljen e Tij dhe premtimin e ushqimit të vazhdueshëm shpirtëror nëpërmjet shoqërimit të Shpirtit të Tij.

Drita e Botës

“Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).

Jezusi e quajti Veten Drita e Botës në kohën e Festës së Tabernakujve. Çdo natë gjatë festës dritat e tempullit ndizeshin për të simbolizuar Dritën e Perëndisë, e cila i jepet mbarë botës. Gjoni shpalli se Jezusi “ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Gjoni 1:9). Dhe nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti zbuloi se Drita e Krishtit ”është prej atij që i ndriçon sytë tuaj, që është e njëjta dritë që e përshpejton të kuptuarin tuaj” dhe e cila “i jep jetë gjithçkaje [dhe] është ligji me anë të të cilit gjithë gjërat qeverisen” (DeB 88:11, 13).

Mendja dhe shpirti ynë ndriçohen nëpërmjet Jezu Krishtit. Drita e tij ndriçon shtegun tonë, duke na ndihmuar të dallojmë ndryshimin midis së mirës dhe së ligës dhe duke na treguar udhën për tek jeta e përjetshme.

Hardhia

“Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5).

Jezusi e krahasoi Veten me hardhinë kryesore të një vreshti. Kjo hardhi kryesore jo vetëm që e mban të gjithë bimën të rrënjosur në tokë, por gjithashtu ushqen të gjitha hardhitë më të vogla, të cilat degëzohen nga ajo dhe japin frut. Jezu Krishti është spiranca jonë e shpresës dhe burimi i ushqimit dhe rritjes sonë shpirtërore. Nëpërmjet Tij ne fitojmë forcën që kemi nevojë për të jetuar me drejtësi dhe për të kryer vepra të mira. Ai është gjithashtu themeli i Kishës dhe burimi i autoritetit të saj për të predikuar ungjillin dhe për t’u degëzuar në të gjithë botën.

Bariu i Mirë

“Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua” (Gjoni 10:14).

Detyrat kryesore të një bariu janë të udhëheqë delet tek ushqimi dhe uji dhe t’i kthejë ato në sigurinë e vathës. Një bari gjithashtu i mbron delet nga rreziqe të tilla si kafshë të egra dhe hajdutë. Për shkak se ai e njeh tufën e tij, mund ta dallojë kur një dele mungon dhe shkon për ta gjetur atë. Delet e tij janë të bindura ndaj tij dhe kanë besim të plotë tek ai.

Jezusi, Bariu i Mirë, na thërret kur humbasim, dhe nëse mësojmë t’i vëmë veshin zërit të Tij, Ai na udhëheq në kullotat e sigurta të shpëtimit dhe jetës së përjetshme duke na mbrojtur nga rreziqet e vdekjes dhe mëkatit.

“Unë Jam”

“Jezusi u tha atyre: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam’” (Gjoni 8:58).

Në një mënyrë, thjesht duke thënë: “Unë jam”, Jezusi tha gjithçka. Me këtë, Ai shpalli se Ai është Krijuesi i botës dhe Jehovai, Perëndia i Dhjatës së Vjetër, emri i të cilit vërtet do të thotë “Unë jam” (shih Eksodi 3:14).

Jezusi është Biri i Perëndisë, Mesia dhe Shpëtimtari, i cili na shpëton nga mëkati dhe vdekja. Për shkak të asaj se cili është Ai dhe çfarë bëri për ne, ne mund të kemi jetë të përjetshme dhe të bëhemi çfarë kemi potencialin për t’u bërë.