2008
Ai Jeton!
Mars 2008


Ai Jeton!

Dëshmia e Profetëve të Ditëve të Mëvonshme

“Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:22).

“Ai jeton!” Kështu dëshmoi Profeti Jozef Smith për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Me një siguri të tillë, të gjithë Presidentët e mëpasshëm të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme—të mbështetur si profetë, shikues dhe zbulues—kanë dëshmuar për vërtetësinë, hyjninë, Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit.

Presidenti Gordon B. Hinkli

Pamja
President Gordon B. Hinckley

“E di se nuk jam kreu i kësaj Kishe. Zoti Jezu Krisht është kreu i saj. Misioni im, përgjegjësia ime kryesore, nderi im më i madh vjen në dhënien e dëshmisë solemne të realitetit të Tij të gjallë. Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili denjoi të vinte në këtë botë mjerimi, lufte e dhimbjeje për të prekur për mirë zemrën e njerëzve, për të mësuar udhën e jetës së përjetshme dhe për ta dhënë veten si një sakrificë për mëkatet e të gjithë njerëzimit. Ai është ‘Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotërve dhe do të mbretërojë përgjithmonë e në përjetësi’ (Handel’s Messiah). Unë jap dëshmi solemne se Ai jeton dhe qëndron në krahun e djathtë të Atit të Tij”1.

Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995)

Pamja
President Howard W. Hunter

“Jam mirënjohës … për shoqërimin tim me një popull, i cili ka një bindje të fortë që Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti; dhe unë ju jap dëshmi se historia e foshnjes së lindur në një koritë në Bethlehem nuk është një mit i së shkuarës, por se Jezusi, Biri i Perëndisë lindi nga Maria në vdekshmëri; se ai jetoi mes njerëzve; se ai vdiq mbi kryq dhe u ringjall; se ai në fakt dhe në të vërtetë jeton sot; dhe se ai është një qenie individuale dhe se është Shpëtimtari i botës”2.

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994)

Pamja
President Ezra Taft Benson

“Ndonjëherë bëhet pyetja: ‘A Janë Mormonët të Krishterë?’ Ne shpallim hyjninë e Jezu Krishtit. Ne e shohim Atë si të vetmin burim të shpëtimit tonë. Ne përpiqemi të zbatojmë mësimet e Tij dhe mezi presim kohën kur Ai do të vijë përsëri mbi këtë tokë për të mbretëruar si Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotërve. Me fjalët e një profeti të Librit të Mormonit, ne u themi njerëzve sot: ‘Nuk [ka] asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit, Zotit të Plotfuqishëm’ (Mosia 3:17).”3

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985)

Pamja
President Spencer W. Kimball

“Ne e vendosim [Jezu Krishtin] mbi një piedestal më tepër sesa çdo grup tjetër që njoh. Për ne ai nuk është vetëm Biri i Perëndisë, ai është gjithashtu një Perëndi dhe ne varemi tek ai. …

Pavarësisht se sa flasim për të, akoma nuk është e mjaftueshme.

Ai nuk është vetëm zdrukthëtari, nazareasi, galileasi, por Jezu Krishti, Perëndia i kësaj toke, Biri i Perëndisë, por më e rëndësishmja, Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë. …

Unë shtoj dëshminë time. Unë e di se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë së gjallë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës.

Ai është miku im, Shpëtimtari im, Zoti im, Perëndia im”4.

Presidenti Harold B. Li (1899–1973)

Pamja
President Harold B. Lee

“Pas një nate të gjatë kërkimesh dhe ditësh përgatitjeje shpirtërore në vijim, arrita të di si një dëshmi më të fuqishme sesa shikimi me sy, derisa mund të dëshmoja me një siguri që nuk mund të vihej në dyshim, se e dija me çdo copëz të shpirtit tim se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, se Ai jetoi, Ai vdiq, u ringjall dhe sot kryeson në qiej, duke drejtuar punët e kësaj kishe, e cila mban emrin e Tij ngaqë predikon doktrinën e Tij. E bëj këtë pohim me përulësi dhe ju lë dëshminë time”5.

Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972)

Pamja
President Joseph Fielding Smith

“Shpëtimi është tek Krishti. Ai vjen për shkak të shlyerjes së pafundme dhe të përjetshme të cilën ai e kreu nëpërmjet derdhjes së gjakut të tij. Ai është Biri i Perëndisë dhe ai erdhi në botë për të çliruar njerëzit nga vdekja tokësore dhe shpirtërore, që erdhën për shkak të asaj që e quajmë rënia.

Nëpërmjet mirësisë dhe hirit të tij të gjithë njerëzit do të ngrihen nga varri, për t’u gjykuar sipas veprave të bëra në mish. …

Unë e di se ai jeton, se ai sundon lart në qiej dhe poshtë në tokë dhe se qëllimet e tij do të triumfojnë. Ai është Zoti dhe Perëndia ynë. Siç ai vetë i tha Jozef Smithit: ‘Zoti është Perëndi dhe përveç tij nuk ka Shpëtimtar’ (DeB 76:1).”6

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970)

Pamja
President David O. McKay

”‘Si mund ta njohim udhën?’ pyeti Thomai, ndërsa qëndronte i ulur me apostujt e tjerë dhe Zotin e tyre në tryezë pas darkës, në natën e paharrueshme të tradhëtimit; dhe përgjigjja hyjnore e Krishtit ishte: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; …’ (Gjoni 14:5–6.) Dhe kështu është ai me të vërtetë! Ai është burimi i ngushëllimit tonë, frymëzimi i jetës sonë, vepronjësi i shpëtimit tonë. Nëse duam të dimë marrëdhënien tonë me Perëndinë, ne shkojmë tek Jezu Krishti. Nëse duam të dimë të vërtetën e pavdekësisë së shpirtit tonë, e kemi atë të mishëruar në ringjalljen e Shpëtimtarit. …

… Ai është i vetmi Qenie e Përkryer që ka ecur ndonjëherë mbi tokë; shembulli sublim i fisnikërisë; Perëndi në karakter; i përkryer në dashurinë e tij; Shëlbuesi ynë; Shpëtimtari ynë; Biri i panjollë i Atit të Përjetshëm; Drita, Jeta, Udha”7.

Presidenti Xhorxh Albert Smith (1870–1951)

Pamja
President George Albert Smith

“Shpëtimtari vdiq që ne të jetonim. Ai mposhti vdekjen dhe varrin dhe u jep shpresën e ringjalljes së lavdishme të gjithë atyre që u binden mësimeve të Tij”8.

Kam gjetur se shumë njerëz nëpër botë nuk e dinin se ne besojmë në misionin hyjnor të Zotit tonë dhe jam çuar të them në më shumë se një rast, se nuk ka njerëz në botë të cilët e kuptojnë aq mirë misionin hyjnor të Jezu Krishtit, të cilët besojnë aq tërësisht se ai ishte Biri i Perëndisë, të cilët janë aq optimistë [të sigurt] se në kohën e tanishme ai është i kurorëzuar në lavdi në krahun e djathtë të Atit të tij, sa shenjtorët e ditëve të mëvonshme”9.

Presidenti Hiber J. Grant (1856–1945)

Pamja
President Heber J. Grant

“Anëtarëve të Kishës në mbarë botën dhe paqedashësve kudo, ne u themi, shikoni tek ky Burrë nga Galilea jo vetëm një Mësues të madh, jo vetëm një Udhëheqës së pashoq, por Princin e Paqes, Vepronjësin e Shpëtimit, këtu dhe tani, me kuptimin e vërtetë të fjalës dhe realisht, Shpëtimtarin e Botës!

… Jezusi është Shëlbuesi i botës, Shpëtimtari i njerëzimit, i cili erdhi në tokë me një mision të caktuar në mënyrë hyjnore për të vdekur për shëlbimin e njerëzimit. Jezu Krishti është me të vërtetë Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri në mish. Ai është Shëlbuesi ynë dhe ne e adhurojmë atë”10.

Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918)

Pamja
President Joseph F. Smith

“Fryma e Shenjtë e Perëndisë më ka folur—jo nëpërmjet veshit, jo nëpërmjet syrit, por shpirtit tim, anës time të gjallë dhe të përjetshme—dhe më ka zbuluar se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Ju dëshmoj se e di se rron Shëlbuesi im. Akoma më shumë, e di se do ta shoh Atë në këtë tokë dhe do ta shoh Atë ashtu siç Ai është. … Zoti ma ka zbuluar këtë mua. Ai e ka mbushur të gjithë shpirtin tim me këtë dëshmi, derisa nuk ka më vend për dyshim”11.

Presidenti Lorenco Snou (1814–1901)

Pamja
President Lorenzo Snow

“Ajo Qenie e cila jetoi në Qiell, i cili mbretëroi atje para se bota të ishte, i cili krijoi tokën dhe i cili në meridianin e kohës erdhi poshtë për të përkryer dhe shpëtuar atë që Ai kishte krijuar, i është shfaqur njerëzve në këtë periudhë”12.

“Ne i dëshmojmë të gjithë botës se e dimë, nëpërmjet zbulesës hyjnore, madje nëpërmjet shfaqjeve të Frymës së Shenjtë, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së Gjallë dhe se iu shfaq Jozef Smithit aq personalisht sa apostujve të tij në lashtësi, pasi u ngrit nga varri dhe se ai i bëri të ditur të vërteta[t] hyjnore, që vetëm nëpërmjet tyre, njerëzimi mund të shpëtohet”13.

Presidenti Uilford Udraf (1807–1898)

Pamja
President Wilford Woodruff

“Qëllimi i misionit të Krishtit në tokë ishte për ta ofruar veten si një sakrificë për të shëlbuar njerëzimin nga vdekja e përjetshme. … Ai veproi me përpikmëri në bindje ndaj vullnetit të Atit të tij në të gjitha gjërat që nga fillimi, dhe piu kupën e hidhur që iu dha atij. Me anë të kësaj ai solli dritë, lavdi, nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme, me atë dashuri hyjnore e cila është më e madhe sesa besimi apo shpresa, sepse Qengji i Perëndisë ka kryer për njeriun atë që [njeriu] nuk mund ta përmbushte për veten e tij. …

Nuk ka ndonjë qenie që ka fuqi për të shpëtuar shpirtrat e njerëzve dhe t’u japë atyre jetë të përjetshme, përveç Zotit Jezu Krisht, nën urdhërin e Atit të Tij”14.

Presidenti Xhon Tejlor (1808–1887)

Pamja
President John Taylor

“I vajosur, në të vërtetë, me vajin e gëzimit përmbi shokët e Tij, Ai luftoi dhe mposhti fuqitë e njerëzve dhe djajve, të tokës dhe ferrit së bashku; dhe i ndihmuar nga kjo fuqi e lartë e Kreut Perëndi, Ai nënshtroi vdekjen, ferrin dhe varrin dhe u ngrit ngadhënjimtar si Biri i Perëndisë, vetë Ati i përjetshëm, Mesia, Princi i paqes, Shëlbuesi, Shpëtimtari i botës; duke mbaruar dhe plotësuar punën në lidhje me shlyerjen, të cilën Ati i Tij i kishte dhënë për të bërë si Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut”15.

Presidenti Brigam Jang (1801–1877)

Pamja
President Brigham Young

“Unë dëshmoj se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës; unë i jam bindur fjalëve të tij dhe kam marrë premtimin e tij, dhe njohurinë që kam për të, urtësia e kësaj bote nuk mund të ma japë dhe as të ma marrë. …

Zoti ynë Jezu Krishti—Shpëtimtari, i cili ka shëlbuar botën dhe të gjitha gjërat që i përkasin asaj, është i Vetëmlinduri i Atit për nga mishi. … Ai ka shijuar vdekjen për çdo njeri, dhe ka paguar borxhin që u mor nga prindërit tanë të parë”16.

Profeti Jozef Smith (1805–1844)

Pamja
Prophet Joseph Smith

“Dhe ky është ungjilli, lajmet e mira që zëri nga qiejt dha dëshmi për ne—

Se ai erdhi në botë, madje Jezusi, që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia;

Se nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen, të cilët Ati i kishte vënë nën fuqinë e tij dhe i kishte bërë prej atij” (DeB 76:40–42).

Shënime

  1. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), 285–86.

  2. The Teachings of Howard W. Hunter, botues Clyde J. Williams (1997), 4.

  3. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), 10.

  4. The Teachings of Spencer W. Kimball, botues Edward L. Kimball (1982), 7; shih gjithashtu Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), 23, 25.

  5. The Teachings of Harold B. Lee, botues Clyde J. Williams (1996), 637.

  6. “I Know That My Redeemer Liveth,” Ensign, dhjetor 1971, 26–27.

  7. Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay (2003), 3–4, 5.

  8. “Testimony of Elder George Albert Smith,” Liahona: The Elders’ Journal, 2 shkurt 1915, 502.

  9. “Divine Calling of Prophet Joseph Smith Reviewed in Connection with Mission of Redeemer of World,” Deseret News, 27 dhjetor 1924, seksioni 3, fq. 6.

  10. Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant (2002), 223.

  11. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), 7.

  12. Në “Journal History”, 5 prill 1884, 9.

  13. Deseret News, 31 janar 1877, 834.

  14. Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), 69–70, 74.

  15. Teachings of Presidents of the Church: John Taylor (2001), 43–44.

  16. Discourses of Brigham Young, përzgjedh. nga John A. Widtsoe (1941), 26.