2008
Ne Dëshmojmë për Jezu Krishtin
Mars 2008


MESAZHI I PRESIDENCISË SË PARË

Ne Dëshmojmë për Jezu Krishtin

Pamja
President Gordon B. Hinckley

Pak më shumë se 2000 vjet më parë, Shëlbuesi i njerëzimit lindi në Bethlehem të Judesë. Ndërkohë që ishte ende foshnjë, e çuan në tempullin e Jeruzalemit. Atje Maria dhe Jozefi dëgjuan profecitë e mrekullueshme që thanë Simeoni dhe Ana për foshnjën e vogël, i cili qe paracaktuar të bëhej Shpëtimtari i botës.

Ai e kaloi një kohë të madhe të fëmijërisë së Tij në Nazaret të Galilesë dhe kur ishte 12 vjeç e çuan sërish në tempull. Maria dhe Jozefi e gjetën Atë ndërsa po bisedonte me njerëz të mësuar, “dhe ata po e dëgjonin dhe i bënin pyetje” (Përkthimi i Joseph Smith-it, Lluka 2:46).

Jezusi u rrit në moshën e rinisë madhore dhe “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52). Ai u pagëzua nga Gjoni në lumin e Jordanit për të “[përmbushur] çdo drejtësi” (Mateu 3:15). Ai agjëroi për 40 ditë dhe 40 netë dhe duroi tundimet e Satanit para se të fillonte shërbesën e Tij publike. Ai më pas shkoi përreth duke dhënë mësim, duke shëruar dhe bekuar.

Jehova i Madh

Jezusi ishte me të vërtetë Jehova i madh i Dhjatës së Vjetër, i cili u largua nga oborret mbretërore lart në qiell të Atit të Tij dhe denjoi të vinte në tokë si një foshnjë lindur në rrethana nga më të përulurat. Lindja e Tij ishte profetizuar shekuj më parë nga Isaia, i cili në mënyrë profetike shpalli: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” (Isaia 9:6).

Ky Jezu Krisht për të cilin ne solemnisht dëshmojmë është, ashtu si Gjon Zbuluesi shpalli: “dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut”. Ai “na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve” (Zbulesa 1:5–6).

Shpëtimtari i Botës

Ai ishte Biri i të Plotfuqishmit. Ai ishte i vetmi njeri i përkryer që eci në tokë. Ai shëroi të sëmurët, bëri të çalët të ecnin, të verbërit të shikonin, të shurdhrit të dëgjonin. Ai ngriti të vdekurit. E megjithatë Ai lejoi t’ia merrnin jetën në aktin e Shlyerjes, madhështia e të cilës është përtej të kuptuarit tonë.

Lluka shkruan se kjo agoni qe kaq e madhe, saqë “djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë” (Lluka 22:44), një manifestim fizik ky që konfirmohet gjithashtu në Librin e Mormonit dhe në Doktrina e Besëlidhje (shih Mosia 3:7; DeB 19:18). Vuajtja në Gjetseman dhe në kryqin e Kalvarit, vetëm disa qindra metra larg Gjetsemanit, mbarti në vetvete “tundime, … dhembje, … uri, etje, … lodhje” fizike dhe shpirtërore “madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje” tha mbreti Beniamin (Mosia 3:7).

Pas agonisë në Gjetseman erdhi arrestimi i Tij, gjyqet, dënimi dhe më pas dhembja e patregueshme e vdekjes së Tij në kryq, që u pasua nga varrosja e Tij në varrin e Jozefit dhe më pas, ngritja ngadhnjimtare në Ringjallje. Ai, foshja i përulur i Bethlehemit, i cili dy mijëvjeçarë më parë eci rrugëve me pluhur të Tokës së Shenjtë, u bë Zoti i Plotfuqishëm, Mbreti i mbretërve, Dhuruesi i shpëtimit për të gjithë. Askush nuk mund ta kuptojë plotësisht mrekullinë e jetës së Tij, madhështinë e vdekjes së Tij, universalitetin e dhuratës së Tij për njerëzimin. Ne shpallim hapur së bashku me centurionin i cili në vdekjen e Tij tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë” (Marku 15:39).

Zoti Ynë i Gjallë

Kjo ishte dëshmia e dhjatës së Botës së Vjetër, Biblës së Shenjtë. Por ka edhe një zë tjetër, ai i dëshmisë së Botës së Re, Libri i Mormonit. Në të Ati prezantoi Birin e Tij të ringjallur, duke shpallur: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim” (3 Nefi 11:7). Ky prezantim hyjnor hap rrëfimin e shërbesës së Shpëtimtarit tonë mes disa prej “[deleve të] tjera” të Tij (Gjoni 10:16) pas Ngjitjes së Tij nga Jeruzalemi. Mesazhi i Librit të Mormonit, në të gjithë shtrirjen e tij, është rreth hyjnisë së Jezu Krishtit dhe rreth bekimeve të përjetshme që mund t’u vijnë të gjithë bijve dhe bijave të Perëndisë nëpërmjet dashurisë së Tij shlyese. Me fjalët e një profeti të Librit të Mormonit:

“Pasi ne punojmë me zell që të shkruajmë, të bindim fëmijët tanë dhe gjithashtu vëllezërit tanë të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë; pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë. …

Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:23, 26).

Kësaj i shtohet deklarata e profetëve të kohës sonë: “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:22). Tek Doktrina e Besëlidhje, Ai dëshmoi qartë mbi rolin e Tij hyjnor: “Unë jam Alfa dhe Omega, Krishti Zoti; po madje unë jam ai, fillimi dhe fundi, Shëlbuesi i botës” (DeB 19:1).

Tek Ai nuk shohim vetëm Mësuesin dhe Bariun e Mirë por gjithashtu Shembullin tonë të madh, i cili na urdhëron: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, … eja dhe më ndiq mua” (Mateu 19:21).

Guri i Qoshes

Ai është guri kryesor i qoshes, në Kishën që mban emrin e Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nuk ka asnjë emër tjetër që u është dhënë njerëzve, me anë të të cilit mund të shpëtohemi (shih Veprat e Apostujve 4:12). Ai është Vepronjësi i shpëtimit tonë, Dhuruesi i jetës së amshuar (shih Hebrenjve 5:9). Nuk ekziston askush që mund të krahasohet me Të. Kurrë nuk ka ekzistuar. Kurrë nuk do të ekzistojë. Lavdëruar qoftë Perëndia për dhuratën e Birit të Tij të Dashur, i cili dha jetën e Tij që ne të mund të jetojmë dhe i cili është guri i qoshes kryesor dhe i patundur i besimit tonë dhe i Kishës së Tij.

Qendra e Besimit Tonë

Ne nuk e dimë gjithçka që shtrihet para nesh. Jetojmë në një botë pasigurie. Disa njerëz do të përmbushin shumë gjëra. Disa të tjerë do të kenë zhgënjime. Për disa, do të ketë shumë gëzim dhe lumturi, shëndet të mirë dhe jetë të këndshme. Për të tjerë, ndoshta sëmundje dhe një masë pikëllimi. Ne nuk e dimë. Por një gjë e dimë. Ashtu si Ylli Polar në qiell, pavarësisht se çfarë ofron e ardhmja, qëndron Shëlbuesi i botës, Biri i Perëndisë, i sigurt dhe i qëndrueshëm si spiranca e jetës sonë të pavdekshme. Ai është kalaja e shpëtimit tonë, forca, ngushëllimi dhe madje qendra e besimit tonë.

Në diell e në shi ne shohim drejt Tij dhe Ai qëndron për të na siguruar dhe buzëqeshur mbi ne.

Ai është vetë qendra e adhurimit tonë. Ai është Biri i Perëndisë së gjallë, i Parëlinduri i Atit, i Vetëmlinduri në mish. Ai “u ringjall prej së vdekurish, … fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Korintasve 15:20). Ai është Zoti i cili do të vijë përsëri “për të mbretëruar në tokë mbi popullin e tij” (DeB 76:63; shih gjithashtu Mikea 4:7; Zbulesa 11:15).

Askush kaq i madh nuk ka ecur ndonjëherë mbi tokë. Askush tjetër nuk ka bërë një sakrificë të ngjashme apo të ketë dhënë një bekim të ngjashëm. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Unë besoj tek Ai. Unë shpall natyrën e Tij hyjnore pa dyshime dhe kompromise. Unë e dua Atë. E shqiptoj emrin e Jezu Krishtit me nderim dhe mrekulli. Ai është Mbreti ynë, Zoti ynë, Mësuesi ynë, Krishti i gjallë, i cili qëndron në të djathtë të Atit të Tij. Ai jeton! Ai jeton, i shkëlqyeshëm dhe i mrekullueshëm, Biri i gjallë i Perëndisë së gjallë.