2008
BESIMI I NJË FËMIJE
Mars 2008


BESIMI I NJË FËMIJE

Vendosa të shkoj më këmbë për në konferencën e kunjit, duke ecur rreth 30 a 40 minuta me djalin tim, atëherë tetë vjeç. Kishin kaluar njëzet minuta, kur atëherë kuptova se nuk dija më se cilin drejtim duhet të merrnim. Im bir, Elsoni, përherë fjalaman, po më tregonte njëra pas tjetrës histori për gjëra që kishin ndodhur në shkollë apo në shtëpi. I kërkova të rrinte urtë për një çast, duke i shpjeguar se kisha nevojë të mendohesha ngaqë druaja se kishim humbur rrugën.

Pikërisht atëherë im bir më tregoi besimin e tij. Ai sugjeroi të thonim një lutje. Unë, me gjithë zgjuarsinë dhe arsyetimin e një të të rrituri (dhe duke u bërë paksa i paduruar meqë akrepat e orës po i afroheshin kohës që mbledhja të fillonte), iu përgjigja që, në qoftë se ai dëshironte të thonte një lutje, të vepronte ashtu – megjithatë, unë parapëlqeva të mendoja. Thashë me vete: “Ka gjëra për të cilat nuk është e domosdoshme të varemi nga Zoti; gjetja e rrugës për në kishë është një prej tyre”.

Sikur po m’i lexonte mendimet, Elsoni më dha një mësim mbi përulësinë, duke thënë: “Po pse kërkon të lodhesh?” Pas kësaj ai heshti, dhe unë e dija se me mendje dhe me zemër ai u lut. Disa minuta më vonë mbërritëm në kishë dhe e kuptova që ai kishte marrë përgjigje për lutjen e tij.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne bekohemi të jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Dëshmia ime për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur u shtua kur kuptova që im bir, ende fëmijë, diti si t’i vinte në praktikë parimet e besimit dhe të lutjes, duke u bërë për mua një shembull se si jetohen mësimet e Jezu Krishtit.