2008
I Rrethuar nga Krahët e Dashurisë së Tij
Mars 2008


I Rrethuar nga Krahët e Dashurisë së Tij

Kur ishte vetëm një vjeç, djali ynë Nolan vuajti një sëmundje si pasojë komplikimesh nga meningjiti i shtyllës së kurrizit. Tani 14 vjeç, ai duhet të durojë një pajisje që pompon gjakun, ka vështirësi në të mësuar dhe është i paralizuar në një anë të trupit të tij.

Pavarësisht vështirësive të mëdha, Nolan e ka tejkaluar atë që prisnim prej tij. Me çdo arritje të re të tij, ai na sjell mjaft gëzim. Ai ka zhvilluar durim dhe një vendosmëri të denjë për t’u imituar.

Bashkëshorti im Rajën dhe unë, bashkë me pesë fëmijët tanë të tjerë, jemi rritur mjaft shpirtërisht nga përvojat tona me Nolanin. Ndonjëherë ne shkurajohemi dhe shqetësohemi për të ardhmen e tij, por më pas numërojmë bekimet tona, kuptojmë dashurinë dhe shqetësimin që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij kanë për secilin prej nesh dhe kujtojmë një lutje që na mori përgjigje kur Nolani ishte gjashtë vjeç.

Një mbrëmje kur nuk ishim të sigurt se si t’i ballafaqonim vështirësitë e Nolanit, bashkëshorti im dhe unë u gjunjëzuam për t’u lutur mbi mirëqenien e tij. Ndërsa iu lutëm Zotit, ne shprehëm një shqetësim të veçantë për sjelljen e Nolanit për sa i përket kuptimit të tij për vetëvlerësimin. Ne sinqerisht kërkuam që Nolani të ndiente dashurinë e Shpëtimtarit dhe të dinte për vlerën e tij të madhe si një fëmijë i Perëndisë.

Mëngjesin tjetër Nolani erdhi drejt e në kuzhinë, ku unë po gatuaja mëngjesin. Para vaktit të mëngjesit ai zakonisht luante me vëllezërit ose shtrihej në divan. Por ai dukej i përqendruar ndërsa hipi mbi një stol në banakun ku hanim mëngjesin, më vështroi dhe më tha: “Mbrëmë pashë një ëndërr”.

E kuptova seriozitetin e tij dhe m’u ngjall menjëherë interesi.

“Me të vërtetë?” e pyeta. ”Çfarë ndodhi në ëndrrën tënde?”

“Jezusi ishte atje”, u përgjigj Nolani me thjeshtësi, “dhe Ai po më mbante në krahë”.

Unë kam një dëshmi se Ati ynë i dashur në Qiell i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona dhe se Shpëtimtari ynë është avokati ynë me Atin. Ata na njohin personalisht. Ata i njohin nevojat dhe aftësinë tonë. Ata dinë si të na ndihmojnë.

Moroni na thotë: “Në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën. … Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5). Kam mësuar se ky shkrim nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një dëshmie për Librin e Mormonit por gjithashtu për çdo pyetje për të cilën jemi duke kërkuar sinqerisht një përgjigje. Kur përballemi me sfida, dëshpërim dhe sprova, zemra jonë është plotësisht e sinqertë dhe qëllimi ynë mjaft i çiltër.

Sa mirënjohëse ndihem që jam anëtare e Kishës së Shpëtimtarit, ku kam mësuar shumë nga ungjilli i Tij nëpërmjet studimit, shërbimit dhe Frymës së Shenjtë. Sa mirënjohëse jam për faktin se e di se Shpëtimtari do ta ndihmojë, ngushëllojë dhe udhëheqë secilin prej nesh. Unë e di se të gjithë mund të rrethohemi nga “krahët e dashurisë [së Tij]” (DeB 6:20) kur vijmë tek Ai.