2008
Dora Shpëtuese e Shpëtimtarit
Mars 2008


Dora Shpëtuese e Shpëtimtarit

Një verë, kur isha një djalë i ri në Arkansas, fqinjët e mi më ftuan të shkoja disa ditë me ta për kamping, peshkim dhe not në një rezervuar të madh pranë Sardis, Misisipi. Kaluam disa ditë duke shijuar shumë aktivitete të ndryshme në natyrë.

Në ditën tonë të fundit po notonim edhe një herë para se të ktheheshim për në shtëpi. Ndërsa miqtë e mi dhe unë po loznim me një top plazhi, topi kaloi sipër kokës sime dhe ra disa metra prapa meje. Era menjëherë filloi ta shtynte topin larg meje, në drejtim të thellësisë së ujit. Renda pas tij, por era vazhdoi ta shtynte topin saqë nuk po e kapja dot. Pas pak, kisha arritur shënuesit që kufizonin zonën e cekët të notimit. Topin e kishte marrë era matanë shënuesve në drejtim të mesit të rezervuarit.

Ndërsa iu afrova shënuesve, nuk u merakosa që do më duhej të notoja matanë tyre. Topin nuk e kisha edhe aq larg dhe isha i sigurt se mund ta kapja. Në fund të fundit, unë kisha përfunduar një kurs shpëtimi dhe me krenari mbaja emblemën e kursit në rrobebanjot e mia. Ndihesha i qetë në ujë dhe i sigurt se isha mjaft i fortë për ta kapur topin.

Megjithatë, era vazhdoi ta mbante topin larg meje. Ndonjëherë i afrohesha aq pranë saqë mund ta prekja me majat e gishtave, por e shihja të më largohej përsëri. Më në fund, një furi e çoi atë larg meje.

Nuk e kisha vënë re sa larg kisha shkuar derisa ndalova për t’u çlodhur. Uji dukej mjaft më i errët dhe më i ftohtë sesa ishte në zonën e cekët të notimit. Kur pashë në drejtim të bregut, e kuptova se isha pranë mesit të rezervuarit. Vendosa ta braktisja topin e plazhit dhe të kthehesha me not drejt bregut. Isha i lodhur dhe i rraskapitur, por nuk isha i shqetësuar. Isha i ri dhe mendova se do t’ia dilja mbanë pa problem.

Por ndërsa u përpoqa të kthehesha drejt bregut, era që kishte ndihmuar topin e plazhit, po më pengonte mua. Dukej se pavarësisht sa fort notoja, nuk shkoja shumë përpara. Krahët dhe këmbët e mia filluan të digjnin dhe të dhimbnin. Ndalova duke bërë not qeni dhe duke ndejtur pezull mbi ujë, duke u përpjekur të rifitoja forcën.

Më pas dëgjova një zhurmë të njohur – zhurmën e një motoskafi. Isha i lumtur dhe i çliruar që shpejt pashë një burrë në një varkë të vogël, i cili më ndaloi pranë dhe më ofroi të më çonte në breg. Krahët dhe këmbët e mia ishin rraskapitur. Mezi hipa në varkë, kështu që vendosa një krah në anë dhe u vara ashtu ndërsa i panjohuri me ngadalë më çoi përsëri në zonën e notimit. Kapa një nga shënuesit, e lëshova varkën, e falenderova me dorë dhe notova drejt bregut.

Pesëmbëdhjet vjet më vonë, përsëri u gjenda në telashe. Për një kohë të gjatë kisha notuar në një rezervuar mëkati. Ndjekja e rrugës së mëkatit dhe vajtja pas gjërave me pak ose aspak vlerë, më kishin lënë të shllapurisesha mes thellësisë së ujit. Forca më ishte mbaruar dhe shpresa po më shuhej. Gjërat të cilat kisha ndjekur, qëndronin pak larg aq sa nuk mund t’i arrija dhe errësira dukej se po më gllabëronte.

Në dëshpërim i thirra Atit Qiellor. Ashtu si burri në varkë, Shpëtimtari erdhi për të më shpëtuar kur kisha më shumë nevojë për Të. Nëpërmjet një profeti të ditëve të mëvonshme të Perëndisë, Ai më udhëhoqi drejt Librit të Mormonit. Ai më udhëhoqi drejt shtegut të pendimit dhe më pastroi nga mëkati në ujërat e pagëzimit. Ai më pas më vendosi në terren të lartë, ku jam përpjekur të qëndroj që atëherë.