2008
E Di se Rron Shëlbuesi Im
Mars 2008


E Di se Rron Shëlbuesi Im

Si një studente në vitin e parë në Universitetin Brigam Jang–Ajdaho (atëherë Kolegji Riks), më mungonte familja ime. Por pas disa muajsh atje, isha mësuar me jetën e kolegjit dhe ia kaloja mirë. Kur telefonata erdhi, isha në apartamentin tim duke studiuar.

“Kristi, kam lajme të këqia për ty”, më tha mamaja, me zërin që i dridhej. “Babai yt vdiq sonte nga një atak i fortë në zemër.”

Emocionet më pushtuan ndërsa përpiqesha të kuptoja atë që sapo kisha dëgjuar. E kisha parë babain vetëm disa ditë më parë, por nuk e kisha idenë se do të ishte për herën e fundit. Vdekja e babait ishte një tronditje për të gjithë familjen tonë; ishte gjithashtu një tronditje për lagjen e kishës në atdheun tim. Babi ishte vetëm 53 vjeç dhe po shërbente si peshkopi ynë.

Ditët që pasuan u mbushën me vizita dhe telefonata nga familja, miqtë, anëtarët e lagjes dhe fqinjët. Ne ndjemë një derdhje të jashtëzakonshme dashurie nga njerëzit rrotull nesh. Në funeralin e babait, pjesëtarët e familjes treguan kujtime nga jeta jonë me të dhe ne dëshmuam për planin e shpëtimit dhe jetën pas vdekjes.

Babi kishte qenë një bashkëshort besnik, një shenjtor i përkushtuar i ditëve të mëvonshme, pjesëmarrës në skautizëm dhe një baba i mrekullueshëm. Shumë njerëz ishin bekuar për shkak të jetës që ai kishte bërë. Pas funeralit, vëllai im më i madh e përkushtoi varrin dhe si familje qëndruam dhe dënesëm ndërsa kënduam “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 58).

Ditën pas funeralit u ktheva në shkollë. Nuk isha shumë e lumtur të kthehesha, por e dija se duhet të vazhdoja jetën dhe të përmbushja përgjegjësitë e mia. Disa ditë ishin më të lehta se të tjerat. Kalova shumë kohë duke menduar për babain tim dhe u mbështeta mbi njohurinë për planin e shpëtimit dhe besimin tim tek Jezu Krishti për të më ndihmuar të përballesha me sfidat dhe pyetjet e mia.

Rreth dy javë pasi vdiq babai, e mora ditarin tim në një kishë brenda kampusit për të shënuar ndjenjat e mia dhe ngjarjet që lidheshin me vdekjen e babait. Ndërsa shkrova, ndjeva Shpirtin aq fort saqë pata një siguri të jashtëzakonshme që Ati im Qiellor më donte, se Ai kishte një plan veçanërisht për mua dhe se nuk do të lihesha kurrë vetëm. Ndërsa mbarova së shkruari, u dëgjua nga altoparlantet mbi qendrën studentore aty pranë, muzika e himnit: “E Di se Rron Shëlbuesi Im” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 38). Fjalët e himnit më erdhën menjëherë në mendje:

E di se rron Shëlbuesi im.

Ç’qet’si më jep oh kjo fjali!

Jeton, jeton, kush vdekur ish

jeton, i përjetshmi Zoti im. …

Jeton që frikën të ma shkrij’,

jeton që lotët të m’i fshij’.

Jeton që zemrën t’ma qet’soj’.

Jeton bekime t’më dhuroj’.

Unë e di se Shëlbuesi im jeton dhe e di si Ai më do. Sepse Ai u ngrit prej së vdekurish, e di se babai im dhe të gjithë të dashurit tanë të cilët janë larguar para nesh, do të jetojnë sërish gjithashtu. Ç’ngushëllim është t’i dish këto të vërteta.