2008
Besim tek Jezu Krishti
Mars 2008


Besim tek Jezu Krishti

Pamja
Elder Russell M. Nelson

Udha ime e gjatë për t’u bërë mjek ishte veç fillimi. Mbas tij erdhën vite pune në spital, vite kërkimi, trajnimi profesional dhe kontrollesh verifikuese. Pastaj vijuan shumë vite të mësimdhënies, shërbimit dhe sfidat e një fushe të sapodalë të operimit të zemrës duke e hapur, të cilat të gjitha sollën tek unë një nderim të thellë për ndërtimin dhe funksionimin e trupit njerëzor. Isha i bindur që krijimi i tij ishte hyjnor.

Trupi i Jashtëzakonshëm Njerëzor

Mendoni fillesën e trupit njerëzor. Ai nis me bashkimin e dy qelizave riprodhuese – njëra nga nëna dhe tjetra nga babai. Së bashku këto qeliza përmbajnë të gjitha të dhënat trashëgimore të individit, që ruhen brenda një hapësire kaq të vogël, sa me sy të lirë nuk mund të shihen. Njëzet e tre kromozome nga secili prind bashkohen në një qelizë të re. Këto kromozome përmbajnë mijëra gjene të cilat përcaktojnë karakteristikat fizike të personit të palindur. Afërsisht 22 ditë pas bashkimit të këtyre qelizave, një zemër e imët fillon të rrahë. Pas 26 ditëve, gjaku fillon të qarkullojë. Qelizat shumëzohen dhe ndahen. Disa bëhen sy për shikim; të tjerat bëhen veshë për dëgjim ose gishtërinj për të ndier gjërat e mahnitshme përreth nesh.

Çdo organ është një krijim mahnitës. Syri ka një lente që vatërzohet vetë. Nerva dhe muskuj u lejojnë të dy syve të përftojnë një pamje trepërmasore. Veshi i shndërron valët zanore në tone dëgjimore të kapshme në tru.

Zemra ka katër kllapa delikate të cilat kontrollojnë drejtimin e rrjedhës së gjakut. Ato hapen e mbyllen më shumë se 100.000 herë në ditë – 36 milionë herë në vit. Nëse nuk pësojnë ndryshim nga ndonjë sëmundje, ato janë në gjendje ta përballojnë këtë tendosje për një kohë pothuaj të pacaktuar. Asnjë material i bërë nga njeriu nuk mund të përkulet aq shpesh dhe aq gjatë pa u thyer. Çdo ditë zemra e të rriturit shtyn aq lëng sa do të mbushej një depozitë mbi 7500 litërshe. Në kreshtën e zemrës gjendet një burim elektriciteti që përcjell energji nëpër linja të veçanta, duke bërë që mori qelizash të fibrave muskulore të punojnë së bashku.

Mendoni për sistemet mbështetëse të trupit. Çdo organi çift i mundësohet një mbështetje e menjëhershme nga organi tjetër. Organet e vetme, si truri, zemra dhe mëlçia, ushqehen nga dy linja furnizimi me gjak. Kjo mbron organin në rast se rrjedha e gjakut do të pengohej në njërën nga këto linja.

Mendoni për aftësinë vetëmbrojtëse të trupit. Për t’u mbrojtur nga dëmtimi, trupi ndien dhembjen. Në përgjigje të infektimit, ai krijon antitrupa. Ata jo vetëm ndihmojnë për të luftuar një problem të menjëhershëm, por vazhdojnë të mbështesin qëndresën ndaj ndonjë infektimi të ardhshëm.

Mendoni mënyrën se si vetëndreqet trupi. Kockat e thyera ngjiten dhe bëhen sërish të forta. Prerjet e lëkurës shërohen vetë. Një rrjedhje gjaku mund të vetëmbyllet. Trupi i përtërin qelizat e veta të vjetëruara.

Trupi rregullon përbërësit e vet jetësorë. Masa elementesh dhe përbërësish themelorë përshtaten vazhdimisht. Dhe, pavarësisht ndryshimeve të mëdha të temperaturave të mjedisit, temperatura e trupit kontrollohet me kujdes brenda kufijve të ngushtë.

Përmes viteve të përvojës kam mësuar se shërimi ndodh vetëm atëherë kur zbatohen të gjitha ligjet që lidhen me atë bekim1. Ndërtimi dhe funksionimi i trupit drejtohen nëpërmjet ligjit. Një varg i shkrimit të shenjtë deklaron kështu: ”Çdo mbretërie i jepet një ligj; dhe në çdo ligj ka kufizime dhe gjithashtu kushte të caktuara”2.

Shkencëtarët vërejnë në shumë disiplina manifestime të ligjit dhe të rregullit, qoftë në parashikimin e baticave, në fazat e hënës apo në vendosjen e yjeve në qiell. Një ligj dhe rregull i tillë mbajnë të gjithë krijimin. Ato ligje mund të zbulohen dhe të përcaktohen. Ndikimet e tyre mund të maten. Një rregull i tillë dëshmon për një Krijues Suprem3.

Përmbajtja e besimit, nga ana tjetër, nuk mund të matet. Por lidhja e ndërsjelltë e besimit tek Perëndia me ligjin dhe rregullin e universit, zbulohet në shkrimin e shenjtë:

“[Perëndia] ka dhënë një ligj për të gjitha gjërat, me anë të të cilit ato lëvizin në kohën e tyre dhe në stinën e tyre;

Dhe udhët e tyre janë caktuar, madje udhët e qiejve dhe të tokës, që përfshijnë tokën dhe gjithë planetet. …

Vini re, të gjitha këto janë mbretëri dhe kushdo që ka parë ndonjërën ose më të voglën e këtyre, ka parë Perëndinë duke lëvizur në madhështinë dhe fuqinë e tij”4.

Karakteri Hyjnor i Krijimit

Shkrimet e shenjta shpallin se qielli, toka dhe të gjitha gjërat që lëvizin mbi tokë, janë krijuar hyjnisht5. Shkrimet e shenjta gjithashtu na ndihmojnë të dimë më shumë për bashkëpjesëmarrjen e Perëndisë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, në Krijim. Fjalët e para të Biblës bëjnë të ditur: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën”6 dhe “Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, … Ai krijoi mashkullin e femrën”7. Libri i Abrahamit mëson se “Perënditë zbritën për të organizuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tyre, në shëmbëlltyrën e Perëndive për ta formuar atë, mashkull dhe femër për t’i formuar ata”8.

Shkrimi i shenjtë dokumenton ndjenjat e Atit Qiellor për Birin e Tij të Dashur dhe për secilën qenie njerëzore: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”9.

Libri i Gjonit fillon me këtë deklarim:

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë”10.

Ky shkrim tregon se Fjala11 e Perëndisë është Jezu Krishti – përfaqësuesi vetjak i Perëndisë në qeverisjen e këtij universi dhe Krijuesi i gjithë jetës.

Ky fakt iu pohua Moisiut nga Ati ynë Qiellor, i cili tha:

“Dhe me anë të fjalës së fuqisë sime, i kam krijuar ato [tokën dhe banorët në të], që është Biri im i Vetëmlindur, që është plot hir dhe të vërtetë.

Dhe botë pa numër kam krijuar; dhe unë gjithashtu i krijova ato për qëllimin tim; dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im”12.

Shumë shkrime të tjera pohojnë se, nën drejtimin e Atit, Jezu Krishti është Krijuesi13. Një nga dëshmitë më të parezistueshme është dëshmia e vetë Atij: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Unë krijova qiejt dhe tokën dhe të gjitha gjërat që janë në to. Unë isha me Atin që nga fillimi”14.

Dinamikat e Besimit tek Jezu Krishti

Që dikush të pranojë atë koncept, kërkohet besim dinamik. Besimi është themeli i dëshmisë vetjake. Parimet e para të ungjillit fillojnë me besimin tek Zoti Jezu Krishti15. Pali tha se “besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”16. Ai luti sinqerisht “që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni… dhe ta njihni dashurinë e Krishtit”17. Pali na luti të “arrijmë… te uniteti i besimit dhe [i] njohjes së Birit të Perëndisë”18.

Nga Libri i Mormonit mësojmë që “ne jemi ringjallur në Krisht, për shkak të besimit tonë. … Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”19.

Bekimet që rrjedhin nga besimi tek Ai, zbulohen edhe në Librin e Mormonit. Aty lexojmë: “Ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme”20. Kjo është “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”21.

Besimi dinamik tek Zoti të çon drejt kthimit të plotë në besim dhe përmbushjes së zotimit ndaj punës së Tij të shenjtë. Ne bëhemi fëmijë të besëlidhjes; bëhemi fëmijë të Tij. Shkrimi i shenjtë pohon: “Dhe tani, për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij dhe jeni bërë bijtë e tij dhe bijat e tij”22.

Besimi dinamik te Zoti sjell kthimin në besim, një ndryshim të fuqishëm të zemrës23, ndryshim të mendësisë, nga udhët e botës drejt udhëve të Hyjnisë. Ai bën që një njeri të pendohet “me qëllim të plotë të zemrës”24. Alma shtonte: “Predikoju atyre pendim dhe besim në Zotin Jezu Krisht; mësoju të bëhen të përulur dhe të jenë të bindur dhe të përvuajtur në zemër; mësoju t’u bëjnë ballë çdo tundimi të djallit, me besimin e tyre në Zotin Jezu Krisht”25.

Librit i Mormonit është, si një pjesë e ekzistencës së tij, për të bindur judenjtë dhe johebrenjtë se Jezusi është Krishti, Perëndia i përjetshëm26. Ata që e lexojnë Librin e Mormonit dhe me besim kërkojnë të dijnë nëse libri është i vërtetë, fitojnë një dëshmi për vërtetësinë e tij. Ata gjithashtu “do të mësojnë… se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës [dhe] se Jozef Smithi është zbuluesi dhe profeti i tij në këto ditë të fundit”27.

Besimi tek Jezu Krishti – Themelor për Shpëtim dhe Ekzaltim

Besimi tek Jezu Krishti jo vetëm sjell bekime në këtë jetë, por është themelor për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë të përjetshëm. Shkrimi i shenjtë deklaron: “Gjithë njerëzit duhet të pendohen e të besojnë në emrin e Jezu Krishtit, dhe ta adhurojnë Atin në emrin e tij, dhe të durojnë me besim në emrin e tij deri në fund, ose ata nuk mund të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë”28. Gjithashtu Zoti u vë përgjegjësi prindërve t’u mësojnë fëmijëve të tyre të kenë “[besim] në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë”29.

Dëshmoj që Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë të Gjallë. Ai është Krijuesi, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi30 ynë, Avokati ynë tek Ati31, Çlirimtari32 ynë dhe Jehova i Dhiatës së Vjetër33. Ai është Emanueli i premtuar34, Mesia i vajosur35 dhe Shembulli ynë i madh36. Një ditë Ai do të kthehet për të sunduar si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve37. Në fund, ne do të qëndrojmë para Tij në ditën e gjykimit38. Për secilin nga ne lutem që besimi ynë vetjak në Të do të jetë i pranueshëm.

Shënime

  1. Ky kuptim i lartë u vendos nga Zoti, kur tha: “Kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (DeB 130:21).

  2. DeB 88:38.

  3. Shih Alma 30:44.

  4. DeB 88:42–43, 47.

  5. Shih Kolosianëve 1:16; Mosia 4:2, 9; 5:15; Alma 18:28; 22:10; Moisiu 3:5.

  6. Zanafilla 1:1.

  7. Zanafilla 1:27.

  8. Abrahami 4:27.

  9. Gjoni 3:16.

  10. Gjoni 1:1–3.

  11. Në greqisht, Logos (që do të thotë “fjalë”) është një emër tjetër për Krishtin.

  12. Moisiu 1:32–33, me theksim shtesë.

  13. Shih Efesianëve 3:9; Mosia 3:8–11; Helamani 14:12; Mormoni 9:8–14.

  14. 3 Nefi 9:15. Zoti deklaron më tej: “Vër re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, i cili krijoi qiejt dhe tokën, një dritë që s’mund të fshihet në errësirë” (DeB 14:9).

  15. Shih Nenet e Besimit 1:4.

  16. Hebrenjve 11:1.

  17. Efesianëve 3:17–19.

  18. Efesianëve 4:11–13; shih edhe Galatasve 3:26–29.

  19. 2 Nefi 25:25–26.

  20. 2 Nefi 31:20; shih edhe Enosi 1:8; Mosia 3:12.

  21. DeB 14:7.

  22. Mosia 5:7.

  23. Shih Alma 5:12–14.

  24. 2 Nefi 31:13; shih edhe Jakobi 6:5 [LiM]; Mosia 7:33; 3 Nefi 10:6; 12:24; 18:32.

  25. Alma 37:33; shih edhe Mormoni 9:37; Moroni 7:25–26, 33–34, 38–39.

  26. Shih në Librin e Mormonit, faqja e titullit.

  27. Parathënia e Librit të Mormonit.

  28. DeB 20:29.

  29. DeB 68:25; shih edhe Moisiu 6:57–62.

  30. Shih Isaia 49:26; 60:16; 1 Nefi 21:26; 2 Nefi 6:18.

  31. Shih DeB 29:5; 110:4.

  32. Shih 2 Samueli 22:2; DeB 138:23.

  33. Shih DeB 110:3.

  34. Shih Isaia 7:14.

  35. Shih 2 Nefi 25:14–19.

  36. Shih Gjoni 13:15; 3 Nefi 27:21.

  37. Shih Zbulesa 17:14; 19:16.

  38. Shih Zbulesa 20:12; 1 Nefi 15:33; 2 Nefi 9:22, 44; 28:23; Alma 5:15; 3 Nefi 27:14; Mormoni 3:20; 9:8–14.