2008
Duke Adhuruar Nëpërmjet HIMNEVE
Mars 2008


Duke Adhuruar Nëpërmjet HIMNEVE

Ngaqë “kënga e të drejtëve është një lutje për [Të]”, ne mund t’i afrohemi më shumë Shpëtimtarit nëpërmjet himneve.

Ah sikur të mund të këndoja si motra Shnajder. Ah sikur të mund të luaja në piano si vëllai Menendez. Sa herë i kemi dëgjuar apo menduar gjëra të tilla? Ndonjëherë e mendojmë talentin muzikor si një dhuratë të veçantë që i përket vetëm të tjerëve, një talent i bukur që e vlerësojmë por mendojmë se nuk e kemi.

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, muzika dhe të kënduarit janë për të gjithë. Nëpërmjet këndimit të himneve, ne mund të shprehim mirënjohje e lavdërime për Shëlbuesin tonë, të mësojmë ungjillin e Tij të rivendosur, ta kujtojmë Shlyerjen e Tij dhe të zotohemi ta ndjekim Atë.

Shprehni Mirënjohje dhe Lavdërim

Kur Izraeli i lashtë u çlirua nga Egjipti, “atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan [një] kantik Zotit” (Eksodi 15:1). Ndërsa jareditët kaluan oqeanin, “i kënduan lavde Zotit” (Ethëri 6:9). Dhe kur shenjtorët e parë të ditëve të mëvonshme përkushtuan Tempullin e Kirtlandit, ata kënduan himin e ri të Uilliam W. Felps: “Ky Shpirti i Perëndisë si një Zjarr Ja Po Digjet”1. Në çdo periudhë ungjillore fëmijët e Perëndisë kanë ngritur zërat e tyre për ta lavdëruar Atë me muzikë.

Shumë nga himnet tona sot kanë këtë shpirt gëzimi dhe lavdërimi. Për shembull, një tjetër himn i bukur nga Uilliam W. Felps shpall:

Shëlbuesi i Izraelit,

gëzimi i yn’,

atij një bekim i kërkojm’,

gjat’ ditës hija jon’

gjat’ natës drita jon’,

Shpëtuesi, mbreti ynë gjithmon’!2

Himnet gjithashtu i japin zë mirënjohjes sonë për bekime të veçanta, siç shprehen në këtë varg të njohur:

Të falemi, Zot, për profetin

që rrugën ne sot na ndriçon.

Të falemi, Zot, për ungjillin

që mendjen ne fort na ndriçon.

Të falemi ne për uratat

që Ti na dhuron bujarisht.

Kënaqemi Ty të t’shërbejmë,

të t’bindemi ne me gjith’ shpirt3.

Ndërsa i këndojmë këto himne, ne ndjekim urdhërimin: “Në qoftë se je i gëzuar, lavdëro Zotin me këngë, muzikë, … dhe me një lutje përlëvdimi dhe falënderimi” (DeB 136:28).

Mësoni Ungjillin e Tij

Përveç shprehjes së mirënjohjes dhe lavdërimit, himnet gjithashtu na japin mundësi të mësojmë ungjillin e Jezu Krishtit. Për shembull, ky himn i njohur fëmijësh e shpjegon shumë thjesht dhe bukur marrëdhënien tonë me Atin tonë në Qiell:

Fëmi i Per’ndis’ jam,

këtu ai më çoi,

në tok’ më dha, o, një shtëpi

me prindër kaq të mir’4.

Himne të tjera na tregojnë si të jetojmë parime të ugjillit, të tilla si ky himn i preferuar, i shkruar në kohën e pionierëve:

Shenjtor’ nga puna ju mos kini frik’

ju ecni me gëzim.

Sa do t’ju duket kjo udh’ e vështir’,

dita do ket’ shkëlqim.

Më mir’ për ne ne mund t’punojm’

shqet’simet tona t’i largojm’;

Bëjm’ k’të dhe zemrat g’zim do ken’

Gjithçka mir’ do të jet’!5

Disa nga himnet tona më të bukura, na mësojnë të ndjekim shërbëtorët e Krishtit, profetët e Tij të zgjedhur në ditën tonë. “Lavdi Njeriut”, për shembull, na ndihmon të kujtojmë rolin e rëndësishëm të Profetit Jozef Smith në Rivendosjen e ungjillit:

Lavdi atij që me Jehovën foli!

Profet Jezusi atë shuguroi.

Bekuar të hapë k’të kohë të fundit,

Mbret’rit dhe kombet do flasin për të6.

Nëse meditojmë këto dhe himne të tjera dhe studiojmë referencat e shkrimeve të shenjta të renditura në librin e himneve, këto gjëra mund të na ndihmojnë të mësojmë ungjillin dhe ta kujtojmë Shpëtimtarin në jetën tonë të përditshme.

Kujtoni Shlyerjen e Tij

Një nga mënyrat më të rëndësishme se si ne e kujtojmë Shpëtimtarin është duke marrë sakramentin çdo javë. Në përgatitje të kësaj ngjarjeje të shenjtë, ne këndojmë një himn. Himnet e sakramentit na kujtojnë për sakrificën e Krishtit dhe kuptimin e saj për ne:

Shiko Shëlbuesi i madh që vdes,

që të kënaq’ një ligj pa shpres’.

Për m’katet tona vdes ai, …

që ne të rrojmë me lavdi7.

Të shtrenjtin gjak për ne e dha

dhe fli u bë për ne.

Një fli pa faj për tonat faj’,

shpëtim të gjejmë ne8.

Mendoj duart e tij t’gjakosura për borxhin tim!

A mund ta harroj k’të dashuri edhe flijim?

Jo, jo, un’ lavdi do t’i thurr, do ta adhuroj,

në gjunj’ kur t’i bie te froni i tij plot lavdi9.

Nëse këndohen mendueshëm dhe me ndjenja lutjeje, fjalët e himneve të sakramentit na ndihmojnë të përqendrohemi tek Shpëtimtari. Ato na përgatisin ta marrim sakramentin me domethënie, të rizotohemi të marrim emrin e Krishtit mbi vete, gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe të mbajmë urdhërimet e Tij.

Zotohuni ta Ndiqni Jezu Krishtin

Zotimi për ta ndjekur Shpëtimtarin shprehet në shumë nga himnet tona. Ndërsa i këndojmë këto himne, ne i dëshmojmë Atit tonë në Qiell se dëshirojmë ta ndjekim Birin e Tij. Për shembull, mendoni për këto vargje:

At Qiellor ne sot ju falënderojm’

për udh’n e drejt’ që gjithmon’ na tregon.

Me këngë zemre mir’njohje t’dhurojm’!

Me g’zim, me g’zim në dritë do shkojm’10.

Himni “Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”, shpreh një gjë të ngjashme:

Kështu me besim në kujdesin tënd,

që më do unë e di,

do bëj me gjith’ shpirt çfar’më thua ti,

do jem çfar’ do ti që të jem11.

Këngët tona – qoftë lavdërimi, mirënjohjeje, njohurie, kujtimi apo zotimi – i pëlqejnë Zotit. Ai ka thënë: “Shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre” (DeB 25:12).

Për fat të mirë, Zoti nuk tha: “Vetëm këngët e bukura janë një lutje për mua”, ose “Unë do të dëgjoj vetëm ata me talent muzikor”. Në muzikën tonë ashtu si në jetën tonë, Ai është më i shqetësuar për gjendjen e zemrës sonë sesa për aftësinë tonë.

Çfarëdo qoftë niveli i aftësisë sonë, të gjithë mund të marrim pjesë në muzikë duke kënduar himnet. Ndërsa këndojmë me gjithë zemër, ne vijmë te Krishti nëpërmjet himneve.

Shënime

  1. Shih Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 28.

  2. “Shëlbues i Izraelit”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 5.

  3. “Të Falemi, Zot, për Profetin”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 36.

  4. “Fëmi i Per’ndis’ Jam”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 58.

  5. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 2.

  6. Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 50.

  7. “Shiko Shëlbuesi i Madh që Vdes”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 16.

  8. “Oh, sa Urti dhe Dashuri”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 19.

  9. “Qëndroj Plot Habi”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 22.

  10. “Mësom’ t’Ec’ në Drit’”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 66.

  11. Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 46.