2018
Kapitulli 3: Fletët prej Ari
Prill 2018


Kapitulli 3

Fletët prej Ari

Ky është kapitulli 3 i rrëfimit të ri në katër vëllime të historisë së Kishës me titull Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme. Libri do të jetë në dispozicion në 14 gjuhë, i shtypur, në pjesën Historia e Kishës të programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe në internet te shenjtorë.lds.org. Disa kapituj vijues do të botohen në numrat e ardhshëm [të Liahonës] derisa vëllimi 1 të botohet më vonë në këtë vit. Këta kapituj do të jenë në dispozicion në 47 gjuhë në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe te shenjtorë.lds.org. Kapitulli 2 përshkruan Vegimin e Parë të Jozefit – kur pa Atin dhe Birin në pranverën e vitit 1820.

Pamja
hill cumorah line drawing
Pamja
Moroni appearing

Ai më Thirri me Emër, nga Michael Malm

Kaluan tri vite dhe tri stinë të korrash. Jozefi e kalonte shumicën e ditëve duke pastruar tokën, duke pluguar dhe duke punuar si punëtor krahu për të mbledhur para për pagesën vjetore në të holla për pronën e familjes. Puna ia bënte të pamundur që të shkonte shumë shpesh në shkollë dhe ai e kaloi shumicën e kohës së tij të lirë me familjen ose me punëtorë të tjerë.

Jozefi dhe miqtë e tij ishin të rinj dhe të shkujdesur. Ndonjëherë ata bënin gabime të marra dhe Jozefi e kuptoi se, [fakti] që kishte marrë falje një herë, nuk do të thoshte se atij nuk do t’i duhej të pendohej sërish. Vegimi i tij i lavdishëm as nuk i dha përgjigje për çdo pyetje dhe as nuk i dha fund pështjellimit të tij përgjithmonë.1 Kështu që ai u përpoq t’i qëndronte pranë Perëndisë. Ai e lexoi Biblën e tij, mirëbesoi në fuqinë e Jezu Krishtit për ta shpëtuar dhe iu bind urdhrit të Zotit për të mos u bashkuar me asnjë kishë.

Ashtu si shumë njerëz të zonës, përfshirë të atin, Jozefi besonte se Perëndia mund të zbulonte njohuri me anë të objekteve të tilla si shufrat e gurët, ashtu siç kishte bërë me Moisiun, Aaronin dhe të tjerë në Bibël.2 Një ditë, ndërsa Jozefi po ndihmonte një fqinj për të hapur një pus, ai hasi një gur të vogël të zhytur thellë në tokë. Me dijeninë se njerëzit nganjëherë përdornin gurë të veçantë për të kërkuar sende të humbura apo thesare të fshehura, Jozefi vrau mendjen nëse kishte gjetur një gur të tillë. Duke vështruar përmes tij, ai pa gjëra të padukshme për syrin natyror.3

Dhuntia e Jozefit për ta përdorur gurin u la mbresë pjesëtarëve të familjes, të cilët e konsideruan atë si një shenjë të favorizimit hyjnor.4 Por edhe pse e kishte dhuratën e një shikuesi, Jozefi ende ishte i pasigurt nëse Perëndia ishte i kënaqur me të. Ai nuk mund ta ndiente më faljen dhe paqen që kishte ndier pas vegimit të tij për Atin dhe Birin. Përkundrazi, shpesh u ndje i ndëshkuar për dobësinë dhe papërsosuritë e tij.5

Më 21 shtator 1823, Jozefi shtatëmbëdhjetëvjeçar rrinte në shtrat i zgjuar në dhomën e gjumit në nënçati ku flinte bashkë me të vëllezërit. Ai kishte ndenjur zgjuar deri vonë atë mbrëmje, duke i dëgjuar familjarët që bisedonin mbi kisha të ndryshme dhe doktrinat që ato jepnin mësim. Tani të gjithë po flinin dhe shtëpia ishte e qetë.6

Në errësirën e dhomës, Jozefi filloi të lutej, duke u përgjëruar me zjarr që Perëndia t’ia falte mëkatet. Ai kishte mall të komunikonte me një lajmëtar qiellor, i cili mund t’i jepte siguri për qëndrimin e tij përpara Zotit dhe t’ia jepte njohurinë për ungjillin që i qe premtuar në korije. Jozefi e dinte se Perëndia u ishte përgjigjur lutjeve të tij më parë dhe kishte vetëbesim të plotë se Ai do t’u përgjigjej sërish.

Ndërsa Jozefi u lut, një dritë u shfaq pranë shtratit të tij dhe u bë më e shndritshme derisa e mbushi të gjithë dhomën në nënçati. Jozefi ngriti sytë dhe pa një engjëll që qëndronte në ajër. Engjëlli kishte veshur një rrobë të bardhë pa qepje që i zbriste deri në kyçet e duarve dhe të këmbëve. Ai rrezatonte dritë dhe fytyra e tij ndriçonte si vetëtimë.

Fillimisht Jozefi pati frikë, por shpejt u mbush me paqe. Engjëlli e thirri me emër dhe u paraqit si Moroni. Ai tha se Perëndia ia kishte falur mëkatet Jozefit dhe tani kishte një punë për t’u bërë prej tij. Ai shpalli se emri i Jozefit do të përmendej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve.7

Moroni foli për fletë të arta, të groposura në një kodër aty pranë. Mbi fletët ishte gdhendur anali i një populli të lashtë që jetoi dikur në kontinentin amerikan. Anali tregonte për origjinën e atij [populli] dhe jepte një rrëfim të Jezu Krishtit kur e vizitoi atë dhe ia mësoi plotësinë e ungjillit të Tij.8 Të groposur bashkë me fletët, tha Moroni, ishin dy gurë shikues, të cilët Jozefi më vonë i quajti Urimi dhe Thumimi, ose interpretuesit. Zoti i kishte përgatitur këta gurë për ta ndihmuar Jozefin që ta përkthente analin. Gurët e tejdukshëm ishin kapur së bashku dhe ishin lidhur te një parzmore.9

Në pjesën tjetër të vizitës, Moroni citoi profeci nga librat biblikë të Isaias, Joelit, Malakias dhe Veprave të Apostujve. Zoti do të vinte së shpejti, shpjegoi ai, dhe familja njerëzore nuk do ta përmbushte qëllimin e krijimit të saj nëse nuk do të përtërihej fillimisht besëlidhja e lashtë e Perëndisë.10 Moroni tha se Perëndia e kishte zgjedhur Jozefin ta përtërinte besëlidhjen dhe që, nëse zgjidhte të ishte besnik ndaj urdhrave të Perëndisë, ai do të ishte njeriu që do ta zbulonte analin në fletë.11

Përpara se të largohej, engjëlli e porositi Jozefin që të kujdesej për fletët dhe mos t’ia tregonte askujt tjetër, përveç nëse do të udhëzohej ndryshe, duke e paralajmëruar se do të shkatërrohej nëse nuk do t’i bindej kësaj këshille. Më pas drita u mblodh përreth Moronit dhe ai u ngjit në qiell.12

Teksa Jozefi po rrinte shtrirë duke menduar për vegimin, drita sërish e mbushi plot dhomën dhe Moroni u rishfaq, duke dhënë të njëjtin mesazh si më parë. Më pas u largua, vetëm që të shfaqej edhe një herë duke e dhënë mesazhin e tij për të tretën herë.

“Tani, Jozef, hapi sytë”, tha ai. “Kur të shkosh të marrësh fletët, mendja jote do të mbushet me errësirë dhe gjithë llojet e të ligës do të vërsulen në mendjen tënde që të të pengojnë t’i mbash urdhërimet e Perëndisë.” Duke e drejtuar Jozefin te dikush që do ta përkrahte, Moroni e nxiti t’ia tregonte të atit vegimet e tij.

“Ai do ta besojë çdo fjalë që do të thuash”, premtoi engjëlli.13

Mëngjesin pasues, Jozefi nuk tha asgjë për Moronin, edhe pse e dinte që i ati gjithashtu besonte te vegimet dhe engjëjt. Përkundrazi, ai e kaloi mëngjesin duke korrur në një fushë aty pranë me Alvinin.

Puna ishte e vështirë. Jozefi u përpoq të mbante ritmin e të vëllait teksa i vërtitnin para-mbrapa drapërinjtë e tyre nëpër drithërat e larta. Por vizitat e Moronit e kishin mbajtur të zgjuar gjithë natën dhe mendimet e tij vazhdonin të ktheheshin tek anali i lashtë dhe te kodra ku ishte groposur ai.

Shpejt ai ndaloi së punuari dhe Alvini e vuri re. “Duhet të vazhdojmë të punojmë”, i thirri ai Jozefit, “ose nuk do ta kryejmë dot detyrën tonë.”14

Jozefi u përpoq të punonte më shumë dhe më shpejt por, pavarësisht nga çdo gjë që bëri, ai nuk mund ta mbante ritmin e Alvinit. Pas pak, Jozef Plaku e vuri re se Jozefi dukej i zbehtë dhe e kishte ndaluar punën sërish. “Shko në shtëpi”, i tha ai, duke besuar se i biri ishte i sëmurë.

Jozefi iu bind të atit dhe eci duke u penguar drejt shtëpisë. Por, teksa u përpoq të kapërcente një gardh, ai ra përtokë, i rraskapitur.

Teksa po rrinte shtrirë atje, duke mbledhur fuqitë, ai e pa Moronin që po qëndronte mbi të edhe një herë, i rrethuar me dritë. “Përse nuk ia tregove babait tënd atë që të thashë?” e pyeti ai.

Jozefi tha se kishte frikë që i ati nuk do ta besonte.

“Ai do të të besojë”, e siguroi Moroni, pastaj e përsëriti mesazhin e tij të natës së mëparshme.15

Jozef Plaku qau kur i biri i tregoi për engjëllin dhe mesazhin e tij. “Ishte një vegim nga Perëndia”, tha ai. “Kushtoji vëmendje.”16

Pamja
Hill Cumorah

Fotografi nga ajri e kodrës Kumorah dhe e zonës përreth nga Craig Dimond

Jozefi u nis menjëherë për te kodra. Gjatë natës, Moroni i kishte treguar atij një vegim të vendit se ku ishin fshehur fletët, prandaj e dinte se ku të shkonte. Kodra, një nga më të mëdhatë në zonë, ishte rreth pesë kilometra larg shtëpisë së tij. Fletët ishin groposur poshtë një guri të madh e të rrumbullakët në pjesën perëndimore të kodrës, jo larg nga maja e saj.

Jozefi mendonte për fletët teksa ecte. Edhe pse e dinte që ishin të shenjta, e kishte të vështirë të mos e vriste mendjen se sa ishte vlera e tyre. Ai kishte dëgjuar përralla për thesare të fshehura, të mbrojtura nga shpirtra rojtarë, por Moroni dhe fletët që përshkroi ai, ishin të ndryshme nga këto histori. Moroni ishte një lajmëtar qiellor, i caktuar nga Perëndia që t’ia dorëzonte analin të pacenuar shikuesit të Tij të zgjedhur. Dhe fletët kishin vlerë jo sepse ishin prej ari, por sepse ato dëshmonin për Jezu Krishtin.

Përsëri, Jozefi nuk arrinte të mos mendonte se tani ai e dinte me saktësi se ku të gjente mjaft sende të çmuara sa ta çlironte familjen e tij nga varfëria.17

Pasi mbërriti te kodra, Jozefi e gjeti vendin që kishte parë në vegim, dhe filloi të gërmonte te pjesa e poshtme e gurit derisa anët e tij u pastruan. Ai pastaj gjeti një degë të madhe peme dhe e përdori si levë për ta ngritur gurin dhe për ta vendosur mënjanë.18

Poshtë poplës ishte një kuti, anët dhe fundi i së cilës ishin formuar nga gurë. Duke vështruar brenda, Jozefi pa fletët e arta, gurët shikues dhe parzmoren.19 Fletët ishin mbuluar me shkrime të lashta dhe të lidhura së bashku nga njëra anë me tri unaza. Secila fletë ishte e hollë, rreth pesëmbëdhjetë centimetra e gjerë dhe njëzet centimetra e gjatë. Gjithashtu, një pjesë e fletëve dukej se ishte e vulosur, kështu që askush nuk mund ta lexonte atë.20

I çuditur, Jozefi sërish vrau mendjen se çfarë vlere kishin fletët. Ai u zgjat drejt tyre – dhe ndjeu një dridhje goditëse që e përshkoi të tërin. Ai e tërhoqi shpejt dorën, por më pas u zgjat drejt fletëve dy herë të tjera dhe e ndjeu goditjen për çdo herë.

“Përse nuk mund ta marr këtë libër?” thirri ai.

“Sepse ti nuk i ke mbajtur urdhërimet e Zotit”, tha një zë aty pranë.21

Jozefi u kthye dhe pa Moronin. Përnjëherësh, mesazhi nga nata e mëparshme i vërshoi në mendje dhe e kuptoi se e kishte harruar qëllimin e vërtetë të analit. Ai filloi të lutej dhe mendja e shpirti iu zgjuan ndaj Shpirtit të Shenjtë.

“Vështro!” e urdhëroi Moroni. Një tjetër vegim u shpalos përpara Jozefit dhe ai pa Satanin të rrethuar nga ushtritë e tij të panumërta. “E gjithë kjo tregohet, e mira dhe e keqja, e shenjta dhe e papastra, lavdia e Perëndisë dhe fuqia e errësirës”, shpalli engjëlli, “që ti të mund t’i dallosh këtej e tutje dy fuqitë dhe të mos ndikohesh apo mposhtesh kurrë nga ajo e liga.”

Ai e udhëzoi Jozefin që ta pastronte zemrën dhe ta forconte mendjen për ta marrë analin. “Nëse do të merren ndonjëherë këto gjëra të shenjta, kjo duhet të jetë me anë të lutjes dhe besnikërisë në bindjen ndaj Zotit”, shpjegoi Moroni. “Ato nuk janë depozituar këtu me qëllim që të grumbullohet fitim e pasuri për lavdinë e kësaj bote. Ato u vulosën me anë të lutjes së besimit.”22

Jozefi pyeti se kur mund t’i merrte fletët.

“Ditën e njëzetedytë të shtatorit tjetër”, tha Moroni, “nëse sjell njeriun e duhur me vete.”

“Kush është njeriu i duhur?” pyeti Jozefi.

“Vëllai yt më i madh.”23

Që kur ishte fëmijë, Jozefi e dinte se mund të mbështetej te vëllai i tij më i madh. Alvini tani ishte njëzet e pesë vjeç dhe mund të kishte blerë një fermë për vete po të donte. Por ai kishte zgjedhur të qëndronte në fermën e familjes për t’i ndihmuar prindërit që të sistemoheshin e të ishin të sigurt në tokën e tyre ndërkohë që po plakeshin. Ai ishte serioz e punëtor i madh dhe Jozefi e donte dhe e admironte pa masë.24

Ndoshta Moroni e ndiente se Jozefit i nevojitej urtësia dhe forca e të vëllait që të bëhej ai njeri të cilit Zoti mund t’ia mirëbesonte fletët.

Kur u kthye në shtëpi atë mbrëmje, Jozefi ishte i lodhur. Por pjesëtarët e familjes iu mblodhën rrotull sapo hyri në derë, të etur të mësonin se çfarë kishte gjetur në kodër. Jozefi filloi t’u tregonte atyre për fletët, por Alvini e ndërpreu kur vuri re se sa i lodhur dukej Jozefi.

“Le të shkojmë në shtrat”, tha ai, “dhe do të ngrihemi herët në mëngjes e do të shkojmë të punojmë.” Ata do të kishin plot kohë të nesërmen që ta dëgjonin pjesën tjetër të historisë së Jozefit. “Nëse nëna do të na e përgatitë darkën herët”, tha ai, “ne do të kemi një mbrëmje të gjatë e të këndshme dhe do të ulemi të gjithë e do të të dëgjojmë kur të na tregosh.”25

Mbrëmjen pasuese, Jozefi tregoi se çfarë kishte ndodhur te kodra dhe Alvini e besoi. Si djali më i madh i familjes, Alvini kishte ndier gjithmonë përgjegjësi për mirëqenien fizike të prindërve të tij që po plakeshin. Ai dhe vëllezërit e tij madje kishin filluar të ndërtonin një shtëpi më të madhe për familjen që të mund të ishin më rehat.

Tani dukej se Jozefi po kujdesej për mirëqenien e tyre shpirtërore. Për çdo natë, ai e magjepste familjen me bisedën mbi fletët e arta dhe njerëzit që i shkruan ato. Pjesëtarët e familjes u afruan më shumë dhe shtëpia e tyre ishte plot paqe dhe e lumtur. Të gjithë e ndienin se diçka e mrekullueshme do të ndodhte.26

Pastaj, një mëngjes vjeshte, më pak se dy muaj pas vizitës së Moronit, Alvini u kthye në shtëpi me një dhembje të fortë në stomak. I mbledhur kruspull në agoni, ai iu përgjërua të atit që të kërkonte ndihmë. Kur mjeku mbërriti më në fund, ai i dha Alvinit një dozë të madhe të një bari si shkumës, por kjo vetëm sa i përkeqësoi gjërat.

Alvini mbeti i shtrirë në shtrat për ditë [të tëra], duke u përpëlitur nga dhembja. Duke e ditur se ndoshta do të vdiste, ai kërkoi Jozefin. “Bëj gjithçka që mundesh që t’i marrësh analet”, tha Alvini. “Ji besnik për marrjen e udhëzimit dhe mbajtjen e çdo urdhërimi që të jepet.”27

Ai vdiq pak kohë më vonë dhe hidhërimi e pllakosi shtëpinë. Në ceremoninë mortore, një predikues la të nënkuptohej se Alvini kishte shkuar në ferr, duke e përdorur vdekjen e tij për t’i paralajmëruar të tjerët për atë çfarë do të ndodhte në qoftë se Perëndia nuk do të ndërhynte që t’i shpëtonte. Jozef Plaku u xhindos. I biri kishte qenë një i ri i mirë dhe ai nuk mund ta besonte që Perëndia do ta mallkonte.28

Pasi Alvini ndërroi jetë, biseda mbi fletët mori fund. Ai kishte qenë një përkrahës kaq i përkushtuar i thirrjes hyjnore të Jozefit, saqë çfarëdo përmendje e tyre sillte në mendje vdekjen e tij. Familja nuk mund ta përballonte atë.

Jozefit i mungonte tej mase Alvini dhe e përjetoi jashtëzakonisht rëndë vdekjen e tij. Ai kishte shpresuar të mbështetej tek vëllai i vet më i madh që ta ndihmonte për ta marrë analin. Tani ndihej i braktisur.29

Pamja
statue of Moroni

Një statujë e Moronit qëndron në majë të kodrës Kumorah për të përkujtuar vendin ku Jozef Smithi i pa së pari fletët e Librit të Mormonit më 22 shtator 1823 dhe i mori saktësisht katër vite më vonë.

Kur më në fund erdhi dita për t’u kthyer te kodra, Jozefi shkoi vetëm. Pa Alvinin, ai nuk ishte i sigurt nëse Zoti do t’ia besonte fletët. Por mendonte se mund ta mbante çdo urdhërim që i kishte dhënë Zoti, ashtu siç e kishte këshilluar i vëllai. Udhëzimet e Moronit për rimarrjen e fletëve ishin të qarta. “Ti duhet t’i marrësh në duar dhe të shkosh drejt e në shtëpi, pa vonesë”, kishte thënë engjëlli, “dhe t’i kyçësh ato.”30

Te kodra, Jozefi e ngriti gurin me levë, u zgjat drejt kutisë së gurtë dhe i ngriti fletët. Një mendim i erdhi atëherë në mendje: sendet e tjera në kuti ishin të çmuara dhe duhet të fshiheshin përpara se të shkonte në shtëpi. Ai i vuri fletët në tokë dhe u kthye ta mbulonte kutinë. Por, kur u kthye te fletët, ato ishin zhdukur. Në panik, ai ra në gjunjë dhe u përgjërua që ta dinte se ku ishin ato.

Moroni u shfaq dhe i tha Jozefit se ai nuk ia kishte dalë sërish t’i ndiqte udhëzimet. Jo vetëm që i kishte lënë fletët përtokë përpara se t’i siguronte ato, por edhe i kishte lënë ato aty ku nuk i shihte. Sado i gatshëm që ishte shikuesi i ri në moshë për ta bërë punën e Zotit, ai ende nuk ishte në gjendje ta mbronte analin e lashtë.

Jozefi ishte i zhgënjyer me veten, por Moroni e udhëzoi të kthehej për fletët vitin e ardhshëm. Ai gjithashtu i mësoi më shumë mbi planin e Zotit për mbretërinë e Perëndisë dhe punën e mrekullueshme që po fillonte të shpalosej.

Në heshtje, pasi engjëlli u largua, Jozefi e zbriti kodrën me trishtim, i shqetësuar për atë që do të mendonte familja e tij kur të kthehej duarbosh në shtëpi.31 Kur hyri në shtëpi, ata po e prisnin. I ati e pyeti menjëherë nëse i kishte fletët.

“Jo”, tha ai. “Nuk munda t’i merrja.”

“A i pe ato?”

“I pashë, por nuk munda t’i merrja.”

“Unë do t’i kisha marrë”, tha Jozef Plaku, “po të kisha qenë në vendin tënd.”

“Ti nuk e di çfarë po thua”, tha Jozefi. “Unë nuk munda t’i merrja pasi engjëlli i Zotit nuk më lejoi.”32

Shënime

  1. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 4–5, në JSP, H1:220 (boca 2); Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 1, në JSP, H1:11.

  2. “Joseph Smith as Revelator and Translator”, në JSP, MRB:xxi; Turley, Jensen dhe Ashurst-McGee, “Joseph the Seer”, f. 49–50; shih edhe Mosia 8:17; Alma 37:6–7, 41 dhe Doktrina e Besëlidhje 10:1, 4 (Revelation, Spring 1829, te josephsmithpapers.org).

  3. Bushman, Rough Stone Rolling, f. 48–49; Bushman, “Joseph Smith as Translator” , f. 242. Tema: Seer Stones [Gurët Shikues]

  4. Lucy Mack Smith, History, 1845 , f. 95; shih edhe Alma 37:23.

  5. Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 4, në JSP, H1:13–14; Joseph Smith – Historia 1:28–29; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 5, në JSP, H1:218–220 (boca 2).

  6. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 3, f. [10].

  7. Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 4, në JSP, H1:13–14; Joseph Smith – Historia 1:29–33; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 5, në JSP, H1:218–222 (boca 2); Pratt, Interesting Account, f. 6, në JSP, H1:524; Hyde, Ein Ruf aus der Wüste, f. 17–20. Tema: Angel Moroni [Engjëlli Moroni]

  8. Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:88.

  9. Joseph Smith – Historia 1:35; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 5, në JSP, H1:222 (boca 2); Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. 4, në JSP, H1:14; Oliver Cowdery, “Letter IV”, LDS Messenger and Advocate, shkurt 1835, 1:65–67; Turley, Jensen dhe Ashurst-McGee, “Joseph the Seer”, f. 49–54; “Mormonism—No. II”, Tiffany’s Monthly, korrik 1859, f. 164. Tema: Seer Stones [Gurët Shikues]

  10. Joseph Smith – Historia 1:36–41; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 5–6, në JSP, H1:222–226 (boca 2); Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:88–89.

  11. Oliver Cowdery, “Letter IV”, LDS Messenger and Advocate, shkurt 1835, 1:78–79; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 3, f. [11].

  12. Joseph Smith – Historia 1:42–43; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 6, në JSP, H1:226 (boca 2).

  13. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 3, f. [10]–[11]; Oliver Cowdery, “Letter IV”, LDS Messenger and Advocate, shkurt 1835, 1:79–80; Oliver Cowdery, “Letter VII”, LDS Messenger and Advocate, korrik 1835, 1:156–157; Joseph Smith – Historia 1:44–46; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 6–7, në JSP, H1:230–232 (boca 2); Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:88–89.

  14. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 3, f. [11]; shih edhe Smith, William Smith on Mormonism, f. 9.

  15. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 3, f. [11]; Smith, Biographical Sketches, f. 82; Joseph Smith – Historia 1:48–49; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 7, në JSP, H1:230–232 (boca 2); Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:89.

  16. Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:89.

  17. Oliver Cowdery, “Letter VIII”, LDS Messenger and Advocate, tetor 1835, 2:195–197. Tema: Treasure Seeking [Në Kërkim të Thesareve]

  18. Oliver Cowdery, “Letter VIII”, LDS Messenger and Advocate, tetor 1835, 2:195–197; Joseph Smith – Historia 1:51–52; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 6–7, në JSP, H1:230–232 (boca 2); shih edhe Packer, “A Study of the Hill Cumorah”, f. 7–10.

  19. Joseph Smith – Historia 1:52; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 7, në JSP, H1:232 (boca 2). Tema: Gold Plates [Fletët e Arta]

  20. Joseph Smith, “Church History”, Times and Seasons, 1 mars 1842, 3:707, në JSP, H1:495.

  21. Oliver Cowdery, “Letter VIII”, LDS Messenger and Advocate, tetor 1835, 2:197–198; shih edhe Pratt, Interesting Account, f. 10, në JSP, H1:527–529.

  22. Oliver Cowdery, “Letter VIII”, LDS Messenger and Advocate, tetor 1835, 2:198–199.

  23. Knight, Reminiscences, f. 1; Joseph Smith, Journal, 9–11 nëntor 1835, në JSP, J1:89; Joseph Smith – Historia 1:53–54; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 7, në JSP, H1:232–234 (boca 2); shih edhe Jessee, “Joseph Knight’s Recollection of Early Mormon History”, f. 31.

  24. Joseph Smith, Journal, 23 gusht 1842, në JSP, J1:116–117.

  25. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 3, f. [12]; libri 4, f. [3]; Smith, Biographical Sketches, f. 83.

  26. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [1]–[3]; Smith, Biographical Sketches, f. 86–87; shih edhe Lucy Mack Smith, History, 1845, f. 89; dhe Bushman, Refinement of America, f. 425–427. Tema: Joseph Sr. and Lucy Mack Smith Family [Familja e Jozef Plakut dhe Lusi Mek Smithit]

  27. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [3]–[5].

  28. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [6]–[8]; “Wm. B. Smith’s Last Statement”, Zion’s Ensign, 13 janar 1894, f. 6.

  29. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [7]; Joseph Smith, Journal, 23 gusht 1842, në JSP, J2:116–117.

  30. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [2]–[3].

  31. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [2]–[3]; Smith, Biographical Sketches, f. 85–86; Knight, Reminiscences, f. 1; Joseph Smith – Historia 1:54; Lucy Mack Smith, History, 1845, f. 88; shih edhe Jessee, “Joseph Knight’s Recollection of Early Mormon History”, f. 31.

  32. Smith, Biographical Sketches, f. 86.