2018
Lutja: Çelësi për Dëshminë dhe Rivendosjen
Prill 2018


Lutja: Çelësi për Dëshminë dhe Rivendosjen

Nga një fjalim në konferencën e përgjithshme të tetorit 2003.

Ndiqni shembullin e Jozef Smithit dhe modelin e Rivendosjes. Drejtojuni shkrimeve të shenjta. Gjunjëzohuni në lutje. Kërkoni me besim. Dëgjojeni Frymën e Shenjtë.

Pamja
clasped hands

Fotografia nga Getty Images

Si udhëheqës të Kishës, shpesh na pyetin: “Si ta marr një dëshmi të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit?”

Fitimi i një dëshmie dhe kthimi në besim fillojnë me studim dhe lutje, pastaj me të jetuarin e ungjillit me durim e këmbëngulje dhe të ftuarit e Shpirtit dhe pritjen për të. Jeta e Jozef Smithit dhe modeli i Rivendosjes janë shembuj të shkëlqyer të këtij procesi. Teksa [jua tregoj] … ngjarjet e Rivendosjes, kërkoni hapat që çojnë drejt dëshmisë. …

Ngatërresë e Madhe

Jozef Smithi u lind më 23 dhjetor 1805, në Sheron të Vermontit, në SHBA. Ai erdhi në një familje që lutej dhe e studionte Biblën. Në rininë e tij, atij iu ngjall interesi për fenë dhe zbuloi një “ngatërres[ë] të madhe” mbi doktrinat e Krishtit, ku “prifti … grind[ej] kundër priftit dhe besimtari kundër besimtarit” (Joseph Smith – Historia 1:6).

Kjo ngatërresë … filloi shekuj më parë në atë që është quajtur Braktisja e Madhe. Dita e Krishtit “nuk do të vijë”, tha Apostulli Pal, “pa ardhur më parë rënia” (2 Thesalonikasve 2:3).

Disa dekada pas Ringjalljes së Krishtit, Apostujt e Tij u vranë, mësimet e Tij u korruptuan dhe priftëria u mor nga toka. Por Pali, duke e parë kohën tonë, profetizoi “që, kur të plotësoheshin kohërat [Perëndia do] t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat” (Efesianëve 1:10). Ai do ta rivendoste Kishën e vërtetë të Krishtit në tokë edhe një herë. …

Jozefi Gjen një Përgjigje

Jozefi … , në moshën 14-vjeçare, e pa veten në një “ngatërres[ë] opinionesh [fetare]”. Shpesh ai e pyeste veten: “Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?” (Joseph Smith – Historia 1:10).

Jozefi iu drejtua Biblës për përgjigje. “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia”, lexoi ai në Letrën e Apostullit Jakob, “le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakob [Bibël] 1:5).

Pamja
joseph praying

Hollësi nga Dëshirat e Zemrës Sime II, nga Walter Rane

Në vijim të udhëzimit të Jakobit, Jozefi shkoi në një korije pemësh pranë shtëpisë së tij dhe u lut. Ndërsa i lutej Perëndisë, “një shtyllë drite … zbriti”, më e shkëlqyeshme se dielli i mesditës dhe u shfaqën “dy Personazhe”. “Një prej tyre … foli, duke [e] thirrur [Jozefin] në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:16–17).

Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, biseduan me Jozefin. Ata iu përgjigjën pyetjes së tij. Ata i mësuan se Kisha e vërtetë e Krishtit kishte humbur nga toka. Jozefi mësoi se këta anëtarë të Kreut-Perëndi ishin qenie të veçanta dhe më vete, Ata e njihnin atë me emër dhe Ata ishin të gatshëm që t’u përgjigjeshin lutjeve të tij. Qiejt u hapën, nata e braktisjes kishte mbaruar dhe drita e ungjillit filloi të shndrinte.

Ashtu si Jozefi, shumë prej nesh e gjejnë veten duke kërkuar dritën e së vërtetës. … Ashtu si Jozefi, ne duhet t’i kërkojmë shkrimet e shenjta, të lutemi, … [të jemi] të përulur dhe [të mësojmë] të ushtrojmë besim.

Moroni dhe Fletët e Arta

Gjatë tri viteve pas Vegimit të tij të Parë, Jozefi [tha se shpesh ndihej i shkurajuar për shkak të dobësisë dhe papërsosurive të tij]. Por ai nuk e humbi besimin dhe as nuk e harroi fuqinë e lutjes.

Më 21 shtator 1823, në moshën 17-vjeçare, [Jozefi] u gjunjëzua për të kërkuar “falje të të gjitha mëkateve [të tij]” … dhe [për të ditur] “qëndrimin [e tij] përpara [Perëndisë]” (shih Joseph Smith – Historia 1:29). Teksa u lut, një dritë … u shfaq, duke u shtuar “derisa dhoma ishte më e shndritshme se në mesditë” (vargu 30). Në atë dritë qëndronte një person i veshur me një rrobë me “bardhësi … të jashtëzakonshme” (vargu 31). Ai e thirri Jozefin me emër dhe u paraqit si Moroni. Ai tha “se Perëndia kishte një punë për [Jozefin] për ta bërë” dhe i tregoi për një anal të lashtë “i shkruar mbi fletë të arta”, i cili, kur u përkthye, u bë Libri i Mormonit. Libri përmbante një anal të plotësisë së ungjillit. (Shih vargjet 33–34.) … Jozefi u drejtua për tek … ai anal, i groposur … [në] kodrën … Kumorah aty pranë.

Të nesërmen Jozefi i gjeti fletët, por nuk kishte ardhur koha që t’i nxirrte ato në dritë. Moroni e udhëzoi Jozefin që ta takonte atje, në po atë datë, çdo vit për katër vitet pasuese (shih vargjet 52–53). Jozefi u bind. Çdo vit ai shkonte në kodrën ku Moroni i dha “udhëzime” (vargu 54) lidhur me Rivendosjen e Kishës së Krishtit. …

Jozefi i mori fletët më 22 shtator 1827, në moshën 21-vjeçare. Ai mori gjithashtu një mjet të lashtë për t’i përkthyer ato, të quajtur Urimi dhe Thumimi. Duke e përdorur këtë interpretues të shenjtë, së bashku me Frymën e Shenjtë, Jozefi filloi punën e përkthimit. …

Shpaloset Rivendosja

Në moshën 23-vjeçare, Jozefi po përkthente fletët kur ai dhe [shkruesi i tij], Oliver Kaudëri, hasën një fragment rreth pagëzimit për heqjen e mëkateve. … Ata donin të dinin më shumë. Jozefi e dinte se çfarë duhej të bënte.

Më 15 maj 1829, [Jozefi dhe Oliveri] shkuan në pyll për ta pyetur Zotin. Ndërkohë që po luteshin, u shfaq Gjon Pagëzori “mbi një re drite” (Joseph Smith – Historia 1:68). Ai … e kishte pagëzuar Shpëtimtarin në jetë [dhe] mbante çelësat e priftërisë të nevojshëm për ta kryer atë ordinancë me anë të autoritetit të Perëndisë.

… Gjoni … i vendosi duart e tij mbi [kokën e Jozefit dhe më pas të Oliverit] dhe ia dha Priftërinë Aarone [secilit] prej tyre (shih DeB 13; Joseph Smith – Historia 1:68–69). … Në fund të majit ose në fillim të qershorit 1829, Priftëria Melkizedeke ose më e larta, iu dha Jozefit dhe Oliverit nga Apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon.

Pamja
conferring the Aaronic Priesthood

Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke, nga Walter Rane

Përkthimi i Librit të Mormonit u përfundua gjithashtu po atë qershor dhe libri u botua më 26 mars 1830. … Disa ditë më vonë, më 6 prill, Kisha u organizua zyrtarisht. … Siç u profetizua nga Pali, Kisha e lashtë e Krishtit u themelua edhe një herë në tokë.

Por puna e Rivendosjes nuk kishte përfunduar. … [Tempulli i Kirtlandit, tempulli i parë i ndërtuar në këtë periudhë ungjillore,] u përkushtua … më 27 mars 1836. Një javë më vonë, më 3 prill, atje u mbajt një mbledhje. Pas një lutjeje solemne dhe në heshtje, … Zoti Jezu Krisht [iu shfaq Jozefit dhe Oliverit.] … Moisiu, Eliasi dhe Elija u shfaqën gjithashtu [në Tempullin e Kirtlandit] dhe [ia dhanë çelësat e priftërisë] Jozefit (shih DeB 110).

Pamja
in the Kirtland Temple

Hollësi nga Jezu Krishti i Shfaqet Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit, nga Walter Rane

Një Model që ta Ndjekim

Vëllezër e motra, a mund ta shohim modelin? Çdo ngjarje madhore e Rivendosjes – Vegimi i Parë, shfaqja e Moronit dhe dalja në dritë e Librit të Mormonit, rivendosja e priftërisë dhe shfaqja e Jezu Krishtit [në] tempullin e Tij të shenjtë – u parapri nga lutja. …

[Shumë herë] e kam ndier dëshminë e pamohueshme të Shpirtit të Perëndisë, si një zjarr përvëlues në zemrën time, se ungjilli i rivendosur është i vërtetë. … [Nëse nuk i dini vetë këto gjëra,] më lejoni t’ju sugjeroj që ta pranoni ftesën e dhënë nga Moroni në Librin e Mormonit: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5). …

… Ndiqni shembullin e Jozef Smithit dhe modelin e Rivendosjes. Drejtojuni shkrimeve të shenjta. Gjunjëzohuni në lutje. Kërkoni me besim. Dëgjojeni Frymën e Shenjtë. … Dhe në emër të Jezu Krishtit, unë premtoj: “Në qoftë se ju … do … t’[i] … kërkoni [Atit Qiellor] në besim, duke besuar se ju do të merrni, me zell në mbajtjen e urdhërimeve të [Zotit], me siguri këto gjëra do t’ju bëhen të ditura” (1 Nefi 15:11).