2018
“Hidhu në Lumë!”
Prill 2018


“Hidhu në Lumë!”

Elvin Herom Laseda

Pampanga, Filipine

Pamja
mother and baby in a hammock

Ilustrimi nga Gary Alfonso

Një ditë, gjyshja më kërkoi t’i çoja tetos sime disa ushqime që ajo kishte përgatitur. Ishte një pasdite e nxehtë të shtune dhe kishte shumë gjëra të tjera që doja t’i bëja në vend që të bëja një punë për gjyshen time. I thashë asaj t’i kërkonte njërit prej kushërinjve të mi që të shkonte në vendin tim, por ajo këmbënguli se duhej të shkoja unë.

Kaloi një orë dhe fillova ta ndieja se duhej ta bëja atë që më kishte kërkuar gjyshja. I mora ushqimet dhe u nisa drejt shtëpisë së tetos sime. Ishte larg dhe, kur arrita, nuk mendoja të qëndroja gjatë.

E gjeta teton time dhe foshnjën e saj pesëmuajshe në një shtrat të varur, të lidhur te dy pemë të vogla mangoje. Pemët ishin pranë një lumi që rridhte pas shtëpisë. Eca drejt tyre që t’u jepja ushqimet. Befas, litarët e shtratit të varur u këputën. Tetoja ime dhe foshnja e saj u rrokullisën në lumë. Më mbërtheu frika. Nuk dija të notoja dhe nuk kishte njeri aty rrotull që të ndihmonte. Nuk dija se çfarë të bëja.

Menjëherë, dëgjova zërin e Shpirtit: “Hidhu!”

Pa e menduar dy herë, u hodha. Për fat të mirë, e gjeta foshnjën brenda pak sekondave dhe tetoja ime mundi të dilte nga uji. Teksa po dilja nga uji me foshnjën, nuk mund ta besoja atë që sapo kishte ndodhur. U hodha në lumë kur nuk dija të notoja por, për shkak se e dëgjova Shpirtin, kushërira ime foshnjë dhe unë shpëtuam nga mbytja.

E kuptova se sa e rëndësishme është që t’i dallojmë dhe t’i dëgjojmë drejtimin dhe frymëzimin që Perëndia na e jep nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Jam mirënjohës që më në fund bëra atë që më kërkoi gjyshja ime, dhe i çova ushqimet te shtëpia e tetos sime. E di se duhet të bëjmë përpjekje që të jemi të ndjeshëm ndaj nxitjeve shpirtërore që të mund të jemi duart e Perëndisë për t’i ndihmuar fëmijët e Tij.