2018
Të Ndierit Sërish si në Shtëpi
Prill 2018


Të Ndierit Sërish si në Shtëpi

Xhudi Rashër, Kolorado, SHBA

Nuk isha e përgatitur për telefonatën e vëllait tim. “Mamaja sapo ndërroi jetë”, tha ai. “Ajo u rrëzua dhe goditi kokën.”

U trondita. Mamaja ime nuk ishte më dhe unë sapo kisha folur me të një natë më parë. Vazhdova t’i bëja pyetjen vetes se përse kishte ndodhur kjo. Nuk mund ta kuptoja se përse ajo duhej të më linte. Isha plot zemërim! E mbajta zemërimin tim për disa javë.

Së fundi, vendosa se kush e kishte fajin. Ishte faji i Perëndisë. Ai e mori atë prej meje shumë herët. Mamaja ime nuk mori pjesë në shumë ngjarje të rëndësishme në jetën time dhe mendova se ishte për shkak të Tij. Nuk isha anëtare e Kishës në atë kohë, por isha e krishterë e devotshme. Në vend që të mbështetesha te Perëndia për fuqi, unë u largova prej Tij dhe e lashë Atë jashtë jetës sime.

Më merrte kaq shumë malli për mamanë. Kur isha duke u rritur, shtëpia ime me prindërit e mi ishte një vend i sigurt. Pavarësisht se ku isha ose çfarë po bëja, sa herë që flisja me mamin ose kaloja kohë me të, unë ndihesha si në shtëpi. Tani, ajo ndjenjë “si në shtëpi” që e doja shumë, ishte larguar.

Kaluan vite dhe unë e humba thuajse tërësisht besimin tim. U përpoqa ta kuptoja se përse mamaja ime duhej të vdiste, por asgjë nuk më sillte paqe. Pastaj, për gati një javë, mendimi vijues më erdhi vazhdimisht në mendje: Më duhej të shihja drejt qiellit për të kuptuar. Ia tregova këtë shoqes sime të dashur që ishte anëtare e Kishës. Ajo më pyeti nëse dëshiroja të mësoja më shumë rreth besimit të saj.

Nuk e kuptova menjëherë, por Shpirti e zgjoi qenien time nga një gjumë i thellë. Sa më shumë mësoja rreth ungjillit, aq më shumë e ndjeva se kisha gjetur sërish një vend të sigurt. Ndjenja e të qenit “si në shtëpi” u rikthye.

Unë u pagëzova në maj 2013. Jam mirënjohëse që besimi im u kthye. Nuk ia kthej më shpinën Perëndisë. Përkundrazi, unë e përfshij Atë. Jam ende e trishtuar nga ndërrimi i papritur i jetës së nënës sime, por, për shkak të besimit tim te Perëndia, e di se një ditë unë do të jem “në shtëpi” me mamanë time dhe me familjen time përgjithmonë.