2018
Realiteti i Ringjalljes
Prill 2018


Kur Prapë të Takohemi

Realiteti i Ringjalljes

Nga një bisedë e mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit 2014.

Jezu Krishti është në fakt i vetmi emër apo udhë nëpërmjet të cilës njerëzimit mund t’i vijë shpëtimi.

Pamja
cloths on a bench

Ilustrimi nga Yajaira Ramos

Merrni parasysh për një çast rëndësinë e Ringjalljes për zgjidhjen një herë e mirë të identitetit të vërtetë të Jezusit të Nazaretit dhe për përplasjet filozofike dhe pyetjet e mëdha të jetës. Nëse Jezusi në fakt u ringjall me kuptimin e plotë të fjalës, kjo ndiqet patjetër nga fakti se Ai është një qenie hyjnore. Asnjë i vdekshëm i thjeshtë nuk e ka fuqinë brenda vetes që të vijë në jetë përsëri pasi vdes. Për shkak se u ringjall, Jezusi nuk mund të ketë qenë vetëm një marangoz, një mësues, një rabi apo një profet. Për shkak se u ringjall, Jezusi duhej të ishte një Perëndi, madje Biri i Vetëmlindur i Atit.

Prandaj, ajo që Ai dha mësim është e vërtetë; Perëndia nuk mund të gënjejë.

Prandaj, Ai ishte Krijuesi i tokës, sikurse Ai tha.

Prandaj, qielli dhe ferri janë të vërtetë, sikurse Ai dha mësim.

Prandaj, ka një botë shpirtrash që Ai e vizitoi pas vdekjes së Tij.

Prandaj, Ai do të vijë përsëri sikurse thanë engjëjt dhe “do të mbretërojë personalisht mbi tokë” [Nenet e Besimit 1:10].

Prandaj, ka një ringjallje dhe një gjykim përfundimtar për të gjithë.

Për shkak se Ringjallja e Krishtit është realitet, dyshimet rreth plotfuqisë, gjithëdijenisë dhe mirëdashjes së Perëndisë, Atit – i cili dha Birin e Tij të Vetëmlindur për shëlbimin e botës – janë të pabazuara. Dyshimet rreth domethënies dhe qëllimit të jetës janë të pathemelta. Jezu Krishti është në fakt i vetmi emër apo udhë nëpërmjet të cilës njerëzimit mund t’i vijë shpëtimi. Hiri i Krishtit është i vërtetë, duke i siguruar edhe falje, edhe pastrim mëkatarit të penduar. Besimi është në të vërtetë më tepër sesa përfytyrim apo shpikje psikologjike. Ka të vërtetë themelore e universale dhe ka standarde të paanshme e të pandryshueshme morale sikurse u dhanë mësim prej Tij.

Prej faktit se Ringjallja e Krishtit është realitet, pendimi për çdo shkelje të ligjit dhe urdhërimeve të Tij, është sa i mundur aq edhe i ngutshëm. Mrekullitë e Shpëtimtarit ishin të vërteta, ashtu siç është premtimi i Tij ndaj dishepujve të Tij që ata të mund të bënin vepra të njëjta e madje edhe më të mëdha. Priftëria e Tij është patjetër një fuqi e vërtetë që “administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë. Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet” [DeB 84:19–20]. Prej faktit se Ringjallja e Krishtit është realitet, vdekja nuk është fundi ynë dhe megjithëse “[trupat tanë shkatërrohen], në mishin [tonë ne do ta shohim] Perëndinë” [Jobit 19:26].