2018
Shtigje drejt Lumturisë së Vërtetë
Prill 2018


Shtigje drejt Lumturisë së Vërtetë

Nga një fjalim përurimi “Paths for Happiness” [“Shtigje për Lumturinë”], dhënë në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, më 8 qershor 2017.

Zgjedhtë secili prej nesh që ta dojë Zotin dhe t’i ndjekë shtigjet e Tij drejt lumturisë.

Pamja
couple standing outside the Oakland California Temple

Më shumë se çdo gjë tjetër, Ati Qiellor dëshiron lumturinë tonë të vërtetë e të përhershme.

“Lumturia jonë është synimi i të gjitha bekimeve që Ai na jep – mësimet e ungjillit, urdhërimet, ordinancat e priftërisë, marrëdhëniet familjare, profetët, tempujt, bukuritë e krijimit dhe madje mundësia për të përjetuar kundërshtimin. … Ai e dërgoi Birin e Tij të Dashur për ta vënë në jetë Shlyerjen që të mund të jemi të lumtur në këtë jetë dhe të marrim një plotësi të gëzimit në përjetësi.”1

Njerëzit kudo po kërkojnë diçka. Në mënyrën e tyre, ajo që ata po e kërkojnë vërtet, është lumturia. Megjithatë, ashtu si me vetë të vërtetën, shumë njerëz mbahen larg lumturisë “ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (DeB 123:12).

Ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë lumturinë e vërtetë dhe të përhershme, ata e kërkojnë atë në gjëra që aktualisht sjellin vetëm kënaqësi të përkohshme – duke blerë gjëra, duke kërkuar nder dhe lëvdata nga bota nëpërmjet sjelljes së papërshtatshme apo duke u përqendruar te bukuria dhe tërheqja fizike.

Kënaqësia shpesh ngatërrohet me lumturinë. Duket sikur sa më shumë njerëzit e kërkojnë kënaqësinë fizike, aq më pak të lumtur bëhen. Zakonisht, kënaqësia zgjat vetëm për një kohë të shkurtër.

Ashtu siç tha Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970): “Ju mund ta merrni atë kënaqësi kalimtare, po, por nuk mund të gjeni gëzim, nuk mund të gjeni lumturi. Lumturia gjendet vetëm përgjatë atij monopati të rrahur mirë, i ngushtë siç është, edhe pse i ngushtuar, i cili çon drejt jetës së përjetshme.”2

Fatkeqësisht për shumë njerëz, lumturia është e pakapshme. Shkencëtarët dinë që, “më shumë sesa thjesht një gjendje shpirtërore pozitive, lumturia është një gjendje e të qenit mirë, që përfshin të jetuarit e një jete të mirë – që do të thotë, me një ndjesi domethënieje dhe kënaqësie të thellë”3.

Kërkimet tregojnë se lumturia nuk është rrjedhojë e kapërcimit nga një përvojë në tjetrën. Në vend të kësaj, marrja e lumturisë zakonisht përfshin një përpjekje të vazhdueshme për një kohë të gjatë për diçka më të rëndësishme në jetë. Lumturia përcaktohet nga modelet e zakoneve, sjelljeve dhe të të menduarit, të cilat ne mund t’i kontrollojmë menjëherë me një veprim të qëllimshëm. Shumë nga lumturia jonë aktualisht është “nën kontrollin tonë vetjak”4.

Le të marrim në shqyrtim rëndësinë e disa prej shtigjeve të lumturisë që gjenden në shkrimet e shenjta dhe që jepen mësim nga profetë e apostuj bashkëkohorë. Hedhja e hapave tanë me besnikëri dhe vendosmëri në ato shtigje do të na lejojë që të kemi lumturi në udhëtimin që shtrihet përpara [nesh].

Virtyti

Shtegu i parë nga këto është virtyti, i cili është një model i mendimit dhe i sjelljes i bazuar në standarde të larta morale. Ai përfshin dëlirësinë dhe pastërtinë morale, të cilat ju kualifikojnë për të hyrë në tempujt e shenjtë të Zotit. Njerëzit e virtytshëm zotërojnë një dinjitet të qetë dhe forcë të brendshme. Ata kanë vetëbesim ngaqë janë të denjë për ta marrë e për t’u udhëhequr nga Fryma e Shenjtë. Virtyti fillon në zemër e në mendje dhe është grumbullimi i mijëra vendimeve e veprimeve të vogla çdo ditë.

“Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt.

Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë” (DeB 121:45–46).

Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) ka dhënë mësim se “nuk ka shoqëri më të çmuar sesa ndërgjegjja juaj e pastër, pastërtia juaj morale – dhe sa ndjenjë e lavdishme është të dish se qëndron i pastër në vendin tënd të caktuar dhe me bindjen se je i denjë të veprosh kështu”5.

Drejtësia

Një shteg i dytë i lumturisë është drejtësia. Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Kuptojeni se lumturia që zgjat vjen nga ajo që jeni, jo nga ajo që keni.

Gëzimi i vërtetë vjen nga një karakter i drejtë dhe kjo ndërtohet nga një model vendimesh të vazhdueshme të drejta. … Vendimet tuaja të drejta përcaktojnë se kush jeni dhe çfarë është e rëndësishme për ju. Këto e bëjnë më të lehtë bërjen e gjërave të drejta. Për lumturi tani dhe gjatë gjithë jetës tuaj, bindjuni pa lëkundje Zotit.”6

Ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mësojmë se premtimet që na ka bërë Zoti, nxitin të jetuarin e drejtë. Ato premtime e ushqejnë shpirtin tonë, duke na sjellë shpresë përmes nxitjes që të mos heqim dorë, madje edhe përballë sfidave tona të përditshme të të jetuarit në një botë, vlerat etike dhe morale të së cilës po veniten. Si rrjedhojë, na nevojitet të sigurohemi se mendimet, fjalët dhe veprimet tona po na çojnë përgjatë shtegut të kthimit tek Ati ynë Qiellor.

Besnikëria

Një shteg i tretë drejt lumturisë është besnikëria. Është thelbësore që ta kuptojmë se Perëndia na bekon sipas besimit tonë, i cili është burimi i të jetuarit me një qëllim hyjnor dhe një këndvështrim të përjetshëm. Besimi është një parim praktik që frymëzon zell. Ai shfaqet në qëndrimin tonë pozitiv dhe dëshirën tonë për të bërë me gatishmëri çdo gjë që na kërkon Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Kjo na bën të ulemi në gjunjë për t’iu përgjëruar Zotit për udhërrëfim, dhe na nxit të ngrihemi e të veprojmë me vetëbesim, për të arritur gjëra që janë në përputhje me vullnetin e Tij.

Ndërsa shkoni përpara në udhëtimin tuaj, ju do të provoheni për të parë nëse do t’i bëni të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia juaj ju urdhëron (shih Abraham 3:25). Kjo është pjesë e përvojës në vdekshmëri. Kjo do të kërkojë që ju të shkoni përpara me besim të patundur te Krishti, duke u udhëhequr nga Shpirti dhe duke mirëbesuar se Perëndia do të sigurojë për nevojat tuaja.

Mbani mend se ju nuk duhet të lëkundeni në besimin tuaj – madje edhe në kohë vështirësie të mëdha. Nëse jeni të patundur, Zoti do ta rritë aftësinë tuaj për t’u ngritur mbi sfidat e jetës. Ju do të aftësoheni për t’i nënshtruar impulset negative dhe do të zhvilloni aftësinë për t’i mposhtur madje edhe ato që duken si pengesa të pakalueshme.

Shenjtëria

Pamja
young adults walking toward the Provo City Center Temple

Shenjtëria, një tjetër shteg drejt lumturisë, lidhet me përsosurinë shpirtërore dhe morale. Shenjtëria tregon dëlirësi në zemër e në qëllim. Si mund të punojmë çdo ditë për t’u ushqyer shpirtërisht, që të mund të zhvillojmë një karakter kaq të perëndishëm?

Presidenti Harold B. Li (1899–1973) u përgjigj: “Ne e zhvillojmë veten tonë shpirtërore me anë të praktikës. … Ne duhet ta ushtrojmë shpirtin tonë çdo ditë me anë të lutjes, duke bërë vepra të mira të përditshme, duke ndarë me të tjerët. Ne duhet ta ushqejmë shpirtin tonë çdo ditë duke i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë, duke [bërë mbrëmje familjare], duke marrë pjesë në mbledhje, duke e marrë sakramentin. …

Njeriu i drejtë përpiqet fort për t’u përmirësuar, duke e ditur se ka nevojë të përditshme për pendim.”7

Një element tjetër i rëndësishëm i shenjtërisë lidhet me bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve në tempull. Nëse jemi besnikë, këto besëlidhje mund të na ngrenë përtej kufijve të vetë fuqisë dhe këndvështrimit tonë. Të gjitha bekimet e premtuara të ungjillit të Jezu Krishtit mund të jenë tonat nëpërmjet besnikërisë sonë ndaj ordinancave dhe besëlidhjeve që i bëjmë përpara Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në tempull. Pjesë e modelit të të jetuarit “sipas mënyrës së lumturisë” përfshin ndërtimin e një tempulli në të cilin adhurojmë dhe bëjmë besëlidhje me Zotin (shih 2 Nefi 5:16, 27).

Pika kyç e këtij shtegu është që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të zhvilluar shpirtshmërinë dhe për të qenë moralisht të pastër.

Bindja

Zbatimi i të gjitha urdhërimeve të Perëndisë lidhet me shtigjet e tjera drejt lumturisë. Pasi nefitët qenë ndarë nga lamanitët, ata përparuan jashtëzakonisht ndërsa i mbanin gjykimet, statutet dhe urdhërimet “e Zotit në të gjitha gjërat, sipas ligjit të Moisiut” (2 Nefi 5:10). Ky model është një element tjetër i rëndësishëm i të jetuarit “sipas mënyrës së lumturisë”.

Presidenti Monson (1927–2018) ka dhënë mësim: “Kur i zbatojmë urdhërimet, jeta jonë do të jetë më e lumtur, më përmbushëse dhe më pak e koklavitur. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar dhe ne do të marrim bekimet e premtuara prej [Perëndisë].”8 Ai gjithashtu tha: “Dituria që kërkojmë, përgjigjet [që kaq shumë duam,] dhe forca që dëshirojmë sot për të përballuar sfidat e një bote të ndërlikuar dhe në ndryshim, mund të jenë tonat kur u bindemi me gatishmëri urdhërimeve të Zotit.”9

Shpëtimtari na përgjërohet:

“Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. …

Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij” (Gjoni 14:15, 21).

Vetëmohimi dhe Dashuria

Udha e artë drejt lumturisë është një udhë vetëmohimi dhe dashurie – dashuri që ka shqetësim, interes dhe një masë dashurie hyjnore për çdo shpirt të gjallë. Dashuria është rruga e drejtpërdrejtë për te lumturia, e cila do ta pasurojë e bekojë jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Kjo do të thotë, ashtu siç tha Shpëtimtari, që ju u tregoni dashuri madje edhe armiqve tuaj (shih Mateu 5:44).

Duke e bërë këtë, ju do të jeni duke përmbushur urdhërimin më të madh për ta dashur Perëndinë. Ju do të ngriheni mbi erërat e ashpra që fryjnë – mbi të pandershmen, vetëshkatërruesen dhe të papëlqyeshmen. Lumturia e vërtetë dhe e përhershme vjen vetëm kur zgjedhim ta “dua[m] Zotin, Perëndinë t[onë] me gjithë zemrën t[onë], me gjithë shpirtin t[onë] dhe me gjithë mendjen t[onë]” (Mateu 22:37; shih edhe Ligji i Përtërirë 6:5; Marku 12:30; Lluka 10:27).

Zgjedhtë secili prej nesh që ta dojë Zotin dhe t’i ndjekë shtigjet e Tij drejt lumturisë, që është “objekti dhe synimi i ekzistencës sonë”10.

Shënime

  1. “Happiness”, Gospel Topics, topics.lds.org.

  2. David O. McKay, në Conference Report, tetor 1919, f. 180.

  3. “Happiness”, Psychology Today, psychologytoday.com/basics/happiness.

  4. “Happiness”, Psychology Today.

  5. Tomas S. Monson, “Shembuj Drejtësie”, Liahona, maj 2008, f. 65.

  6. Richard G. Scott, “Making the Right Choices”, Ensign, maj 1991, f. 34.

  7. Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 176, 178.

  8. Tomas S. Monson, “Zbatojini Urdhërimet”, Liahona, nëntor 2015, f. 83.

  9. Tomas S. Monson, “Bindja Sjell Bekime”, Liahona, maj 2013, f. 92.

  10. Joseph Smith, në History of the Church, 5:134.