2018
Një Mësim i Mrekullueshëm
Prill 2018


Një Mësim i Mrekullueshëm

“Unë … do t’i hap pragjet e qiellit dhe … do të derdh mbi ju … shumë bekim” (Malakia 3:10).

Pamja
An Amazing Lesson

Kur po rritesha në Guatemalë, familja ime zotëronte një fabrikë që prodhonte uniforma për ekipe sportive.

Babi im dëshironte që fëmijët në familjen tonë të mësonin se si të punonin shumë. Ne e ndihmonim atë në fabrikë. Unë hyra goxha në telashe kur isha i vogël. Gjithmonë dukej se i prishja gjërat! Por, kur u rrita, babi më lejoi të kujdesesha për makinat qepëse.

Babi na paguante për punën që bënim. Më pas do të pyeste: “Çfarë do të bëni me paratë tuaja?” Unë e dija se cila ishte përgjigjja e saktë: “Do të paguaj të dhjetën dhe do të kursej për misionin tim”.

Kur isha rreth 13 vjeç, sipërmarrja jonë humbi shumë para. Na u desh t’i hiqnim shumë prej makinave tona qepëse. Në vend që të kishim dyqind punonjës, nuk kishim as pesë. Ata punonin te garazhi i shtëpisë sonë.

E kisha paguar gjithmonë të dhjetën time, por kurrë nuk e kisha kuptuar vërtet se sa e rëndësishme ishte. Atëherë mora një mësim të mrekullueshëm. Një mëngjes të shtune dëgjova prindërit që po flisnin me zë të ulët. Babi po i thoshte mamit se kishte aq para sa ose të paguante të dhjetën ose të blinte ushqim. Nuk kishte mjaft sa për të dyja. U shqetësova. Çfarë do të bënte babi im?

Të dielën e pashë babin tim t’i dorëzonte një zarf presidentit të degës sonë. Ai zgjodhi ta paguante të dhjetën! Isha i kënaqur që e pagoi, por isha dhe i shqetësuar. Çfarë do të hanim?

Të nesërmen në mëngjes disa njerëz trokitën në derën tonë. Ata i thanë babit tim se iu nevojiteshin uniforma menjëherë. Zakonisht njerëzit na paguanin pasi porosia të përfundohej. Por këta njerëz e paguan babin tim po atë ditë, madje përpara se ne t’i bënim uniformat!

Brenda një fundjave, unë mësova një mësim të bukur që e kam ruajtur gjatë gjithë jetës. Ligji i së dhjetës na ndihmon ta ngremë besimin tonë dhe ta tregojmë mirënjohjen tonë për Atin Qiellor. Pagimi i së dhjetës është një bekim!