2018
Të Kuptuarit e Islamit
Prill 2018


Të Kuptuarit e Islamit

Pamja
mosaic of kaaba in mecca

Fotografitë nga Getty Images

Një mozaik i shekullit të 19-të që ilustron Qabenë në Mekë, qyteti ku u lind Muhamedi dhe qyteti më i shenjtë i botës islamike.

Për mirë apo për keq, praktikisht nuk kalon asnjë ditë kur islami dhe myslimanët nuk janë në titujt e lajmeve. Në mënyrë të kuptueshme, shumë jomyslimanë – përfshirë shenjtorët e ditëve të mëvonshme – janë kureshtarë, madje të shqetësuar. A kemi ndonjë gjë të përbashkët me fqinjët tanë myslimanë? A mund të jetojmë e të punojmë së bashku?

Fillimisht, njëfarë sfondi historik mund të jetë i dobishëm:

Në vitin 610 ps.K., një mesoburrë tregtar arab, i quajtur Muhamed, u ngjit në kodrat mbi qytetin e tij të lindjes Mekë për të menduar e për t’u lutur rreth pështjellimit fetar që e rrethonte atë. Më pas, ai tregoi se kishte marrë një vegim që e quajti atë si një profet të popullit të tij. Kjo ngjarje shënon fillimin e fesë së njohur si islam, një fjalë që do të thotë “nënshtrim” (ndaj Perëndisë). Një besimtar i islamit quhet mysliman, që do të thotë “i nënshtruar”.

Që nga ajo kohë, Muhamedi tha se mori shumë zbulesa deri në vdekjen e tij gati 25 vjet më vonë. Ai ua tregoi ato fillimisht banorëve të qytetit të tij të lindjes, duke i paralajmëruar për gjykimet hyjnore që do të vinin; duke u bërë thirrje dëgjuesve të tij që të pendoheshin dhe t’i trajtonin siç duhet të vejat, jetimët dhe të varfrit; dhe duke predikuar ringjalljen universale të të vdekurve dhe gjykimin përfundimtar nga Perëndia.

Megjithatë, tallja dhe përndjekja të cilave iu nënshtruan ai dhe pasuesit e tij, u bënë kaq të forta saqë ata u detyruan të largoheshin me të shpejtë drejt qytetit të Medinës, një udhëtim gati katërditor me deve drejt veriut.

Atje, roli i Muhamedit ndryshoi rrënjësisht.1 Prej të qenit thjesht një predikues dhe paralajmërues, ai u bë ligjvënësi, gjykatësi dhe udhëheqësi politik i një qyteti të rëndësishëm arab dhe, me kalimin e kohës, të gadishullit arabik. Kjo vendosje e hershme e një komuniteti besimtarësh i dha islamit një identitet fetar të rrënjosur në ligj dhe drejtësi, që mbetet mes karakteristikave më mbresëlënëse dhe pasojëprurëse të tij.

Dy grupe kryesore lindën mes pasuesve të Muhamedit pas vdekjes së tij në vitin 632 ps.K., duke u ndarë fillimisht mbi çështjen se kush do ta pasonte atë si udhëheqësi i komunitetit islamik.2 Grupi më i madh i këtyre besimtarëve është quajtur suni (ai shpall se ndjek sunën ose praktikën zakonore të Muhamedit dhe është relativisht elastik për sa i përket çështjes së vijueshmërisë). Tjetri, që u zmadhua përqark dhëndrit të Muhamedit, Aliut, u quajt shi‘at ‘Ali (grupi i Aliut) dhe tani njihet gjerësisht thjesht si shiat. Në ndryshim nga sunitë, shiatët (të njohur edhe si shi‘itë ose myslimanët shi‘i) besojnë se e drejta për ta pasuar Muhamedin si udhëheqës të komunitetit i takon me të drejtë të afërmit mashkull që ishte më pranë profetit Muhamed, Aliut dhe trashëgimtarëve të tij.

Pavarësisht nga mosmarrëveshje të tilla, bota islamike ka qenë më e bashkuar, për sa i përket anës fetare, sesa krishterimi. Për më tepër, për disa shekuj pas vitit 800 ps.K., qytetërimi islamik, siç mund të tregohet me argumente, ishte qytetërimi më i përparuar në botë për sa i përket shkencës, mjekësisë, matematikës dhe filozofisë.

Burimet e Doktrinës dhe Praktikës Myslimane

Zbulesat e shpallura nga Muhamedi u përmblodhën në një libër të quajtur Qur’an [Kuran] (nga folja e gjuhës arabe qara’a, “të lexosh” ose “të recitosh”) brenda një ose dy dekadash pas vdekjes së tij. I përbërë nga 114 kapituj, Kurani nuk është një histori mbi Muhamedin. Shumë ngjashëm me Doktrinën e Besëlidhjet, ai nuk është aspak një tregim; myslimanët e konsiderojnë atë si fjala (dhe fjalët) e Perëndisë të dhëna Muhamedit drejtpërsëdrejti.3

Pamja
reading the quran

Të krishterët që e lexojnë atë, do të gjejnë tema të njohura. Për shembull, ai flet për krijimin nga Perëndia të gjithësisë në shtatë ditë, vendosjen nga Ai të Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit, tundimin e tyre nga djalli, rënien e tyre dhe thirrjen e një linje profetësh pasues (shumica e të cilëve shfaqen edhe në Bibël). Këta profetë përshkruhen në Kuran si myslimanë, ngaqë ia kishin nënshtruar vullnetin e tyre Perëndisë.

Abrahami, i përshkruar si miku i Perëndisë, shfaqet në mënyrë të shquar në tekst.4 (Mes gjërave të tjera, ai besohet të ketë marrë zbulesa që i shkroi, por që kanë humbur që nga ajo kohë.5) Moisiu, faraoni dhe eksodi i fëmijëve të Izraelit gjithashtu luajnë rol.

Habitshëm, Maria, nëna e Jezusit, përmendet 34 herë në Kuran, në krahasim me 19 herët e Dhiatës së Re. (Ajo është, në fakt, e vetmja grua e përmendur me emër në Kuran.)

Një refren i vazhdueshëm në Kuran është doktrina e tevhidit, një fjalë që mund të përkthehet si “monoteizëm” [“njëperëndishmëri”] ose, më fjalë për fjalë, si “të bësh një”. Ajo paraqet një nga parimet qendrore të islamit: që ka vetëm një qenie tërësisht të pashoqe dhe hyjnore. “Ai as nuk lind, as nuk lindet”, shpall Kurani, “dhe nuk ka asnjë si ai.”6 Çfarë pason nga kjo, është sigurisht dallimi më i rëndësishëm midis islamit dhe krishterimit: myslimanët nuk besojnë në hyjnueshmërinë e Jezu Krishtit apo në Frymën e Shenjtë. Ajo gjithashtu vë në dukje se, teksa të gjithë njerëzit janë krijesa të barabarta të Perëndisë, sipas doktrinës islamike ne nuk jemi fëmijët e Tij.

Prapëseprapë myslimanët besojnë për Jezusin të ketë qenë një profet i pamëkatë i Perëndisë, i lindur nga një virgjëreshë dhe i paracaktuar që të luajë një rol qendror në ngjarjet e ditëve të fundit. Ai përmendet shpesh dhe me nderim në Kuran.

Mësimet dhe Praktikat Myslimane Bazë

Të ashtuquajturat “Pesë Shtyllat e Islamit” – të përmbledhura më shkurt jo në Kuran, por në një thënie që tradicionalisht i atribuohet Muhamedit – parashtrojnë disa doktrina islamike bazë:

1. Dëshmia

Nëse feja islamike ka një kredo universale, ajo është shehadeti, “shpallja e besimit” ose “dëshmia”. Termi i referohet një formule arabike që, e përkthyer, do të thotë sa vijon: “Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Perëndisë [Allahut] dhe se Muhamedi është i Dërguari i Perëndisë”. Shehadeti është pragu i hyrjes në islam. Ta recitosh atë me besim të sinqertë do të thotë të bëhesh mysliman.

Fjala arabike e barasvlershme për fjalën Perëndi është Allah. Një bashkim i fjalëve al- (“trajta e shquar e emrit në arabisht”) dhe ilah (“perëndi”), kjo fjalë nuk është një emër i përveçëm, por një titull dhe lidhet ngushtësisht me fjalën hebraike Elohim.

Ngaqë nuk ka priftëri islamike, nuk ka as ordinanca të priftërisë. As nuk ka një “kishë” të vetme islamike. Prandaj, thënia e shehadetit është, në njëfarë kuptimi, veprimi i barasvlefshëm islamik i pagëzimit. Mungesa e tanishme e një strukture zyrtare, të bashkërenduar e mbarëbotërore ka pasoja të tjera. Për shembull, nuk ka asnjë udhëheqës të përgjithshëm të myslimanëve të botës, asnjë që flet për tërë komunitetin. (Muhamedi shihet pothuajse në mënyrë universale si profeti përfundimtar.) Kjo gjithashtu do të thotë se nuk ka ndonjë kishë nga e cila terroristët apo “heretikët” të mund të shkishërohen.

2. Lutja

Pamja
ritual prayer

Shumë njerëz jomyslimanë dinë për lutjen rituale të myslimanëve, të quajtur namaz, e cila përfshin një numër të veçantë të gjunjëzimeve fizike, pesë herë në ditë. Recitimi i vargjeve të paracaktuara nga Kurani dhe prekja e tokës me ballë tregojnë nënshtrimin e përulur ndaj Perëndisë. Lutja më rastësore, e quajtur dua, mund të bëhet në çfarëdo kohe dhe nuk kërkon rënie përmbys.

Për lutjet e mesditës të premten, burrave myslimanë iu kërkohet që të luten në xhami dhe gratë myslimane nxiten që ta bëjnë atë (nga arabishtja masxhidi ose “vend i rënies përmbys”). Atje, në grupe të ndara sipas gjinisë, ata formojnë radhë duke u lutur siç udhëhiqen nga imami i xhamisë (nga arabishtja amama që do të thotë “përpara”) dhe dëgjojnë një predikim të shkurtër. Gjithsesi të premtet nuk janë tërësisht të barasvlershme me Shabatin; edhe pse “fundjava” në shumicën e vendeve myslimane përqendrohet tek el xhumaja (“dita e mbledhjes”) ose e premtja, të punosh në atë ditë nuk konsiderohet mëkat.

3. Dhënia e Lëmoshave

Zekati (që do të thotë “ajo që pastron”) paraqet bërjet e dhurimeve të bamirësisë për t’i përkrahur të varfrit, si edhe xhaminë dhe ndërmarrje të tjera islamike. Në përgjithësi ai llogaritet te 2,5 përqind e pasurisë totale të myslimanit mbi një sasi të caktuar minimale. Në disa vende myslimane mblidhet nga institucionet qeveritare. Në vende të tjera është dhurim vullnetar.

4. Agjërimi

Çdo vit, myslimanët e përkushtuar qëndrojnë pa ushqim, pije dhe marrëdhënie seksuale nga lindja e diellit deri në perëndim të tij gjatë gjithë muajit hënor të ramazanit. Ata gjithashtu zakonisht i përkushtohen bamirësisë së veçantë ndaj të varfërve dhe leximit të Kuranit gjatë atij muaji.7

5. Pelegrinazhi

Pamja
Mecca

Myslimanët që zotërojnë shëndetin dhe burimet materiale për ta bërë këtë gjë, duhet ta ndërmarrin një pelegrinazh drejt Mekës të paktën një herë në jetën e tyre. (Një vizitë në Medina, qyteti i dytë më i shenjtë në islam, zakonisht përfshihet por nuk kërkohet.) Për myslimanët besimtarë, bërja e kësaj gjëje është një ngjarje thellësisht shpirtërore dhe nxitëse, diçka si ndjekja e një konference të përgjithshme në sallën e konferencave ose si futja në tempull për herë të parë.

Disa Çështje Aktuale

Tri çështje qendrore që i shqetësojnë jomyslimanët bashkëkohorë rreth islamit, janë dhuna fetare; ligji islamik ose ligji i sheriatit; dhe trajtimi i grave nga islami.

Disa ekstremistë e kanë përdorur termin xhihad për t’iu drejtuar vetëm “luftës së shenjtë”, por fjala faktikisht do të thotë “punë praktike”, në kundërshtim me “thjesht” lutjen dhe studimin e shkrimit të shenjtë.

Juristët dhe mendimtarët myslimanë kanë ide të ndryshme lidhur me kuptimin e tyre për xhihadin. Burimet standarde ligjore argumentojnë, për shembull, se xhihadi i pranueshëm ushtarak duhet të jetë për mbrojtje dhe që kundërshtarët duhet të paralajmërohen e t’iu lejohet mundësi për t’i ndërprerë veprimet provokuese. Disa juristë dhe mendimtarë të tjerë myslimanë sot argumentojnë se xhihadi mund të përcaktojë çfarëdo veprimi praktik që ka si qëllim përfitimin e komunitetit islamik ose përmirësimin e botës më në përgjithësi. Muhamedi thuhet se kishte bërë dallim midis “xhihadit më të madh” dhe “xhihadit më të vogël”. Kjo e dyta, tha ai, është luftë. Kurse xhihadi më i madh është të luftohet padrejtësia, por edhe kundërshtimi vetjak i njeriut ndaj të jetuarit me drejtësi.

Terrorizmi i sotëm islamik pretendon rrënjë fetare, por vërtetohet se ai pasqyron ankesa shoqërore, politike dhe ekonomike, të cilat kanë pak ose aspak lidhje me fenë si të tilla.8 Për më tepër, është e rëndësishme të vihet në dukje se shumica dërrmuese e myslimanëve të botës nuk janë bashkuar me terroristët në dhunën e tyre.9

Sheriati është një çështje tjetër shqetësimi për disa jomyslimanë. I nxjerrë nga Kurani dhe hadithet – raportime të shkurtra të asaj që thanë e bënë Muhamedi dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, të cilat japin modele të sjelljes myslimane si edhe i plotësojnë dhe i shpjegojnë fragmentet e Kuranit – ai është një kod i sjelljes myslimane.10 Rregulla që përcaktojnë veshjen e burrave si edhe të grave (të tilla si hixhabi ose mbulesa) gjenden në sheriat; ndërkohë që janë bërë të detyrueshme prej disa vendeve myslimane, ato i lihen zgjedhjes individuale në vende të tjera. Sheriati gjithashtu trajton çështje të tilla si higjiena vetjake; koha dhe përmbajtja e lutjes; dhe rregullat që qeverisin martesën, divorcin dhe trashëgiminë. Si rrjedhojë, kur myslimanët përgjigjen në pyetësorët se dëshirojnë të qeverisen nga sheriati, ata mund të jenë duke bërë një shpallje politike ose jo. Ata thjesht mund të jenë duke thënë se dëshirojnë të jetojnë jetë të mirëfillta myslimane.

Pamja
woman wearing the hijab

Shumë njerëz jomyslimanë, kur mendojnë për trajtimin e grave nga islami, menjëherë mendojnë për poligaminë dhe mbulesat. Por realiteti kulturor është shumë më i ndërlikuar. Shumë fragmente në Kuran shpallin që gratë janë të barabarta me burrat, ndërkohë që fragmente të tjera duket se u caktojnë atyre role vartëse. Sigurisht që ka praktika në shumë vende islamike – shpesh me rrënjë në kulturën fisnore paraislamike ose zakone të tjera paraekzistuese – që i bëjnë gratë të nënshtruara. Gjithsesi, mënyra se si myslimanët i shohin rolet e grave ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga njëri vend te tjetri dhe madje edhe brenda vendeve.

Pikëpamjet e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për Islamin

Pavarësisht nga besimet tona të ndryshme, si mund t’i qasen shenjtorët e ditëve të mëvonshme ndërtimit të marrëdhënieve me myslimanët?

Para së gjithash, ne duhet të dallojmë të drejtën e myslimanëve që të “adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin” (Nenet e Besimit 1:11). Në vitin 1841, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në këshillin e qytetit të Navusë miratuan një dekret mbi lirinë fetare që garantonte “tolerim të lirë dhe privilegje të barabarta” për “katolikët, presbiteranët, metodistët, baptistët, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, kuejkërat, episkopelianët, universalistët, unitarianët, muhamedanët [myslimanët] dhe të gjitha sektet dhe besimet e tjera fetare, cilatdo qofshin”11.

Duhet të sjellim ndërmend gjithashtu që udhëheqësit tanë të Kishës në përgjithësi kanë qenë tepër pozitivë në vlerësimin e tyre për themeluesin e islamit. Në vitin 1855, për shembull, në një kohë kur shumë të krishterë e dënuan Muhamedin si një antikrisht, Pleqtë Xhorxh A. Smith (1817–1875) dhe Parli P. Prat (1807––1857), të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhanë predikime të gjata duke shfaqur jo vetëm një kuptim të mirinformuar mbresëlënës dhe të drejtë për historinë e islamit, por edhe duke e lavdëruar vetë Muhamedin. Plaku Smith vërejti se Muhamedi “pa dyshim u ngrit nga Perëndia me qëllim” që të predikonte kundër idhujtarisë dhe ai shprehu simpati për myslimanët, të cilët, sikurse shenjtorët e ditëve të mëvonshme, e gjejnë të vështirë që të “bëjnë [të shkruhet] një histori e ndershme” për ta. Duke folur menjëherë pas kësaj, Plaku Prat shprehu admirim për mësimet e Muhamedit, për moralin dhe institucionet e shoqërisë myslimane.12

Një deklaratë zyrtare e kohëve më të fundit u dha në vitin 1978 nga Presidenca e Parë. Ajo e përmend posaçërisht Muhamedin mes “udhëheqësve të mëdhenj fetarë të botës”, duke thënë se si ata, ai “mori një pjesë të dritës së Perëndisë. Të vërteta morale u ishin dhënë [këtyre udhëheqësve] nga Perëndia”, shkruan Presidentët Spenser W. Kimball, N. Eldon Taner dhe Marion G. Romni, “që të ndriçonin kombe të tëra dhe të sillnin një nivel më të lartë kuptueshmërie tek individët.”13

Ndërtimi mbi Gjërat e Përbashkëta

Ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe myslimanët ndryshojnë dukshëm lidhur me çështje të rëndësishme – qartësisht hyjnueshmëria e Jezu Krishtit, roli i Tij si Shpëtimtari dhe thirrja e profetëve modernë – ne kemi shumë gjëra të përbashkëta. Ne, që të dy grupet besojmë, për shembull, se jemi moralisht përgjegjës përpara Perëndisë, që ne duhet të kërkojmë si drejtësi vetjake ashtu edhe një shoqëri të mirë e të drejtë dhe që ne do të ringjallemi dhe do të sillemi përpara Perëndisë për gjykim.

Pamja
family

Si myslimanët ashtu edhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në rëndësinë jetike të familjeve të forta, në urdhrin hyjnor për t’i ndihmuar të varfrit e nevojtarët dhe që ne e shfaqim besimin tonë nëpërmjet veprimeve të dishepullimit. Duket se nuk ka asnjë arsye përse shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe myslimanët të mos veprojnë përkrah njëri-tjetrit dhe madje, kur paraqiten mundësi, të bashkëveprojnë në komunitete ku, përherë e më shumë, ne gjendemi si fqinjë në një botë laike gjithnjë në rritje. Së bashku, ne mund të tregojmë se besimi fetar mund të jetë një forcë e fuqishme për mirë dhe jo thjesht burim grindjeje dhe madje dhune, siç argumentojnë disa kritikë.

Kurani vetë sugjeron një mënyrë të jetesës së bashku në paqe pavarësisht nga ndryshimet tona: “Nëse Perëndia do ta kishte dëshiruar, ai mund t’ju kishte bërë një komunitet të vetëm. Por ai dëshiroi që t’ju vinte në provë në gjërat që ju ka dhënë. Prandaj, konkurroni me njëri-tjetrin në vepra të mira. Ju të gjithë do të ktheheni te Perëndia dhe ai do t’ju informojë lidhur me gjërat ku e kishit zakon të mos binit dakord.”14

Shënime

  1. Në fakt, viti 622 ps.K. – viti i Hixhretit ose shpërnguljes së Muhamedit për në Medina – është viti bazë i kalendarit mysliman (hixhrit) dhe zbulesat e mbledhura në Kuran klasifikohen si të kohës së Mekës ose të Medinës.

  2. Përgjatë shekujve, dy grupet janë ndarë edhe më shumë për sa u përket çështjeve të tjera dytësore.

  3. Prapëseprapë, në mënyrë domethënëse, ndërkohë që lejohet përkthimi i Kuranit në gjuhë të tjera, vetëm arabishtja origjinale shihet vërtet si Kuran dhe vërtet si shkrim i shenjtë.

  4. Shih Kurani 4:125.

  5. Shih Kurani 53:36–62; 87:9–19; shih edhe Daniel C. Peterson, “News from Antiquity”, Ensign, janar 1994, f. 16–21.

  6. Kurani 112:3–4. Përkthimet nga Kurani janë prej Daniel C. Pitersonit.

  7. Botimet standarde të Kuranit ndahen në 30 pjesë të barabarta pikërisht për atë qëllim.

  8. Shih, për shembull, Robert A. Pape, Dying to Win: The Strategic Logic of Suicide Terrorism (2005); Graham E. Fuller, A World without Islam (2010); Robert A. Pape dhe James K. Feldman, Cutting the Fuse: The Explosion of Global Suicide Terrorism and How to Stop It (2010).

  9. Shih Charles Kurzman, The Missing Martyrs: Why There Are So Few Muslim Terrorists (2011); shih edhe John L. Esposito dhe Dalia Mogahed, Who Speaks for Islam? What a Billion Muslims Really Think (2008); James Zogby, Arab Voices: What They Are Saying to Us, and Why It Matters (2010).

  10. Është mjaft i ngjashëm, në fakt, me ligjin rabinik në judaizëm.

  11. Dekret në Lidhje me Shoqëritë Fetare, Qyteti i Navusë, zyrat qendrore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [në Ilinois], 1 mars 1841.

  12. Shih Journal of Discourses, 3:28–42.

  13. Deklaratë e Presidencës së Parë, 15 shkurt 1978. Në rishikimin e tij të librit Introduction to the Qur’an (1970) nga Richard Bell, W. Montgomery Watt-i, një studiues i mirënjohur i islamit dhe një prift anglikan, ofroi një mënyrë të mundshme sipas së cilës një besimtar i krishterë mund ta shohë Kuranin si vepër të frymëzuar.

  14. Kurani 5:48; krahaso 2:48.