2018
Martesa, Paratë dhe Besimi
Prill 2018


Martesa, Paratë dhe Besimi

Autori jeton në rajonin Ashanti të Ganës.

Unë dhe e fejuara ime kishim shumë pak kohë përpara dasmës sonë e madje më pak para, por kishim diçka edhe më të rëndësishme: besimin.

Pamja
Sunday and Priscilla on their wedding day

Unë mora pjesë në mbledhjen për të rinj në moshë madhore beqarë në Kumasi të Ganës, jo sepse kisha nevojë për një të dashur – isha tashmë i fejuar – por sepse ndjeva që më duhej më shumë nxitje dhe se mbledhja do të ishte vendi i përshtatshëm për ta gjetur atë nxitje. Vërtet, lutjet e mia morën përgjigje në mbledhje pasi Motra Koll, një misionare në moshë që ishte caktuar për të punuar me të rinjtë në moshë madhore beqarë, foli për rëndësinë e martesës në tempull.

Nga fundi i diskutimit, mimika e saj befas ndryshoi dhe ajo tha: “Nuk ju duhen para për t’u martuar – e vetmja gjë që ju duhet, është besimi”. Ndjeva sikur ajo po më fliste mua drejtpërdrejt, por nuk besoja se do të gjente vërtet zbatim për mua, ngaqë na duhej të blinim disa artikuj që të përgatiteshim për dasmën. Thashë me vete: “Si mund të mos kem nevojë për para, por vetëm për besim?”

E mendova këtë pa pushim gjatë gjithë javës. Gjatë kësaj faze pyeta me vete: “A ka kufizime Perëndia në gjërat që mund të bëjë?” Në fillim mendova “jo”, por pasi e mendova sërish, thashë “po”. Por më pas më erdhi një pyetje vijuese: “Si mund të ketë kufizime Perëndia kur Ai është i gjithëfuqishëm?” Shpirti ma mësoi përgjigjen: bekimet e Perëndisë varen nga bindja jonë ndaj Tij. Ai nuk ka kufizime në aftësinë e Tij për të na bekuar, por ne duhet t’i ftojmë ato bekime duke ushtruar besim për të bërë atë që Ai do që ne të bëjmë.

Më pas, mora në telefon të fejuarën time, Prishilën, për të diskutuar planet e propozuara për martesën tonë. Pavarësisht mungesës së parave, ne vendosëm të zgjidhnim një datë për dasmën tonë, por nuk mund të vendosnim dot për një datë të caktuar. Ramë dakord që ajo duhej të pyeste peshkopin e saj se cilat data ishin të lira në kalendarët e lagjes dhe të kunjit. Nga dy datat që na ofroi ai, ne zgjodhëm datën 27 shtator 2014 – që do të thoshte se kishim vetëm shtatë javë deri në ditën e dasmës!

Prishila pyeti: “Obim [që do të thotë “zemra ime” në ibgolisht], a ke ndopak para? Koha është e shkurtër.”

Iu përgjigja: “Jo, por kam ca besim”.

Ajo qeshi dhe tha: “S’ka gjë. Le të agjërojmë dhe të lutemi.” Duke parafrazuar 1 Nefin 3:7, ajo vazhdoi: “Zoti do të hapë një udhë për ne për shkak se Ai na ka urdhëruar që të martohemi”.

Brenda asaj jave unë mora pagesën për një punë që e kisha bërë muaj më parë. Më pas Prishila më tha se donte të hapte një biznes për të fituar më shumë të ardhura. Me paratë që kisha fituar, ajo bleu çanta të përdorura grash dhe i rishiti ato. Pasi bleu disa nga artikujt që përmbante lista e saj e gjërave që i duheshin, ajo prapëseprapë kishte më shumë se dyfishin e parave që i dhashë unë.

Gjatë kësaj kohe, nuk më doli asnjë vend pune. Çdo vend pune që më premtohej, nuk realizohej. Na kishin mbetur edhe dy javë dhe kishte ende gjëra që kishim nevojë t’i blinim. E fejuara ime më sugjeroi që ta rishikonim datën. E vetmja gjë që thashë ishte: “Një mrekulli po na vjen”.

Vetëm dy ditë përpara ditës së dasmës sonë, mrekullia ndodhi: Mora pagesën për një punë që e kisha kryer më shumë se dy javë më parë. Po mësoja gjithashtu se me besim dhe me shumë punë, Zoti do të na bekonte për t’i përmbushur synimet tona të drejta.

Ne shkuam në bankë për ta kthyer çekun në kartëmonedha dhe që atje te dyqani për të blerë gjërat e tjera që duheshin, në mes të një shiu të madh, të cilin e pamë si miratim nga qielli për veprimin tonë të besimit.

Brenda 24 orëve, ne u martuam. Ndjenjën që pata kur na u kërkua që të shkëmbenim zotimet, nuk e kisha ndier kurrë më parë në jetën time. U ndjeva kaq i përmbushur aq sa besoja se mund t’i bëja të gjitha gjërat nëpërmjet besimit nga tani e tutje. Më vonë u vulosëm në Tempullin e Akrës në Ganë.

Ndonëse ju mund të keni nevojë për disa para për t’u përgatitur për martesë, gjëja më e rëndësishme për të cilën keni nevojë, është besimi.