2018
Udhëtimi i Fundit, i Vetmuar i Shpëtimtarit
Prill 2018


Udhëtimi i Fundit, i Vetmuar i Shpëtimtarit

Pamja
the saviors final lonely journey PDF 1
Pamja
the saviors final lonely journey PDF 2
Pamja
the saviors final lonely journey PDF 3

Gjatë gjithë jetës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari ndërmori shumë udhëtime – udhëtimin e Tij nga Bethlehemi për në Egjipt kur ishte foshnjë, udhëtimin e Tij prej 40 ditësh në shkretëtirë, udhëtimet e Tij të shumta në qytete, fshatra dhe shtëpi për të dhënë mësim, shëruar e bekuar gjatë shërbesës së Tij dhe shumë të tjera. Por ishte një udhëtim që Shpëtimtari duhej ta përballonte i vetëm dhe ai ishte një udhëtim që vetëm Ai mund ta duronte.

“Të dielën e Pashkës ne festojmë ngjarjen më të shumëpritur dhe më të lavdishme në historinë e botës.

Është dita që ndryshoi gjithçka.

Në atë ditë, jeta ime ndryshoi.

Jeta juaj ndryshoi.

Fati i të gjithë fëmijëve të Perëndisë ndryshoi.”

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, “Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 107.

Vuajtje e Pakrahasueshme

Pamja
Jesus in Gethsemane

O Ati Im, nga Simon Dewey

“Asnjë mendje njerëzore nuk mund ta kuptojë rëndësinë tërësore të asaj që Krishti bëri në Gjetseman.

Ne e dimë se Ai nxori pika të mëdha gjaku nga çdo por, kur zbrazi llumin e asaj kupe të hidhur që Ati i Tij ia kishte dhënë Atij.

Ne e dimë se Ai vuajti, si në trup dhe në shpirt, më shumë sesa është e mundur për njeriun të vuajë, përveçse në vdekje.

Ne e dimë se në njëfarë mënyre, të pakuptueshme për ne, vuajtja e Tij plotësoi kërkesat e drejtësisë, i shpagoi shpirtrat e penduar nga dhembjet dhe dënimet e mëkatit dhe e bëri të mundshme mëshirën për ata që besojnë në emrin e Tij të shenjtë.

Ne e dimë se Ai u shtri i kapitur përtokë kur dhembjet dhe agonia e një barre të pafund e bënë të dridhej dhe të dëshironte që të mos e pinte kupën e hidhur.”

Plaku Bruce R. McConkie (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “The Purifying Power of Gethsemane”, Ensign, maj 1985, f. 9.

Zbatimi Vetjak: Ndonëse nuk mund ta kuptojmë atë gjithmonë, Shpëtimtari vuajti të gjitha llojet e dhembjes gjatë Shlyerjes. Ai kupton çdo dhembje fizike, duke filluar që nga një kockë e thyer deri te sëmundjet më të rënda kronike. Ai ndjeu errësirën dhe dëshpërimin e sëmundjeve mendore të tilla si depresioni, ankthi, varësia, vetmia dhe pikëllimi. Dhe Ai ndjeu çdo plagë shpirtërore, sepse mori mbi veten e Tij të gjitha mëkatet e njerëzimit.

Plaku Dejvid A Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Në një çast dobësie ju mund të thërrisni: ‘Askush s’e di si është. Askush s’e kupton.’ Por Biri i Perëndisë di dhe kupton në mënyrë të përsosur, sepse Ai i ka ndier dhe i ka mbajtur barrët tona vetjake” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Liahona, maj 2014, f. 90).

Ai Ishte i Vetmi që Mundej

Pamja
carrying the cross

Vargani drejt Kalvarit, nga Bernardo Cavallino, Chrysler Museum of Art

“Ajo që bëri Ai, mund të bëhej vetëm nga Hyjnia. Si Biri i Vetëmlindur në mish nga Ati, Jezusi trashëgoi cilësi hyjnore. Ai ishte i vetmi njeri, që u lind ndonjëherë në vdekshmëri, i cili mund ta kryente këtë vepër më domethënëse dhe më hyjnore. Si i vetmi Njeri pa mëkat që jetoi ndonjëherë në këtë tokë, Ai nuk iu nënshtrua vdekjes shpirtërore. Për shkak të perëndishmërisë së Tij, Ai gjithashtu zotëroi fuqi mbi vdekjen fizike. Kështu që Ai bëri për ne atë që ne nuk mund ta bënim për veten tonë. Ai i shkatërroi kthetrat e pamëshirshme të vdekjes. Ai bëri të mundur gjithashtu për ne që të kemi ngushëllimin e madhërishëm dhe të qetë të dhuratës së Frymës së Shenjtë.”

Presidenti James E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, “The Atonement: Our Greatest Hope”, Liahona, janar 2002, f. 20.

Zbatimi Vetjak: Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari i zgjidhi lidhjet e vdekjes dhe na shëlboi ne të gjithë nga mëkatet tona, në mënyrë që çdo njeri të mund të ketë jetë të përjetshme. Ai ishte i vetmi që kishte aftësinë për të përmbushur një detyrë kaq të paimagjinueshme dhe të pamundur. Kur përballemi me sfida të rënda, ne mund të marrim ngushëllim në dijeninë që Shpëtimtari me të vërtetë mund ta bëjë të pamundurën të mundur.

Ai Nuk u Kthye Pas

Pamja
the burial

Varrimi, nga Carl Heinrich Bloch

“Në një kodër që quhej Kalvar, ndërsa pasuesit e pashpresë vështronin, trupi i Tij i plagosur u mbërthye në kryq. Pa mëshirë Atë e tallën, e mallkuan dhe e përqeshën. …

Orë agonie kaluan ndërsa jeta e Tij po mbaronte. Nga buzët e Tij të thara erdhën fjalët: ‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim[e]! Dhe, si tha këto, dha frym[ë]’. …

Në çastin e fundit, Mësuesi mund të ishte kthyer prapa. Por Ai nuk u kthye. Ai kaloi nën të gjitha gjërat, që të mund t’i shpëtonte të gjitha gjërat. Trupi i Tij pa jetë u vendos me ngut por butësisht në një varr të huajtur.”

Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018), “Ai Është Ngritur!” Liahona, maj 2010, f. 89.

Zbatimi Vetjak: Ai vuajti nga dhembja e agonisë, vetmia dhe dëshpërimi, por prapëseprapë Shpëtimtari e duroi dhe e përfundoi udhëtimin e Tij në vdekshmëri me hir – madje duke i kërkuar Atit të Tij që t’i falte ata që e kryqëzuan Atë. Për shkak të shembullit të Tij të përsosur, ne mund të përballemi me vetë sprovat dhe vështirësitë tona me hir dhe, me ndihmën e Tij, ne gjithashtu mund të durojmë deri në fund.

Dëshmitarët e Shumtë të Ringjalljes së Tij

Pamja
Mary at the tomb

O Grua, Pse po Qan? nga Mark R. Pugh

“Unë i besoj dëshmitarët e shumtë të Ringjalljes së Shpëtimtarit, përvojat dhe dëshmitë e të cilëve gjenden në Dhiatën e Re – Pjetrin dhe shokët e tij nga Të Dymbëdhjetët dhe Maria Magdalenën e shtrenjtë e të dëlirë, mes të tjerëve. I besoj dëshmitë që gjenden në Librin e Mormonit – të Apostullit Nefi me turmën pa emër në tokën Begati, mes të tjerëve. Dhe i besoj dëshmisë së Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të cilët, pas shumë dëshmish të tjera, shpallën dëshminë e madhërishme të kësaj periudhe të fundit ungjillore ‘se ai jeton! Sepse ne e pamë atë.’ Nën vështrimin e syrit të tij gjithçkaparës, qëndroj vetë si një dëshmitar se Jezusi i Nazaretit është Shëlbuesi i ringjallur dhe dëshmoj për gjithçka që rrjedh nga fakti i Ringjalljes së Tij. E marrshi bindjen dhe ngushëllimin e po të njëjtës dëshmi.”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2014, f. 114.

Zbatimi Vetjak: Ndonëse nuk ishim mes atyre që e panë trupin e ringjallur dhe të përsosur të Shëlbuesit, ne prapëseprapë mund të qëndrojmë si dëshmitarë të Tij sot. Ai mund të jetë gjithmonë qendra e jetës sonë, pavarësisht nga koha ose vendi në të cilin gjendemi. Sa herë që ne i ofrojmë zemrën dhe duart tona në shërbim të të tjerëve; tregojmë fisnikëri, mirësi dhe respekt ndaj të gjithëve; e mbrojmë të vërtetën dhe i japim dëshmitë tona për ungjillin, ne qëndrojmë si dëshmitarë të vërtetë të Jezu Krishtit.

Nuk na Duhet të Ecim Vetëm

Pamja
Christ walking along the shores

Detaj nga Ec me Mua, nga Greg Olsen, nuk lejohet kopjimi

“Një nga ngushëllimet më të mëdha në këtë stinë Pashke është që, për shkak se Jezusi e përshkoi tërësisht i vetëm një shteg kaq të gjatë e të vetmuar, neve nuk do të na duhet të veprojmë kështu. Udhëtimi i Tij i vetmuar na solli një shoqëri të madhe për pjesën tonë të vogël të atij shtegu – kujdesin e mëshirshëm të Atit tonë në Qiell, shoqërinë e padështueshme të këtij Biri të Dashur, dhuratën e përsosur të Frymës së Shenjtë, engjëj në qiell, pjesëtarë të familjes në të dy anët e velit, profetë dhe apostuj, mësues, udhëheqës dhe miq. Të gjitha këto dhe më shumë janë dhënë si shoqërues për udhëtimin tonë në vdekshmëri, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të Rivendosjes së ungjillit të Tij. E trumbetuar nga maja e Kalvarit është e vërteta që ne kurrë nuk do të lihemi të vetëm, as pa ndihmë, edhe pse ndonjëherë mund të ndiejmë sikur jemi të vetëm. …

… Qëndrofshim me Jezu Krishtin ‘në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[m]i, madje deri në vdekje’, pasi sigurisht që kështu është se si qëndroi Ai pranë nesh kur ishte deri në vdekje dhe kur Atij iu desh të qëndronte krejtësisht dhe tërësisht i vetëm.”

Plaku Xhefri R Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Askush Nuk Ishte me Të”, Liahona, maj 2009, f. 88.

Zbatimi Vetjak: Gjatë kësaj Pashke, kujtoni udhëtimin e fundit, të vetmuar të Shpëtimtarit. Ai sakrifikoi gjithçka kishte, në mënyrë që ju dhe çdo njeri në tokë të mund të bëhet i pastër dhe të ketë jetë të përjetshme. Mësoni nga shembulli i Tij i përsosur. Mbajeni Atë në mendimet tuaja dhe zemrën tuaj. Dhe gjithmonë kujtoni që nuk jeni kurrë vetëm. Ngaqë Ai e duroi udhëtimin e Tij të fundit në vetmi të plotë dhe absolute, Ai nuk do t’ju braktisë. Dashuria e Tij për ju është e pafundme dhe e pandryshueshme dhe Ai është i gatshëm t’ju japë paqe, ngushëllim dhe shpresë teksa vazhdoni udhëtimin tuaj vetjak. Dhurata e Tij e Shlyerjes është e përjetshme dhe u dha për ju.