Konferenca e Përgjithshme
Në Shtegun e Detyrës së Tyre
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Në Shtegun e Detyrës së Tyre

Ju që sot po shkoni përpara në shtegun e detyrës suaj, jeni forca e Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit.

Lutem me zell për ndihmën e Frymës së Shenjtë teksa tani shpreh dashurinë, admirimin dhe mirënjohjen time për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme anembanë botës.

Ata të Qerres së Fundit

Viti 1947 shënoi 100‑vjetorin e mbërritjes së pionierëve të parë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në luginën e Solt‑Lejkut. Gjatë atij viti u zhvilluan shumë kremtime të paharrueshme dhe u dhanë shprehje të panumërta mirënjohjeje për dishepujt e përkushtuar të Jezu Krishtit që hapën shtigje, ndërtuan shtëpi, mbollën të korra në shkretëtirën djerrë dhe themeluan komunitete.

Presidenti J. Ruben Klark, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, u dha një nga vlerësimet më të paharrueshme dhe më prekëse këtyre pionierëve besnikë në konferencën e përgjithshme të tetorit 1947.

Në mesazhin e tij, Presidenti Klark ua njohu arritjet shkurtimisht udhëheqësve të mirënjohur që udhëhoqën migrimin drejt perëndimit, të tillë si Brigam Jangu, Hiber C. Kimballi, Uilford Udrafi, Parli P. Prati dhe shumë të tjerë. Megjithatë, qëllimi i tij kryesor nuk ishte të tregonte arritjet e këtyre individëve të shquar. Përkundrazi, ai i përqendroi fjalët e tij te shpirtrat e fuqishëm, emrat e të cilëve as nuk njihen dhe as nuk janë regjistruar zyrtarisht në historinë e Kishës. Titulli udhëzues i mesazhit të tij është “Ata të Qerres së Fundit”1.

Presidenti Klark i përshkroi me shumë hollësi karakteristikat dhe sfidat me të cilat u përballën emigrantët që udhëtuan në qerren e fundit me mbulesë, në secilin prej karvanëve të gjatë të qerreve që kaluan rrafshnaltat. Ai i lavdëroi këta heronj anonimë dhe të palëvduar, të cilët, ditë pas dite, javë pas jave dhe muaj pas muaji, u mbytën në pluhurin e krijuar nga të gjitha qerret që shkonin përpara tyre, dhe që i kapërcyen pengesat e pareshtura që hasën gjatë rrugës.

Presidenti Klark deklaroi: “Ata të qerres së fundit shkuan përpara, të rraskapitur dhe të lodhur, me këmbë copë‑copë, ndonjëherë pothuajse të dëshpëruar, të mbështetur nga besimi i tyre se Perëndia i donte ata, se ungjilli i rivendosur ishte i vërtetë dhe se Zoti i udhëhiqte dhe i drejtonte Vëllezërit që ishin në krye”2.

Ai e përfundoi mesazhin e tij me këtë lavdërim nxitës: “Këtyre shpirtrave të përulur, të madhërishëm në besim, të madhërishëm në punë, të madhërishëm në të jetuarit me drejtësi, të madhërishëm në modelimin e trashëgimisë sonë të paçmuar, përulësisht u jap dashurinë time, respektin tim, homazhin tim plot nderim”3.

Jo më Pak të Dobishëm

Në vitin 1990, Presidenti Hauard W. Hanter, në atë kohë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një mesazh rreth kontributeve të domosdoshme të anëtarëve të panumërt të Kishës që shërbejnë me zell e besnikëri dhe të cilët marrin pak ose aspak falënderim apo vlerësim publik.

Presidenti Hanter shpjegoi:

“U tha [për kapitenin e ri dhe trim Moroni]:

‘Në qoftë se të gjithë njerëzit kishin qenë dhe ishin, ose do të jenë ndonjëherë, sikurse Moroni, vini re, fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; po, djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve’ (Alma 48:17).

Çfarë komplimenti për një burrë të famshëm e të fuqishëm! … Dy vargje më poshtë është një thënie për Helamanin dhe vëllezërit e tij, që luajtën një rol më pak të spikatur sesa Moroni, që thotë:

‘Tani vini re, Helamani dhe vëllezërit e tij nuk ishin më pak të dobishëm ndaj popullit, sesa ishte Moroni’ (Alma 48:19).”

Presidenti Hanter vazhdoi: “Me fjalë të tjera, edhe pse Helamani nuk binte po aq në sy apo nuk ishte po aq i spikatur sa Moroni, ai ishte po aq i dobishëm; që do të thotë, ishte po aq ndihmues ose i frytshëm sa Moroni”4.

Presidenti Hanter më pas na këshilloi të gjithëve që të mos ishim më pak të dobishëm. Ai tha: “Nëse mendoni se shumë nga ato që bëni këtë vit ose në vitet në vijim, nuk ju bëjnë shumë të famshëm, merrni zemër. As shumica e njerëzve më të mirë që jetuan ndonjëherë, nuk qenë shumë të famshëm. Shërbeni dhe rrituni, besnikërisht dhe qetësisht.”5

Në Shtegun e Detyrës së Tyre

Jam mirënjohës për miliona anëtarë të Kishës që sot po vijnë te Shpëtimtari6 dhe po shkojnë përpara në shtegun e besëlidhjeve në qerret e fundit të karvanëve tanë të qerreve bashkëkohore dhe që me të vërtetë nuk janë më pak të dobishëm. Besimi juaj i fortë tek Ati Qiellor e Zoti Jezu Krisht dhe jeta juaj modeste dhe e përkushtuar, më frymëzojnë të jem një njeri dhe dishepull më i mirë.

Ju dua. Ju admiroj. Ju falënderoj. Dhe ju përgëzoj.

Një thënie në Librin e Mormonit nga Samuel Lamaniti i përmbledh më së miri ndjenjat e mia për ju.

“Shikoni se pjesa më e madhe e tyre janë në shtegun e detyrës së tyre dhe ecin me kujdes para Perëndisë dhe përpiqen të zbatojnë urdhërimet e tij dhe statutet dhe gjykimet e tij. …

Po, unë ju them juve se pjesa më e madhe e tyre po e bëjnë këtë gjë dhe se po përpiqen me zell të vazhdueshëm, që të mund të sjellin mbetjen e vëllezërve të tyre në njohurinë e së vërtetës.”7

Unë besoj se fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan vëllezër e motra me aftësinë për të dalluar, të cilët i kërkojnë e ulen pranë njerëzve që janë vetëm në mbledhjet e Kishës dhe në një sërë mjedisesh të tjera. Ata përpiqen vazhdimisht të “ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë për ngushëllim”8, pa pasur pritshmëri për falënderim apo lavdërim.

Unë besoj se fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan bashkëshortë/e dhe fëmijë që përkrahin një shoqe ose shok, një prind apo fëmijë që shërben në një pozicion udhëheqës në Kishën e rivendosur të Zotit. Ndikimi i tyre përkrahës, pa zhurmë, i qetë dhe zakonisht i panjohur, bën të mundur bekimin e shumë individëve dhe familjeve në mënyra që do të njihen plotësisht vetëm në përjetësi.

Fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan individë të cilët, pasi janë larguar nga Perëndia, me përulësi po rikthehen tek Ai edhe një herë9, duke u penduar për mëkatet e tyre dhe duke kërkuar fuqinë pastruese dhe shëruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Ardhja te Krishti10 nëpërmjet rikthimit në shtegun e besëlidhjeve nga devijimet mëkatare në “shtigje[t e] ndaluara”11 është shpirtërisht thelbësore dhe rreptësisht e drejtë. Ndërsa shkojnë përpara me besim dhe nuk lodhen së bëri mirë, ata po hedhin themelin e një vepre të madhe në jetën e tyre individuale12, “në të gjitha brezat dhe për përjetësinë”13.

Fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan individë të drejtë që janë të etur që të futen në një zgjedhë me Shpëtimtarin nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të autorizuara të ungjillit të Tij, por mund t’iu ndalohet ta bëjnë këtë nga faktorë përtej kontrollit të tyre. Premtoj se ankthi juaj vetjak do të lehtësohet dhe bindja e besnikëria juaj për t’ia nënshtruar me durim vullnetin tuaj Perëndisë do të shpërblehet në “kohën e caktuar të Zotit”14. “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.”15

Fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan përkthyesit dhe interpretuesit e frymëzuar anembanë botës që i shërbejnë Zotit duke i ndihmuar miqtë dhe anëtarët ta “dëgjoj[n]ë plotësinë e ungjillit në gjuhën e t[yre] dhe në të folurën e t[yre]”16. Zërat e tyre, përdorimi i gjuhës së shenjave dhe dokumentet e përkthyera përcjellin të vërteta të përjetshme, megjithatë pak prej nesh i dinë emrat e tyre ose shprehin ndonjëherë vlerësim. Nëpërmjet dhuntisë së gjuhëve, me të cilën janë bekuar, përkthyesit dhe interpretuesit shërbejnë me zell, vetëmohim dhe, më së shpeshti, në mënyrë anonime, për t’i ndihmuar njerëzit të marrin dhuratën shpirtërore të besimit nëpërmjet leximit dhe dëgjimit të fjalës së Perëndisë.17

Fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan burrat dhe gratë e martuara besnike që e nderojnë përgjegjësinë e tyre në besëlidhje për t’u shumuar e për të mbushur tokën dhe që janë të bekuar me forcën dhe qëndrueshmërinë për t’u përleshur me fëmijët e tyre në mbledhjet e sakramentit. Në një botë gjithnjë e më të pështjelluar, të mësyrë nga fatkeqësitë dhe përparësitë e vëna gabim, këta shpirtra të guximshëm nuk ua vënë veshin zërave laikë që lavdërojnë përqendrimin te vetja; ata e nderojnë shenjtërinë dhe rëndësinë e jetës në planin e Atit Qiellor të lumturisë për fëmijët e Tij.

Shumë çifte të martuara gjithashtu mirëbesojnë te Perëndia kur dëshirat e drejta të zemrave të tyre nuk realizohen në mënyrën dhe kohën se si kishin shpresuar e ëndërruar. Ata “shpresojnë te Zoti”18 dhe nuk kërkojnë që Ai të përmbushë afatet e tyre të vdekshme. “Sepse që nga fillimi i botës njerëzit nuk kanë dëgjuar apo kuptuar me anë të veshit, as ndonjë sy s’ka parë, O Perëndi, përveç teje, gjërat e madhërishme që ke përgatitur për at[a] që … pre[sin për] ty.”19

Fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan mijëra e mijëra drejtues çerdhesh dhe mësuesish të Fillores që i duan dhe i udhëzojnë fëmijët e Kishës çdo ditë Shabati.

Merreni parasysh ndikimin e përjetshëm të shërbimit të dhënë nga këta dishepuj të përkushtuar dhe bekimet e mrekullueshme të cilat u premtohen atyre që u japin shërbesë fëmijëve.

“Dhe [Jezusi] mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:

‘Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar’.”20

Fraza “në shtegun e detyrës së tyre” përshkruan fëmijët e përkushtuar që kujdesen me dhembshuri për prindërit e moshuar, një nënë të mbetur pa gjumë që ngushëllon një fëmijë të frikësuar teksa qëndron roje si një “luaneshë në portën” e shtëpisë së saj21, anëtarë të Kishës që vijnë herët dhe qëndrojnë vonë për të vënë dhe për të hequr karriget, dhe individë të frymëzuar që i ftojnë familjarët, miqtë dhe kolegët të vijnë e të shohin, të vijnë e të ndihmojnë dhe të vijnë e të qëndrojnë.22

Kam përshkruar vetëm pak shembuj të përzgjedhur të dishepujve të Jezu Krishtit që janë të përkushtuar e i mbajnë besëlidhjet, si ju që po shkoni përpara “në shtegun e detyrës … [suaj]”. Miliona shembuj të tjerë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që ia dhurojnë “tërë shpirtrat [e] t[yre]”23 Perëndisë, gjenden në shtëpitë e përqendruara te Krishti dhe në njësitë e Kishës anembanë botës.

Ju jepni dashuri dhe shërbeni, dëgjoni dhe mësoni, kujdeseni dhe ngushëlloni, jepni mësim e dëshmoni me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ju agjëroni dhe luteni shpesh, bëheni gjithnjë e më të fortë në përulësinë tuaj dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit, “në mbushjen e shpirtrave … t[uaj] me gëzim dhe ngushëllim, po, madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave … t[uaja], shenjtërim që vjen për shkak të dhënies së zemrave … t[uaja] Perëndisë”24.

Premtim dhe Dëshmi

Ata të qerres së fundit, të gjithë ata që nuk janë më pak të dobishëm dhe ju që sot po shkoni përpara në shtegun e detyrës suaj, jeni forca e Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit. Dhe ashtu si ka premtuar Zoti, “të gjitha fronet dhe zotërimet, principatat dhe fuqitë do të zbulohen e do të shpallen mbi ata që kanë duruar me besnikëri për ungjillin e Jezu Krishtit”25.

Dëshmoj me gëzim se Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur jetojnë dhe premtimet e Tyre janë të sigurta, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.