Konferenca e Përgjithshme
Vëllezër dhe Motra në Krisht
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Vëllezër dhe Motra në Krisht

E gëzofshim më shumë lidhjen familjare shpirtërore që ekziston mes nesh, dhe i vlerësofshim cilësitë e ndryshme dhe dhuntitë e larmishme që kemi të gjithë ne!

Miqtë e mi të dashur, sot kemi pasur sesione të mrekullueshme të konferencës. Të gjithë ne e kemi ndier Shpirtin e Zotit dhe dashurinë e Tij përmes mesazheve të mrekullueshme të shprehura nga udhëheqësit tanë. Ndihem i privilegjuar t’ju drejtohem këtë mbrëmje si folësi përmbyllës i këtij sesioni. Lutem që Shpirti i Zotit të vazhdojë me ne teksa gëzohemi së bashku si vëllezër e motra të vërteta në Krisht.

Profeti ynë i dashur, Rasëll M. Nelson, shpalli: “Sot u bëj thirrje anëtarëve tanë kudo, që të prijnë udhën në braktisjen e qëndrimeve dhe veprimeve paragjykuese. Ju lutem që të nxitni respekt për të gjithë fëmijët e Perëndisë.”1 Si një Kishë mbarëbotërore dhe gjithnjë e më shumë në rritje, ndjekja e kësaj ftese nga profeti ynë është një kusht paraprak jetik për ndërtimin e mbretërisë së Shpëtimtarit në çdo komb të botës.

Ungjilli i Jezu Krishtit na mëson se të gjithë ne jemi bij dhe bija të lindura shpirtërore të prindërve qiellorë të cilët na duan me të vërtetë2 dhe se jetuam si familje në praninë e Perëndisë përpara se të lindnim në këtë tokë. Ungjilli na mëson gjithashtu se të gjithë u krijuam në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë.3 Si rrjedhojë, ne jemi të barabartë përpara Tij4, sepse Ai i “ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve”5. Si rrjedhojë, të gjithë ne kemi natyrë, trashëgimi dhe potencial hyjnor, sepse ka “një Perëndi [të] vetëm dhe Atë [të] të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në [ne] të gjithë”6.

Si dishepuj të Krishtit, ne ftohemi që ta shtojmë besimin tonë te vëllezërit dhe motrat tona shpirtërore dhe dashurinë tonë për ta duke i thurur sinqerisht zemrat tona së bashku në unitet e dashuri, pavarësisht nga ndryshimet tona, duke rritur në këtë mënyrë aftësinë tonë për të nxitur respekt e dinjitet për të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë.7

A nuk ishte pikërisht kjo gjendja që përjetoi populli i Nefit për pothuaj dy shekuj pasi Krishti u dha shërbesë atyre?

“Dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë. …

Nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë.

Dhe sa të bekuar ishin ata!”8

Presidenti Nelson e theksoi më tej rëndësinë e përhapjes së dinjitetit dhe respektit për bashkëqeniet tona kur tha: “Krijuesi i të gjithëve ne i bën thirrje secilit prej nesh që t’i braktisë qëndrimet e paragjykimit ndaj çdo grupi të fëmijëve të Perëndisë. Cilido prej nesh që ka paragjykime kundrejt një race tjetër, ka nevojë të pendohet! … I takon secilit prej nesh që të bëjë çfarëdo që mundet në fushat e veta të ndikimit, për ta ruajtur dinjitetin dhe respektin që meriton çdo bir dhe bijë e Perëndisë.”9 Në realitet, dinjiteti njerëzor nënkupton respekt për ndryshimet tona.10

Duke marrë parasysh lidhjen e shenjtë që na bashkon me Perëndinë si fëmijët e Tij, ky drejtim profetik i dhënë nga Presidenti Nelson është padyshim një hap themelor drejt ndërtimit të urave të mirëkuptimit në vend të krijimit të mureve të paragjykimit dhe veçimit mes nesh.11 Megjithatë, siç i paralajmëroi Pali efesianët, ne duhet ta pranojmë se për të arritur këtë qëllim, do të na duhet të bëjmë një përpjekje individuale dhe kolektive për të vepruar me përulësi, zemërbutësi dhe durim ndaj njëri‑tjetrit.12

Ekziston një rrëfim për një rabin jude që po shijonte lindjen e diellit me dy miq. Ai i pyeti ata: “Si e dini kur mbaron nata dhe kur fillon një ditë e re?”

Njëri prej tyre u përgjigj: “Kur mund të shikosh nga lindja dhe mund të dallosh një dele nga një dhi”.

Më pas tjetri u përgjigj: “Kur mund të shikosh në horizont dhe të dallosh një pemë ulliri nga një pemë fiku”.

Pastaj ata iu drejtuan rabinit të urtë dhe i bënë të njëjtën pyetje. Pasi u mendua gjatë, ai u përgjigj: “Kur mund të shikosh nga lindja dhe të shohësh fytyrën e një gruaje apo fytyrën e një burri e të mund të thuash: ‘Ajo është motra ime; ai është vëllai im’”13.

Miqtë e mi të dashur, mund t’ju siguroj se drita e një dite të re shkëlqen më fort në jetën tonë kur i shohim dhe i trajtojmë bashkëqeniet tona me respekt e dinjitet dhe si vëllezër e motra të vërteta në Krisht.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi qe shembull në mënyrë të përsosur për këtë parim ndërsa Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë”14 ndaj të gjithë njerëzve, duke i ftuar ata të vinin tek Ai dhe të merrnin nga mirësia e Tij, pavarësisht nga origjina, klasa shoqërore ose karakteristikat e tyre kulturore. Ai dha shërbesë, shëroi dhe ishte përherë i vëmendshëm ndaj nevojave të gjithsecilit, veçanërisht të atyre që në atë kohë konsideroheshin të ndryshëm, të përçmuar ose të përjashtuar. Ai nuk mohoi asnjë, por i trajtoi ata me drejtësi e dashuri, sepse Ai i pa ata si vëllezërit dhe motrat e Tij, bijtë dhe bijat e të njëjtit Atë.15

Një nga rastet më të mrekullueshme kur kjo ndodhi, ishte kur Shpëtimtari udhëtoi për në Galile, duke marrë qëllimisht rrugën që kalonte përmes Samarisë.16 Më pas Jezusi vendosi të ulej pranë pusit të Jakobit për t’u çlodhur. Ndërsa ishte atje, një grua samaritane u afrua për të mbushur me ujë shtambën e saj. Në gjithëdijeninë e Tij, Jezusi iu drejtua asaj, duke i thënë: “Më jep të pi”17.

Kjo grua u habit që një jude i kishte kërkuar ndihmë një gruaje samaritane dhe e shprehu çudinë e saj, duke thënë: “‘Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?’ (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).”18

Por Jezusi, duke i braktisur traditat e ruajtura prej kohësh të armiqësisë mes samaritanëve dhe judenjve, i dha shërbesë me dashuri kësaj gruaje, duke e ndihmuar të kuptonte se kush ishte Ai me të vërtetë, domethënë Mesia, i cili do të kumtonte çdo gjë dhe ardhjen e të cilit ajo po e priste.19 Ndikimi i asaj shërbese të dhembshur bëri që gruaja të vraponte në qytet për t’u njoftuar njerëzve atë që kishte ndodhur, duke thënë: “Vallë mos është ky Krishti?”20

Kam dhembshuri të thellë për ata njerëz që janë keqtrajtuar, përçmuar ose përndjekur nga njerëz të pandjeshëm e të pamend, sepse, gjatë jetës sime, kam parë nga afër dhembjen që njerëzit e mirë vuajnë ngaqë i gjykojnë ose i mbajnë larg sepse ndodh që flasin, duken ose jetojnë ndryshe. Ndiej gjithashtu një pikëllim të çiltër në zemër për ata njerëz mendjet e të cilëve mbeten në errësirë, largpamësia e të cilëve është e kufizuar dhe zemrat e të cilëve mbeten të ngurtësuara nga bindja për inferioritetin e atyre që janë të ndryshëm nga ata. Pikëpamja e tyre e kufizuar për të tjerët në fakt e pengon aftësinë e tyre për të parë se kush janë ata si fëmijë të Perëndisë.

Siç është parathënë nga profetët, ne po jetojmë në ditët e rrezikshme që çojnë drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.21 Bota në përgjithësi është e polarizuar nga përçarje të thella, të theksuara nga qëndrime racore, politike dhe shoqëroro-ekonomike. Përçarje të tilla ndonjëherë përfundojnë duke ndikuar në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të njerëzve në lidhje me bashkëqeniet e tyre. Për këtë arsye, nuk është e pazakontë të shohësh njerëz që e përshkruajnë si inferiore mënyrën e të menduarit, të vepruarit dhe të të folurit të kulturave, racave dhe etnive të tjera, duke përdorur ide të paramenduara, të gabuara dhe shpesh sarkastike, duke prodhuar qëndrime të përbuzjes, mospërfilljes, mosrespektimit, madje edhe paragjykimit kundrejt tyre. Qëndrime të tilla i kanë rrënjët te krenaria, arroganca, zilia dhe xhelozia, karakteristika të një natyre mishtore22, të cilat janë krejtësisht në kundërshtim me cilësitë si të Krishtit. Kjo sjellje është e papërshtatshme për ata që po orvaten të bëhen dishepujt të Tij të vërtetë.23 Në fakt, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nuk ka vend për mendime apo veprime paragjykuese në komunitetin e shenjtorëve.

Si bij dhe bija të besëlidhjes, ne mund të ndihmojmë për ta eliminuar këtë lloj sjelljeje duke i parë ndryshimet në pamje që ekzistojnë mes nesh, me sytë e Shpëtimtarit24 dhe duke u bazuar tek ajo që kemi të përbashkët – identiteti dhe lidhja jonë familjare hyjnore. Për më tepër, ne mund të orvatemi për ta parë veten të pasqyruar në ëndrrat, shpresat, pikëllimet dhe dhembjet e të afërmit tonë. Si fëmijë të Perëndisë të gjithë ne jemi bashkudhëtarë, të barabartë në gjendjen tonë të papërsosur dhe në aftësinë tonë për t’u rritur. Ne ftohemi të ecim së bashku, paqësisht, me zemrat tona të mbushura me dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit – apo, siç e vuri në dukje Abraham Linkolni, “duke mos pasur keqdashje për askënd dhe me dashuri hyjnore për të gjithë”25.

A keni përsiatur ndonjëherë se si dëftohet parimi i respektit për dinjitetin njerëzor dhe barazinë nëpërmjet mënyrës së thjeshtë se si vishemi në shtëpinë e Zotit? Të gjithë ne vijmë në tempull të bashkuar në një qëllim dhe të mbushur me dëshirën për të qenë të dëlirë dhe të shenjtë në praninë e Tij të shenjtë. Të veshur me të bardha, të gjithë ne pranohemi nga Vetë Zoti si fëmijët e Tij të dashur, burra dhe gra të Perëndisë, pasardhës të Krishtit.26 Ne jemi të privilegjuar të kryejmë të njëjtat ordinanca, të bëjmë të njëjtat besëlidhje, të zotohemi për të jetuar një jetë më të lartë e më të shenjtë dhe të marrim të njëjtat premtime të përjetshme. Të bashkuar në qëllim, ne e shohim njëri‑tjetrin me një sy tjetër dhe, në unitetin tonë, ne kremtojmë ndryshimet tona si fëmijë hyjnorë të Perëndisë.

Kohët e fundit ndihmova për të udhëhequr personalitete dhe zyrtarë qeveritarë në shtëpinë e hapur për Tempullin e Brazilias në Brazil. Ndalova në zonën e ndërrimit të veshjeve me zëvendëspresidentin e Brazilit dhe diskutuam për veshjet e bardha që veshin të gjithë njerëzit brenda tempullit. I shpjegova atij se ky përdorim i përbotshëm i veshjes së bardhë simbolizon që ne jemi të gjithë njësoj para Perëndisë dhe se në tempull identitetet tona nuk ishin zëvendëspresident i një vendi apo një udhëheqës kishe, por identiteti ynë i përjetshëm si bij të një Ati të dashur Qiellor.

Pamja
Ujëvarat Iguazú.

Lumi Iguazú rrjedh përmes Brazilit jugor dhe derdhet në një pllajë që formon një sistem ujëvarash të njohura në mbarë botën si Ujëvarat Iguazú, një nga krijimet më të bukura dhe mbresëlënëse të Perëndisë në tokë, i cili konsiderohet si një nga shtatë mrekullitë e botës. Një vëllim kolosal uji derdhet në një lumë të vetëm dhe më pas ndahet, duke formuar qindra ujëvara të pashembullta. Duke folur në mënyrë metaforike, ky sistem fenomenal ujëvarash është një pasqyrim i familjes së Perëndisë në tokë, pasi ne ndajmë të njëjtën origjinë dhe thelb shpirtëror, që rrjedhin nga trashëgimia dhe lidhja jonë familjare hyjnore. Megjithatë, secili prej nesh rrjedh në kultura, etni dhe kombësi të ndryshme, me mendime, përvoja dhe ndjenja të ndryshme. Pavarësisht nga kjo, ne shkojmë përpara si fëmijë të Perëndisë dhe si vëllezër e motra në Krisht, pa e humbur lidhjen tonë hyjnore, e cila na bën një popull unik dhe një komunitet të dashur.27

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, i përputhshim zemrat dhe mendjet tona me njohurinë dhe dëshminë se ne jemi të gjithë të barabartë përpara Perëndisë, se të gjithë jemi plotësisht të pajisur me të njëjtin potencial dhe trashëgimi të përjetshme! E gëzofshim më shumë lidhjen familjare shpirtërore që ekziston mes nesh, dhe i vlerësofshim cilësitë e ndryshme dhe dhuntitë e larmishme që kemi të gjithë ne! Nëse e bëjmë këtë, ju premtoj se do të rrjedhim në vetë drejtimin tonë, ashtu si uji i Ujëvarës Iguazú, pa e humbur lidhjen tonë hyjnore që na identifikon si një popull i veçantë, “fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë të Perëndisë”28.

Ju dëshmoj se ndërsa vazhdojmë të rrjedhim në këtë drejtim gjatë jetës sonë në vdekshmëri, një ditë e re do të fillojë me një dritë të re që do ta ndriçojë jetën tonë dhe do t’u japë shkëlqim mundësive të mrekullueshme për të vlerësuar më tepër larminë e krijuar nga Perëndia mes fëmijëve të Tij dhe për t’u bekuar më plotësisht prej saj.29 Ne me siguri do të bëhemi mjete në duart e Tij për të nxitur respekt dhe dinjitet mes gjithë bijve dhe bijave të Tij. Perëndia jeton. Jezusi është Shpëtimtari i botës. Presidenti Nelson është profeti i Perëndisë në kohën tonë. Unë jap dëshmi për këto të vërteta, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.