Konferenca e Përgjithshme
Zot, Donim të Shihnim Jezusin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Zot, Donim të Shihnim Jezusin

Ne duam ta shohim Jezusin për atë që Ai është dhe të ndiejmë dashurinë e Tij.

Paaftësia e Mosnjohjes së Fytyrave

Një ditë në pranverën e vitit 1945, një i ri u zgjua në një spital ushtarak. Ai ishte me fat që qe gjallë; atë e kishin qëlluar me armë pikërisht pas veshit, por mjekët e kishin operuar dhe tani mund të ecte dhe të fliste normalisht.

Tragjikisht, plumbi ia kishte dëmtuar pjesën e trurit që i njihte fytyrat. Tani ai e vështronte bashkëshorten e tij pa e njohur aspak; nuk mundi të njihte as nënën e vet. Edhe fytyra në pasqyrë ishte e huaj për të; nuk mund ta dallonte nëse ishte e një burri apo e një gruaje.1

Ai nuk i njihte më fytyrat – një gjendje që prek miliona njerëz.2

Njerëzit që preken rëndë nga paaftësia e mosnjohjes së fytyrave, përpiqen t’i identifikojnë të tjerët duke mësuar përmendsh rregulla – një rregull për të njohur të bijën nga struktura e qukave ose një mik nga tërheqja zvarrë e këmbëve.

Gjatë Rritjes

Ja tek është një histori e dytë, një histori e familjes sonë: Kur isha djalë i vogël, shpesh e konsideroja nënën time si ligjvënëse. Ajo vendoste se kur mund të luaja dhe se kur duhej të bija në shtrat, ose, më keq, se kur të shkulja barërat e këqija në kopsht.

Dukej qartë që më donte. Por shumë shpesh dhe për turpin tim, atë e konsideroja vetëm si “Ajo së Cilës Duhet t’i Bindesh”.

Vetëm disa vjet më vonë arrita ta shihja nënën si një person real. Më vjen rëndë që asnjëherë nuk e vura re vërtet sakrificën e saj ose që nuk e kam pyetur veten se përse për vite me radhë ajo vishte po ato dy palë funde të vjetra (kurse mua më blinte rroba të reja për në shkollë) ose përse, në fund të ditës, ishte aq e lodhur dhe mezi priste që unë të shkoja në shtrat herët.

Ne Mund të Kemi Paaftësinë e Mosnjohjes së Fytyrave

Ndoshta e keni vënë re se këto dy histori në realitet janë një histori. Për shumë vjet, në fakt, unë nuk isha i aftë t’i njihja fytyrat. Nuk arrita ta shihja nënën time si një person real. I kuptoja rregullat e saj, por nuk shihja brenda tyre dashurinë e saj.

Jua tregoj këto dy histori për të dalë në një pikë: Besoj se e njihni dikë (ndoshta ju jeni ai person) që vuan nga një lloj mosnjohjeje shpirtërore e fytyrave.

Mund ta keni të vështirë që ta shihni Perëndinë si një Atë të dashur. Mund t’i çoni sytë drejt qiellit dhe të shihni jo fytyrën e dashurisë dhe të mëshirës, por një dendësi rregullash nëpër të cilën duhet të ecni plot kujdes. Ndoshta ju besoni se Perëndia sundon në qiejt e Tij, se Ai flet nëpërmjet profetëve të Tij dhe e do motrën tuaj, por fshehtas pyesni veten se a ju do ju.3 Ndoshta ju e keni ndier shufrën e hekurit në dorën tuaj, por nuk e keni ndier ende dashurinë e Shpëtimtarit tuaj tek e cila ju çon ajo.4

Besoj se njihni njerëz të tillë sepse për një kohë të gjatë, unë isha i tillë, kisha mosnjohje shpirtërore të fytyrave.

Mendoja se jeta ime kishte të bënte me ndjekjen e rregullave dhe arritjen e standardeve abstrakte. E dija se Perëndia ju donte ju në mënyrë të përkryer, por nuk e ndieja atë vetë. Druaj se mendoja më shumë se si të shkoja në parajsë sesa të isha me Atin tim Qiellor.

Nëse ju, sikurse unë, nganjëherë thjesht mund të lëvizim buzët, por jo ta “këndo[jmë] këngën e dashurisë shëlbuese”5, çfarë mund të bëjmë?

Përgjigjja, siç na e kujton Presidenti Rasëll M. Nelson, është gjithmonë Jezusi.6 Dhe ky është një lajm shumë i mirë.

Zot, Donim të Shihnim Jezusin

Është një varg i shkurtër te Gjoni që më pëlqen shumë. Ai flet për një grup të ardhurish që çanë rrugën për te një dishepull me një kërkesë të rëndësishme. “Zot”, thanë ata, “duam të shohim Jezusin.”7

Kjo është ajo që e duam ne të gjithë – ne duam ta shohim Jezusin për atë që Ai është dhe të ndiejmë dashurinë e Tij. Kjo duhet të jetë arsyeja për pjesën më të madhe të asaj që bëjmë në Kishë dhe sigurisht për secilën mbledhje sakramenti. Nëse e pyetni veten ndonjëherë se çfarë mësimi të jepni, çfarë lloj mbledhjeje të planifikoni dhe nëse thjesht të hiqni dorë apo jo nga planifikimi i një aktiviteti shpirtëror për dhjakët apo të luani me ta futboll, mund ta merrni këtë pyetje si udhërrëfyesin tuaj: A do t’i ndihmojë kjo njerëzit ta shohin e ta duan Jezu Krishtin? Nëse jo, ndoshta provoni diçka tjetër.

Kur e kuptova se kisha mosnjohje shpirtërore të fytyrave, se i shihja rregullat, por jo fytyrën e mëshirës së Atit, unë e dija se nuk ishte faji i Kishës. Nuk ishte faji i Perëndisë dhe kjo nuk nënkuptonte se gjithçka kishte humbur; kjo është diçka që ne të gjithëve na duhet ta mësojmë. Edhe dëshmitarët e hershëm të Ringjalljes shpesh u ndeshën ballë për ballë me Zotin e ringjallur, por nuk e njohën Atë; që nga Varri në Kopsht e deri në brigjet e Galilesë, ndjekësit e Tij të parë e “pa[në] Jezusin, që qëndronte në këmbë; por [ata] nuk e din[in] se ishte Jezusi”8. Ata duhej të mësonin se si ta njihnin Atë, dhe po ashtu duhet ta mësojmë edhe ne.9

Dashuria Hyjnore

Kur e kuptova që kisha mosnjohje shpirtërore të fytyrave, fillova të ndiqja këshillën e Mormonit që të lutesha “me gjithë fuqinë e zemrës” për t’u mbushur me dashurinë e premtuar dishepujve të Tij – me dashurinë time për Të dhe me dashurinë e Tij për mua – dhe, për ta “[parë] atë ashtu sikurse është; … [dhe] të k[isha] këtë shpresë”10. U luta për vite që të isha në gjendje të zbatoja urdhërimin e parë të madh për ta dashur Perëndinë dhe për të ndier atë “[të] vërtet[ë] [të] parë [të] madhe … se Perëndia na do ne … me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij11.

Ungjijtë

Gjithashtu i lexova dhe i rilexova dhe i rilexova katër Ungjijtë – këtë herë jo duke lexuar që të nxjerr rregulla, por për të parë se cili është Ai dhe se për çfarë ka dashuri Ai. Dhe, me kalimin e kohës, u rrëmbeva nga lumi i dashurisë që buronte prej Tij.

Jezusi lajmëroi që në fillim se Ai kishte ardhur “për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve”12.

Kjo nuk ishte thjesht një listë me gjëra për t’i bërë ose për famë të mirë; ajo është forma e dashurisë së Tij.

Hapini Ungjijtë në mënyrë rastësore. Në pothuajse çdo faqe e shohim Atë duke u kujdesur për njerëzit që vuajnë shoqërisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Ai i prek njerëzit që konsiderohen të ndotur e të papastër13 dhe ushqen të uriturit14.

Cila është historia juaj e parapëlqyer e Jezusit? Mendoj se ajo që tregon Birin e Perëndisë duke u zgjatur që të përqafojë ose t’i japë shpresë dikujt që rri mënjanë – lebrosit15, samaritanit të urryer16, mëkatarit të kapur duke shkelur17 ose armikut të kombit18. Ai lloj hiri është i mrekullueshëm.

Përpiquni që të mbani shënim sa herë që Ai përgëzon, shëron ose ha me një të huaj dhe juve do t’ju shterojë boja e shkrimit përpara se të mbaroni librin e Llukës.

Teksa e pashë këtë, zemra më hovi fort nga mirënjohja e thellë dhe fillova të ndieja se Ai mund të më donte. Siç dha mësim Presidenti Nelson: “Sa më shumë që mësoni rreth Shpëtimtarit, aq më e lehtë do të jetë që të mirëbesoni në mëshirën e Tij, në dashurinë e Tij të pafundme”19. Dhe aq më shumë do ta mirëbesoni dhe do ta doni Atin tuaj Qiellor.

Plaku Xhefri R. Holland na ka mësuar se Jezusi erdhi të na tregonte “se cili është Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, dhe se si është Ai, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë dhe komb”20.

Pali thotë se Perëndia është “Ati i të [gjithë] mëshir[a]ve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi”21.

Nëse e shihni ndryshe Atë, ju lutemi, vazhdoni të përpiqeni.

Besëlidhjet dhe Përqafimi i Perëndisë

Profetët na ftojnë të kërkojmë fytyrën e Tij.22 Këtë e konsideroj si kujtues që ne adhurojmë Atin tonë, jo një formulë, dhe që ne nuk e kemi mbaruar detyrën derisa ta shohim Jezusin si fytyrën e dashurisë së Atit tonë23 dhe ta ndjekim Atë, jo thjesht rregullat e Tij24.

Kur profetët dhe apostujt flasin për besëlidhjet, ata nuk janë si trajnerë që bërtasin ulur në rehati nga stoli, duke na thënë “përpiquni më shumë!” Ata duan që ne të shohim se besëlidhjet tona kanë të bëjnë në mënyrë thelbësore me marrëdhëniet25 dhe mund të jenë një kurë për mosnjohjen shpirtërore të fytyrave26. Ato nuk janë rregulla për ta fituar dashurinë e Tij; Ai tashmë ju do në mënyrë të përsosur. Sfida jonë është ta kuptojmë atë dashuri dhe t’i japim formë jetës sipas asaj dashurie.27

Ne përpiqemi të shohim nëpërmjet besëlidhjeve tona, sikur të ishte përmes një dritareje, fytyrën e mëshirës së Atit që ndodhet pas saj.

Besëlidhjet janë forma e përqafimit të Perëndisë.

Lumi i Dashurisë së Perëndisë

Së fundi, ne mund të mësojmë ta shohim Atë duke i shërbyer Atij. “Pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer?”28

Disa vjet më parë, mora një thirrje për të cilën nuk ndihesha në nivelin e duhur. U zgjova herët, nervoz, por me një frazë në mendje që nuk e kisha dëgjuar më parë: se të shërbesh në këtë Kishë do të thotë të qëndrosh brenda në lumin e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Kjo Kishë është një grup pune njerëzit me kazma e lopata duke u përpjekur të ndihmojnë për të pastruar kanalin, që lumi i dashurisë së Perëndisë të arrijë te fëmijët e Tij deri në fund të rrjedhës.

Cilëtdo qofshi, cilado qoftë e shkuara juaj, ka vend për ju në këtë Kishë.29

Rrëmbeni një kazmë e një lopatë dhe bashkohuni me skuadrën. Ndihmoni ta përçoni dashurinë e Tij te fëmijët e Tij dhe një pjesë e saj do të spërkatet mbi ju.30

Le të kërkojmë fytyrën e Tij të dashur, përqafimin e Tij besëlidhës dhe më pas të bashkohemi krah për krah me fëmijët e Tij dhe së bashku të këndojmë himnin “Shëlbues i Izraelit”:

T’fytyrës Tënde drit’,

Shpëtimtar, më kthe;

Ngush’llim që shpirtin g’zon, më jep;

E ëmbël dëshir’

Për vendin Tënd të shenjt’,

Zemrës s’vetmuar i sjellt’ shpres’.31

Kërkofshim fytyrën e Tij të dashur dhe më pas qofshim enët e mëshirës së Tij ndaj fëmijëve të Tij!32 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Hadyn D. Ellis and Melanie Florence, “Bodamer’s (1947) Paper on Prosopagnosia”, Cognitive Neuropsychology, vëll. 7, nr. 2 (1990), f. 84–91; Joshua Davis, “Face Blind”, Wired, 1 nëntor 2006, wired.com.

  2. Shihni te Dennis Nealon, “How Common Is Face Blindness?”, Harvard Medical School, 24 shkurt 2023, hms.harvard.edu; Oliver Sacks, “Face-Blind”, New Yorker, 23 gusht 2010, newyorker.com.

  3. “Disa anëtarë të Kishës i pranojnë si të vërteta doktrinën, parimet dhe dëshmitë e shpallura në mënyrë të përsëritur nga kjo foltore në Qendrën e Konferencave dhe në bashkësitë vendore anekënd botës dhe prapëseprapë mund të hasin vështirësi të besojnë se këto të vërteta të përjetshme gjejnë zbatim veçanërisht në jetën e tyre dhe ndaj rrethanave të tyre” (Dejvid A. Bednar, “Ti do të Qëndrosh në Mua dhe Unë në Ty; Prandaj Ec me Mua”, Liahona, maj 2023, f. 125).

  4. Shihni te 1 Nefi 8:19; 15:23. “Është e vështirë t’i zbatosh urdhërimet e Zotit pa besim dhe mirëbesim tek Ai” (Henri B. Ajring, “Besimi për të Pyetur dhe Pastaj për të Vepruar”, Liahona, nëntor 2021, f. 75).

  5. Alma 5:26.

  6. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 127–128.

  7. Gjoni 12:21.

  8. Gjoni 20:14. Ata e panë, por nuk e njohën Atë rrugës për në Emaus (shihni te Lluka 24:16), në një dhomë të kyçur (shihni te Lluka 24:37), në brigjet e detit të Galilesë (shihni te Gjoni 21:4) dhe te Varri në Kopsht (shihni te Gjoni 20:14).

  9. Nëse e kërkojmë Atë me gjithë zemër dhe vazhdojmë me besim, do ta gjejmë Atë.

    “‘Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju’, thotë Zoti, ‘mendime paqeje dhe jo të së keqes’. …

    ‘Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj’” (Jeremia 29:11, 13).

    “Dita do të vijë kur ju do ta kuptoni edhe Perëndinë, duke marrë jetë në të dhe prej tij.

    Atëherë do ta dini se më keni parë mua, se unë jam” (Doktrina e Besëlidhje 88:49–50).

    “Çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia, do ta shohë fytyrën time dhe do të dijë se unë jam” (Doktrina e Besëlidhje 93:1).

  10. Moroni 7:48. Pali gjithashtu e lidh dashurinë hyjnore me aftësinë tonë për të parë qartë. Në përfundim të predikimit të tij të madh mbi dashurinë hyjnore, ai shkruan se ndonëse tani “ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët”, më vonë ne do të shohim “faqe për faqe; … atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem” (1 Korintasve 13:12).

  11. Xhefri R. Holland, “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 127. “Përkufizimi më i madh i ‘dashuri[së së] pastër [të] Krishtit’ … nuk është ajo që ne si të krishterë përpiqemi, por gjerësisht nuk ia dalim mbanë që ta tregojmë kundrejt të tjerëve, por përkundrazi ajo që Krishti ia doli mbanë tërësisht që ta tregonte kundrejt nesh. Dashuria e vërtetë hyjnore është njohur vetëm një herë. Ajo shfaqet përsosmërisht dhe tërësisht në dashurinë e pandryshueshme, themelore dhe shlyese të Krishtit për ne” (Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 336).

  12. Lluka 4:18, Botimi i Mbretit Xhejms, Varianti i Ri.

  13. Shihni te Mateu 8:3; 9:25.

  14. Shihni te Mateu 14:13–21.

  15. Shihni te Mateu 8:1–3.

  16. Shihni te Gjoni 4:7–10; Ai lavdëroi samaritanin (shihni te Lluka 10:25–37).

  17. Shihni te Mateu 21:31; Lluka 7:27–50; 15:1–10; Gjoni 8:2–12.

  18. Shihni te Mateu 8:5–13.

  19. Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103.

  20. Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 70. “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9).

  21. 2 Korintasve 1:3.

  22. Shihni te Psalmeve 27:8; Doktrina e Besëlidhje 88:68.

  23. Shihni te 2 Korintasve 4:6; Pope Francis, “Misericordiae Vultus: Bull of Indiction of the Extraordinary Jubilee of Mercy”, Apostolic Letters, vatican.va.

  24. Kjo është një temë e rëndësishme. Nuk është vetëm puna e shpëtimit dhe ekzaltimit, por puna e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Unë nuk shkoj thjesht në tempull, por në shtëpinë e Zotit; nuk është Kisha Mormone, por Kisha e Jezu Krishtit (shihni te Rasëll M. Nelson “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87–89). Udhëheqësit tanë na drejtojnë tek Ai dhe madje na kujtojnë se nuk “ka asnjë qenie amorfe që quhet ‘Shlyerje’ tek e cila ne mund të thërrasim për ndihmë, shërim, falje apo fuqi. Jezu Krishti është burimi” (Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40).

  25. “Shtegu i besëlidhjeve është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë”; ai është një “shteg dashurie … të atij interesimi dhe asaj ndihmese të dhembshur për njëri‑tjetrin” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 11).

    Shihni te David A. Bednar, “The Blessed and Happy State” (fjalim i mbajtur në seminarin për presidentët e rinj të misioneve, 24 qershor 2022); Scott Taylor, “Elder Bednar Shares 7 Lessons on ‘the Blessed and Happy State’ of Obedience”, Church News, 27 qershor 2022, thechurchnews.com.

    “Hyrja në besëlidhjet e shenjta dhe marrja me denjësi e ordinancave të priftërisë na vë në zgjedhë dhe na lidh me Zotin Jezu Krisht dhe Atin Qiellor. Kjo nënkupton thjesht se ne i mirëbesojmë Shpëtimtarit, si Avokati dhe Ndërmjetësi ynë dhe mbështetemi te meritat, mëshira dhe hiri i Tij gjatë rrugëtimit të jetës. …

    Të jetuarit e zotimeve të besëlidhjeve dhe dashuria ndaj tyre krijon një lidhje me Zotin që është thellësisht vetjake dhe e fuqishme shpirtërisht. … Jezusi më pas bëhet shumë më tepër sesa personazhi qendror në historitë e shkrimeve të shenjta; shembulli dhe mësimet e Tij ndikojnë te çdo dëshirë, mendim dhe veprim i yni” (Dejvid A. Bednar, “Por Ne Nuk ua Vumë Veshin”, Liahona, maj 2022, f. 15).

    Shihni te D. Tod Kristoferson, “Marrëdhënia Jonë me Perëndinë”, Liahona, maj 2022, f. 78–80.

  26. “Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish;

    Sepse pa këtë, askush nuk mund të shohë fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetojë” (Doktrina e Besëlidhje 84:21–22).

  27. Patrisha Holland, “Një e Ardhme e Mbushur me Shpresë” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2023), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]:

    “Nuk keni pse të rendni në ndjekje të [shpresës se Ai do t’ju ndihmojë]; nuk keni pse dhe nuk mund ta prodhoni dot atë. Ashtu si shumë gjëra në mbretërimin e hirit, ju nuk do ta merrni atë duke u mbështetur te forca juaj vetjake ose tek ajo e dikujt tjetër. Nuk ekziston asnjë formulë e fshehtë apo ndonjë shprehje magjike për këtë. …

    Në fakt, pjesa që luajmë ne, është e rëndësishme, por praktikisht shumë e vogël; Perëndia e ka pjesën më të madhe të detyrës. Pjesa jonë është të vijmë tek Ai me përulësi dhe thjeshtësi, më pas nuk duhet të shqetësohemi dhe as të mos kemi frikë.”

  28. Mosia 5:13; shihni te Gjoni 17:3.

  29. Presidenti Nelson na ka bërë vazhdimisht thirrjen ta “zgjerojmë rrethin tonë të dashurisë për të përfshirë të gjithë familjen njerëzore” (“Blessed Are the Peacemakers”, Liahona, nëntor 2002, f. 41). Në maj 2022 ai u tha të rinjve në moshë madhore se “etiketimet mund të çojnë në gjykim dhe armiqësi. Çfarëdo keqtrajtimi ose paragjykimi ndaj dikujt tjetër për shkak të kombësisë, racës, orientimit seksual, gjinisë, shkallëve të arsimimit, kulturës ose përcaktuesve të tjerë domethënës, është fyes për Krijuesin tonë” (“Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 15 maj 2022], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Dhe plot rëndësi, ai tha: “Brengosem që vëllezërit dhe motrat tona me ngjyrë në të gjithë botën po durojnë dhembjet e racizmit dhe të paragjykimit. Sot u bëj thirrje anëtarëve tanë kudo, që të prijnë udhën në braktisjen e qëndrimeve dhe veprimeve paragjykuese. Ju lutem që të nxitni respekt për të gjithë fëmijët e Perëndisë” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 94).

    “Paragjykimi nuk është në përputhje me fjalën e zbuluar nga Perëndia. Miratimi ose mosmiratimi nga Perëndia varet nga përkushtimi ndaj Tij dhe urdhërimeve të Tij, jo nga ngjyra e lëkurës apo cilësi të tjera të një personi.

    … Kjo përfshin paragjykimin bazuar te raca, etnia, kombësia, fisi, gjinia, mosha, aftësia e kufizuar, gjendja shoqëroro-ekonomike, besimi ose mosbesimi fetar dhe orientimi seksual” (Manuali i Përgjithshëm, 38.6.14, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  30. Shihni te 1 Nefi 11:25.

  31. Shëlbues i Izraelit”, Himne, nr. 6.

  32. Shihni te Romakëve 9:23.