Konferenca e Përgjithshme
Fuqia Shëruese e Shpëtimtarit në Ishujt e Detit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Fuqia Shëruese e Shpëtimtarit në Ishujt e Detit

Nëpërmjet bekimeve të tempullit, Shpëtimtari shëron individët, familjet dhe kombet.

Në vitet 1960, babai im dha mësim në Kolegjin e Kishës të Havait në Laie, ku unë u linda. Shtatë motrat e mia më të mëdha ngulën këmbë që prindërit të ma vinin emrin “Kimo”, një emër havaian. Ne jetuam afër Tempullit të Laies në Havai, kur ai tempull i shërbente pjesës më të madhe të anëtarësisë së Kishës në Zonën e Azisë dhe Paqësorit, përfshirë Japoninë.1 Në këtë kohë, grupe shenjtorësh japonezë filluan të vinin në Havai për të marrë bekimet e tempullit.

Njëra nga këta anëtarë ishte një motër nga ishulli i bukur i Okinavës. Historia e udhëtimit të saj për në Tempullin e Havait është mbresëlënëse. Dy dekada më parë, atë e martuan në një dasmë tradicionale të organizuar budiste. Vetëm disa muaj më vonë, Japonia sulmoi Përl Harborin [Portin e Perlave] në Havai, duke i futur Shtetet e Bashkuara në konflikt me Japoninë. Në vazhdën e betejave të mëdha si ajo e Midueit dhe e Iuo Xhimës, baticat e luftës i shtynë forcat japoneze sërish në brigjet e vetë ishullit, në Okinavë, vija e fundit e mbrojtjes që qëndronte kundër forcave aleate përpara tokave në zemër të Japonisë.

Gjatë tre muajve të mundimshëm në vitin 1945, beteja e Okinavës vazhdoi me furi. Një flotë me 1 300 luftanije amerikane e rrethoi dhe e bombardoi ishullin. Dëmet ushtarake dhe civile ishin masive. Sot një përmendore solemne në Okinavë rendit më shumë se 240 000 emra njerëzish që dihet se vdiqën në atë betejë.2

Në një përpjekje të dëshpëruar për t’iu larguar sulmeve të egra, kjo grua nga Okinava, bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët e tyre të vegjël kërkuan strehim në një shpellë mali. Ata duruan mjerim të pashpjegueshëm gjatë javëve e muajve pasues.

Në një natë të dëshpëruar në mes të betejës, me familjen e saj pranë vdekjes nga uria dhe me bashkëshortin e saj pa ndjenja, ajo mendoi t’u jepte fund vuajtjeve me një granatë dore, të cilën autoritetet ia kishin dhënë asaj dhe të tjerëve për atë qëllim. Sidoqoftë, teksa përgatitej për të bërë kështu, një përvojë e thellë shpirtërore iu zbulua asaj, gjë që i dha një ndjesi konkrete të realitetit të Perëndisë dhe dashurisë së Tij ndaj saj, e cila i dha forcë për të vazhduar më tej. Në ditët në vijim, ajo ia përmirësoi shëndetin bashkëshortit të saj dhe e ushqeu familjen e vet me barishte, mjaltë nga një zgjua i egër bletësh dhe krijesa që i kapte pranë rrjedhave ujore në afërsi. Në mënyrë mbresëlënëse, ata duruan gjashtë muaj në shpellë, derisa fshatarët vendës i njoftuan se beteja kishte përfunduar.

Kur familja u kthye në shtëpi dhe filloi të rindërtonte jetën, kjo grua japoneze filloi të kërkonte përgjigje rreth Perëndisë. Asaj gradualisht i lindi një besim te Jezu Krishti dhe nevoja për t’u pagëzuar. Sidoqoftë, ajo ishte e shqetësuar për njerëzit e saj të dashur që kishin vdekur pa një njohuri për Jezu Krishtin dhe pagëzimin, duke përfshirë nënën e vet, e cila vdiq gjatë lindjes së saj.

Përfytyrojeni gëzimin e saj kur dy motra misionare nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i erdhën në shtëpi një ditë dhe i mësuan se njerëzit mund të mësojnë rreth Jezu Krishtit në botën e shpirtrave. Ajo u magjeps nga mësimet se prindërit e saj mund të zgjidhnin ta ndiqnin Jezu Krishtin pas vdekjes dhe ta pranonin pagëzimin e kryer në emër të tyre në vende të shenjta të quajtura tempuj. Ajo dhe familja e saj u kthyen në besimin te Shpëtimtari dhe u pagëzuan.

Familja e saj punoi fort dhe filloi të begatohej, duke sjellë në jetë edhe tre fëmijë të tjerë. Ata qenë besnikë dhe aktivë në Kishë. Pastaj, papritur, bashkëshorti i saj pësoi një goditje në tru dhe ndërroi jetë, çka e detyroi atë të punonte me orare të zgjatura në punë të shumëfishta për shumë vjet, që të siguronte të ardhura për pesë fëmijët e saj.

Disa njerëz nga familja dhe lagjja e saj e banimit e kritikuan atë. Ata e fajësuan atë se telashet i kishin ardhur prej vendimit të saj për t’iu bashkuar kishës së krishterë. E papenguar nga tragjedia e thellë dhe kritika e ashpër, ajo u mbajt fort në besimin e saj te Jezu Krishti, e vendosur për të shkuar përpara, duke mirëbesuar se Perëndia e njihte dhe se kishte ditë më të ndritura përpara.3

Disa vjet pas vdekjes së parakohshme të bashkëshortit të saj, presidenti i misionit të Japonisë u ndje i frymëzuar që t’i nxiste anëtarët japonezë të punonin për frekuentimin e tempullit. Presidenti i misionit ishte një veteran amerikan i betejës së Okinavës, betejës prej së cilës kjo motër nga Okinava dhe familja e saj kishte vuajtur aq shumë.4 Megjithatë, kjo motër e përulur tha për të: “Ai qe në atë kohë njëri nga armiqtë tanë të urryer, por tani ishte këtu me ungjillin e dashurisë e të paqes. Kjo, për mua, ishte një mrekulli.”5

Sapo dëgjoi mesazhin e presidentit të misionit, kjo motër e ve dëshironte që të vulosej me familjen e saj në tempull një ditë. Megjithatë, ishte e pamundur për të, për shkak të kufizimeve financiare dhe pengesave gjuhësore.

Më pas u shfaqën disa zgjidhje novatore. Çmimi mund të përgjysmohej nëse anëtarët në Japoni do të merrnin me qira të gjithë avionin për të fluturuar drejt Havait, jashtë sezonit turistik.6 Anëtarët gjithashtu bënë regjistrime dhe shitën pllaka gramafoni, të titulluara Shenjtorët Japonezë Këndojnë. Disa anëtarë shitën edhe shtëpitë. Të tjerë dhanë dorëheqjen nga puna për ta bërë atë udhëtim.7

Sfida tjetër për anëtarët ishte se ceremonia e tempullit nuk ishte në dispozicion në gjuhën japoneze. Udhëheqësit e Kishës thirrën një vëlla japonez për të udhëtuar në Tempullin e Havait që të përkthente ceremoninë e dhurimit.8 Ai ishte i kthyeri i parë japonez në besim pas luftës, i cili kishte marrë mësime dhe ishte pagëzuar nga ushtarët besnikë amerikanë.9

Kur anëtarët japonezë që kishin marrë dhurimin, të cilët jetonin në Havai, e dëgjuan për herë të parë përkthimin, ata qanë. Një anëtar shënoi: “Kemi qenë në tempull shumë, shumë herë. I kemi dëgjuar ceremonitë në gjuhën angleze. [Por] nuk e kemi ndier kurrë shpirtin e punës në tempull siç e ndiejmë tani [që e dëgjojmë] në gjuhën tonë amtare.”10

Më vonë po atë vit, 161 të rritur dhe fëmijë u nisën nga Tokio për të shkuar në Tempullin e Havait. Një vëlla japonez reflektoi lidhur me këtë udhëtim: “Teksa po vështroja nga jashtë avionit dhe pashë Përl Harborin dhe m’u kujtua ajo që atdheu im u kishte bërë këtyre njerëzve më 7 dhjetor 1941, pata frikë në zemrën time. A do të na pranojnë? Por për habinë time ata treguan dashurinë dhe dashamirësinë më të madhe që kisha parë ndonjëherë në jetën time.”11

Pamja
Shenjtorët japonezë mirëpriten me lei [kurora] lulesh.

Me mbërritjen e shenjtorëve japonezë, anëtarët nga Havai i mirëpritën ata me vargje të panumërta lulesh havaiane ndërkohë që shkëmbenim përqafime dhe puthje në faqe, një zakon i huaj për kulturën japoneze. Pasi kaluan 10 ditë shndërruese në Havai, shenjtorët japonezë thanë lamtumirën e tyre nën melodinë e këngës “Aloha Oe” të kënduar nga shenjtorët e Havait.12

Udhëtimi i dytë për në tempull, i organizuar për anëtarët japonezë, përfshiu motrën e ve nga Okinava. Ajo e bëri udhëtimin prej 16 000 km falë një dhurate bujare nga misionarët që kishin shërbyer në degën e saj dhe kishin ngrënë vakte të shumta ushqimi në tryezën e saj. Ndërkohë që ishte në tempull, ajo derdhi lot gëzimi teksa veproi si mëkëmbëse për pagëzimin e nënës së saj dhe u vulos me bashkëshortin e saj të ndjerë.

Ekskursionet për në tempull nga Japonia në Havai vijuan rregullisht derisa u përkushtua Tempulli i Tokios në Japoni, në vitin 1980, duke u bërë tempulli i 18‑të në funksionim. Në nëntor të këtij viti, tempulli i 186‑të do të përkushtohet në Okinavë të Japonisë. Ai nuk ndodhet larg prej shpellës në Okinavën qendrore ku kjo grua dhe familja e saj u strehuan.13

Ndonëse nuk e kam takuar kurrë këtë motër të mrekullueshme nga Okinava, trashëgimia e saj jeton nëpërmjet pasardhësve të saj besnikë, shumë prej të cilëve i njoh dhe i dua.14

Babai im, një veteran që luftoi në Paqësor gjatë Luftës II Botërore, u emocionua kur unë mora thirrjen për të shërbyer në Japoni si misionar i ri në moshë. Mbërrita në Japoni pak pasi u përkushtua Tempulli i Tokios dhe e përjetova nga afër dashurinë e tyre për tempullin.

Besëlidhjet e tempullit janë dhurata nga Ati ynë Qiellor për ndjekësit besnikë të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Nëpërmjet tempullit, Ati ynë Qiellor i lidh individët dhe familjet me Shpëtimtarin dhe me njëri‑tjetrin.

Presidenti Rasëll M. Nelson vitin e kaluar shpalli:

“Çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit. …

Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona. Kjo fuqi na e lehtëson udhën.”15

Nëpërmjet bekimeve të tempullit, Shpëtimtari shëron individët, familjet dhe kombet, edhe ata që dikur ishin armiq të hidhur. Zoti i ringjallur shpalli për një shoqëri të pushtuar nga konflikti në Librin e Mormonit se për ata që e nderojnë “emri[n] tim, Biri i Drejtësisë do të ngrihet me shërim në krahët e tij”16.

Jam mirënjohës të jem dëshmitar i mbajtjes së vazhdueshme të premtimit të Zotit që “koha do të vijë kur njohuria e një Shpëtimtari do të përhapet mes çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli”17, përfshirë edhe mes atyre në “ishujt e detit”18.

Unë dëshmoj për Shpëtimtarin Jezu Krisht, për profetin dhe apostujt e Tij në këto ditë të mëvonshme. Jap dëshmi solemne rreth fuqisë hyjnore për të lidhur në qiell atë që lidhet në tokë.

Kjo është puna e Shpëtimtarit dhe tempujt janë shtëpia e Tij e shenjtë.

Me bindje të patundur, i shpall këto të vërteta në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Tempulli i Laies në Havai u përkushtua në vitin 1919 nga Presidenti Hibër J. Grant. Si Apostull, ai filloi Kishën në Japoni në vitin 1901. Ai ishte tempulli i pestë në funksionim dhe tempulli i parë i ndërtuar jashtë Shteteve të Bashkuara në kontinentin amerikan.

  2. Që nga 2 marsi 2023, kishte 241 281 emra të gdhendur në atë përmendore.

  3. Shihni te Gordon B. Hinckley, “Keep the Chain Unbroken” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 30 nëntor 1999), f. 4, speeches.byu.edu.

  4. Duejn N. Anderseni u plagos në betejën e Okinavës. Ai shërbeu si president misioni në Japoni nga viti 1962 deri në 1965 dhe ishte presidenti i parë i Tempullit të Tokios në Japoni, nga viti 1980 deri në 1982.

  5. U takova me pjesëtarë të familjes së saj ndërkohë që bashkëshortja ime dhe unë shërbyem si udhëheqës të misionit në Tokio. Ata ma dhanë këtë informacion nga rrëfimet e historisë personale të familjes së saj.

  6. Shihni te Dwayne N. Andersen: An Autobiography for His Posterity, f. 102–105, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  7. Shihni te Dwayne N. Andersen, f. 104.

  8. Shihni tek Edward L. Clissold, “Translating the Endowment into Japanese”, në Stories of the Temple in Lā‘ie, Hawai‘i, përmb. Clinton D. Christensen (2019), f. 110–113.

  9. Përkthyesi, Tatsui Sato, u pagëzua më 7 korrik 1946, nga një ushtarak amerikan, C. Eliot Riçardsi. Bashkëshortja e Tatsuit, Çijo Satoja, u pagëzua në të njëjtën ditë nga Plaku Bojd K. Paker. Veç këtyre, Nil A. Maksuelli luftoi në betejën e Okinavës dhe L. Tom Peri ishte mes valës së parë të marinsave që zbarkuan në Japoni pas traktatit të paqes. Pleqtë Paker, Maksuell dhe Peri do të bëheshin anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

  10. Në Clissold, “Translating the Endowment into Japanese”, f. 112.

  11. Në Dwayne N. Andersen, “1965 Japanese Excursion”, Stories of the Temple in Lā‘ie, Hawai‘i, f. 114.

  12. Shihni tek Andersen, “1965 Japanese Excursion”, f. 114, 117.

  13. Më vonë në këtë sesion të konferencës së përgjithshme të tetorit 2023, Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli 20 tempuj të rinj, përfshirë Tempullin e Osakës në Japoni, që do të jetë tempulli i pestë në Japoni.

  14. Gjatë misionit tonë në Tokio nga viti 2018 deri në 2021, mes sfidave nga pandemia e COVID-it, familja e saj tregoi dashuri dhe përkujdesje për mua dhe familjen time, për të cilat do të jemi gjithmonë mirënjohës.

  15. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96.

  16. 3 Nefi 25:2.

  17. Mosia 3:20.

  18. 2 Nefi 29:7.