Konferenca e Përgjithshme
Nxitjet e Shpirtit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Nxitjet e Shpirtit

Shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të mëdha shpirtërore që gëzojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Hyrja

Kohët e fundit, sytë e botës sportive u përqendruan te Kupa Botërore e FIFA‑s për Femra 2023, e organizuar nga Australia dhe Zelanda e Re. Atlete të rangut botëror të dala nga më shumë se 200 ekipe kombëtare nga e gjithë bota, treguan kurajën, përkushtimin, talentin dhe aftësitë atletike teksa konkurruan për nderin më të lartë të botës së futbollit.

Ne mrekullohemi me konkurrentët në shumë sporte dhe disiplina të tjera që arrijnë nivelin më të lartë të mjeshtërisë së tyre. Ne flasim për talentet ose dhuntitë e tyre të dhëna nga Perëndia. Kjo përfshin ata që kanë dhunti për kërcim, gjimnastikë, muzikë, art, dramë, matematikë, shkencë e më shumë. Çdo person i tillë shfaq dhunti të dhëna nga Perëndia, të cilat më pas kaliten e përmirësohen nga një punë e palodhur, studim e praktikë gjatë gjithë jetës. Dhuratat e dhëna nga Perëndia i bëjnë njerëzit me dhunti.

Ushtrimi i Dhuratave Shpirtërore

Duke parë nëpërmjet thjerrëzave të ungjillit, Perëndia u dhuron fëmijëve të Tij shumë dhurata shpirtërore, duke i bërë ata njerëz me dhunti shpirtërore. Anëtarëve të Kishës që i mbajnë besëlidhjet, u jepen dhurata të Shpirtit, të cilat përfshijnë dhuratën e një dëshmie për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë, dhuratën e Frymës së Shenjtë, dhuratën e besimit për të shëruar dhe për t’u shëruar, dhuratën e aftësisë dalluese, dhuratën e marrjes së mrekullive dhe dhuratën e urtësisë e njohurisë.1 Zoti na fton që t’i kërkojmë me zell dhuratat më të mira, madje edhe dhuratat shpirtërore. Ai i jep dhuratat shpirtërore për të na bekuar dhe për t’i përdorur për bekimin e të tjerëve.2

Duke iu rikthyer analogjisë sonë të konkurrentëve që kanë dhunti, është e rëndësishme të kujtojmë se vetëm një dhunti nuk e bën dikë mjeshtër. Pavarësisht nga talenti i jashtëzakonshëm i natyrshëm, është nëpërmjet të ushtruarit dhe përpjekjeve tejet të kujdesshme e të mundimshme që konkurrentët e kalitin dhe e përmirësojnë mjeshtërinë e tyre për të arritur nivelin e tyre më të lartë të artit. Madje edhe ato dhurata që merren dhe hapen, shoqërohen shpesh me udhëzimin e frikshëm “nevojitet pak montim”.

Po kështu, unë kam vërejtur një kurbë të të mësuarit që lidhet me dhuratat shpirtërore. Ushtrimi i dhuratave shpirtërore kërkon ushtrime shpirtërore. “Të kesh udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë në jetën tënde kërkon punë shpirtërore. Kjo punë përfshin lutje të zjarrtë dhe studim të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta. Gjithashtu përfshin mbajtjen e besëlidhjeve tuaja dhe të urdhërimeve të Perëndisë. … Përfshin marrjen me denjësi të sakramentit çdo javë.”3

Cilat janë frytet e ushtrimit të dhuratave shpirtërore? Ato përfshijnë nxitjet nga Shpirti që na ndihmojnë të përballojmë nevojat tona të përditshme dhe na tregojnë se çfarë të bëjmë e të themi, dhe bekimet e paqes e të ngushëllimit. Teksa i mbajmë vesh nxitjet shpirtërore dhe veprojmë sipas tyre, Fryma e Shenjtë i rrit aftësitë dhe zotësitë tona duke i çuar përtej asaj që mund të bëjmë vetë. Këto dhurata të çmuara shpirtërore do të na ndihmojnë në çdo aspekt të jetës sonë.4

Shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të mëdha shpirtërore që gëzojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Sa e rëndësishme është kjo dhuratë? Presidenti Rasëll M. Nelson iu përgjigj kësaj pyetjeje në mënyrë të prerë kur tha se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”5.

Si t’i Ftoni dhe Dalloni Nxitjet e Shpirtit

Gjatë shërbesës sime, kam zbuluar një dëshirë të përbotshme nga të gjithë për të ditur se si t’i ftojmë dhe dallojmë nxitjet e Frymës së Shenjtë. Nxitjet e Shpirtit janë shumë vetjake dhe vijnë në mënyra të ndryshme. Megjithatë, ne jemi të bekuar që kemi fjalët e profetëve, të lashtë dhe bashkëkohorë, të cilët na japin vështrime të vlefshme rreth mënyrës se si të marrim drejtim nga Shpirti.

Më lejoni të jap katër parime udhërrëfyese që mund t’ju ndihmojnë për t’i ftuar dhe dalluar nxitjet e Shpirtit.

Qëndroni në Vende të Shenjta

E para është të qëndroni në vende të shenjta.6 Kohët e fundit mora pjesë në shtëpinë e hapur të Tempullit të Tokios në Japoni. Përgjigjja ndaj ftesave zyrtare dërguar si medias ashtu edhe të ftuarve VIP, i tejkaloi shumë pritshmëritë. Qindra njerëz u bashkuan në këto vizita me udhërrëfyes në tempull. Të ftuarit u prekën thellë nga bukuria e tempullit, përfshirë modelet dhe motivet me lidhje të thella tradicionale japoneze. Edhe më prekës ishte reagimi me nderim e respekt që u krijua nga të ftuarit kur u përshkruan ordinancat e paraardhësve në dhomat ku ato do të ndodhnin. Por më të përzemërta ishin shtysat e Shpirtit.

Një çast i tillë me një zyrtar të shquar qeveritar mbetet i skalitur në mendjen time. Pas një çasti heshtjeje meditimi në dhomën çelestiale, i emocionuar dhe prekur thellë, ai më pëshpëriti në vesh: “Edhe ajri që thith në këtë dhomë, ndihet ndryshe”. E kuptova se ai po përpiqej të përshkruante praninë e Shpirtit të Shenjtë, i cili, në të vërtetë, banon në hapësira të shenjta. Nëse shpresoni ta ndieni Shpirtin, jini në një vend ku Shpirti mund të banojë lehtësisht.

Tempujt dhe shtëpitë tona janë më të shenjtat nga këto hapësira të përkushtuara. Në to ne e ftojmë dhe e dallojmë më lehtë Shpirtin. Vende të tjera të shenjta përfshijnë shtëpitë e mbledhjeve, ndërtesat e seminareve dhe institutet, si dhe vendet e historisë së Kishës dhe qendrat e vizitorëve. Qëndroni në vende të shenjta.

Qëndroni me Njerëz të Shenjtë

Së dyti, qëndroni me njerëz të shenjtë. Do ta përshkruaj parimin e dytë udhërrëfyes me një kujtim tjetër.

Nuk do ta harroj asnjëherë pjesëmarrjen në një takim shpirtëror të zhvilluar në një arenë sportive të njohur. Zakonisht, kjo arenë mbushej me tifozë të egër që brohorisnin për ekipin vendas dhe ndoshta edhe e tallnin kundërshtarin. Por në këtë natë, atmosfera ishte krejt ndryshe. Arena ishte e mbushur me mijëra të rinj e të reja që ishin mbledhur për të nderuar e përkujtuar jetën e Profetit Jozef Smith. Toni i tyre nderues e i qetë, mirënjohja dhe zemrat plot lutje e mbushën arenën me praninë e Shpirtit të Shenjtë. Mund ta shihja vërtet këtë në fytyrat e tyre. Ishte dhurata e Frymës së Shenjtë në veprim, që po pohonte dëshmitë që po jepeshin për Jozef Smithin dhe Rivendosjen e ungjillit.

Shpirti nuk mund të frenohet nga pjesëmarrja në një mbledhje me njerëz të shenjtë. Nëse shpresoni ta ndieni Shpirtin, jini me njerëz me të cilët Shpirti mund të banojë lehtësisht. Shpëtimtari e shprehu kështu: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre”7. Për të rinjtë e të rejat, merrini parasysh mbledhjet tuaja me njerëz të shenjtë: kuorumet dhe klasat, FSY-në dhe seminarin, aktivitetet e lagjes dhe të kunjit, madje dhe koret e lagjeve. Zgjidhni të jeni me njerëz dhe të shkoni në vende ku gjendet drejtësia. Gjeni forcën tuaj te bashkimi. Gjeni miq të mirë. Jini miq të mirë. Përkraheni njëri-tjetrin kudo që të jeni. Qëndroni me njerëz të shenjtë.

Dëshmoni për të Vërtetat e Shenjta

Së treti, dëshmoni për të vërtetat e shenjta sa më shpesh të mundeni. Ngushëlluesi gjithmonë e përdor zërin e Tij kur ne dëshmojmë me zërin tonë. Shpirti i dëshmon njëlloj si folësit ashtu edhe dëgjuesit.

Më kujtohet një herë kur bëra një udhëtim 45‑minutësh me taksi në qytetin e Nju‑Jorkut. Pasi bëra një bisedë të këndshme për ungjillin me shoferen gjatë kohës së udhëtimit tim deri në aeroport, e pagova atë dhe u bëra gati të dilja nga taksia. Pastaj kuptova se nuk kisha dhënë një dëshmi për atë që kisha thënë. Ndalova, dhashë një dëshmi të thjeshtë e të shkurtër, duke e ftuar Shpirtin dhe duke shkaktuar lot në sytë e të dyve ne.

Ndërsa kërkoni dhe i shfrytëzoni mundësitë për të dhënë dëshminë tuaj tek të tjerët, do të krijoni çaste për ta dalluar Shpirtin edhe për veten tuaj.

Mbani Vesh për Shpirtin e Shenjtë

Parimi i fundit është të mbani vesh për Shpirtin e Shenjtë. Ai mund të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm, por Ai flet me tone delikate dhe të qeta. Profeti Elija zbuloi se zëri i Zotit nuk ishte në erë, tërmet apo zjarr, por ishte “një zë, si një shushuritje e ëmbël”8. Nuk është “një zë bubullime”, por përkundrazi “një zë i qetë i një butësie të përsosur, sikur të ishte një pëshpëritje” dhe prapëseprapë mund të “depërto[jë] deri në thellësinë e shpirtit”9.

Presidenti Bojd K. Paker shpalli: “Shpirti nuk na e tërheq vëmendjen duke bërtitur apo duke na tundur me një dorë të rëndë. Përkundrazi, Ai pëshpërit. Ai na ledhaton kaq butësisht saqë nëse jemi të shqetësuar, ne mund të mos e ndiejmë fare atë.”10 Kam vërejtur se ndonjëherë zëri i Tij është aq delikat, ose jam unë aq i shqetësuar, saqë atë e dallon një person i dashur për mua. Kanë qenë të shumta rastet kur nxitjet e Frymës së Shenjtë më kanë ardhur nëpërmjet bashkëshortes sime, Lesës. Prindërit ose udhëheqësit e drejtë mund të marrin gjithashtu udhërrëfim të frymëzuar për ju.

Zhurma, britmat dhe grindja mbizotëruese në botë mund t’i mposhtin mbresat e qeta e të urta të Shpirtit të Shenjtë. Gjeni një vend të qetë, një hapësirë të shenjtë ku mund të kërkoni për të marrë drejtim nga Shpirti.

Disa Fjalë Paralajmërimi

Ndërsa i merrni parasysh këto parime për ta ftuar dhe dalluar Shpirtin, merrini parasysh fjalët vijuese të udhërrëfimit paralajmërues.11

Konfirmojini mbresat tuaja shpirtërore. Për shembull, mbresat nga Shpirti do të përputhen me shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të gjallë.

Sigurohuni që ndjenjat që merrni, janë në përputhje me detyrën tuaj. Nëse nuk jeni thirrur nga autoriteti i duhur, Shpirti nuk ju jep mbresa për t’i këshilluar apo korrigjuar të tjerët.

Çështjet shpirtërore nuk mund të bëhen me detyrim. Ju mund të kultivoni një qëndrim dhe një mjedis që e fton Shpirtin, dhe mund ta përgatitni veten tuaj, por nuk mund të diktoni se si dhe kur vjen frymëzimi. Jini të duruar dhe mirëbesoni se, kur të jetë koha e duhur, do të merrni atë që ju nevojitet.

Përdorni gjykimin tuaj më të mirë. Ndonjëherë ne duam të drejtohemi nga Shpirti në të gjitha gjërat! Megjithatë, shpesh Zoti do që ne të përdorim inteligjencën tonë që na është dhënë nga Perëndia dhe të veprojmë në mënyra që janë në përputhje me kuptueshmërinë tonë më të mirë. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:

“Dëshira për t’u udhëhequr nga Zoti është forcë, por ajo nevojitet të shoqërohet me një kuptueshmëri se Ati ynë Qiellor i lë shumë vendime që t’i marrim sipas zgjedhjeve tona vetjake. … Njerëzit që përpiqen t’ia kalojnë gjithë marrjen e vendimeve Zotit dhe përgjërohen për zbulesë në çdo zgjedhje, shpejt do të zbulojnë rrethana në të cilat ata luten për udhërrëfim dhe nuk e marrin atë. …

Ne duhet t’i studiojmë gjërat në mendjen tonë. … Më pas duhet të lutemi për udhërrëfim dhe të veprojmë sipas tij. … Nëse nuk marrim udhërrëfim, ne duhet të veprojmë sipas gjykimit tonë më të mirë.”12

Përmbyllje me një Ftesë

Në përmbyllje, shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të jenë njerëz me dhunti që i mbajnë besëlidhjet. Megjithatë, mbetet në dorën e secilit prej nesh që të kërkojë të ushtrojë dhuntitë e veta shpirtërore dhe më pas t’i ftojë e të mësojë që t’i dallojë nxitjet e Shpirtit. Katër parime udhërrëfyese që të na ndihmojnë në këtë përpjekje thelbësore shpirtërore janë:

  1. Qëndroni në vende të shenjta.

  2. Qëndroni me njerëz të shenjtë.

  3. Dëshmoni për të vërtetat e shenjta.

  4. Mbani vesh për Shpirtin e Shenjtë.

Aftësia juaj për të ftuar dhe dalluar nxitjet e Shpirtit do të zhvillohet hap pas hapi. “Të jesh më shumë në harmoni me gjuhën e Shpirtit është sikur të mësosh një gjuhë tjetër. Është një proces gradual që kërkon një përpjekje të zellshme e të duruar.”13

Duke u kthyer atje ku e nisëm, ju lutem, mbani mend se si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ju keni dhunti. Përfytyroni këtë skenë të njohur të së dielës së agjërimit, që m’u përshkrua kohët e fundit. Një fëmijë i vogël, duke qëndruar në një stol, mezi dukej mbi foltore. Babai i saj i qëndroi pranë duke e inkurajuar dhe ndihmuar me pëshpëritje të buta në vesh, ndërsa ajo tha me krenari: “Unë jam një fëmijë i Perëndisë”.

Dëshmia tjetër që pasoi, erdhi nga një e re në moshë madhore, e cila e filloi me nota humori: “Do të doja të kisha edhe unë dikë që të më pëshpëriste ashtu në vesh”. Pastaj ajo pati një çast frymëzimi dhe dëshmoi: “E kam dikë që më pëshpërit ashtu në vesh – Frymën e Shenjtë!”

E mbyll me një ftesë veçanërisht për të gjithë të rinjtë e të rejat! Shumë prej jush e nisin ditën duke qëndruar para një pasqyre. Nesër, këtë javë, këtë vit, gjithmonë, ndaloni ndërsa shikoni veten në pasqyrë. Mendojeni në mendjen tuaj ose thuajeni me zë të lartë, “Ua, pa më shiko! Jam i mahnitshëm! Jam një fëmijë i Perëndisë! Ai më njeh mua! Ai më do! Kam dhunti, kam dhuratën e Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tim të vazhdueshëm!”

Jua shtoj dëshminë time juve, shenjtorëve me dhunti të ditëve të mëvonshme, për Perëndinë Atin, Jezu Krishtin, dhe Frymën e Shenjtë, i cili jep dëshmi për Ata. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.