Konferenca e Përgjithshme
Ecja në një Marrëdhënie Besëlidhëse me Krishtin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Ecja në një Marrëdhënie Besëlidhëse me Krishtin

Ai që u vra dhe u copëtua për ne, do të lejojë që vdekshmëria të bëjë punën e saj te ne, por Ai nuk na kërkon që t’i përballojmë të vetëm ato sfida.

Shoku im i mirë, Ilani, më tregoi për një udhë në Izrael. “Quhet Udha e Jezusit”, tha ai, “sepse është shtegu nga Nazareti për në Kapernaum që shumë veta besojnë se në të eci Jezusi.” Pikërisht aty për aty vendosa se doja të ecja në atë udhë, kështu që fillova të planifikoja një udhëtim për në Izrael.

Gjashtë javë përpara udhëtimit, theva kyçin e këmbës. Bashkëshorti im u merakos për dëmtimin; shqetësimi im më i madh ishte se si do të ecja në “Udhën e Jezusit” një muaj më vonë. Nga natyra jam kokëforte, ndaj nuk i anulova biletat e avionit.

Më kujtohet që takova udhërrëfyesen tonë izraelite atë mëngjes të bukur qershori. Dola nga furgoni dhe më pas nxora një palë paterica dhe një mbështetëse me rrota për gjurin. Mia, udhërrëfyesja jonë, i hodhi një vështrim allçisë sime dhe tha: “Oh, nuk mendoj se mund të ecësh në këtë udhë në atë gjendje”.

“Ndoshta jo”, u përgjigja. “Por nuk ka asgjë që më pengon të përpiqem.” Ajo pohoi lehtë me kokë dhe ne filluam udhëtimin. E dua atë për atë gjë, që besoi se mund të ecja në atë udhë me kyçin e këmbës të thyer.

Për njëfarë kohe i përshkova vetë shtegun e pjerrët dhe masat e gurëve. Më pas, e prekur nga çiltërsia e zotimit tim, Mia nxori një litar të hollë, e lidhi te dorezat e timonit të mbështetëses sime me rrota dhe filloi ta tërhiqte. Ajo më tërhoqi lart në kodra, përmes pemishteve me limonë dhe përgjatë brigjeve të detit të Galilesë. Në fund të udhëtimit, shpreha mirënjohjen për udhërrëfyesen time të ëmbël, e cila më ndihmoi të arrija diçka që nuk do të mund ta kisha arritur kurrë vetë.

Kur Zoti e thirri Enokun të udhëtonte nëpër vend dhe të dëshmonte për Të, Enoku hezitoi.1 Ishte thjesht një djalosh, i ngadalshëm në të folur. Si mund të ecte ai në atë shteg në gjendjen e tij? Ai ishte i verbuar nga ajo që ishte e copëtuar brenda tij. Përgjigjja e Zotit ndaj asaj që e pengonte atë, ishte e thjeshtë dhe e menjëhershme: “Ec me mua”2. Ashtu si Enoku, ne duhet të kujtojmë se Ai që u vra dhe u copëtua për ne3, do të lejojë që vdekshmëria të bëjë punën e saj te ne, por Ai nuk na kërkon që t’i përballojmë të vetëm ato sfida4. Pavarësisht se sa e rëndë është historia jonë, apo si është rrjedha aktuale e shtegut tonë, Ai do të na ftojë të ecim me Të.5

Mendoni për të riun në mes të një telashi, i cili e takoi Zotin në një vend të shkretë. Jakobi kishte udhëtuar larg shtëpisë. Në errësirën e natës, ai pa një ëndërr në të cilën kishte jo vetëm një shkallë, por gjithashtu kishte premtime të rëndësishme besëlidhëse, përfshirë atë që më pëlqen ta quaj premtimi prej pesë pikash si pesë gishtat.6 Atë natë Zoti qëndroi pranë Jakobit, e paraqiti Veten si Perëndia i atit të Jakobit dhe më pas premtoi:

  • “Jam me ty.

  • Do të të mbroj.

  • Do të të sjell përsëri në shtëpi.

  • Nuk do të të braktis.

  • Do ta mbaj premtimin që të kam dhënë.”7

Jakobit i duhej të bënte një zgjedhje. Ai mund të zgjidhte ta jetonte jetën e vet thjesht si një i njohur me Perëndinë e atit të tij, ose ai mund të zgjidhte ta jetonte jetën në një marrëdhënie të zotuar besëlidhëse me Të. Vite më vonë, Jakobi dëshmoi për një jetë të jetuar brenda premtimeve besëlidhëse të Zotit: “Perëndi[a e] plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe … më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë”8. Ashtu siç Ai bëri për Jakobin, Zoti do t’i përgjigjet secilit prej nesh në kohën tonë të fatkeqësisë nëse zgjedhim ta lidhim jetën tonë me të Tijën. Ai ka premtuar të ecë me ne gjatë rrugës.

Ne e quajmë këtë të ecësh në shtegun e besëlidhjeve – një shteg që fillon me besëlidhjen e pagëzimit dhe na çon drejt besëlidhjeve më të thella që i bëjmë në tempull. Ndoshta i dëgjoni ato fjalë dhe mendoni për kutitë e shenjimit në një listë. Ndoshta gjithçka që shihni, është një shteg kërkesash. Një vështrim më i afërt zbulon diçka më bindëse. Një besëlidhje nuk ka të bëjë vetëm me një kontratë, megjithëse kjo është e rëndësishme. Ka të bëjë me një marrëdhënie. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Shtegu i besëlidhjeve është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë”9.

Merreni në shqyrtim një besëlidhje martese. Data e martesës është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është edhe marrëdhënia e farkëtuar gjatë jetës së jetuar së bashku më pas. E njëjta gjë është e vërtetë për një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë. Kushtet janë vendosur dhe do të ketë pritshmëri përgjatë rrugës. Megjithatë, Ai e fton secilin prej nesh që të vijë siç e ka mundësinë, me qëllim të plotë të zemrës dhe të “shko[jë] përpara”10 me Të në krahun e vet, duke besuar se bekimet e Tij të premtuara do të vijnë. Shkrimi i shenjtë na kujton se shpesh ato bekime vijnë në vetë kohën e Tij dhe në vetë mënyrën e Tij: 38 vjet11, 12 vjet12, menjëherë13. Ashtu siç do ta kërkojë udha juaj, kështu do të jetë edhe ndihma e Tij.14

Misioni i Tij është një mision denjimi. Jezu Krishti do të na takojë atje ku jemi, siç jemi. Kjo është arsyeja e kopshtit, e kryqit dhe e varrit. Shpëtimtari u dërgua që të na ndihmonte për të mposhtur [vështirësitë].15 Por të qëndruarit aty ku jemi, nuk do të sjellë çlirimin që kërkojmë. Ashtu siç nuk e la Jakobin atje në baltë, Zoti nuk ka ndërmend ta lërë asnjërin prej nesh aty ku jemi.

Misioni i Tij është edhe një mision ngjitjeje. Ai do të punojë brenda nesh16 për të na ngritur atje ku është Ai dhe, gjatë procesit, do të na mundësojë të bëhemi ashtu siç është Ai. Jezu Krishti erdhi për të na ngritur lart.17 Ai dëshiron të na ndihmojë që të bëhemi [siç është Ai]. Kjo është arsyeja për tempullin.

Duhet të kujtojmë: Nuk është vetëm rrugëtimi që do të na ekzaltojë, është shoqëruesi – Shpëtimtari ynë. Dhe kjo është arsyeja e marrëdhënies besëlidhëse.

Kur isha në Izrael, vizitova Murin Perëndimor. Për judenjtë, ky është vendi më i shenjtë në Izrael. Është gjithçka që ka mbetur nga tempulli i tyre. Shumica veshin rrobat e tyre më të bukura kur e vizitojnë këtë vend të shenjtë; zgjedhja e veshjes është simbol i përkushtimit ndaj marrëdhënies së tyre me Perëndinë. Ata e vizitojnë murin për të lexuar shkrimin e shenjtë, për të adhuruar dhe për të derdhur shpirtin e tyre në lutje. Përgjërimi për një tempull në mesin e tyre përthith çdo ditë të tyre, çdo lutje të tyre, në këtë dëshirë të zjarrtë për një shtëpi besëlidhjeje. E admiroj përkushtimin e tyre.

Kur u ktheva në shtëpi nga Izraeli, i dëgjova më me vëmendje bisedat përreth meje lidhur me besëlidhjet. Vura re njerëz që pyesnin: Pse duhet të eci në një shteg besëlidhjesh? A më nevojitet të hyj në një shtëpi që të bëj besëlidhje? Pse e vesh veshjen e brendshme të shenjtë të tempullit? A duhet të investoj në një marrëdhënie besëlidhëse me Zotin? Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve të mira e të rëndësishme është e thjeshtë: Kjo varet nga shkalla e marrëdhënies që dëshironi të përjetoni me Jezu Krishtin.18 Secilit prej nesh do t’i duhet të zbulojë përgjigjen e vet ndaj këtyre pyetjeve thellësisht vetjake.

Ja përgjigjja ime: Unë eci në këtë shteg si një “bijë e dashur e prindërve qiellorë”19, e njohur në mënyrë hyjnore20 dhe së cilës i mirëbesohet thellësisht21. Si fëmijë i besëlidhjes, kam të drejtë të marr bekimet e premtuara22. Kam zgjedhur23 të eci me Zotin. Jam thirrur24 të qëndroj si dëshmitare e Krishtit. Kur ecja në shteg duket dërrmuese, unë forcohem25 me hirin aftësues. Sa herë që kaloj pragun e shtëpisë së Tij, përjetoj një marrëdhënie më të thellë besëlidhëse me Të. Jam shenjtëruar26 me Shpirtin e Tij, më është dhuruar27 fuqia e Tij dhe jam veçuar28 për të ndërtuar mbretërinë e Tij. Nëpërmjet një procesi pendimi të përditshëm dhe marrjes çdo javë të sakramentit, po mësoj të bëhem e paepur29 dhe ta përshkoj vendin duke bërë mirë30. Unë eci në këtë shteg me Jezu Krishtin, duke pritur me padurim ditën e premtuar kur Ai do të vijë përsëri. Atëherë unë do të vulosem si e Tija31 dhe do të ngrihem lart si një bijë e shenjtë32 e Perëndisë.

Kjo është arsyeja përse eci në shtegun e besëlidhjeve.

Kjo është arsyeja përse mbahem fort pas premtimeve besëlidhëse.

Kjo është arsyeja përse hyj në shtëpinë e Tij të besëlidhjeve.

Kjo është arsyeja përse e vesh veshjen e brendshme të shenjtë të tempullit si një kujtues të vazhdueshëm.

Ngaqë dua të jetoj në një marrëdhënie të zotuar e besëlidhëse me Të.

Ndoshta këtë doni edhe ju. Fillojeni nga aty ku jeni.33 Mos lejoni që gjendja juaj t’ju pengojë. Mos harroni, ritmi ose vendndodhja në shteg nuk janë aq të rëndësishme sa përparimi.34 Kërkojini dikujt që i mirëbesoni, i cili ose e cila është në shtegun e besëlidhjeve, t’ju njohë me Shpëtimtarin që ai ose ajo ka arritur të njohë. Mësoni më shumë për Të. Investoni në marrëdhënie duke hyrë në besëlidhje me Të. Nuk ka rëndësi mosha juaj apo gjendja juaj. Ju mund të ecni me Të.

Pasi e mbaruam ecjen në “Udhën e Jezusit”, Mia nuk e mori më litarin e saj. Ajo e la të lidhur te mbështetësja ime me rrota. Për disa ditë në vijim, nipat e mi adoleshentë dhe shoku i tyre më tërhoqën me radhë nëpër rrugët e Jerusalemit.35 Ata u siguruan që të mos i humbisja historitë e Jezusit. M’u soll në kujtesë forca e brezit të ri. Ne mund të mësojmë prej jush. Ju keni një dëshirë të çiltër për të njohur udhërrëfyesin, Jezu Krishtin. Ju i besoni forcës së litarit që na lidh me Të. Ju jeni jashtëzakonisht të talentuar për t’i udhëhequr të tjerët tek Ai.36

Fatmirësisht, ne ecim së bashku në këtë shteg, duke bërë thirrje për inkurajim gjatë rrugës.37 Teksa e tregojmë përvojën tonë vetjake me Krishtin, ne do ta forcojmë përkushtimin vetjak. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Njerëzit e Enokut kishin shkuar në rrugën e gabuar, e kishin mohuar Krishtin dhe ata “i k[ishin] kërkuar këshillat e tyre në errësirë” (shihni te Moisiu 6:27–28). Në një kohë kur ai e kishte humbur besimin te njerëzimi, Enoku iu drejtua Zotit për udhërrëfim. Kjo thirrje për Enokun është e njëjta thirrje që Zoti na e drejton të gjithëve ne: “Ec me mua” (Moisiu 6:34; shihni edhe te Mateu 11:28). Por ndoshta, ashtu si Enoku, nuk jeni të sigurt nëse mund të ecni në këtë shteg në gjendjen tuaj. Ndoshta ndiheni të penguar në njëfarë mënyre. Ndoshta arsyeja e vërtetë përse kemi nevojë të ecim në shtegun e besëlidhjeve, është për shkak të gjendjes sonë, sepse jemi të penguar në njëfarë mënyre dhe kemi nevojë për ndihmën e Tij.

  2. Shihni te Moisiu 6:23–34.

  3. Shihni te “Jezus Nazareas, Shpëtimtar, Mbret”, Himne, nr. 103.

  4. Shihni tek Ethëri 12:27.

  5. Shihni te Mateu 11:28–30.

  6. Vajzat e mia duan t’ua pëshpëritin këtë premtim prej pesë pikash si pesë gishtat fëmijëve të tyre (nipërve e mbesave të mia) çdo mëngjes – një kujtues për një Atë në Qiell i cili është në mënyrë hyjnore i vetëdijshëm për secilin prej fëmijëve të Tij.

  7. Shihni te Zanafilla 28:10–22. Besëlidhja abrahamike ishte gjithashtu një theksim domethënës i asaj nate. Këto elemente të besëlidhjes abrahamike luajnë një rol qendror në jetën tonë dhe në ungjillin e Jezu Krishtit: 1) premtimi i një trashëgimie të përjetshme (vargu 13); 2) pasardhje e përjetshme (vargu 14); dhe 3) bekimi dhe përgjegjësia për t’i bekuar të gjitha kombet e tokës (vargu 14).

  8. Zanafilla 35:3; theksimi i shtuar. Prindërit e Jakobit e udhëzuan atë që të ikte nga shtëpia për t’u larguar nga Esau, i cili e kishte kërcënuar se do ta vriste, dhe që të kishte mundësinë të takonte dikë me të cilën mund të martohej në besëlidhje (shihni te Zanafilla 27:41–45; 28:1–2, 5).

  9. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 11.

  10. 2 Nefi 31:20.

  11. Shihni te Gjoni 5:5, historia në pellgun e Betesdës.

  12. Shihni te Marku 5:25, historia e gruas që preku rrobën e Krishtit.

  13. Shihni te Mateu 14:31, historia e Pjetrit duke ecur mbi ujë.

  14. Shihni te “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.

  15. Shihni te 1 Nefi 11:16–33.

  16. Shihni te Filipianëve 1:6; 2:13; Fjalët e Mormonit 1:7.

  17. Shihni te Gjoni 12:32.

  18. Një shteg përcaktohet shpesh nga karakteristika kryesore të tilla si shtyllat udhëzuese ose shënuesit e kilometrave. Është një mënyrë për t’u siguruar se jeni në udhën e duhur ose po bëni përparim në drejtimin e duhur. Edhe një marrëdhënie mund të përcaktohet nga karakteristika kryesore. Disa prej këtyre përfshijnë shpresën (shihni te Jeremia 29:11; Doktrina e Besëlidhje 132:7); nënshtrimin (shihni te Mosia 3:19; Alma 7:23; 13:28); përulësinë, bindjen, durimin, dorëzimin, mirëbesimin (shihni te Fjalët e Urta 3:5); dhe dashurinë (shihni te Romakëve 8:31–39).

  19. Tema e Të Rejave”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], theksimi i shtuar; shihni edhe te Boni H. Kordën, “Bija të Dashura”, Liahona, nëntor 2019, f. 67.

  20. Shihni te Gjoni 4:1–29, historia e gruas te pusi.

  21. Shihni tek Alma 38:1–3.

  22. Shihni te Numrat 6:23–27.

  23. Shihni te Jozueut 24:22.

  24. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 25:3, historia e Ema Smithit.

  25. Shihni te 1 Korintasve 15:9–10.

  26. Shihni te 2 Kronikave 20:1–17, veçanërisht vargun 14.

  27. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:1–46.

  28. Shihni te 1 Samuelit 16:11–13.

  29. Shihni tek Esterit 4:16, historinë e Esterit.

  30. Shihni te Veprat e Apostujve 10:38.

  31. Shihni tek Isaia 43:1–5.

  32. Shihni te Ligji i Përtërirë 28:1–9.

  33. Një shok i mirë më kujtoi se një thirrje për të vepruar është e rëndësishme në çfarëdo marrëdhënieje.

  34. Bashkëbisedim me Kristen Olsenin, shtator 2023.

  35. Mek Osuolld, Kamden Osuolld, Ashton Methini dhe Xhek Batler, faleminderit që më tërhoqët.

  36. “Ju kujtohet se unë i kam ftuar të rinjtë e të rejat e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për t’u regjistruar në batalionin e të rinjve dhe të rejave të Zotit që të marrin pjesë në kauzën më të madhe në tokë sot – në mbledhjen e Izraelit. Jua bëra këtë ftesë të rinjve dhe të rejave tona sepse ata janë jashtëzakonisht të talentuar për të komunikuar me të tjerët dhe për ta shprehur atë që besojnë, në një mënyrë bindëse” (Rasëll M. Nelson, “Dëshmitarët/et, Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave”, Liahona, nëntor 2019, f. 39).

  37. “Mbretëria e Perëndisë … është si një qytet i rrethuar nga të gjitha anët nga vdekja. Çdo njeri ka vendin e tij në mur për të mbrojtur dhe askush nuk mund të qëndrojë aty ku qëndron tjetri, por ‘asgjë nuk na pengon të bëjmë thirrje inkurajimi për njëri-tjetrin’” (Martin Luther, në Lewis William Spitz, The Renaissance and Reformation Movements [1987], f. 335).