Konferenca e Përgjithshme
Mësime Hyjnore mbi Prindërimin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Mësime Hyjnore mbi Prindërimin

Prindërit hyjnë në një bashkëpjesëmarrje me Atin e tyre Qiellor për t’i udhërrëfyer fëmijët e tyre të çmuar që të kthehen në qiell.

A keni mbajtur ndonjëherë një të porsalindur në krahë? Ka një dritë që buron nga çdo i porsalindur, duke sjellë një lidhje të veçantë dashurie që mund t’i mbushë zemrat e prindërve të tij me gëzim.1 Një shkrimtar meksikan shkroi: “Kam mësuar se kur një i porsalindur ia shtrëngon për herë të parë gishtin të atit me grushtin e tij të vocërr, ai e ka mbërthyer atë përgjithmonë”2.

Prindërimi është një nga përvojat më të jashtëzakonshme të jetës. Prindërit hyjnë në një bashkëpjesëmarrje me Atin e tyre Qiellor për t’i udhërrëfyer fëmijët e tyre të çmuar që të kthehen në qiell.3 Sot do të doja të jepja disa mësime mbi prindërimin që gjenden në shkrimet e shenjta dhe që janë dhënë mësim nga profetët e gjallë, për të na ndihmuar të lëmë trashëgiminë tonë prindërore.

Ngjituni në Nivelin më të Lartë të Kulturës së Ungjillit

Ne duhet të ngjitemi në nivelin më të lartë të kulturës së ungjillit me familjet tona. Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli: “Familjet meritojnë udhërrëfim nga qielli. Prindërit nuk mund t’i këshillojnë fëmijët siç duhet nga përvoja vetjake, frika apo keqardhja.”4

Ndonëse prejardhjet tona kulturore, stilet tona të prindërimit dhe përvojat vetjake mund të jenë të vlefshme për prindërimin, këto aftësi janë të pamjaftueshme për t’i ndihmuar fëmijët tanë të kthehen në qiell. Kemi nevojë për qasje në një “grup vlerash dhe … praktikash”5 më të larta, një kulturë edhe dashurie, edhe pritshmërish, ku ndërveprojmë me fëmijët tanë “në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë”6. Presidenti Dallin H. Ouks e përshkroi kulturën e ungjillit si “një mënyrë të veçantë jetese, një grup vlerash dhe pritshmërish dhe praktikash. … Kjo kulturë e ungjillit vjen nga plani i shpëtimit, urdhërimet e Perëndisë dhe mësimet e … profetëve të gjallë. Ajo na udhërrëfen në mënyrën si i rritim familjet tona dhe si e jetojmë jetën tonë individuale.”7

Jezu Krishti është qendra e kësaj kulture të ungjillit. Përvetësimi i kulturës së ungjillit në familjet tona është vendimtar për të krijuar një mjedis pjellor ku fara e besimit mund të lulëzojë. Për t’u ngjitur në nivel më të lartë, Presidenti Ouks na ftoi “të heqim dorë nga çdo traditë ose praktikë vetjake apo familjare që është në kundërshtim me mësimet e Kishës së Jezu Krishtit”8. Prindër, ndrojtja nga ana jonë për të krijuar kulturën e ungjillit, mund ta lejojë kundërshtarin të zërë vend në shtëpitë tona ose, akoma më keq, në zemrat e fëmijëve tanë.

Ndërsa zgjedhim ta bëjmë kulturën e ungjillit kulturën mbizotëruese në familjen tonë, atëherë nëpërmjet ndikimit të fuqishëm të Frymës së Shenjtë9, stilet, traditat dhe praktikat tona aktuale të prindërimit do të shoshiten, harmonizohen, rafinohen dhe përmirësohen.

Bëjeni Shtëpinë Qendrën e të Mësuarit të Ungjillit

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se shtëpia duhet të jetë “qend[ra e] të mësuarit të ungjillit”10. Qëllimi i të mësuarit të ungjillit është “ta thelloj[ë] kthimin tonë në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe të na ndihmoj[ë] të bëhemi më shumë si Ata”11. Le të shqyrtojmë tri përgjegjësi thelbësore prindërore të përshkruara nga profetët dhe apostujt që mund të na ndihmojnë të krijojmë një kulturë më të lartë të ungjillit në shtëpitë tona.

Së Pari: Jepni Mësim Lirisht

Ati Qiellor e udhëzoi Adamin lidhur me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij. Ai i mësoi atij “t’ua mëso[nte] këto gjëra lirisht fëmijëve të [tij]”12. Me fjalë të tjera, Ati Qiellor i mësoi Adamit t’i jepte mësim këto gjëra lirisht, pa u kursyer dhe pa kufizim.13 Shkrimet e shenjta na tregojnë se “Adami e Eva e bekuan emrin e Perëndisë dhe ua bënë të gjitha gjërat të njohura bijve dhe bijave të tyre”14.

Ne u japim mësim fëmijëve tanë pa u kursyer kur kalojmë kohë domethënëse me ta. Ne u japim mësim pa kufizim kur diskutojmë tema të ndjeshme të tilla si koha para ekranit, duke përdorur burime që Kisha ka vënë në dispozicion.15 Ne u japim mësim lirisht kur i studiojmë shkrimet e shenjta me fëmijët tanë duke përdorur programin Eja, Më Ndiq dhe e lejojmë Shpirtin të jetë mësuesi.

Së Dyti: Jepni Modelin e Dishepullimit

Në librin e Gjonit lexojmë se kur disa judenj e pyetën Shpëtimtarin për sjelljen e Tij, Jezusi e drejtoi vëmendjen te modeli i Tij, Ati i Tij. Ai dha mësim: “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri”16. Prindër, çfarë na nevojitet t’u japim për model fëmijëve tanë? Dishepullimin.

Si prindër, ne mund ta japim mësim rëndësinë e vënies së Perëndisë të parin kur diskutojmë urdhërimin e parë, por e japim atë si model kur i lëmë mënjanë shpërqendrimet e botës dhe e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit çdo javë. Ne mund ta japim mësim rëndësinë e besëlidhjeve të tempullit kur flasim për doktrinën e martesës çelestiale, por e japim atë si model kur i nderojmë besëlidhjet tona, duke e trajtuar bashkëshortin apo bashkëshorten tonë me dinjitet.

Së Treti: Ftojini të Veprojnë

Besimi te Jezu Krishti duhet të jetë thelbi i dëshmive të fëmijëve tanë dhe ato dëshmi duhet të vijnë te secili fëmijë nëpërmjet zbulesës individuale.17 Për t’i ndihmuar fëmijët tanë për ndërtimin e dëshmive të tyre, ne i inkurajojmë ata të përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të zgjedhur atë që është e drejtë18, dhe i përgatitim ata për të ecur gjatë gjithë jetës në shtegun e besëlidhjeve të Perëndisë19.

Do të ishte diçka e mençur ta nxitnim secilin prej fëmijëve tanë për ta pranuar ftesën e Presidentit Nelson për të marrë mbi vete përgjegjësinë për dëshminë e tij ose të saj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, që të punojë për të, ta kultivojë me qëllim që të rritet, ta ushqejë me të vërtetën dhe të mos e ndotë me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese.20

Prindërimi i Drejtë e i Qëllimshëm

Qëllimet hyjnore të Atit tonë Qiellor si prind u bënë të njohura në një zbulesë dhënë Moisiut: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”21. Presidenti Nelson ka shtuar: “Perëndia do të bëjë gjithçka që mundet, përveçse dhunimit të lirisë suaj të zgjedhjes, që t’ju ndihmojë që të mos humbisni bekimet më të mëdha në të gjithë përjetësinë”22.

Si prindër, ne jemi vepruesit për Perëndinë në kujdesin për fëmijët tanë.23 Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të krijuar një mjedis ku fëmijët tanë mund ta ndiejnë ndikimin e Tij hyjnor.

Ati Qiellor asnjëherë nuk kishte për qëllim që ne si prindër të uleshim në tribunë si spektatorë, duke parë të shpaloset jeta shpirtërore e fëmijëve tanë. Më lejoni ta ilustroj këtë ide të prindërimit të qëllimshëm me një përvojë vetjake. Kur po frekuentoja Filloren në një degë të vogël në Guatemalë, prindërit e mi filluan të më mësonin për vlerën e bekimeve patriarkale. Nëna ime gjeti kohën për të treguar përvojën e saj kur mori bekimin e saj të çmuar patriarkal. Ajo më mësoi doktrinën që lidhej me bekimet patriarkale, dhe dëshmoi për bekimet e premtuara. Prindërimi i qëllimshëm nga ana e saj, më frymëzoi të kisha dëshirën për të marrë bekimin tim patriarkal.

Kur isha 12 vjeç, prindërit më ndihmuan të bëja kërkime për një patriark. Kjo ishte e nevojshme pasi nuk kishte asnjë patriark në distriktin ku jetonim. Mora udhëtimin për te një patriark që ndodhej në një kunj 156 kilometra (97 milje) larg. Më kujtohet qartë kur patriarku vuri duart mbi kokën time për të më bekuar. E dija nëpërmjet pohimit të fuqishëm shpirtëror, pa kurrfarë dyshimi, se Ati im Qiellor më njihte.

Për një djalë 12-vjeçar nga një qytet i vogël, kjo kishte shumë domethënie për mua. Zemra ime u kthye tek Ati im Qiellor atë ditë për shkak të prindërimit të qëllimshëm të nënës dhe babait tim dhe do t’u jem përgjithmonë mirënjohës atyre.

Motra Xhoi D. Xhons, ish‑Presidente e Përgjithshme e Fillores, dha mësim: “Ne nuk mund të presim që kthimi në besim thjesht t’u ndodhë fëmijëve tanë. Kthimi në besim rastësor nuk është një parim i ungjillit të Jezu Krishtit.”24 Dashuria dhe ftesat tona të frymëzuara mund të sjellin një ndryshim te mënyra se si fëmijët tanë e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes. Presidenti Nelson theksoi: “Asnjë punë tjetër nuk e tejkalon atë të prindërimit të drejtë e të kujdesshëm!”25

Përfundimi

Prindër, kjo botë është plot filozofi, kultura dhe ide që konkurrojnë për vëmendjen e fëmijëve tanë. Ndërtesa e gjerë dhe e madhe e reklamon anëtarësinë e saj çdo ditë duke përdorur kanalet më aktuale të medias. “Por, në dhuratën e Birit të tij”, dha mësim profeti Moroni, “Zoti përgatiti një udhë më të shkëlqyer.”26

Ndërsa bëhemi bashkëpjesëmarrës me Perëndinë nëpërmjet besëlidhjeve dhe bëhemi vepruesit e Tij në kujdesin për fëmijët tanë, Ai do t’i shenjtërojë qëllimet tona, do t’i frymëzojë mësimet tona dhe do t’i zbutë ftesat tona në mënyrë që “fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”27. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Psalmeve 127:3.

  2. Johnny Welch, “The Puppet”, riprodhuar te inspire21.com/thepuppet; shihni edhe te Johnny Welch, Lo que me ha enseñado la vida (1996).

  3. Kjo mund të duket si një detyrë e frikshme, por siç tha Plaku Xhefri R. Holland: “Me ndihmën e një Ati Qiellor, ne mund të lëmë më shumë për trashëgiminë prindërore nga sa mendojmë” (“The Hands of the Fathers”, Liahona, korrik 1999, f. 18).

  4. Russell M. Nelson, “Thou Shalt Have No Other Gods”, Ensign, maj 1996, f. 15.

  5. Dallin H. Oaks, “The Gospel Culture”, Liahona, mars 2012, f. 22.

  6. Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 99.

  7. Dallin H. Oaks, “The Gospel Culture”, f. 22.

  8. Dallin H. Oaks, “The Gospel Culture”, f. 22.

  9. Shihni te Moroni 10:5.

  10. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113.

  11. Kthimi në Besim Është Synimi Ynë”, tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023, f. v.

  12. Moisiu 6:58.

  13. Shihni tek American Dictionary of the English Language, “freely”, webstersdictionary1828.com/Dictionary/freely.

  14. Moisiu 5:12.

  15. Shihni tek “Taking Charge of Technology” dhe Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  16. Gjoni 5:19.

  17. Shihni te “Matthew 16:17–18. Individual Revelation Needed for a Testimony of Jesus Christ”, te New Testament Student Manual (2018), f. 52.

  18. Shihni te Dejll G. Renland, “Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104: “Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai”.

  19. Shihni te “Shtojcë: Përgatitja e Fëmijëve Tuaj për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”, tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  20. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022; f. 97–98.

  21. Moisiu 1:39. Në këtë varg, Jezu Krishti po flet në emër të Atit Qiellor.

  22. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore), 15 maj 2022, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  23. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 10: “Mos u përpiqni t’i vini nën kontroll fëmijët tuaj. Në vend të kësaj, … dëgjo[ji]ni ata, … ndihmo[ji]ni t[a] mësojnë ungjillin, … frymëzo[ji]ni ata dhe … udhëhiq[i]ni drejt jetës së përjetshme. Ju jeni vepruesit për Perëndinë në kujdesin për fëmijët … të cilët Ai ju[a] ka [mirë]besuar. Lëreni ndikimin e Tij hyjnor të qëndrojë në zemrën tuaj, ndërsa [i] mësoni dhe bindni të tjerët.”

  24. Xhoi D. Xhons, “Bashkëbisedimet Thelbësore”, Liahona, maj 2021, f. 13.

  25. Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 131.

  26. Ethëri 12:11.

  27. 2 Nefi 25:26.