Konferenca e Përgjithshme
A Dëshironi të Jeni të Lumtur?
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


A Dëshironi të Jeni të Lumtur?

Qëndroni në shtegun e besëlidhjeve. Jeta juaj do të jetë më e lehtë, më e lumtur dhe e mbushur me gëzim.

A dëshironi të jeni të lumtur? Çfarë ju bën të palumtur? Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Nëse doni të jeni të mjeruar, shkelini urdhërimet dhe mos u pendoni kurrë. Nëse doni gëzim, qëndroni në shtegun e besëlidhjeve.”1 A nuk është e thjeshtë të jesh i lumtur? Thjesht bëjini besëlidhjet dhe mbajini ato në jetën tuaj. Le të shqyrtojmë disa gjëra që mund të na ndihmojnë të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve dhe të na bëjnë të lumtur.

1. Çfarë Është Shtegu i Besëlidhjeve?

Sipas Plakut Dejll G. Renland: “Termi shtegu i besëlidhjeve u referohet një sërë besëlidhjesh me anë të cilave ne vijmë te Krishti dhe lidhemi me Të. Nëpërmjet kësaj lidhjeje besëlidhëse, ne kemi qasje te fuqia e Tij e përjetshme. Shtegu nis me besimin te Jezu Krishti dhe pendimin, ndjekur nga pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë.”2 Ne i përtërijmë këto besëlidhje sa herë që marrim sakramentin.

Duke filluar me besëlidhjen e pagëzimit, ne bëjmë më shumë besëlidhje gjatë gjithë jetës sonë. Plaku Renland përsëri tha: “Shtegu i besëlidhjeve të çon tek ordinancat e tempullit, të tilla si dhurimi në tempull. Dhurimi është dhurata e Perëndisë e besëlidhjeve të shenjta që na lidhin më plotësisht me Të.”3

2. A Jeni Ju në Shtegun e Besëlidhjeve?

Nganjëherë kur bëjmë besëlidhje, nuk arrijmë t’i mbajmë ato. Kur kjo ndodh, si mund të ktheheni te shtegu i besëlidhjeve? Më lejoni të tregoj disa shembuj të rikthimit në shtegun e besëlidhjeve.

Pak më shumë se një muaj më parë, mora një mesazh nga një misionar i kthyer që shërbeu me ne. Ai tha: “Periudha e fundit ka qenë e vështirë. Lufta me ankthin dhe depresionin çdo ditë më ka ngarkuar emocionalisht dhe është shumë e vështirë. Ndihem i vetmuar dhe i mjerë. Jam lutur për udhërrëfimin e Atit tonë Qiellor për paqe dhe ngushëllim në atë që mund të bëj për t’i luftuar vështirësitë. … Ndërkohë që po lutesha, pata mbresën nga Shpirti se duhej ta paguaja të dhjetën time plotësisht. … E ndjeva Shpirtin aq fort dhe menjëherë ndjeva nxitjen për ta bërë atë. Me dëshirën për ta bërë atë, pata mbresën: ‘Nëse do ta paguash të dhjetën, gjithçka do të jetë mirë’. Ende e kam të vështirë të gjej paqe, por vërtet kam një dëshmi për Shpëtimtarin tonë dhe nëpërmjet bindjes, mund ta ndiej dhe gjej paqen që po kërkoj në zemër dhe mendje. Kohët e fundit kam vendosur të kthehem në Kishë dhe ta kërkoj Shpirtin në gjithçka që bëj.”

Tani ai është shumë mirë. Ju gjithashtu mund t’i kërkoni Atit Qiellor paqe, por përgjigjja mund të jetë ndryshe nga ajo që prisni të jetë. Për sa kohë që kërkoni ta njihni Shpëtimtarin dhe i luteni Atit Qiellor, Ai do t’ju japë një përgjigje posaçërisht për ju.

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

“Mësimi më i madh që mund të mësojmë në vdekshmëri, është se, kur Perëndia flet dhe ne bindemi, do të jemi gjithnjë në rregull”4.

“Kur i zbatojmë urdhërimet, jeta jonë do të jetë më e lumtur, më e përmbushur dhe më pak e koklavitur. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar dhe ne do të marrim bekimet e premtuara prej [Perëndisë].”5

Kur u thirra për të qenë peshkop, ishte gjatë kohës më të vështirë të jetës sime. Isha një baba i ri tek të 30‑at por isha në vështirësi financiare për shkak të sfidave familjare. Nuk mund të gjeja asnjë zgjidhje dhe mendova se sfidat nuk do të mbaronin kurrë. Isha i sfilitur financiarisht dhe emocionalisht. Fillova të dyshoja edhe te forca ime shpirtërore. Pikërisht në atë kohë të vështirë presidenti im i kunjit ma ofroi thirrjen. E pranova thirrjen gjithsesi, ndonëse qe e vështirë.

Bashkëshortja ime bëri gjithashtu një intervistë me presidentin e kunjit, por ajo nuk mund të thoshte ‘po’, por nuk tha as ‘jo’, thjesht vazhdoi të derdhte lot. Ajo qau gjatë gjithë javës, duke e pyetur Atin Qiellor: “Përse tani?” dhe “A e njeh Ti realisht secilin individ?” Ajo nuk mori një përgjigje, por unë u mbështeta si peshkop të dielën vijuese. Ajo nuk ia bëri më Atit Qiellor ato pyetje por më përkrahu në thirrjen time për gjashtë vjet.

Të dielën që u lirova, bashkëshortja ime dëgjoi një zë ndërkohë që po merrte sakramentin. Zëri i pëshpëriti: “Për shkak se e kishe shumë të vështirë të ecje, e thirra atë si peshkop, me qëllim që të të mbante dhe të ecte për ty”. Duke e kthyer kokën pas tek gjashtë vitet e kaluara, ajo kuptoi se të gjitha sfidat e shumta që dukeshin të pafundme tani ishin zgjidhur përgjatë udhës.

Ne mësuam se kur mendojmë që nuk është koha e përshtatshme që ne të marrim një thirrje, mund të jetë pikërisht koha që na nevojitet ajo thirrje më së shumti. Sa herë që Zoti na kërkon të shërbejmë në çfarëdo thirrjeje, qoftë nëse është një thirrje më e lehtë apo e rëndë, Ai i sheh nevojat tona. Ai na jep forcën që na nevojitet dhe i ka bekimet gati që t’i derdhë mbi ne ndërsa shërbejmë besnikërisht.

Ka shumë gjëra të tjera që na shpërqendrojnë për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve. Pavarësisht se çfarë është, nuk është kurrë tepër vonë për ta kthyer zemrën tonë tek Ati Qiellor për ndihmë. Plaku Pol V. Xhonson na mësoi: “Kur ndjekim Satanin, ne i japim atij fuqi. Kur ndjekim Perëndinë, Ai na jep fuqi.”6

Mbreti Beniamin në Librin e Mormonit dëshmon: “Do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund.”7

3. Si Mund t’ju Bëjë të Lumtur Mbajtja e Besëlidhjeve me Perëndinë?

Bashkëshortja ime thotë se martesa jonë na lidh nën zgjedhë së bashku dhe për këtë shkak ajo mund të bëjë gjëra që nuk mund t’i bënte më parë. Për shembull, qëkurse ishte e re, ajo e kishte të vështirë të dilte në errësirë, por tani nuk është më e vështirë ngaqë shkoj unë me të. Ajo është e shkurtër dhe nuk mund t’i arrijë raftet e sipërme nëse nuk përdor një karrige ose shkallë, por unë mund t’i arrij për të gjërat në raftet e sipërme ngaqë jam më i gjatë se ajo. Marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit tonë mbi vete është diçka e tillë. Ndërsa e lidhim veten nën zgjedhë me Të, ne mund të bëjmë gjëra që nuk mund t’i bënim dot të vetëm ngaqë Ai mund të bëjë gjëra që nuk mund t’i bëjmë për veten.

Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na lidh te Zoti Jezu Krisht dhe na bashkon me Të. Në thelb, Shpëtimtari po na bën thirrje që të mbështetemi tek Ai dhe të tërheqim së bashku me Të, edhe pse përpjekjet tona më të mira nuk janë të barabarta dhe as që mund të krahasohen me përpjekjet e Tij. Kur i mirëbesojmë Atij dhe e tërheqim barrën tonë me Të gjatë udhëtimit të vdekshmërisë, me të vërtetë zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë.”8

Presidenti Nelson gjithashtu dha mësim:

“Marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit do të thotë që ju keni qasje te forca dhe fuqia shëlbuese e Tij9.

“Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona. Kjo fuqi na e lehtëson udhën. Ata që i jetojnë ligjet më të larta të Jezu Krishtit, kanë qasje te fuqia e Tij më e lartë”.10

“[M]bajtja e besëlidhjeve, në fakt e bën jetën më të lehtë! Çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit.”11

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, a dëshironi të jeni të lumtur? Qëndroni në shtegun e besëlidhjeve. Jeta juaj do të jetë më e lehtë, më e lumtur dhe e mbushur me gëzim. Shpëtimtari ynë po na fton: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”12. Ai është Krishti i gjallë. Ai i mbart barrët tona dhe e bën jetën tonë më të lehtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.