Konferenca e Përgjithshme
Lavdi Burrit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Lavdi Burrit

Sa tejet të bekuar jemi që dimë gjithçka që dimë, sepse kemi Jozef Smithin, profetin e kësaj periudhe ungjillore të fundit kohore.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, jam i nderuar që jam me ju këtë mëngjes. Lutem që Zoti të më bekojë.

Sytë e mi nuk janë më si dikur. Shkova dhe takova okulisten dhe i thashë: “Nuk mund ta shoh ekranin për fjalimin”.

Dhe ajo tha: “Epo, sytë e tu janë të vjetër. Nuk kanë për të ndryshuar.”

Ndaj do të bëj më të mirën që mundem.

Do të doja të ndaja me ju disa gjëra që i kam pasur në mendje. Më duket se muajt e fundit e kam pasur në mendje Profetin Jozef. Jam ulur dhe kam menduar për përgjegjësinë e tij të lavdishme për t’u bërë profet i kësaj periudhe ungjillore të plotësisë së kohëve.

Mendoj se sa mirënjohës jemi si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që Jozef Smithi, një djalë që dëshironte të dinte se çfarë duhej të bënte për t’iu falur mëkatet, gjeti kurajën të shkonte në një korije pemësh pranë shtëpisë së tij në Palmira të Nju-Jorkut dhe atje u gjunjëzua në lutje dhe, sipas vetë deklaratës së tij, u lut me zë të lartë për herë të parë (shihni te Joseph Smith – Historia 1:14).

Në atë rast, ndërsa Jozefi u gjunjëzua në atë që ne e quajmë Korija e Shenjtë, qiejt u hapën. Para tij u shfaqën dy personazhe, më të shndritshëm se dielli i mesditës. Njëri i foli atij dhe i tha: “[Jozef], [k]y është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17.) Kështu filloi Rivendosja e plotësisë së ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit.

Duke qenë se Jezusi, Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë, i foli djaloshit Jozef dhe hapi këtë periudhë ungjillore kohore në të cilën jetojmë tani, ne këndojmë: “Lavdi burrit që me Jehovën foli!” (“Lavdi Burrit”, Himne, nr. 19.) Ne e falënderojmë Zotin për Jozef Smithin dhe për kurajën e tij për të shkuar në atë korije pemësh në vitin 1820, afër shtëpisë së tij në Palmira të Nju‑Jorkut.

Kam menduar për të gjitha gjërat e mrekullueshme që dimë dhe për të gjitha gjërat që kemi. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, dëshmia ime për ju këtë mëngjes është se sa tejet të bekuar jemi që dimë gjithçka që dimë, sepse kemi Jozef Smithin, profetin e kësaj periudhe ungjillore të fundit kohore.

Ne kemi një kuptueshmëri për qëllimin e jetës, për faktin se cilët jemi.

Ne e dimë se kush është Perëndia; ne e dimë se kush është Shpëtimtari, sepse kemi Jozefin, i cili shkoi në një korije pemësh kur ishte i ri, duke kërkuar falje për mëkatet e veta.

Mendoj se është një nga gjërat më të lavdishme dhe më të mrekullueshme që mund të dijë kushdo në këtë botë, se Ati ynë Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht kanë zbuluar Veten në këtë ditë të mëvonshme dhe se Jozefi është ngritur për të rivendosur plotësinë e ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit.

Ne kemi Librin e Mormonit. Çfarë dhurate e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme është Libri i Mormonit për anëtarësinë e Kishës! Ai është një dëshmitar tjetër, një dëshmi tjetër se Jezusi është Krishti. Ne e kemi atë sepse Jozefi ishte i denjë të shkonte për të marrë fletët, u frymëzua nga qielli për t’i përkthyer ato me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe për t’ia dhënë librin botës.

Ndonëse mesazhi im këtë mëngjes është i thjeshtë, ai është i thellë dhe është plot dashuri për Profetin Jozef Smith dhe për të gjithë ata, vëllezërit dhe motrat e mia, të cilët e kanë mbështetur atë dhe ishin të gatshëm ta mbështetnin atë në rininë e tij.

Do të doja të kujtoja këtë mëngjes nënën e tij. Gjithmonë kam menduar se sa e mrekullueshme ishte që kur Jozefi u kthye në shtëpi nga ajo përvojë në Korijen e Shenjtë dhe i tregoi nënës së tij se çfarë kishte ndodhur, Lusi Mek Smithi e besoi atë.

Jam mirënjohës për atin e tij, vëllezërit e tij, motrat dhe familjen e tij, të cilët e mbështetën atë në këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme që Zoti vendosi mbi të për t’u bërë profet për të rivendosur plotësinë e ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit përsëri në tokë.

Pra, dëshmia ime këtë mëngjes është se e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. E di gjithashtu se Ati ynë Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht iu shfaqën dhe i folën Jozefit dhe e përgatitën atë për t’u bërë profet.

Mrekullohem, dhe jam i sigurt se edhe shumë prej jush mrekullohen, se sa të bekuar jemi të dimë atë që dimë për qëllimin tonë në jetë, pse jemi këtu, çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë dhe të përmbushim në jetën tonë të përditshme. Jemi në procesin e përpjekjes për t’u përgatitur, ditë pas dite, për të qenë pak më të mirë, për të qenë pak më të sjellshëm, për të qenë pak më të përgatitur për atë ditë, e cila me siguri do të vijë, kur do të kalojmë përsëri në praninë e Atit tonë Qiellor dhe Zotit Jezu Krisht.

Për mua kjo kohë është pak më e afërt. Së shpejti do të jem 95 vjeç. Fëmijët e mi më thonë se mendojnë se ka ditë kur jam shumë më i madh se 95 vjeç, por nuk ka problem. Po bëj më të mirën që mundem.

Por për gati 50 vjet, vëllezër e motra, kam pasur privilegjin të shkoj në të gjithë botën me detyrën time si Autoritet i Përgjithshëm i Kishës. Ka qenë një bekim i mahnitshëm. Mendoj se kam qenë shumë afër të shkoja në thuajse të gjitha vendet e botës. Jam takuar me anëtarë të Kishës nga e gjithë bota.

O, sa ju dua! Çfarë përvoje e lavdishme që ka qenë, të shikosh fytyrat tuaja, të jesh në praninë tuaj dhe të ndiesh dashurinë që keni për Zotin dhe për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit.

U kujdestë Ati ynë Qiellor për ne tani dhe i bekoftë të gjitha punimet e konferencës! E paçim Shpirtin e Zotit të gufuar në zemrat tona dhe dashuria jonë për ungjillin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarin tonë të dashur, Zotin Jezu Krisht, u rrittë ndërsa përpiqemi t’i shërbejmë Atij dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe të jemi më shumë si Ai si rrjedhojë e pjesëmarrjes sonë në konferencën e përgjithshme! Kudo qofshi në këtë botë, Perëndia ju bekoftë! Shpirti i Zotit qoftë me ne! E ndjefshim fuqinë e qiellit ndërsa adhurojmë së bashku në këtë sesion konference!

Ju lë dëshmimin dhe dëshminë time se e di se Jezusi është Krishti. Ai është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë. Ai është miku ynë më i mirë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.