Konferenca e Përgjithshme
Shoqëruesi Ynë i Vazhdueshëm
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Shoqëruesi Ynë i Vazhdueshëm

Ju dhe unë kemi mundësinë ta kemi Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në këtë konferencë jemi bekuar me një derdhje të zbulesës. Shërbëtorët e Zotit Jezu Krisht kanë folur dhe do të flasin fjalë të vërtete, inkurajimi dhe drejtimi.

Jam prekur nga dëshmitë e dhëna në këtë konferencë se Zoti na flet personalisht nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Teksa lutemi dhe pastaj ua vëmë veshim nxitjeve të Shpirtit, ne marrim ide dhe bekime më të mëdha për të na udhërrëfyer nëpër ditët gjithmonë e më të vështira që po vijnë.

E kemi dëgjuar sërish paralajmërimin e Presidentit Rasëll M. Nelson që “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”1.

Ai paralajmërim profetik më ka bërë të përsiat se çfarë mund t’u mësoj fëmijëve, nipërve e mbesave dhe stërnipërve e stërmbesave të mia rreth mënyrës se si ta kenë për vete atë udhërrëfim vendimtar në ditët që po vijnë.

Pra, ky mesazh sot është një letër e shkurtër drejtuar pasardhësve të mi që mund t’i ndihmojë ata kur unë të mos jem me ta në ditët emocionuese që po vijnë. Dëshiroj që ata ta dinë atë që unë kam arritur të di, që mund t’i ndihmojë ata.

Kam arritur të kuptoj më mirë se çfarë kërkohet nga ata që ta kenë ndikimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë në ditët në të cilat do të jetojnë. Dhe kam ndier mbresën të flas sot nga përvoja ime vetjake për ta ftuar sa më mirë të mundem Frymën e Shenjtë që të jetë shoqëruesi im i vazhdueshëm. Lutja ime është që të mund të jem i aftë t’i inkurajoj ata.

Do t’i vija të mendonin dhe të luteshin rreth bijve të Helamanit, Nefit dhe Lehit, dhe shërbëtorëve të tjerë të Zotit që punonin fort me ta. Ata u përballën me kundërshtim të ashpër. Ata po shërbenin në një vend të lig dhe u duhej të përballeshin me mashtrime të tmerrshme. Marr kurajë, edhe ju mund të merrni kurajë, nga ky varg i vetëm nga anali i Helamanit:

“Dhe, në vitin e shtatëdhjetenëntë filluan të kishin shumë kundërshtime. Por ndodhi që Nefi dhe Lehi dhe shumë prej vëllezërve të tyre, që dinin në lidhje me pikat e vërteta të doktrinës, duke patur përditë shumë zbulesa, kështu që ata i predikuan popullit, kaq sa u dhanë fund kundërshtimeve të tyre po atë vit.”2

Ky rrëfim më inkurajon dhe mund t’ju inkurajojë edhe ju. Bijtë e Helamanit morën mësime dhe u udhëzuan nga një sërë përvojash nga Fryma e Shenjtë. Kjo më siguron se ne mund të marrim mësime dhe të mësojmë nga Shpirti rresht pas rreshti, duke marrë atë që na nevojitet, dhe pastaj, kur të jemi gati, do të marrim më shumë.

Jam inkurajuar në të njëjtën mënyrë edhe nga rrëfimi i Nefit që iu kërkua të kthehej në Jerusalem për fletët e Labanit. Ju e mbani mend zgjedhjen që bëri ai. Ai tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”3.

Përvoja e Nefit me Frymën e Shenjtë në atë porosi më ka dhënë kurajë shumë herë kur kam nisur detyra që e dija se ishin caktime nga Zoti, por që dukeshin sikur i tejkalonin përvojat e mia të shkuara dhe e tejkalonin atë që e shihja si kapacitetin tim.

Ju e mbani mend atë që tha Nefi rreth përvojës së tij: “Dhe ishte natë dhe unë i bëra [vëllezërit e mi] të fshiheshin jashtë mureve. Dhe, pasi u fshehën, unë, Nefi, u zvarrita në qytet dhe u drejtova për në shtëpinë e Labanit.”

Ai vijoi duke thënë: “Dhe unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja”4.

Jam inkurajuar nga njohuria se Nefi u udhërrëfye nga Shpirti çast pas çasti gjatë natës në punën e Zotit.

Ne kemi nevojë, dhe ju do të keni nevojë, për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Tani, ne e dëshirojmë atë, prapëseprapë e dimë nga përvoja se nuk është e lehtë ta arrijmë. Ne të gjithë mendojmë, themi dhe bëjmë gjëra në jetën tonë të përditshme, të cilat mund ta fyejnë Shpirtin.

Kur kjo ndodh, siç e dimë që ndodh, ne mund të ndiejmë mosmiratim nga Zoti. Dhe mund të tundohemi të ndiejmë se jemi vetëm. Është e rëndësishme të kujtojmë premtimin e sigurt që marrim çdo javë teksa pendohemi dhe marrim sakramentin: “Që të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”5.

Nëse e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë sot, ju mund ta merrni atë si fakt të këndshëm që Shlyerja po funksionon në jetën tuaj.

Sikurse ka thënë Plaku Xhefri R. Holland: “Sa herë që na vijnë këto çaste ekstreme, ne nuk duhet t’i jepemi frikës se Perëndia na ka braktisur ose që Ai nuk i dëgjon lutjet tona. Ai vërtet na dëgjon. Ai vërtet na shikon. Ai vërtet na do.”6

Ajo siguri më ka ndihmuar. Kur ndihem larg Zotit, kur përgjigjet e lutjeve të mia duken të vonuara, kam mësuar të ndjek këshillën e Presidentit Nelson, që ta shqyrtoj jetën time për mundësi për t’u penduar. Ai na kujton: “Pendimi i përditshëm është shtegu drejt pastërtisë dhe pastërtia sjell fuqi”7.

Nëse e gjeni veten në vështirësi për të ndier Frymën e Shenjtë, ju mund të përsiatni nëse ka ndonjë gjë për të cilën ju mund të pendoheni dhe të merrni falje.8 Mund të luteni me besim për të ditur se çfarë të bëni për t’u pastruar dhe si rrjedhim, për t’u kualifikuar më shumë për atë shoqërim të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.

Nëse doni ta merrni shoqërimin e Frymës së Shenjtë, duhet ta doni atë për arsyet e duhura. Qëllimet tuaja duhet të jenë qëllimet e Zotit. Nëse shtysat tuaja janë tepër egoiste, do ta keni të vështirë të merrni dhe ndieni nxitje nga Shpirti.

Çelësi për mua dhe për ju është të doni atë që do Shpëtimtari. Shtysat tona duhet të nxiten nga dashuria e pastër e Krishtit. Lutjet tona duhet të jenë: “Gjithçka që unë dua, është ajo që do ti. U bëftë vullneti yt.”

Përpiqem të kujtoj flijimin e Shpëtimtarit dhe dashurinë e Tij për mua. Pastaj, kur i lutem Atit Qiellor për t’i dhënë falënderime, ndiej dashurinë dhe sigurinë që lutjet e mia dëgjohen dhe se do të marr atë që është më e mira për mua dhe ata që dua. Kjo e forcon dëshminë time.

Nga të gjitha gjërat për të cilat dëshmon Fryma e Shenjtë, më e çmuara për ne është se Jezusi është Krishti, Biri i gjallë i Perëndisë. Shpëtimtari premtoi: “Kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua”9.

Vite më parë mora një telefonatë nga një nënë e shqetësuar. Ajo më tha se e bija ishte shpërngulur larg shtëpisë. Ajo ndjeu nga kontakti i shkurtër që kishte me të bijën, se diçka nuk shkonte aspak mirë. Ajo m’u përgjërua që ta ndihmoja.

Gjeta se kush ishte mësuesi i shtëpisë së bijës së saj. Nga vetë thirrja mund ta kuptoni se ishte shumë kohë më parë. E mora në telefon atë. Ai ishte i ri në moshë. Por më tha se ai dhe shoku i tij në mësimin e shtëpisë ishin zgjuar natën jo vetëm me shqetësim për atë vajzë, por me frymëzim se ajo po bëhej gati të bënte zgjedhje që do t’i sillnin asaj trishtim dhe mjerim. Vetëm me atë frymëzim të Shpirtit, ata shkuan ta takonin.

Në fillim, ajo nuk donte t’u tregonte për situatën e saj. Në frymëzim e sipër, ata iu përgjëruan që të pendohej dhe të zgjidhte shtegun që Zoti kishte për të. Atëherë, ajo kuptoi, unë besoj nëpërmjet Shpirtit, se mënyra e vetme se si mund ta kishin ditur atë që dinin rreth jetës së saj, ishte nga Perëndia. Një nënë ia drejtoi shqetësimet e saj të zemrës Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit. Fryma e Shenjtë ishte dërguar tek ata mësues të shtëpisë ngaqë ishin të gatshëm t’i shërbenin Zotit. Ata e kishin ndjekur këshillën dhe premtimin që gjendet te Doktrina e Besëlidhjet:

“Brendësia jote duhet të jetë plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve e ndaj familjes së besimit dhe virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt.

Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë.”10

Dëshmoj se Zoti e ka mbajtur premtimin e Tij. Fryma e Shenjtë dërgohet tek anëtarët besnikë e besëlidhës të Kishës së Jezu Krishtit. Tani, përvojat tuaja do të jenë unike dhe Shpirti do t’ju udhërrëfejë në mënyrën që i përshtatet më së miri besimit dhe kapacitetit tuaj për të marrë zbulesë për veten dhe për ata që i doni dhe u shërbeni. Lutem me gjithë zemër që besimi juaj në vetvete të rritet.

Jap dëshminë time se Perëndia Ati, jeton. Ai ju do. Ai e dëgjon çdo lutje tuajën. Jezu Krishti iu lut njëmend Atit që të dërgonte Frymën e Shenjtë për të na udhëzuar, ngushëlluar dhe dëshmuar për të vërtetën. Ati, dhe Biri i Tij i Dashur iu shfaqën Jozef Smithit në një korije pemësh. Profeti Jozef Smith e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

Lajmëtarët qiellorë i rivendosën çelësat e priftërisë. Presidenti Rasëll M. Nelson, është profeti i Perëndisë për të gjithë tokën.

Si dëshmitar i Jezu Krishtit, e di se Ai jeton dhe Ai e udhëheq Kishën e Tij. Ju dhe unë kemi mundësinë ta kemi Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm dhe të na pohohen ato të vërteta teksa e kujtojmë dhe e duam Shpëtimtarin, pendohemi dhe kërkojmë që dashuria e Tij të jetë në zemrën tonë. Lutem që ne të mund ta kemi atë bekim dhe shoqërimin e Shpirtit të Shenjtë sot dhe çdo ditë të jetës sonë. Ju dua. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.