Konferenca e Përgjithshme
Të Përulur për të Pranuar dhe Ndjekur
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Të Përulur për të Pranuar dhe Ndjekur

Përulësia është një kërkesë e detyrueshme kundrejt nesh që të jemi gati për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.

kapitullin e pestë të Almës, parashtrohet një pyetje vetëshqyrtuese: “A mund të thonit, në veten tuaj, po të thirreshit që të vdisni në këtë çast, se keni qenë aq sa duhet të përulur?”1 Ajo pyetje të lë të kuptosh se përulësia është një kërkesë e detyrueshme kundrejt nesh që të jemi gati për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.

Të gjithëve na pëlqen të mendojmë se jemi mjaftueshëm të përulur, por disa përvoja në jetë na bëjnë të kuptojmë se njeriu i natyrshëm, burri ose gruaja krenare shpesh vlon brenda nesh.

Vite më parë, kur dy vajzat tona jetonin ende me ne në shtëpi, vendosa t’u tregoja atyre dhe bashkëshortes sime sektorin e biznesit për të cilin isha përgjegjës në kompaninë ku punoja.

Megjithatë, qëllimi im i vërtetë ishte t’u tregoja atyre një vend ku, ndryshe nga shtëpia jonë, të gjithë do të bënin pikërisht atë që u kërkoja pa e diskutuar. Kur mbërritëm te porta kryesore, e cila zakonisht hapej automatikisht kur makina ime afrohej, u habita që këtë herë nuk u hap. Përkundrazi, një rojë sigurie, të cilin nuk e kisha parë kurrë më parë në jetën time, erdhi te makina dhe më kërkoi kartën time të hyrjes të kompanisë.

I thashë se nuk më ishte dashur kurrë një kartë hyrjeje për të hyrë me makinë në pronë dhe më pas i bëra pyetjen klasike të personit krenar: “A e di se me kë po flet?”

Së cilës ai iu përgjigj: “Epo, meqë nuk e keni kartën tuaj të hyrjes të kompanisë, nuk mund ta di se kush jeni dhe sa jam unë në këtë portë nuk do të lejoheni të hyni brenda territorit pa dokumentin e duhur të identifikimit”.

Mendova të shikoja te pasqyra e mesit e makinës për të parë reagimin e vajzave të mia për gjithë këtë situatë, por e dija që ato po e shijonin çdo sekondë të atij momenti! Bashkëshortja ime përbri meje, po tundte kokën në shenjë mosmiratimi të sjelljes sime. Mundësia ime e fundit atëherë ishte t’i kërkoja ndjesë rojës dhe t’i thosha se më vinte shumë keq që e trajtova aq ashpër. “Ju kam falur”, tha ai, “por pa një kartë hyrjeje të kompanisë sot nuk do të futeni brenda!”

Pastaj e ngava makinën shumë ngadalë drejt shtëpisë që të merrja kartën time të hyrjes, pasi me gjasë e kisha marrë këtë mësim të vlefshëm se, kur zgjedhim të mos jemi të përulur, përfundojmë të turpëruar.

Te Fjalët e Urta gjejmë: “Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi”2. Për të zhvilluar përulësi, duhet të kuptojmë se çfarë do të thotë ajo në të vërtetë në kontekstin e ungjillit.

Disa njerëz e ngatërrojnë të qenit të përulur me gjëra të tjera, si për shembull, me të qenët të varfër. Por në fakt, ka shumë njerëz të cilët janë të varfër dhe krenarë dhe gjithashtu shumë njerëz që janë të pasur e prapë të përulur. Të tjerë që janë tepër të ndrojtur ose kanë vetëvlerësim të ulët mund të kenë një paraqitje të përulësisë së jashtmi, por ndonjëherë thellë brenda vetes janë plot krenari.

Atëherë, çfarë është përulësia? Sipas manualit Predikoni Ungjillin Tim, ajo është “gatishmëria për t’iu nënshtruar vullnetit të Zotit. … Është të jesh i mësueshëm. … [Ajo] është një katalizator jetik për rritjen shpirtërore.”3

Sigurisht që ka mundësi të shumta për të gjithë ne që të përmirësohemi në këtë cilësi si të Krishtit. Fillimisht do të doja të shqyrtoja se sa të përulur kemi qenë, ose duhet të jemi, në ndjekjen e këshillës së profetit tonë. Një pyetësor i çastit për ne individualisht mund të jetë:

  • A e përmendim emrin e plotë të Kishës në të gjitha ndërveprimet tona? Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ta heqësh emrin e Zotit nga Kisha e Zotit, është një fitore madhore për Satanin”4.

  • A po e lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë duke e pranuar ftesën shumë specifike të profetit tonë? “Sot u bëj thirrje anëtarëve tanë kudo, që të prijnë udhën në braktisjen e qëndrimeve dhe veprimeve paragjykuese.”5

  • A po e mundim botën, duke i mirëbesuar doktrinës së Krishtit më shumë sesa filozofive të njerëzve, siç dha mësim profeti ynë?6

  • A jemi bërë paqebërës duke u thënë gjëra pozitive njerëzve dhe duke thënë gjëra pozitive për ta? Presidenti Nelson na mësoi në konferencën e fundit të përgjithshme sa vijon: “Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, që mund ta themi rreth një personi tjetër, qoftë ballë për ballë ose pas shpinës së tij ose të saj, ai duhet të jetë standardi ynë i komunikimit”7.

Këto janë udhëzime të thjeshta, por të fuqishme. Kujtoni, gjithçka që duhej të bënte populli i Moisiut për t’u shëruar, ishte të shihte gjarprin prej bronzi që ai kishte ngritur lart.8 Por “për shkak të thjeshtësisë së udhës ose lehtësisë së saj, kishte shumë që mbaruan”9.

Gjatë kësaj konference kemi dëgjuar dhe ende do të dëgjojmë këshillat e patëmeta të profetëve dhe apostujve tanë. Është një rast i përsosur për të zhvilluar përulësinë dhe për t’i lënë opinionet tona të forta të gëlltiten nga një bindje edhe më e fortë se Zoti vërtet flet nëpërmjet këtyre udhëheqësve të zgjedhur.

Mbi të gjitha, gjatë procesit të zhvillimit të përulësisë, duhet të kuptojmë dhe të pranojmë gjithashtu se nuk jemi në gjendje t’i kapërcejmë sfidat tona apo ta arrijmë potencialin tonë të plotë vetëm nëpërmjet përpjekjeve tona. Folësit motivues, shkrimtarët, trajnerët dhe influencuesit publikë kudo në botë, veçanërisht në platformat digjitale, do të thonë se gjithçka varet vetëm nga ne dhe veprimet tona. Bota beson në krahun prej mishi.

Por nëpërmjet ungjillit të rivendosur, kemi mësuar se varemi së tepërmi nga mirëdashja e Atit Qiellor dhe Shlyerja e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, “pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”10. Prandaj është kaq e rëndësishme të bëjmë dhe t’i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë, pasi bërja e kësaj do të na japë qasje të plotë te fuqia shëruese, aftësuese dhe përsosëse e Jezu Krishtit nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Frekuentimi i mbledhjes së sakramentit çdo javë dhe adhurimi në tempull rregullisht, për të marrë pjesë në ordinanca dhe për të marrë e përtërirë besëlidhjet, është një shenjë se ne e dallojmë varësinë tonë tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Kjo do ta ftojë fuqinë e Tyre në jetën tonë për të na ndihmuar në të gjitha problemet tona dhe që në fund të përmbushim qëllimin e krijimit tonë.

Jo shumë kohë më parë, niveli i përulësisë dhe kuptueshmërisë sime për varësinë time te Zoti u sprovua edhe një herë. Isha në një taksi duke shkuar në aeroport për të bërë një fluturim të shkurtër diku ku duhej zgjidhur një situatë shumë e vështirë. Shoferi i taksisë, i cili nuk qe anëtar i Kishës, më pa nga pasqyra dhe më tha: “E shoh që nuk je mirë sot!”

“Pse, dallohet?” – e pyeta.

“Sigurisht”, tha ai. Pastaj më tha diçka të tillë: “Në fakt të rrethon një aureolë shumë negative!”

I shpjegova se kisha një situatë mjaft të vështirë për të përballuar dhe më pas ai më pyeti: “A ke bërë gjithçka mundesh për ta zgjidhur këtë?”

Iu përgjigja se kisha bërë gjithçka që mundesha.

Pastaj ai tha diçka që nuk e kam harruar kurrë: “Atëherë lëre këtë në duart e Perëndisë dhe çdo gjë do të shkojë për bukuri”.

Rrëfej se u tundova ta pyesja: “A e di se me kë po flet?” Por nuk e bëra! Ajo që bëra, ishte të përulesha në lutje para Zotit gjatë gjithë atij fluturimi njëorësh, duke kërkuar ndihmën hyjnore. Ndërsa po dilja nga avioni, mësova se situata e vështirë që duhej zgjidhur, tashmë ishte në rregull dhe se prania ime as nuk do të ishte më e nevojshme.

Vëllezër dhe motra, urdhri, ftesa dhe premtimi nga Zoti është i qartë dhe ngushëllues: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua”11.

Qofshim të përulur për ta ndjekur këshillën e profetëve tanë dhe për ta pranuar se vetëm Perëndia dhe Jezu Krishti mund të na shndërrojnë, nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të marra në Kishën e Tij, në variantin më të mirë të vetes sonë në këtë jetë dhe, një ditë, të na bëjnë të përsosur në Krisht. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.