Konferenca e Përgjithshme
Më Shumë se një Hero
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Më Shumë se një Hero

Jezu Krishti nuk është vetëm heroi ynë, Ai është Zoti dhe Mbreti ynë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i njerëzimit.

Nga viti 1856 deri në vitin 1860, mijëra pionierë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, i tërhoqën zotërimet e tyre me karroca dore, për më shumë se 1 600 kilometra (1 000 milje), teksa udhëtonin drejt luginës së Solt‑Lejkut. Njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë vjet më parë si kjo javë, më 4 tetor 1856, Presidenti Brigam Jang u habit kur mësoi se dy kompani të karrocave të dorës, nën udhëheqjen e Eduard Martinit dhe Xhejms Uillit, ishin ende qindra kilometra larg Solt‑Lejkut, me dimrin që po afronte shpejt.1 Pikërisht ditën e nesërme, jo shumë larg nga vendi ku po mblidhemi sot, Presidenti Jang qëndroi përpara shenjtorëve dhe shpalli: “Shumë prej vëllezërve e motrave tona janë në rrafshina me karroca dore dhe ata duhet të sillen këtu. … Shkoni dhe sillini këtu ata njerëz që janë tani në rrafshina.”2

Vetëm dy ditë më pas, grupet e para të shpëtimit u nisën në kërkim të pionierëve me karroca dore.

Një anëtar i kompanisë së Uillit përshkroi situatën dëshpëruese përpara mbërritjes së ekipit kryesor të shpëtimit. Ai tregoi: “[Pikërisht] atëherë kur u duk se gjithçka do të shkonte më kot … dhe dukej sikur kishte pak arsye për të jetuar, si një vetëtimë në qiell të kthjellët, Perëndia iu përgjigj lutjeve tona. Një grup shpëtimi, që po sillte ushqime dhe furnizime … , na u shfaq para syve. … Oh sa shumë e falënderuam Perëndinë për shpëtimin tonë!”3

Këta shpëtues ishin heronj për pionierët, duke e vënë vetë jetën e tyre në rrezik në kushtet ekstreme të motit për të sjellë sa më shumë vetë të sigurt në shtëpi. Një hero i tillë ishte Efraim Henksi.

Nga mesi i muajit tetor dhe i painformuar për gjendjen e vështirë të [pionierëve] me karroca dore, Henksi po kthehej për në shtëpinë e tij në Solt‑Lejk pas një udhëtimi kur, gjatë natës, atë e zgjoi një zë, duke thënë: “Njerëzit me karroca dore janë në vështirësi dhe ti je i nevojshëm, a do të shkosh dhe t’i ndihmosh?”

Me atë pyetje që i kumbonte në mendje, ai nxitoi të kthehej në Solt-Lejk-Siti. Dhe me të dëgjuar thirrjen e Presidentit Hibër C. Kimball për vullnetarë shtesë, Henksi u nis që ditën e nesërme, i vetëm, për t’i shpëtuar. Duke përparuar shpejt, ai la pas shpëtues të tjerë gjatë udhës dhe për momentin kur e arriti kompaninë e Martinit, Henksi kujtoi: “Pamja që më rroku vështrimin teksa hyra në kampin e tyre, nuk mund të më fshihet kurrë nga kujtesa … [dhe] mjaftonte për të prekur [edhe] zemrën më të fortë”4.

Efraim Henksi shpenzoi ditë duke kaluar nga çadra në çadër për të bekuar të sëmurët. Ai tregoi se “në shumë raste, kur ne u administronim të sëmurëve dhe i qortonim sëmundjet në emrin e Zotit Jezu Krisht, të prekurit e merrnin menjëherë veten; ata u shëruan thuajse në çast”5. Efraim Henksi do të jetë gjithmonë një hero për ata pionierë të karrocave të dorës.

Ngjashëm me atë shpëtim mbresëlënës, ngjarjet që ndikojnë jetën tonë dhe madje rrjedhën e historisë, shpesh janë rezultati i vendimeve dhe arritjeve të burra e grave individualë – artistëve, shkencëtarëve, politikanëve dhe udhëheqësve të mëdhenj të bizneseve. Këta individë të jashtëzakonshëm shpesh nderohen si heronj, me monumente dhe përmendore të ndërtuara për të përkujtuar arritjet e tyre.

Kur isha djalë i vogël, heronjtë e mi të parë ishin atletët. Kujtimet e mia më të hershme janë koleksionimi i kartave të bejsbollit me fotografitë dhe statistikat e lojtarëve të Ligës Kryesore të Bejsbollit. “Adhurimi i heronjve” kur je fëmijë mund të jetë argëtues dhe i pafajshëm, si për shembull kur fëmijët vishen si superheronjtë e tyre të parapëlqyer për festën e Hallouinit. Ndonëse i admirojmë dhe i respektojmë shumë burra e gra të talentuara dhe mbresëlënëse për aftësitë dhe kontributet e tyre, shkalla me të cilën ata nderohen, nëse kalohet në tepri, mund të jetë e barasvlershme me fëmijët e Izraelit që adhuronin një viç të artë në shkretëtirën e Sinait.

Si persona në moshë madhore, ajo që dikur ishte një argëtim i pafajshëm fëmijëror, mund të bëhet një pengesë kur “adhurimi si heronj” i politikanëve, blogerëve, njerëzve me ndikim publik në media, atletëve ose muzikantëve na bën që ne të shohim “përtej shenjës”6 dhe ta heqim vështrimin nga ajo që është vërtet thelbësore.

Për fëmijët e Izraelit, sfida nuk ishte ari që kishin sjellë me vete gjatë rrugëtimit të tyre për në tokën e premtuar, por përkundrazi ajo që e lejuan arin të bëhej: një idhull, i cili më pas u bë objekt i adhurimit të tyre, duke ua hequr vëmendjen nga Jehova, që kishte ndarë Detin e Kuq dhe i kishte çliruar nga robëria. Fokusi i tyre te viçi e preku aftësinë e tyre për të adhuruar Perëndinë e vërtetë.7

Heroi, heroi ynë, tani dhe përgjithmonë, është Jezu Krishti dhe çdo gjë ose çdokush që na shpërqendron nga mësimet e Tij, siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të gjallë, mund të ndikojë negativisht te përparimi ynë në shtegun e besëlidhjeve. Përpara Krijimit të kësaj bote, ne i kthyem sytë nga Jezu Krishti kur u bë e qartë se plani i propozuar nga Ati në Qiell, i cili përfshinte mundësinë tonë për të përparuar dhe për t’u bërë si Ai, po sfidohej.

Jezu Krishti jo vetëm që ishte udhëheqësi në mbrojtjen e planit të Atit tonë, por Ai do të luante edhe rolin më vendimtar në zbatimin e tij. Ai iu përgjigj Atit dhe doli vullnetar për ta ofruar Veten si “çmim për të gjithë”8 që të paguante një borxh që secili prej nesh do ta sillte nëpërmjet mëkatit, por që nuk mund ta paguanim dot ne vetë.

Presidenti Dallin H. Ouks ka dhënë mësim: “[Jezu Krishti] ka bërë gjithçka që është thelbësore për udhëtimin tonë përmes vdekshmërisë drejt fatit të përvijuar në planin e Atit tonë Qiellor”9.

Në Kopshtin e Gjetsemanit, kur u përball me një detyrë aq të rëndë, Shpëtimtari tha me guxim: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” dhe vijoi të merrte mbi Vete një kombinim të dhembjeve, sëmundjeve dhe vuajtjes për mëkatet e të gjithë njerëzve që do të jetonin ndonjëherë.10 Me një vepër të përsosur bindjeje dhe zotimi, Jezu Krishti e përfundoi aktin heroik e suprem në të gjithë krijimin, duke kulmuar me Ringjalljen e Tij të lavdishme.

Në konferencën tonë më të fundit të përgjithshme, Presidenti Rasëll M. Nelson na kujtoi: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!”11 Dhe unë do të shtoja: “Zgjidheni Atë”.

Në botën tonë të ndërlikuar, mund të jetë tunduese të kthejmë sytë drejt heronjve të shoqërisë në një përpjekje për t’i dhënë qartësi jetës, kur mund të duket pështjelluese ose mbingarkuese. Ne blejmë veshjet që ata financojnë, ne përqafojmë politikat që ata përkrahin, dhe ne ndjekim sugjerimet e tyre që shpërndahen në mediat shoqërore. Kjo mund të jetë shumë mirë për pak kalim kohe, por duhet të jemi syçelët që kjo formë adhurimi e heronjve të mos bëhet viçi ynë i artë. Zgjedhja e heroit të duhur ka pasoja të përjetshme.

Kur familja jonë mbërriti në Spanjë për të nisur shërbimin tonë si udhëheqës misioni, ne gjetëm një citim të vënë në kornizë, të thënë nga Plaku Nil A. Maksuell, që ka lidhje me heronjtë që zgjedhim të ndjekim. Ai shpalli: “Nëse nuk keni zgjedhur së pari mbretërinë e Perëndisë, në fund, ajo që keni zgjedhur në vend të saj, nuk do të sjellë asnjë ndryshim”12. Vëllezër e motra, është nëpërmjet zgjedhjes së Jezu Krishtit, Mbretit të mbretërve, që ne zgjedhim mbretërinë e Perëndisë. Cilado zgjedhje tjetër është e barasvlershme me zgjedhjen e krahut prej mishi ose e një viçi të artë dhe si përfundim do të na lërë në baltë.

Te libri i Profetit Daniel në Dhiatën e Vjetër, ne lexojmë rrëfimin mbi Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon, të cilët qartësisht e dinin se cilin hero të zgjidhnin dhe nuk ishte asnjëri prej perëndive të mbretit Nebukadnetsar. Ata shpallën me vetëbesim:

“Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur. …

Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë.”13

Siç dha mësim Apostulli Pal: “Ka shumë perëndi”14 dhe, mund të shtoja, heronj, shumë për të cilët ftohemi t’u përkulemi, t’i adhurojmë dhe përqafojmë. Por ashtu siç e dinin tre miqtë e Danielit, ekziston vetëm Njëri që ka me siguri aftësinë të na çlirojë, sepse Ai e ka bërë tashmë dhe Ai do ta bëjë gjithmonë.

Për ne, në rrugëtimin tonë të kthimit te prania e Perëndisë, tek toka jonë e premtuar, nuk është politikani, muzikanti, atleti apo vlogeri që është problemi, por, përkundrazi, zgjedhja për t’i lejuar ata që të bëhen objektet parësore të vëmendjes dhe fokusit tonë, në vend të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë.

Ne zgjedhim Atë, Jezu Krishtin, kur zgjedhim ta nderojmë ditën e Tij, qofshim në shtëpi ose duke udhëtuar me pushime. Ne zgjedhim Atë kur zgjedhim fjalët e Tij nga shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të gjallë. Ne zgjedhim Atë kur zgjedhim të mbajmë një rekomandim tempulli dhe të jetojmë të denjë për përdorimin e tij. Ne zgjedhim Atë kur jemi paqebërës dhe refuzojmë të jemi grindavecë, “veçanërisht kur kemi ndryshime në opinione”15.

Asnjë udhëheqës nuk ka treguar ndonjëherë më shumë guxim, asnjë bamirës nuk ka treguar më shumë dashamirësi, asnjë mjek nuk ka kuruar më shumë sëmundje dhe asnjë artist nuk ka qenë më krijues sesa Jezu Krishti.

Në një botë me heronj, me përmendore dhe muze që iu kushtohen arritjeve të burrave e grave të vdekshme, ekziston Njëri që qëndron mbi gjithë të tjerët. Unë dëshmoj se Jezu Krishti nuk është vetëm Heroi ynë, Ai është Zoti dhe Mbreti ynë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i njerëzimit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Studime kushtuar kompanive të karrocave të dorës të Uillit dhe Martinit, përfshijnë LeRoy R. and Ann W. Hafen, Handcarts to Zion: The Story of a Unique Western Migration, 1856–1860 (1960); Rebecca Cornwall and Leonard J. Arrington, Rescue of the 1856 Handcart Companies (1981); Howard K. and Cory W. Bangerter, Tragedy and Triumph: Your Guide to the Rescue of the 1856 Willie and Martin Handcart Companies, bot. i 2‑të (2006); dhe Andrew D. Olsen, The Price We Paid: The Extraordinary Story of the Willie and Martin Handcart Pioneers (2006).

  2. Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 15 tetor 1856, f. 252.

  3. John Oborn, “Brief History of the Life of John Oborn, Pioneer of 1856”, f. 2, në John Oborn reminiscences and diary, rreth 1862–1901, Church History Library, Salt Lake City.

  4. Rrëfimi i Ephraim K. Hanks‑it, në Andrew Jenson, “Church Emigration”, Contributor, mars 1893, f. 202–203.

  5. Hanks, në Jenson, “Church Emigration”, f. 204.

  6. Jakobi [LiM] 4:14.

  7. Shihni tek Eksodi 32.

  8. 1 Timoteut 2:6; shihni edhe te Mateu 20:28.

  9. Dallin H. Ouks, “Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Liahona, maj 2021, f. 75.

  10. Shihni te Lluka 22:39–44.

  11. Rasëll M. Nelson, “Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 127.

  12. Autorësia i njihet klerikut anglez të shekullit të 18‑të William Law; cituar në Neal A. Maxwell, “Response to a Call”, Ensign, maj 1974, f. 112.

  13. Shihni te Daniel 3:13–18.

  14. 1 Korintasve 8:5.

  15. Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 98.