Konferenca e Përgjithshme
Duajeni të Afërmin Tuaj
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Duajeni të Afërmin Tuaj

Dhembshuria është një cilësi e Krishtit. Ajo lind nga dashuria për të tjerët dhe nuk njeh kufij.

Këtë mëngjes ju ftoj të më bashkoheni në një udhëtim në Afrikë. Nuk do të shihni ndonjë luan, zebër apo elefant, por ndoshta, nga fundi i udhëtimit, do të shihni se si mijëra anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po i përgjigjen urdhërimit të dytë të madh të Krishtit: “Duaje të afërmin tënd” (Marku 12:31).

Përfytyroni për një çast dheun e kuq në zonat rurale të Afrikës. E shihni nga toka e tharë dhe djerrë se nuk ka rënë shi në ndonjë sasi të matshme për shumë vjet. Të paktat gjedhë që i ndeshni në shtegun tuaj, kanë më shumë kocka se mish dhe po drejtohen nga një bari i etnisë karamajonge, me batanije hedhur krahëve, i cili, me këmbët të veshura me sandale, çapitet plot mundim me shpresën për të gjetur bimësi dhe ujë.

Ndërsa çani shtegun e ashpër dhe shkëmbor, shihni disa grupe fëmijësh të bukur dhe pyesni veten pse nuk janë në shkollë. Fëmijët buzëqeshin dhe përshëndetin me dorë, edhe ju i përshëndetni me lot e buzëqeshje. Nëntëdhjetë e dy përqind e fëmijëve më të vegjël që shihni në këtë udhëtim, jetojnë në skamje ushqimore dhe kjo të ther në zemër.

Më tej, shihni një nënë që mban mbi kokë një enë me ujë të baraspeshuar me kujdes, prej afro 19 litrash, dhe një tjetër në dorë. Ajo përfaqëson një nga çdo dy familje në këtë zonë ku gratë, të reja dhe të moshuara, ecin më shumë se 30 minuta qoftë në vajtje apo në kthim, çdo ditë, deri te një burim uji për familjen e tyre. Një valë pikëllimi ju përshkon.

Pamja
Grua afrikane duke mbartur ujë.

Kalojnë dy orë dhe arrini në një çeltirë të izoluar e në hije. Vendi i mbledhjes nuk është në një sallë apo edhe një tendë, por përkundrazi, nën disa pemë të mëdha që sigurojnë strehë nga dielli përvëlues. Në këtë vend, ju vini re se nuk ka ujë të rrjedhshëm, energji elektrike, tualete me shkarkues. Hidhni sytë rreth e rrotull dhe e kuptoni se jeni mes njerëzish që e duan Perëndinë, dhe menjëherë e ndieni dashurinë e Perëndisë për ta. Ata janë mbledhur për të marrë ndihmë e shpresë dhe ju keni mbërritur për t’ua dhënë.

I tillë ishte udhëtimi i Motrës Ardern dhe i imi, në shoqërinë e Motrës Kamill Xhonson, Presidentes sonë të Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dhe bashkëshortit të saj, Dagut, dhe Motrës Sheron Iubank, drejtore e Shërbimeve Humanitare të Kishës, ndërsa udhëtuam në Ugandë, një vend me 47 milionë banorë në Zonën e Afrikës Qendrore të Kishës. Atë ditë, nën hijen e pemëve, shkuam për një projekt për shëndetin e komunitetit, i cili financohet së bashku nga Shërbimet Humanitare të Kishës, UNICEF‑i dhe Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Ugandës. Këto janë organizata të mirëbesuara, të përzgjedhura me kujdes për të siguruar që fondet humanitare të dhuruara prej anëtarëve të Kishës të përdoren me maturi.

Pamja
Një fëmijë afrikan duke marrë përkujdesje.

Sado zemërndrydhëse të ishte që të shihje fëmijë të kequshqyer dhe pasojat e tuberkulozit, malaries dhe diarresë së pandërprerë, secili prej nesh përjetoi një rritje të shpresës për një të nesërme më të mirë për ata që takuam.

Pamja
Nënë duke ushqyer fëmijën e saj.

Ajo shpresë erdhi, pjesërisht, nëpërmjet dashamirësisë së anëtarëve të Kishës nga mbarë bota, të cilët dhurojnë kohë dhe para për përpjekjen humanitare të Kishës. Ndërsa shihja të sëmurët dhe të mjeruarit të cilëve u vinin në ndihmë dhe i lartësonin, ula kokën plot mirënjohje. Në atë çast e kuptova më mirë se çfarë donte të thoshte Mbreti i mbretërve, i cili tha:

“Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju … .

Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët” (Mateu 25:34–35).

Lutja e Shpëtimtarit tonë është: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16; shihni edhe vargjet 14–15). Në atë cep të largët të tokës, veprat tuaja të mira ndriçuan jetën dhe lehtësuan barrën e një populli në nevojë të skajshme, dhe Perëndia u përlëvdua.

Në atë ditë të nxehtë dhe me pluhur, do të doja të mund t’i kishit dëgjuar lutjet e tyre të lavdërimit dhe të mirënjohjes ndaj Perëndisë. Ata do të donin që unë t’ju thosha juve në gjuhën e tyre karamajonge: “Alakara”. Faleminderit.

Udhëtimi ynë më solli ndërmend shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, udhëtimi i të cilit e çoi në një rrugë me pluhur, jo ndryshe nga ajo që përshkrova, një rrugë që shkonte nga Jerusalemi në Jeriko. Ky samaritan shërbestar na mëson se çfarë do të thotë ta “dua[sh] të afërmin tënd”.

Ai pa “një burr[ë] … [që] ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur” (Lluka 10:30). Samaritani “kishte dhembshuri” për të (Lluka 10:33).

Dhembshuria është një cilësi e Krishtit. Ajo lind nga dashuria për të tjerët dhe nuk njeh kufij. Jezusi, Shpëtimtari i botës, është mishërimi i dhembshurisë. Kur lexojmë se “Jezusi qau” (Gjoni 11:35), ne jemi dëshmitarë, siç ishin Maria dhe Marta, të dhembshurisë së Tij, që e bëri Atë së pari të psherëtinte në frymë dhe të tronditej (shihni te Gjoni 11:33). Në një shembull në Librin e Mormonit për dhembshurinë e Krishtit, Jezusi iu shfaq një turme dhe tha:

“A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, … ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju. …

… Dhe ai i shëroi, secilin” (3 Nefi 17:7, 9).

Pavarësisht nga çdo përpjekje e jona, ju dhe unë nuk do t’i shërojmë të gjithë, por secili prej nesh mund të jetë ai që mund të bëjë një ndryshim për mirë në jetën e dikujt. Ishte pikërisht një çunak, një djalosh i thjeshtë, që ofroi pesë bukë dhe dy peshq që ushqyen pesë mijë vetë. Ne mund të pyesim për ofertën tonë, siç bëri dishepulli Andrea për bukët dhe peshqit: “Ç’janë këto për aq njerëz?” (Gjoni 6:9.) Ju siguroj: mjafton të jepni ose të bëni atë që mundeni, dhe më pas ta lejoni Krishtin që ta shumëfishojë përpjekjen tuaj.

Në këtë pikë, Plaku Xhefri R. Holland na ftoi, “të pasur apo të varfër, … të ‘bëjmë atë që mundemi’ kur të tjerët janë në nevojë”. Pastaj ai dëshmoi, ashtu si edhe unë, se Perëndia “do t’ju ndihmojë dhe udhëheqë në veprime[t tuaja të] dhembshuri[së] të të qenit dishepull” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?”, Liahona, nëntor 2014, f. 41).

Në atë vend të largët, në atë ditë të paharrueshme, qëndrova atëherë dhe qëndroj tani si dëshmitar i dhembshurisë që të trondit shpirtin dhe të ndryshon jetën të anëtarëve të Kishës, të pasur e të varfër.

Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë vazhdon ndëkohë që ai “ia lidhi plagët [burrit] … dhe u kujdesua për të” (Lluka 10:34). Përpjekjet humanitare të Kishës sonë na gjejnë duke iu përgjigjur shpejt katastrofave natyrore dhe duke i lidhur plagët botërore në rritje të sëmundjeve, urisë, vdekshmërisë foshnjore, kequshqyerjes, shpërnguljes dhe plagëve shpesh të padukshme të shkurajimit, zhgënjimit dhe dëshpërimit.

Samaritani më pas “nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: ‘Kujdesu për të’” (Lluka 10:35). Si Kishë, ne jemi mirënjohës që bashkëpunojmë me “hanxhinj” apo organizata të tjera si Shërbimet Katolike të Ndihmës, UNICEF-i dhe Kryqi i Kuq/Gjysmëhëna e Kuqe, që të na vijnë në ndihmë për përpjekjet tona humanitare. Jemi po aq mirënjohës për “dy denarë[t]” apo dy eurot, dy pesot ose dy shilingat tuaja, që po e lehtësojnë barrën që shumë njerëzve nëpër botë iu duhet ta mbajnë. Nuk ka të ngjarë që t’i njihni njerëzit që janë marrësit e kohës, parave dhe qindarkave tuaja, por dhembshuria nuk kërkon që ne t’i njohim ata; vetëm kërkon që t’i duam.

Faleminderit Presidenti Rasëll M. Nelson që na kujtove se “kur e duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë, Ai i kthen zemrat tona drejt mirëqenies së të tjerëve” (“Urdhërimi i Dytë i Madh”, Liahona, nëntor 2019, f. 97). Dëshmoj që secili prej nesh do të ketë shtim të gëzimit, paqes, përulësisë dhe dashurisë ndërsa i përgjigjet thirrjes së Presidentit Nelson për ta kthyer zemrën e vet drejt mirëqenies së të tjerëve dhe drejt lutjes së Jozef Smithit që të “ushqejë të uriturin, të veshë të zhveshurin, të sigurojë për të venë, të thajë lotët e jetimit [dhe] të ngushëllojë të pikëlluarin, qoftë në këtë Kishë apo në cilëndo kishë tjetër, ose në asnjë kishë aspak, kudoqoftë që i gjejmë ata” (“Editor’s Reply to a Letter from Richard Savary”, Times and Seasons, 15 mars 1842, f. 732).

Pamja
Plaku Ardern dhe Presidentja Kamill<nb/>N. Xhonson me fëmijët afrikanë.

Gjithë ata muaj më parë, i gjetëm të uriturit dhe të munduarit në një rrafshnaltë të thatë e me pluhur dhe ishim dëshmitarë të syve të tyre përgjërues për ndihmë. Në mënyrën tonë, ne psherëtimë në frymë dhe u tronditëm (shihni te Gjoni 11:33) e megjithatë ato ndjenja u zbutën ndërsa e pamë në veprim dhembshurinë e anëtarëve të Kishës teksa të uriturit u ushqyen, u sigurua për vejushat, të munduarit u ngushëlluan dhe lotët e tyre u thanë.

Le të kërkojmë përgjithmonë mirëqenien e të tjerëve dhe të tregojmë me fjalë e me vepra se “je[m]i të gatshëm të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit” (Mosia 18:8), të “ngushëll[ojmë] zemërthyerit” (Doktrina e Besëlidhje 138:42) dhe ta zbatojmë urdhërimin e dytë të madh të Krishtit që ta “dua[m] të afërmin t[onë]” (Marku 12:31). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.