Konferenca e Përgjithshme
Ruajtja e Zërit të Popullit të Besëlidhjes te Brezi i Ri
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Ruajtja e Zërit të Popullit të Besëlidhjes te Brezi i Ri

Njëra nga përgjegjësitë tona më të shenjta është t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të arrijnë ta dinë thellësisht e posaçërisht se Jezusi është Krishti.

Një nga çastet më prekëse në Librin e Mormonit është vizita e Shpëtimtarit të ringjallur te njerëzit në tempull në vendin Begati. Pas një dite mësimdhënieje, shërimi dhe ndërtimi të besimit, Jezusi e drejtoi vëmendjen e njerëzve te brezi i ri: “Ai urdhëroi që të silleshin fëmijët e tyre të vegjël”1. Ai u lut për ta dhe i bekoi një e nga një. Përvoja ishte kaq mbresëlënëse sa Shpëtimtari Vetë qau disa herë.

Më pas, duke i folur turmës, Jezusi tha:

“Vini re të vegjlit tuaj.

Dhe si u kthyen të shikonin … , panë qiejt të hapen; dhe panë engjëj që po zbritnin nga qiell”, duke u dhënë shërbesë fëmijëve të tyre.2

Kam menduar shpesh rreth kësaj përvoje. Ajo duhet ta ketë prekur thellë në zemër çdo njeri. Ata panë Shpëtimtarin. E ndien Atë. E njohën Atë. Ai u dha mësim. I bekoi ata. Dhe i deshi ata. Nuk është e habitshme që, pas kësaj ngjarjeje të shenjtë, kur këta fëmijë u rritën, ndihmuan për të themeluar një shoqëri paqeje, begatie dhe dashurie si të Krishtit, që zgjati për breza të tërë.3

A nuk do të ishte e mrekullueshme sikur fëmijët tanë të mund të kishin përvoja si kjo me Jezu Krishtin, diçka që do t’i lidhte zemrat e tyre me Të! Ai na fton, sikurse i ftoi ata prindër në Librin e Mormonit, që t’i sjellim të vegjlit tanë tek Ai. Ne mund t’i ndihmojmë ata që ta njohin Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e tyre në mënyrën siç e njohën këta fëmijë. Ne mund t’u tregojmë se si ta gjejnë Shpëtimtarin në shkrimet e shenjta dhe t’i ndërtojnë themelet e tyre mbi Të.4

Kohët e fundit, një mik i mirë më mësoi diçka që nuk e kisha vënë re më parë rreth shëmbëlltyrës së njeriut të zgjuar që e ndërtoi shtëpinë e vet mbi një shkëmb. Sipas rrëfimit te Lluka, teksa njeriu i zgjuar ngriti themelin e shtëpisë së tij, ai “gërmoi shumë thellë”5. Nuk ishte një sipërmarrje rastësore ose e thjeshtë, u desh përpjekje!

Për ta ndërtuar jetën tonë mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, na nevojitet të gërmojmë shumë thellë. Ne heqim gjithçka që është prej rëre ose e panevojshme në jetën tonë. Ne vazhdojmë të gërmojmë derisa ta gjejmë Atë. Dhe u mësojmë fëmijëve tanë që ta lidhin veten e tyre me Të nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta, që kur të vijnë stuhitë dhe përmbytjet kundërshtare, siç do të vijnë me siguri, ato do të kenë ndikim të paktë “për shkak të shkëmbit mbi të cilin j[anë] ndërtuar”6.

Kjo lloj force nuk ndodh vetvetiu. Nuk i kalohet brezit të ardhshëm si një trashëgimi shpirtërore. Çdo person duhet të gërmojë shumë thellë për ta gjetur shkëmbin.

Ne marrim këtë mësim nga një rrëfim tjetër në Librin e Mormonit. Kur mbreti Beniamin i dha fjalimin e fundit popullit të tij, ata u mblodhën si familje për t’i dëgjuar fjalët e tij.7 Mbreti Beniamin dha dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin dhe njerëzit u prekën shumë nga dëshmia e tij. Ata shpallën:

“Shpirti … ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona. …

Dhe ne jemi të gatshëm të hyjmë në një besëlidhje me Perëndinë tonë, që të bëjmë vullnetin e tij … për të gjithë pjesën tjetër të ditëve tona.”8

Dikush mund të presë që fëmijët e vegjël me prindër kaq thellësisht të kthyer në besim do të bëheshin në fakt të kthyer në besim dhe do të bënin besëlidhje për veten e tyre. Dhe prapëseprapë, për njëfarë arsye që nuk përmendet në anal, besëlidhja e bërë nga prindërit nuk pati forcë tërheqëse për disa prej fëmijëve të tyre. Disa vjet më vonë, “kishte shumë nga brezi i ri që nuk [i] kuptonin dot fjalët e mbretit Beniamin, duke qenë se ishin fëmijë të vegjël, kur ai i foli popullit të tij; dhe ata nuk [e] besonin traditën e etërve të tyre.

Ata nuk besonin në atë që thuhej në lidhje me ringjalljen e të vdekurve, as nuk besonin në lidhje me ardhjen e Krishtit. …

Dhe ata nuk donin të pagëzoheshin, as nuk donin të bashkoheshin me kishën. Dhe ata ishin një popull i veçuar nga pikëpamja e besimit të tyre.”9

Ç’mendim kthjellues! Për brezin e ri nuk mjafton që besimi te Jezu Krishti të jetë “tradit[a] e etërve të tyre”. Atyre iu nevojitet ta zotërojnë vetë besimin te Krishti. Si popull i besëlidhjes së Perëndisë, në ç’mënyrë mund t’ua rrënjosim në zemër fëmijëve tanë dëshirën për të bërë e mbajtur besëlidhje me Të?

Mund ta fillojmë duke ndjekur shembullin e Nefit: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”10. Fjalët e Nefit nënkuptojnë një përpjekje të përhershme, të vazhdueshme për t’i mësuar fëmijët tanë rreth Krishtit. Ne mund të sigurohemi që zëri i popullit të besëlidhjes nuk është i heshtur në veshët e brezit të ri dhe se Jezusi nuk është një temë vetëm për të dielën.11

Zëri i popullit të besëlidhjes gjendet në vetë fjalët tona të dëshmisë. Gjendet në fjalët e profetëve të gjallë. Dhe ruhet fuqishëm në shkrimet e shenjta. Është në atë zë që fëmijët tanë do të arrijnë ta njohin Jezusin dhe të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre. Është në atë zë që ata do ta mësojnë për veten e tyre doktrinën e Krishtit. Është në atë zë që ata do të gjejnë shpresë. Kjo do t’i përgatitë për një jetë të tërë të kërkimit të së vërtetës dhe të jetuarit në shtegun e besëlidhjeve.

Më pëlqen pa masë kjo këshillë nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

“Ku mund të shkojmë që ta dëgjojmë Atë?

Ne mund të shkojmë te shkrimet e shenjta. Ato na japin mësim rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, madhështisë së Shlyerjes së Tij dhe planit të madhërishëm të Atit tonë për lumturi dhe shëlbim. Zhytja e përditshme në fjalën e Perëndisë është jetike për mbijetesën tonë shpirtërore, veçanërisht në këto ditë të rrëmujës në rritje. Teksa ushqehemi me bollëk përditë me fjalët e Krishtit, fjalët e Krishtit do të na thonë se si të reagojmë ndaj vështirësive me të cilat kurrë nuk menduam se do të përballeshim.”12

Pra, me çfarë përngjan mënyra se si të ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit dhe ta dëgjojmë Atë? Epo, përngjan me atë që funksionon më mirë për ju! Mund të jetë mbledhja me familjen tuaj për të folur rreth gjërave që ua mësoi Fryma e Shenjtë në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta duke përdorur programin Eja, Më Ndiq. Mund të jetë mbledhja çdo ditë me fëmijët tuaj për të lexuar pak vargje nga shkrimet e shenjta dhe më pas kërkimi i mundësive për të diskutuar atë që mësuat, ndërkohë që kaloni kohë së bashku. Thjesht gjeni atë që funksionon për ju dhe familjen tuaj; më pas përpiquni të bëni pak më mirë çdo ditë.

Merrni parasysh këtë ide nga manuali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: “Po ta marrësh individualisht, një mbrëmje e vetme në shtëpi, një fashë kohore e studimit të shkrimeve të shenjta, apo një bashkëbisedim mbi ungjillin mund të duket sikur nuk po arrin të japë edhe aq rezultate. Por grumbullimi i përpjekjeve të vogla, të thjeshta, të përsëritura dhe të qëndrueshme me kalimin e kohës, mund të jetë më i fuqishëm dhe më forcues se një çast i rastësishëm monumental ose mësim i spikatur. … Pra, mos hiqni dorë dhe mos u shqetësoni për arritjen e diçkaje madhështore çdo herë. Thjesht jini të qëndrueshëm në përpjekjet tuaja.”13

Njëra nga përgjegjësitë tona më të shenjta është t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të arrijnë ta dinë thellësisht e veçanërisht se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i tyre vetjak, i cili qëndron në krye të Kishës së Tij. Nuk mund ta lejojmë zërin tonë të besëlidhjes që të bëhet i heshtur ose i padëgjueshëm kur bëhet fjalë për Të.

Mund të ndiheni disi të papërshtatshëm në këtë rol, por nuk duhet të ndiheni kurrë vetëm. Për shembull, këshillat e lagjeve autorizohen që të organizojnë mbledhje të këshillit të mësuesve për prindërit. Në këto mbledhje tremujore, prindërit mund të mblidhen për të mësuar nga përvojat e njëri‑tjetrit, të diskutojnë se si po i forcojnë familjet e tyre dhe të mësojnë parime kyç të mësimdhënies si të Krishtit. Kjo mbledhje duhet të zhvillohet gjatë orës së dytë të kishës.14 Ajo udhëhiqet nga një anëtar i lagjes i përzgjedhur nga peshkopi dhe ndjek formën e mbledhjeve të rregullta të këshillit të mësuesve, duke përdorur si burimin kryesor manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.15 Peshkopë, nëse lagjja juaj nuk po i zhvillon tashmë mbledhjet e këshillit të mësuesve për prindërit, punoni me presidentin tuaj të Shkollës të së Dielës dhe këshillin e lagjes për t’u organizuar.16

Miqtë e mi të dashur në Krisht, ju po ecni shumë më mirë nga ç’e mendoni. Thjesht vazhdoni të punoni me këtë gjë. Fëmijët tuaj po vëzhgojnë, dëgjojnë e mësojnë. Ndërsa u jepni mësim atyre, ju do të arrini të njihni natyrën e tyre të vërtetë si bij dhe bija të dashura të Perëndisë. Ata mund ta harrojnë Shpëtimtarin për një periudhë kohore, por ju premtoj, Ai nuk do t’i harrojë kurrë ata! Ato çaste kur Fryma e Shenjtë u flet atyre, do të vazhdojnë në zemrat dhe mendjet e tyre. Dhe një ditë fëmijët tuaj do të përsëritin dëshminë e Enosit: Unë e di se prindërit e mi janë njerëz të drejtë “pasi [ata] më mës[uan] mua në kujdesin dhe këshillën e Zotit – dhe bekuar qoftë emri i Perëndisë tim për këtë”17.

Le ta pranojmë ftesën e Shpëtimtarit dhe t’i sjellim fëmijët tanë tek Ai! Ndërsa e bëjmë këtë, ata do ta shohin Atë. Do ta ndiejnë Atë. Do ta njohin Atë. Ai do t’i mësojë. Ai do t’i bekojë. Dhe, o sa do t’i dojë ata. Dhe o, sa e dua Atë! Në emrin e Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 3 Nefi 17:11.

  2. 3 Nefi 17:23–24; shihni edhe te 3 Nefi 17:11–22.

  3. Shihni te 4 Nefi 1:1–22.

  4. Shihni te Lluka 6:47–49; Helamani 5:12.

  5. Lluka 6:48.

  6. Helamani 5:12.

  7. Shihni te Mosia 2:5.

  8. Mosia 5:2, 5. Vini re “që s’pati asnjë shpirt, me përjashtim të fëmijëve të vegjël, që nuk hyri në besëlidhje dhe nuk mori emrin e Krishtit” (Mosia 6:2).

  9. Mosia 26:1–2, 4.

  10. 2 Nefi 25:26.

  11. “Ka shumë gjëra për t’i dhënë mësim rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit – parimet, urdhërimet, profecitë dhe historitë nga shkrimet e shenjta. Por të gjitha këto janë degë të së njëjtës pemë, pasi të gjitha kanë një qëllim: t’i ndihmojnë të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të përsosen në Të (shihni te Jaromi 1:11; Moroni 10:32). Pra, pavarësisht nga ajo që jeni duke dhënë mësim, kujtoni se në të vërtetë ju po jepni mësim për Jezu Krishtin dhe se si të bëheni si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022], f. 6).

  12. Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89.

  13. Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 31.

  14. Përshtatje të veçanta mund të bëhen për prindërit që japin mësim në Fillore, të tilla si mbledhja gjatë kohës 20‑minutëshe të të kënduarit në Fillore ose zhvillimi i një mbledhjeje të veçantë në një kohë tjetër (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 17.4, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  15. Anëtarët dhe udhëheqësit mund ta porositin manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit nëpërmjet Shërbimeve të Shpërndarjes. Ai është në dispozicion edhe në mënyrë digjitale te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  16. Shihni te Manuali i Përgjithshëm13.5.

  17. Enosi 1:1. Mbani mend se mes brezit të ri të mosbesimtarëve në Librin e Mormonit ishin Alma i Riu dhe bijtë e Mosias. Kur Alma i Riu më së fundi e kuptoi nevojën e tij për ta ndryshuar jetën e vet, ai kujtoi atë që babai i tij i kishte mësuar rreth Jezu Krishtit, mësime që Alma dukshëm nuk i kishte përfillur në të shkuarën. Por kujtimi i tyre mbetej dhe ai kujtim e shpëtoi Almën shpirtërisht (shihni tek Alma 36:17–20).