Konferenca e Përgjithshme
Për Hir të Pasardhësve Tuaj
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Për Hir të Pasardhësve Tuaj

Mos jini hallka e dobët në këtë zinxhir të bukur besimi që ju e filluat, ose e morët si trashëgimi. Jini hallka e fortë.

Disa vjet më parë, kur po shërbeja në Zonën Veriperëndimore të Amerikës së Jugut dhe po jetoja në Peru, pata një përvojë të bukur që do të doja t’jua tregoja.

Ndodhi kur po kthehesha në shtëpi pas një fundjave të mbushur plot me detyra. Pasi përfundova më së fundi procesin e kalimit të kufirit në aeroport, gjeta një shofer miqësor taksie duke më pritur, i cili punonte për shërbimin e taksive që përdornim zakonisht. Ai më çoi te makina e vet dhe u ula mbrapa gati për t’u rehatuar dhe për të kaluar një udhëtim të qetë drejt shtëpisë. Pasi e ngau makinën për disa blloqe, shoferi mori një telefonatë nga mbikëqyrësi i tij, i cili i tha se unë kisha hipur në taksinë e gabuar. Një makinë tjetër ishte rezervuar për mua dhe mbikëqyrësi i kërkoi të më kthente në aeroport nëse dëshiroja të ndryshoja makinë. I thashë se nuk ishte e nevojshme dhe mund të vazhdonim rrugën. Pas pak minutash heshtjeje, ai më pa nëpërmjet pasqyrës së makinës dhe pyeti: “Ju jeni mormon, apo jo?”

Epo, pas asaj pyetjeje ftuese, e dija se çasteve të mia të qeta u erdhi fundi. Mezi prisja të zbuloja se ku do të na çonte pyetja e tij.

Mësova se quhej Omar, gruaja e tij quhej Maria Tereza dhe kishin dy fëmijë, Karolinën, 14 vjeçe dhe Rodrigon, 10 vjeç. Omari kishte qenë anëtar i Kishës që kur ishte fëmijë. Familja e tij ishte aktive, por në një çast të caktuar, prindërit e tij nuk shkuan më në kishë. Omari u bë tërësisht joaktiv kur ishte 15 vjeç. Ai në këtë kohë ishte 40 vjeç.

Në atë çast e kuptova se nuk mora taksinë e gabuar. Nuk ishte një rastësi! I thashë se kush isha dhe se isha në taksinë e tij ngaqë Zoti po e thërriste të kthehej në tufën e Tij.

Më pas folëm rreth kohës kur ai dhe familja e tij ishin anëtarë aktivë të Kishës. Ai kishte kujtime të dashura të çasteve të këndshme të mbrëmjeve familjare dhe të disa këngëve të Fillores. Më pas ai këndoi butësisht disa fjalë nga kënga “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”1.

Pasi i mora adresën, numrin e telefonit dhe lejen e tij që t’ia jepja peshkopit të vet, i thashë se do të gjeja një mënyrë që të isha në godinën kishtare ditën e parë të kthimit të tij në kishë. E përfunduam udhëtimin tonë nga aeroporti deri në shtëpinë time, si edhe udhëtimin tonë të vogël në të shkuarën e tij, dhe shkuam secili në punët e veta.

Pak javë më vonë, peshkopi i tij më mori në telefon që të më thoshte se Omari po planifikonte të frekuentonte kishën në një të diel të caktuar. I thashë se do të isha atje. Atë të diel, Omari ishte atje me të birin. Bashkëshortja dhe e bija nuk ishin ende të interesuara. Pak muaj më vonë, peshkopi i tij më mori sërish në telefon, këtë herë për të më thënë se Omari do të pagëzonte bashkëshorten dhe dy fëmijët e vet dhe më ftoi që të isha atje. Këtu është fotografia e së dielës që ata u konfirmuan anëtarë të Kishës.

Pamja
Plaku Godoi me familjen e Omarit të dielën që u konfirmuan.

Po atë të diel, i thashë Omarit dhe familjes së tij se, nëse do të përgatiteshin, pas një viti, unë do të isha i nderuar të kryeja vulosjen e tyre në tempullin e Limës në Peru. Këtu është një fotografi e atij çasti mbresëlënës për ne të gjithë, e bërë një vit më vonë.

Pamja
Plaku Godoi me familjen e Omarit në tempull.

Përse po jua tregoj këtë përvojë? Po e tregoj për dy qëllime.

Së pari, për t’iu drejtuar atyre anëtarëve të mirë që për njëfarë arsyeje janë larguar nga ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit. Së dyti, për t’u folur gjithashtu atyre anëtarëve pjesëmarrës sot të cilët ndoshta nuk janë aq besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre sa duhet të jenë. Në të dyja rastet ndikohen brezat e tyre të ardhshëm dhe vihen në rrezik bekimet dhe premtimet që ishin ruajtur për pasardhësit e tyre.

Le ta fillojmë me situatën e parë, anëtarë të mirë që janë larguar nga shtegu i besëlidhjeve, sikurse ndodhi me mikun tim peruan, Omarin. Kur e pyeta përse vendosi të kthehej, ai tha se ishte ngaqë ai dhe bashkëshortja e tij e ndien se fëmijët e tyre do të ishin më të lumtur në jetë me ungjillin e Jezu Krishtit. Ai e ndjeu se ishte koha që të kthehej sërish në Kishë për hir të fëmijëve të vet.

Është kaq e trishtueshme kur ndeshemi me anëtarë joaktivë ose joanëtarë të Kishës të cilët në njëfarë kohe e kishin ungjillin brenda familjeve të tyre dhe e humbën atë për shkak të vendimit të prindërve ose gjyshërve të tyre që të shkëputeshin nga Kisha për ca kohë. Ai vendim mund të kishte një ndikim mbi pasardhësit e tyre përgjithmonë!

Fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre janë përjashtuar nga mbrojtja dhe bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit në jetën e tyre. Edhe më zemërthyese, ata i kanë humbur premtimet e një familjeje të përjetshme, të cilat i kishin marrë dikur. Vendimi i një njeriu ka ndikuar një varg të tërë pasardhësish. Është thyer një trashëgimi besimi.

Megjithatë, siç e dimë, çdo gjë e thyer mund të ndreqet nëpërmjet Jezu Krishtit. Për këtë arsye, ju lutem merreni parasysh këtë ftesë nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Tani, nëse jeni larguar nga shtegu, më lejoni t’ju ftoj me gjithë shpresën në zemrën time që, ju lutemi, të ktheheni. Cilatdo qofshin shqetësimet tuaja, cilatdo qofshin sfidat tuaja, ka vend për ju në këtë, Kishën e Zotit. Ju dhe brezat ende të palindur do të bekoheni nga veprimet tuaja tani për t’u kthyer në shtegun e besëlidhjeve.”2

Tani, le të flasim për rastin e dytë, anëtarët e sotëm pjesëmarrës, të cilët ndoshta nuk janë aq besnikë sa duhet të jenë. Ashtu si vendimet e së djeshmes ndikojnë tek realitetet e së sotmes, vendimet e së sotmes do të ndikojnë tek e ardhmja jonë dhe tek e ardhmja e familjarëve tanë.

Presidenti Dallin H. Ouks na mësoi:

“Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na nxit të mendojmë për të ardhmen. … Ai na mëson ide të mrekullueshme për të ardhmen që t’i udhërrëfejnë veprimet tona sot.

Nga ana tjetër, ne të gjithë njohim njerëz që shqetësohen vetëm për të tashmen: harxho sot, gëzohu sot dhe as mos e vrit mendjen për të ardhmen.

… Kur marrim vendime tani, gjithmonë duhet të pyetim: ‘Ku do të na çojë kjo?’”3 A do të na çojnë vendimet tona të tanishme drejt gëzimit tani dhe në përjetësi, apo do të na çojnë drejt hidhërimit dhe lotëve?

Disa mund të mendojnë: “Nuk ka nevojë ta frekuentojmë kishën çdo të diel” ose “Do ta paguajmë të dhjetën kur gjërat të bëhen më mirë” ose “Nuk do t’i përkrah udhëheqësit e Kishës në këtë çështje”.

“Por”, thonë ata, “ne e dimë që Kisha është e vërtetë dhe nuk do të largohemi kurrë nga ungjilli i Jezu Krishtit.”

Njerëzit me mendësi të tillë, nuk e kuptojnë ndikimin negativ që kjo lloj anëtarësie “e vakët” do të ketë në jetën e tyre dhe në jetën e pasardhësve të tyre. Prindërit mund të mbeten aktivë, por rreziku i humbjes së fëmijëve të tyre është i lartë – në këtë jetë dhe në përjetësi.

Lidhur me ata që nuk do të trashëgojnë lavdinë çelestiale me familjet e tyre, Zoti thotë: “Këta janë ata që nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit; prandaj, ata nuk e marrin kurorën mbi mbretërinë e Perëndisë sonë”4. A është kjo ajo që duam për veten ose fëmijët tanë? A nuk duhet të jemi më të guximshëm dhe më pak të vakët për vetë hirin tonë dhe për hir të pasardhësve tanë?

Presidenti M. Rasëll Ballard trajtoi gjithashtu një shqetësim të ngjashëm:

“Për disa, ftesa e Krishtit për të besuar dhe qëndruar vazhdon të jetë e rëndë – ose e vështirë për t’u pranuar. … Disa dishepuj kanë vështirësi të kuptojnë një rregullore apo mësim të caktuar të Kishës. Disa gjejnë probleme te historia jonë ose te papërsosuritë e disa anëtarëve dhe udhëheqësve, të mëparshëm e të tanishëm. …

… Vendimi për të ‘mos shkua[r] më’ me anëtarët e Kishës dhe udhëheqësit e zgjedhur të Zotit do të ketë një ndikim afatgjatë që jo gjithnjë mund të kuptohet tani për tani.”5

Çfarë trashëgimie e trishtueshme për t’u lënë pas dhe për çfarë arsye? Cilado qoftë, ajo nuk mjafton për ta shpërfillur ndikimin negativ shpirtëror që do të krijojë për brezat e ardhshëm.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nëse jeni duke kaluar njërën prej këtyre dy situatave që përmenda në mesazhin tim, ju lutem rishqyrtojeni kursin tuaj të veprimit. Ju e dini se ka një plan për ne në këtë jetë. Ju e dini se familjet mund të jenë të përjetshme. Përse t’i vini në rrezik familjet tuaja? Mos jini hallka e dobët në këtë zinxhir të bukur besimi që ju e filluat, ose e morët si trashëgimi. Jini hallka e fortë. Është radha juaj për ta bërë atë dhe Zoti mund t’ju ndihmojë.

Nga thellësia e zemrës sime ju ftoj të mendoni për këtë gjë, të hidhni vështrimin përpara dhe të vlerësoni se “ku do të çojë kjo gjë” dhe, nëse është e nevojshme, të jeni të guximshëm aq sa t’i jepni formë sërish shtegut tuaj për hir të pasardhësve tuaj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.