Konferenca e Përgjithshme
Këtu Flitet Gjuha e Dashurisë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


Këtu Flitet Gjuha e Dashurisë

Mësofshim secili që ta flasim dhe ta dëgjojmë dashurinë e Tij këtu, në zemrat dhe shtëpitë tona dhe në thirrjet, aktivitetet tona, në dhënien tonë të shërbesës dhe shërbimin tonë në ungjill!

Fëmijët tanë të Fillores këndojnë: “Dashuri këtu ka”1.

Dikur i dhashë Motrës Gong një medaljon të vogël. Në të kisha gdhendur pikë-pikë, pikë-pikë, pikë-pikë-vijë. Ata që e njohin kodin Mors, do të dallojnë shkronjat I, I, U. Por unë përfshiva një kod të dytë. Në kinezishten mandarine, “ai” do të thotë “dashuri”. Pra, dyfish i koduar, mesazhi ishte “Unë të dua ty”. Suzana, shpirt: “Unë, ai (爱), Ty”.

Ne e shprehim dashurinë në shumë gjuhë. Më është thënë se familja njerëzore flet 7 168 gjuhë që fliten akoma sot.2 Në Kishë ne flasim 575 gjuhë parësore të dokumentuara, si dhe shumë dialekte. Ne gjithashtu komunikojmë qëllim, theksim dhe emocion nëpërmjet artit, muzikës, vallëzimit, simboleve logjike, dhe nëpërmjet të shprehurit ndërmjet njerëzve dhe brenda vetvetes.3

Sot, le të flasim për tri gjuhët e dashurisë për ungjillin: gjuhën e ngrohtësisë dhe nderimit, gjuhën e shërbimit dhe sakrificës dhe gjuhën e përkatësisë në besëlidhje.

Së pari, gjuha ungjillore e ngrohtësisë dhe nderimit.

Me ngrohtësi dhe respekt Motra Gong i pyet fëmijët dhe rininë: “Nga e dini që prindërit dhe familjet tuaja ju duan?”

Në Guatemalë fëmijët thonë: “Prindërit e mi punojnë shumë për ta ushqyer familjen tonë”. Në Amerikën Veriore fëmijët thonë: “Prindërit e mi më lexojnë histori dhe më mbulojnë në shtrat natën”. Në Tokën e Shenjtë, fëmijët thonë: “Prindërit e mi më ruajnë të sigurt”. Në Ganë, në Afrikën Perëndimore, fëmijët thonë: “Prindërit e mi më ndihmojnë për synimet e mia në programin ‘Fëmijët dhe Rinia’”.

Një fëmijë tha: “Ndonëse është shumë e lodhur pasi ka punuar gjithë ditën, mami im del jashtë që të luajë me mua”. Nëna e saj qau kur dëgjoi se sakrifica e saj e përditshme kishte rëndësi. Një e re tha: “Ndonëse nëna ime dhe unë nganjëherë nuk biem dakord, unë i mirëbesoj nënës sime”. Nëna e saj qau gjithashtu.

Nganjëherë kemi nevojë të dimë se dashuria për të cilën flitet këtu, dëgjohet dhe vlerësohet këtu.

Me ngrohtësi e nderim, mbledhjet tona të sakramentit dhe mbledhje të tjera përqendrohen te Jezu Krishti. Ne flasim plot nderim për Shlyerjen e Jezu Krishtit, vetjake dhe të vërtetë, jo vetëm për shlyerjen si koncept abstrakt. Ne e quajmë Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit me emrin e Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne përdorim gjuhën nderuese të lutjes kur i drejtohemi Atit Qiellor dhe përdorim respekt me ngrohtësi kur flasim me njëri‑tjetrin. Kur e dallojmë se Jezu Krishti qëndron në thelb të besëlidhjeve të tempullit, ne e përdorim më pak termin “shkojmë në tempull” dhe më shumë “shkojmë te Jezu Krishti në shtëpinë e Zotit”. Secila besëlidhje pëshpërit: “Dashuri këtu ka”.

Anëtarët e rinj thonë se fjalori i Kishës shpesh kërkon deshifrim. Qeshim nën buzë nga mendimi që “ndërtesa e kunjit” mund të nënkuptojë një shtëpi të bërë me hunj; “godina e lagjes” mund të nënkuptojë një zonë administrative vendbanimi; “ushtrimet e hapjes” mund të na ftojnë që në parkingun e kishës të prekim kokën, supet, gjunjët dhe gishtat e këmbëve. Por, ju lutem, le të jemi të kuptueshëm dhe të mirësjellshëm teksa mësojmë së bashku gjuhë të reja dashurie. Kur sa kishte ardhur në kishë, një të kthyereje në besim iu tha se fundi i saj ishte tepër i shkurtër. Në vend që të fyhej, ajo u përgjigj, pak a shumë: “Zemra ime është e kthyer në besim; të lutem ki durim ndërkohë që edhe fundet e mia e arrijnë atë”4.

Fjalët që përdorim mund të na sjellin më pranë ose të na largojnë nga të krishterë të tjerë dhe miqtë. Nganjëherë flasim për punën misionare, punën në tempull, punën humanitare dhe për mirëqenien në mënyra që mund t’i bëjnë të tjerët të mendojnë se ne besojmë që i bëjmë këto punë vetë. Le të flasim gjithmonë me mirënjohje të ngrohtë dhe nderuese për veprën dhe lavdinë e Perëndisë dhe për meritat, mëshirën dhe hirin e Jezu Krishtit dhe të flijimit të Tij shlyes.5

Së dyti, gjuha ungjillore e shërbimit dhe sakrificës.

Teksa mblidhemi përsëri në kishë çdo javë për të nderuar dhe gëzuar në ditën e Shabatit, ne mund të shprehim zotimin tonë të besëlidhjes së sakramentit ndaj Jezu Krishtit dhe ndaj njëri‑tjetrit nëpërmjet thirrjeve tona, shoqërimit, ndërveprimit dhe shërbimit tonë në Kishë.

Kur i pyes udhëheqësit vendorë të Kishës se çfarë i shqetëson, si vëllezërit edhe motrat thonë: “Disa prej anëtarëve tanë nuk i pranojnë thirrjet në Kishë”. Thirrjet për t’i shërbyer Zotit dhe njëri‑tjetrit në Kishën e Tij japin mundësi për t’u rritur në dhembshuri, aftësi dhe përulësi. Ndërsa veçohemi për një thirrje, ne mund të marrim frymëzimin e Zotit që t’i lartësojmë dhe forcojmë të tjerët dhe vetveten. Sigurisht, rrethanat dhe periudhat e ndryshueshme të jetës sonë mund të ndikojnë tek aftësia jonë për të shërbyer, por me shpresë kurrë nuk do të ndikojnë te dëshira jonë. Me mbretin Beniamin, ne themi: “Në qoftë se do të kisha, do të jepja”6 dhe ofrojmë gjithçka që mundemi.

Udhëheqës të kunjeve dhe të lagjeve, le ta bëjmë pjesën tonë. Kur thërrasim (dhe lirojmë) vëllezër e motra për të shërbyer në Kishën e Zotit, ju lutemi, le ta bëjmë këtë gjë me dinjitet dhe frymëzim. Ndihmojeni çdonjërin të ndihet i vlerësuar dhe se mund të jetë i suksesshëm. Ju lutemi, këshillohuni me udhëheqëset motra dhe dëgjojini ato. Kujtofshim, siç dha mësim Presidenti J. Ruben Klark, që në Kishën e Zotit ne shërbejmë atje ku thirremi, “vend të cilin askush as nuk e kërkon, as nuk e refuzon”7.

Kur Motra Gong dhe unë u martuam, Plaku Dejvid B. Hejt na këshilloi: “Gjithmonë mbani një thirrje në Kishë. Veçanërisht kur jeta është plot punë”, tha ai, “ju nevojitet të ndieni dashurinë e Zotit për ata të cilëve u shërbeni dhe për ju teksa shërbeni.” Unë premtoj se këtu, atje dhe kudo flitet gjuha e dashurisë teksa ne u përgjigjemi “po” udhëheqësve të Kishës që t’i shërbejmë Zotit në Kishën e Tij me anë të Shpirtit të Tij dhe besëlidhjeve tona.

Kisha e rivendosur e Zotit mund të jetë një inkubator për një komunitet Sioni. Kur adhurojmë, shërbejmë, gëzojmë dhe mësojmë për dashurinë e Tij së bashku, ne e ngulim spirancën e njëri‑tjetrit në ungjillin e Tij. Mund të mos biem dakord politikisht apo për çështje shoqërore, por mund të gjejmë harmoni teksa këndojmë së bashku në korin e lagjes. Ne e ushqejmë shpirtërisht lidhjen dhe e luftojmë izolimin ndërsa japim shërbesë rregullisht me gjithë zemër në shtëpitë dhe lagjet e njëri‑tjetrit.

Gjatë vizitave të anëtarëve me presidentët e kunjeve, unë ndiej dashurinë e tyre të thellë për anëtarët në çdo rrethanë. Teksa udhëtuam me makinë pranë shtëpive të anëtarëve në kunjin e tij, një president kunji vuri në dukje që, pavarësisht nëse jetojmë në një shtëpi me pishinë apo një shtëpi me dysheme dheu, shërbimi në Kishë është një privilegj që shpesh përfshin sakrificë. Prapëseprapë, ai vërejti plot urtësi, se kur shërbejmë dhe sakrifikojmë së bashku në ungjill, ne gjejmë më pak gabime dhe më shumë paqe. Kur e lejojmë Atë, Jezu Krishti na ndihmon ta gjejmë dashurinë e Tij këtu.

Këtë verë, familja jonë u takua me anëtarë të mrekullueshëm të Kishës dhe miq në Llafborou dhe Oksford të Anglisë. Këto grumbullime kuptimplota më kujtuan se si aktivitetet shoqërore dhe të shërbimit të lagjeve mund të krijojnë lidhje të reja dhe afatgjata të ungjillit. Për ca kohë e kam ndier se, në shumë vende të Kishës, pak më shumë aktivitete të lagjeve, sigurisht të planifikuara dhe duke vënë në jetë qëllimin e ungjillit, mund të na lidhin së bashku me përkatësi dhe unitet edhe më të madh.

Një kryetar dhe një komitet i frymëzuar i aktiviteteve në lagje i ushqejnë shpirtërisht individët dhe një komunitet të shenjtorëve. Aktivitetet e tyre të planifikuara mirë e ndihmojnë çdo njeri që të ndihet i vlerësuar, i përfshirë dhe i ftuar të luajë një rol të nevojshëm. Aktivitete të tilla ngrenë ura lidhëse përmes moshave dhe prejardhjeve, krijojnë kujtime afatgjata dhe mund të kryhen me kosto të ulët ose pa kosto fare. Në aktivitete të këndshme për ungjillin gjithashtu mund të ftohen fqinjët dhe miqtë.

Shoqërimi dhe shërbimi shpesh shkojnë së bashku. Të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore e dinë që, nëse dëshiron vërtet ta njohësh dikë, atëherë duhet të lyesh mure krah për krah mbi një shkallë në një projekt shërbimi.

Pamja
Të rinj e të reja duke pikturuar në një projekt shërbimi.

Sigurisht, asnjë individ dhe asnjë familje nuk është e përsosur. Ne të gjithëve na nevojitet ndihmë që gjuha e dashurisë të flitet më mirë këtu. “Dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën.”8 Besimi, shërbimi dhe sakrifica na tërheqin përtej vetes sonë dhe më pranë Shpëtimtarit tonë. Sa më të dhembshur, më besnikë dhe më vetëmohues të jenë shërbimi dhe sakrifica jonë tek Ai, aq më shumë mund të fillojmë ta kuptojmë thellësinë e dhembshurisë dhe të hirit shlyes të Jezu Krishtit për ne.

Dhe kjo na çon te gjuha ungjillore e përkatësisë në besëlidhje.

Ne jetojmë në një botë të përqendruar te vetja. Në shumicën e rasteve njerëzit thonë: “Unë zgjedh veten time”. Është sikur besojmë se e dimë vetë më së miri se cili është interesi ynë dhe se si ta ndjekim atë.

Por në fund të fundit kjo nuk është e vërtetë. Jezu Krishti personifikon këtë të vërtetë të fuqishme dhe të pavjetërueshme:

“Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.

Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet?”9

Jezu Krishti ofron një mënyrë më të mirë, marrëdhënie të themeluara mbi besëlidhjen hyjnore, më të forta sesa zinxhirët e vdekjes. Përkatësia në besëlidhjen me Perëndinë dhe njëri‑tjetrin mund t’i shërojë e shenjtërojë marrëdhëniet tona më të vyera. Në të vërtetë, Ai na njeh më mirë dhe na do më shumë nga sa e njohim apo duam veten. Në të vërtetë, kur besëlidhim gjithçka që jemi, ne mund të bëhemi më shumë nga ç’jemi. Fuqia dhe urtësia e Perëndisë mund të na bekojnë me çdo dhuratë të mirë, në kohën dhe mënyrën e Tij.

Inteligjenca artificiale prodhuese (IA) ka bërë hapa madhorë për përkthimin e gjuhëve. Kanë ikur prej kohësh ditët kur një kompjuter mund të përkthejë shprehjen e figurshme “Fryma është gati, por mishi është i dobët” në “shpirti është i mirë, por mishi është i prishur”. Në mënyrë interesante, përsëritja e shembujve gjithëpërfshirës të një gjuhe ia mëson një kompjuteri një gjuhë më me efektshmëri sesa rregullat e gramatikës.

Në mënyrë të ngjashme, përvojat tona të drejtpërdrejta, të përsëritura, vetjake mund të jenë mënyra më e mirë shpirtërore për të mësuar gjuhët ungjillore të ngrohtësisë e nderimit, të shërbimit e sakrificës dhe të përkatësisë në besëlidhje.

Prandaj, ku dhe si ju flet Jezu Krishti juve me dashuri?

Ku dhe si e dëgjoni të flitet gjuha e dashurisë së Tij këtu?

Mësofshim secili që ta flasim dhe ta dëgjojmë dashurinë e Tij këtu, në zemrat dhe shtëpitë tona dhe në thirrjet, aktivitetet tona, në dhënien tonë të shërbesës dhe shërbimin tonë në ungjill!

Në planin e Perëndisë secili nga ne një ditë do të kalojë nga kjo jetë në jetën tjetër. Kur të takohemi me Zotin, e përfytyroj Atë duke thënë, me fjalë udhëzimi dhe premtimi: “Këtu flitet gjuha e dashurisë Sime”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.