Konferenca e Përgjithshme
E Vërteta e Përjetshme
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


E Vërteta e Përjetshme

Nevoja jonë për ta dalluar të vërtetën nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme!

Vëllezër e motra, faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj Perëndisë, Atit, dhe ndaj Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe faleminderit për dashurinë dhe shërbimin tuaj ndaj njëri‑tjetrit. Jeni vërtet të jashtëzakonshëm!

Hyrja

Pasi bashkëshortja ime, Ana dhe unë, morëm thirrjen që të shërbenim si udhëheqës misioni me kohë të plotë, familja jonë vendosi që të mësonte emrin e secilit misionar përpara se të mbërrinim në terren. Morëm fotografitë, krijuam karta ilustrimi dhe filluam të studionim fytyrat dhe të mësonim përmendsh emrat.

Kur mbërritëm, ne zhvilluam takime njohëse me misionarët. Teksa takoheshim, dëgjova djalin tonë nëntëvjeçar:

“Gëzohem që të takoj, Sem!”

“Rejçëll, nga je ti?”

“Ua, Dejvid, ti qenke i gjatë!”

I alarmuar, shkova te biri ynë dhe i pëshpërita: “Ej, le të kujtojmë që t’u drejtohemi misionarëve me titujt Plaku [Elder] ose Motra”.

Ai më pa me një vështrim të hutuar dhe tha: “Babi, mendova se ne duhej të mbanim mend emrat e tyre”. Biri ynë bëri atë që mendoi se ishte e drejtë, nisur nga kuptueshmëria e tij.

Pra, cila është kuptueshmëria jonë për të vërtetën në botën e sotme? Ne bombardohemi vazhdimisht me opinione të forta, raportim të njëanshëm dhe të dhëna të paplota. Në të njëjtën kohë, vëllimi dhe burimet e këtij informacioni po shumohen. Nevoja jonë për ta dalluar të vërtetën nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme!

E vërteta është jetike për ne që të krijojmë dhe forcojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë, të gjejmë paqe e gëzim dhe të arrijmë potencialin tonë hyjnor. Sot le të marrim parasysh pyetjet vijuese:

  • Çfarë është e vërteta dhe përse është e rëndësishme ajo?

  • Si e gjejmë të vërtetën?

  • Kur e gjejmë të vërtetën, si mund ta shpërndajmë atë?

E Vërteta Është e Përjetshme

Zoti na ka mësuar në shkrimin e shenjtë se “e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24). Ajo “nuk u krijua apo u bë” (Doktrina e Besëlidhje 93:29) dhe “nuk ka fund” (Doktrina e Besëlidhje 88:66)1. E vërteta është absolute, e përcaktuar dhe e pandryshueshme. Me fjalë të tjera, e vërteta është e përjetshme.2

E vërteta na ndihmon ta shmangim mashtrimin3, të dallojmë të mirën nga e keqja4, të marrim mbrojtje5 dhe të gjejmë ngushëllim e shërim6. E vërteta gjithashtu mund t’i udhërrëfejë veprimet tona7, mund të na bëjë të lirë8, mund të na shenjtërojë9 dhe mund të na çojë drejt jetës së përjetshme10.

Perëndia Zbulon të Vërtetë të Përjetshme

Perëndia na zbulon të vërtetë të përjetshme nëpërmjet një rrjeti marrëdhëniesh zbulese që përfshijnë Atë vetë, Jezu Krishtin, Frymën e Shenjtë, profetët dhe ne. Le të diskutojmë rolet e dallueshme, prapëseprapë të ndërlidhura që luan secili pjesëmarrës në këtë proces.

Së pari, Perëndia është burimi i së vërtetës së përjetshme.11 Ai dhe Biri i Tij, Jezu Krishti12, kanë një kuptueshmëri të përsosur dhe gjithmonë veprojnë në harmoni me parimet dhe ligjet e vërteta13. Kjo fuqi i lejon Ata që të krijojnë e qeverisin botët14, si edhe ta duan, udhërrëfejnë dhe ushqejnë secilin prej nesh në mënyrë të përsosur15. Ata dëshirojnë që ne ta kuptojmë dhe zbatojmë të vërtetën, kështu që ne të mund të gëzojmë bekimet që gëzojnë Ata.16 Ata mund ta japin të vërtetën vetë ose, në mënyrë më tipike, nëpërmjet lajmëtarëve të tillë si Fryma e Shenjtë, engjëjt ose profetët e gjallë.

Së dyti, Fryma e Shenjtë dëshmon për gjithë të vërtetën.17 Ai na zbulon neve të vërteta drejtpërdrejt dhe dëshmon për të vërteta të dhëna mësim nga të tjerët. Mbresat nga Shpirti zakonisht vijnë si mendime në mendjen tonë dhe ndjenja në zemrën tonë.18

Së treti, profetët e marrin të vërtetën nga Perëndia dhe na e japin atë të vërtetë neve.19 Ne e mësojmë të vërtetën nga profetët e së shkuarës në shkrimet e shenjta20 dhe nga profetët e gjallë në konferencën e përgjithshme dhe nëpërmjet kanaleve të tjera zyrtare.

Së fundi, ju dhe unë luajmë një rol vendimtar në këtë proces. Perëndia pret nga ne që të kërkojmë, dallojmë dhe më pas të veprojmë sipas të vërtetës. Aftësia jonë për ta marrë dhe për ta vënë në jetë të vërtetën, varet nga forca e marrëdhënies sonë me Atin dhe Birin, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur ndikimit të Frymës së Shenjtë dhe përputhja jonë me profetët e ditëve të mëvonshme.

Na nevojitet të kujtojmë se Satani punon që të na mbajë larg nga e vërteta. Ai e di se pa të vërtetën, ne nuk mund të fitojmë jetë të përjetshme. Ai ndërthur fije të së vërtetës me filozofitë e botës për të na pështjelluar dhe për të na shpërqendruar nga ajo që komunikohet nga Perëndia.21

Kërkimi, Dallimi dhe Vënia në Jetë e së Vërtetës së Përjetshme

Kur kërkojmë të vërtetë të përjetshme22, dy pyetjet vijuese mund të na ndihmojnë që të dallojmë nëse një koncept vjen nga Perëndia apo nga një burim tjetër:

  • A jepet mësim vazhdimisht koncepti në shkrimet e shenjta dhe nga profetët e gjallë?

  • A pohohet koncepti nëpërmjet dëshmisë së Frymës së Shenjtë?

Perëndia zbulon të vërteta doktrinore nëpërmjet profetëve dhe Fryma e Shenjtë na i pohon ato të vërteta neve dhe na ndihmon t’i vëmë ato në jetë.23 Ne duhet t’i kërkojmë dhe të jemi të përgatitur për t’i marrë këto mbresa shpirtërore kur ato vijnë.24 Ne jemi më së shumti pranues ndaj dëshmimit të Shpirtit kur jemi të përulur25, lutemi sinqerisht e i studiojmë fjalët e Perëndisë26 dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij27.

Pasi Fryma e Shenjtë na e pohon një të vërtetë të caktuar, kuptueshmëria jonë thellohet kur e vëmë atë parim në veprim. Me kalimin e kohës, kur e jetojmë vazhdimisht parimin, ne fitojmë një njohuri të sigurt për atë të vërtetë.28

Për shembull, unë kam bërë gabime dhe kam ndier brejtje të ndërgjegjes për zgjedhjet jo të mira. Por nëpërmjet lutjes, studimit dhe besimit te Jezu Krishti, unë mora dëshmi për parimin e pendimit.29 Teksa vazhdova të pendohesha, kuptueshmëria ime për pendimin u bë më e fortë. U ndjeva më pranë Perëndisë dhe Birit të Tij. Tani e di se mëkati mund të falet nëpërmjet Jezu Krishtit, sepse unë i përjetoj bekimet e pendimit çdo ditë.30

Mirëbesimi ndaj Perëndisë Kur e Vërteta Nuk Është Zbuluar Ende

Pra, çfarë duhet të bëjmë kur ne sinqerisht e kërkojmë të vërtetën që nuk është zbuluar ende? Unë kam ndjeshmëri për ata prej nesh të cilët janë të etur për përgjigje që nuk duket se po vijnë.

Jozef Smithin Zoti e këshilloi: “Rri në heshtje derisa unë ta shoh të përshtatshme për t’i bërë të njohura … të gjitha gjërat lidhur me çështjen” (Doktrina e Besëlidhje 10:37).

Dhe Ema Smithit Ai i shpjegoi: “Mos mërmërit për shkak të gjërave që nuk i ke parë, sepse ato janë fshehur prej teje dhe prej botës, e cila është urtësi në mua në një kohë të ardhme” (Doktrina e Besëlidhje 25:4).

Unë gjithashtu kam kërkuar përgjigje për pyetje nga zemra. Shumë përgjigje kenë ardhur; disa nuk kanë ardhur.31 Teksa presim – duke i mirëbesuar urtësisë dhe dashurisë së Perëndisë, duke i zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke u mbështetur tek ajo që vërtet e dimë – Ai na ndihmon të gjejmë paqe derisa Ai të zbulojë të vërtetën e të gjitha gjërave.32

Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Rregullores

Kur e kërkojmë të vërtetën, ajo na ndihmon të kuptojmë dallimin midis doktrinës dhe rregullores. Doktrina u referohet të vërtetave të përjetshme, të tilla si natyra e Kreut‑Perëndi, plani i shpëtimit dhe flijimi shlyes i Jezu Krishtit. Rregullorja është zbatimi i doktrinës nisur nga rrethanat e tanishme. Rregullorja na ndihmon që ta administrojmë Kishën në një mënyrë të rregullt.

Ndërkohë që doktrina nuk ndryshon kurrë, rregullorja përshtatet herë pas here. Zoti vepron nëpërmjet profetëve të Tij për ta përkrahur doktrinën e Tij dhe për t’u bërë modifikime rregulloreve të Kishës sipas nevojave të fëmijëve të Tij.

Fatkeqësisht, nganjëherë ne e ngatërrojmë rregulloren me doktrinën. Nëse nuk e kuptojmë ndryshimin, ka rrezik të zhgënjehemi kur rregulloret ndryshojnë dhe madje mund të fillojmë ta vëmë në dyshim urtësinë e Perëndisë ose rolin zbulues të profetëve.33

Mësimdhënia e së Vërtetës së Përjetshme

Kur e marrim të vërtetën nga Perëndia, Ai na nxit që ta shpërndajmë atë njohuri tek të tjerët.34 Ne e bëjmë këtë kur japim mësim në një klasë, udhëzojmë një fëmijë ose diskutojmë të vërtetat e ungjillit me një mik.

Synimi ynë është ta japim mësim të vërtetën në një mënyrë që e fton fuqinë kthyese në besim të Frymës së Shenjtë.35 Lejomëni të tregoj disa ftesa të thjeshta nga Zoti dhe profetët e Tij që mund të ndihmojnë.36

  1. Përqendrohuni tek Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe te doktrina e Tyre themelore.37

  2. Qëndroni të ngulitur në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme.38

  3. Mbështetuni te doktrina e themeluar nëpërmjet dëshmive të shumta prej autoriteteve.39

  4. Shmangini spekulimin, opinionet vetjake ose idetë e botës.40

  5. Jepni mësim një pikë të doktrinës brenda kontekstit të të vërtetave të ungjillit që lidhen me të.41

  6. Përdorni metoda mësimdhënieje që e ftojnë ndikimin e Shpirtit.42

  7. Komunikoni me qartësi që të shmangni keqkuptimin.43

Thënia e së Vërtetës me Dashuri

Mënyra se si e japim mësim të vërtetën, vërtet ka rëndësi. Pali na nxiti që ta themi “të vërtetën me dashuri” (shihni tek Efesianëve 4:14–15). E vërteta ka shansin më të mirë ta bekojë dikë tjetër kur përçohet me dashurinë si të Krishtit.44

E vërteta e dhënë mësim pa dashuri, mund të shkaktojë ndjenja gjykimi, shkurajimi dhe vetmie. Ajo shpesh çon drejt mllefit dhe përçarjes, madje konfliktit. Nga ana tjetër, dashuria pa të vërtetën është e zbrazët dhe asaj i mungon premtimi i rritjes.

Si e vërteta ashtu edhe dashuria janë thelbësore për zhvillimin tonë shpirtëror.45 E vërteta siguron doktrinën, parimet dhe ligjet e domosdoshme për të fituar jetë të përjetshme, ndërkohë që dashuria sjell motivimin e nevojshëm për ta përqafuar atë që është e vërtetë, dhe për të vepruar sipas saj.

Jam përgjithmonë mirënjohës për të tjerët që me durim më mësuan të vërtetën e përjetshme me dashuri.

Përfundimi

Në përfundim, më lejoni të shpreh të vërteta të përjetshme që janë bërë një spirancë për shpirtin tim. Kam arritur të di për këto të vërteta duke i ndjekur parimet e diskutuara sot.

E di se Perëndia është Ati ynë Qiellor.46 Ai është i gjithëdijshëm47, i gjithëfuqishëm48 dhe i dashur në mënyrë të përsosur49. Ai krijoi një plan për ne që të fitojmë jetë të përjetshme dhe të bëhemi si Ai.50

Si pjesë e atij plani, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na ndihmuar.51 Jezusi na mësoi të bëjmë vullnetin e Atit52 dhe ta duam njëri‑tjetrin53. Ai shleu për mëkatet tona54 dhe dha jetën e Tij në kryq55. Ai u ngrit së vdekuri pas tri ditësh.56 Nëpërmjet Krishtit dhe hirit të Tij, ne do të ringjallemi57, ne mund të falemi58 dhe mund të gjejmë forcë në fatkeqësi59.

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi themeloi Kishën e Tij.60 Me kalimin e kohës, ajo Kishë u ndryshua dhe të vërtetat humbën.61 Jezu Krishti i rivendosi Kishën e Tij dhe të vërtetat e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.62 Dhe sot, Krishti vazhdon ta udhëheqë Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë.63

Unë e di se teksa vijmë te Krishti, më së fundmi ne mund të “përsos[em]i në të” (Moroni 10:32), të fitojmë “plotësi të gëzimit” (Doktrina e Besëlidhje 93:33) dhe të marrim “gjithçka që Ati … ka” (Doktrina e Besëlidhje 84:38). Për këto të vërteta të përjetshme unë jap dëshmi, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni edhe te Psalmeve 117:2; Doktrina e Besëlidhje 1:39.

  2. “Në kundërshtim me dyshimet e disave, ka njëmend diçka të tillë si e drejta dhe e gabuara. Ka njëmend të vërtetë absolute – e vërteta e përjetshme. Një nga plagët e ditëve tona është se shumë pak njerëz e dinë se ku të drejtohen për të vërtetën” (Rasëll M. Nelson, “E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6).

  3. Shihni te Joseph Smith – Mateu 1:37.

  4. Shihni te Moroni 7:19.

  5. Shihni te 2 Nefi 1:9; Doktrina e Besëlidhje 17:8.

  6. Shihni te Jakobi [LiM] 2:8.

  7. Shihni te Psalmeve 119:105; 2 Nefi 32:3.

  8. Shihni te Gjoni 8:32; Doktrina e Besëlidhje 98:8.

  9. Shihni te Gjoni 17:17.

  10. Shihni te 2 Nefi 31:20.

  11. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:11–13; 93:36.

  12. Shihni te Gjoni 5:19–20; 7:16; 8:26; 18:37; Moisiu 1:6.

  13. Shihni tek Alma 42:12–26; Doktrina e Besëlidhje 88:41.

  14. Shihni te Moisiu 1:30–39.

  15. Shihni te 2 Nefi 26:24.

  16. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:8–9.

  17. Shihni te Gjoni 16:13; Jakobi [LiM] 4:13; Moroni 10:5; Doktrina e Besëlidhje 50:14; 75:10; 76:12; 91:4; 124:97.

  18. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:2–3.

  19. Shihni te Jeremia 1:5, 7; Amos 3:7; Mateu 28:16–20; Moroni 7:31; Doktrina e Besëlidhje 1:38; 21:1–6; 43:1–7. Një profet është “një njeri i cili thirret nga Perëndia dhe flet për Të. Si lajmëtar i Perëndisë, një profet merr urdhërime, profeci dhe zbulesa nga Perëndia. Përgjegjësia e tij është t’i bëjë të njohur njerëzimit vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë dhe të tregojë kuptimin e marrëdhënieve të tij me ta. Një profet e denoncon mëkatin dhe paratregon pasojat e tij. Ai është një predikues i drejtësisë. Me raste, profetët mund të frymëzohen për të parashikuar të ardhmen për të mirën e njerëzimit. Megjithatë, përgjegjësia e tij kryesore, është të japë dëshmi për Krishtin. Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është sot profeti i Perëndisë në tokë. Anëtarët e Presidencës së Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt mbështeten si profetë, shikues dhe zbulues” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profet”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Shembuj të këtyre parimeve gjenden në jetën e Adamit (shihni te Moisiu 6:51–62), Enokut (shihni te Moisiu 6:26–36), Noeut (shihni te Moisiu 8:19, 23–24), Abrahamit (shihni te Zanafilla 12:1–3; Abraham 2:8–9), Moisiut (shihni tek Eksodi 3:1–15; Moisiu 1:1–6, 25–26), Pjetrit (shihni te Mateu 16:13–19) dhe Jozef Smithit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 5:6–10; 20:2; 21:4–6).

  20. Shihni te 2 Timoteut 3:16.

  21. Shihni te Gjoni 8:44; 2 Nefi 2:18; Doktrina e Besëlidhje 93:39; Moisiu 4:4.

  22. Shihni te 1 Nefi 10:19. Presidenti Dallin H. Ouks udhëzoi: “Ne kemi nevojë të jemi të vëmendshëm kur e kërkojmë të vërtetën [e Perëndisë] dhe kur zgjedhim burime për atë kërkim. Nuk duhet ta konsiderojmë famën ose pozitën laike si burime të kualifikuara të së vërtetës. … Kur kërkojmë të vërtetën rreth fesë, ne duhet të përdorim metoda shpirtërore të përshtatshme për atë kërkim: lutjen, dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe studimin e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve modernë” (“E Vërteta dhe Plani”, Liahona, nëntor 2018, f. 25).

  23. Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Apostuj dhe profetë … shpallin fjalën e Perëndisë por, përveç kësaj, ne besojmë se burrat dhe gratë në përgjithësi dhe madje fëmijët mund të mësojnë dhe mund të drejtohen nga frymëzimi hyjnor në përgjigje të lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta. … Anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit u jepet dhurata e Frymës së Shenjtë, e cila mundëson një komunikim të vazhdueshëm me Atin e tyre Qiellor. … Kjo nuk do të thotë se çdo anëtar flet në emër të Kishës apo mund të përcaktojë doktrinat e saj, por që secili mund të marrë drejtim hyjnor në përballjen me sfidat dhe mundësitë e jetës së tij apo të saj” (“Doktrina e Krishtit”, Liahona, maj 2012, f. 89–90, shënimi 2).

  24. Shihni te 2 Nefi 33:1–2.

  25. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:28.

  26. Shihni te Moroni 10:3–5; Doktrina e Besëlidhje 9:7–9; 84:85.

  27. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 5:35; 63:23; 93:27–28. Pavarësisht nga përpjekjet tona më të zellshme, disa prej nesh mund të hasin ende vështirësi që ta ndiejnë Shpirtin për shkak të sfidave të shëndetit mendor. Depresioni, ankthi dhe gjendje të tjera neurologjike mund ta bëjnë më të ndërlikuar dallimin e Frymës së Shenjtë. Në të tilla raste, Zoti na fton të vazhdojmë ta jetojmë ungjillin dhe Ai do të na bekojë (shihni te Mosia 2:41). Ne mund të kërkojmë veprimtari shtesë, të tilla si dëgjimin e muzikës së shenjtë, përfshirjen në shërbim ose kalimin e kohës në natyrë, që na ndihmojnë të ndiejmë frytet e Shpirtit (shihni te Galatasve 5:22–23) dhe ta forcojmë lidhjen tonë me Perëndinë.

    Plaku Xhefri R. Holland u shpreh: “Prandaj, si të përgjigjeni më mirë kur sfida mendore apo emocionale ju vihen përballë juve ose atyre që doni? Mbi të gjitha, kurrë mos e humbisni besimin tek Ati juaj në Qiell, i cili ju do më shumë sesa mund ta merrni me mend. … Plot besnikëri vazhdoni praktikat e përkushtuara, të sprovuara nga koha, të cilat e sjellin Shpirtin e Zotit në jetën tuaj. Kërkoni këshillën e atyre që mbajnë çelësa për mirëqenien tuaj shpirtërore. Kërkojini dhe mbajini të gjalla bekimet e priftërisë. Merreni sakramentin çdo javë dhe mbahuni fort tek premtimet përkryese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Besoni te mrekullitë. Kam parë shumë prej tyre të vijnë kur çdo tregues tjetër do të thoshte se shpresa ishte humbur. Shpresa nuk humbet kurrë” (“Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 40–41).

  28. Shihni te Gjoni 7:17; Alma 32:26–34. Më së fundmi Perëndia dëshiron që ne të fitojmë të vërtetë “rresht pas rreshti, parim pas parimi”, derisa t’i kuptojmë të gjitha gjërat (shihni te Fjalët e Urta 28:5; 2 Nefi 28:30; Doktrina e Besëlidhje 88:67; 93:28).

  29. Shihni te 1 Gjon 1:9–10; 2:1–2.

  30. Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67).

  31. Nuk i di të gjitha arsyet përse Perëndia nuk na i jep disa të vërteta të përjetshme, por Plaku Orson F. Uitni dha një ide interesante: “Është diçka e bekuar të besojmë pa parë, ngaqë nëpërmjet ushtrimit të besimit vjen zhvillimi shpirtëror, njëri nga synimet e mëdha të ekzistencës tokësore të njeriut; ndërkohë që njohuria, duke e përpirë besimin, e parandalon ushtrimin e tij, duke e penguar në këtë mënyrë atë zhvillim. ‘Njohuria është fuqi’; dhe të gjitha gjërat duhet të bëhen të njohura në stinën e duhur. Por njohuria e parakohshme – të dimë në kohën e gabuar – është vdekjeprurëse si për përparimin ashtu edhe për lumturinë” (“The Divinity of Jesus Christ”, Improvement Era, janar 1926, f. 222; shihni edhe te Liahona, dhjetor 2003, f. 14–15).

  32. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:5–10. Zoti gjithashtu e këshilloi Hajrëm Smithin: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time. … Ruaj paqen tënde [dhe] studio fjalën time” (Doktrina e Besëlidhje 11:21–20). Profeti Alma jep një shembull për trajtimin e pyetjeve pa përgjigje: “Këto mistere nuk më janë bërë krejtësisht të ditura; prandaj nuk do të hyj në hollësi” (Alma 37:11). Ai i shpjegoi edhe birit të vet, Koriantonit, se “ka shumë mistere që nuk tregohen, që askush nuk i di, përveç Perëndisë vetë” (Alma 40:3). Gjithashtu kam gjetur forcë nga përgjigjja e Nefit kur iu paraqit një pyetje së cilës nuk mund t’i jepte përgjigje: “Unë e di se [Perëndia] i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17).

  33. Në mënyrë të ngjashme, traditat kulturore nuk janë doktrinë ose rregullore. Ato mund të jenë të dobishme nëse na ndihmojnë ta ndjekim doktrinën dhe rregulloren, por ato gjithashtu mund ta pengojnë rritjen tonë shpirtërore nëse nuk bazohen te parime të vërteta. Ne duhet t’u shmangemi traditave që nuk e ndërtojnë besimin tonë te Jezu Krishti ose nuk na ndihmojnë të përparojnë drejt jetës së përjetshme.

  34. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 15:5; 88:77–78.

  35. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:21–23.

  36. Përshtatur nga dokumenti “Principles for Ensuring Doctrinal Purity” [“Parimet për Sigurimin e Pastërtisë Doktrinore”], i miratuar nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve në shkurt 2023.

  37. Shihni te 1 Nefi 15:14. Zoti i udhëzoi shërbëtorët e Tij që t’i shmangen përqendrimit te doktrina, ose koncepte, që nuk janë qendrore tek ungjilli i Tij: “Dhe për doktrina të vështira ti s’duhet të flasësh, por duhet të shpallësh pendim e besim në Shpëtimtarin dhe heqje të mëkateve me anë të pagëzimit e me anë të zjarrit, po, madje të Frymës së Shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 19:31).

    Plaku Nil L. Andersen shpjegoi: “Le të përqendrohemi te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe te dhurata e sakrificës së Tij shlyese. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të tregojmë një përvojë nga vetë jeta jonë apo të themi një mendim të të tjerëve. Ndërsa tema jonë mund të jetë rreth familjeve, apo shërbimit, apo tempujve, apo një misioni kohët e fundit, çdo gjë … duhet të tregojë Zotin Jezu Krisht” (“Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 89–90).

  38. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 28:2–3, 8. Profeti Alma i këshilloi ata që caktoheshin për të predikuar ungjillin që t’u “mësonin të tjerëve vetëm gjërat që ai u kishte mësuar dhe që ishin folur nga goja e profetëve të shenjtë” (Mosia 18:19).

    Presidenti Henri B. Ajring shpalli: “Ne duhet të japim mësim doktrinat themelore të Kishës siç përmbahen në veprat standarde dhe mësimet e profetëve, përgjegjësia e të cilëve është që të shpallin doktrinën” (“The Lord Will Multiply the Harvest” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 6 shkurt 1998], tek Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 96).

    Plaku D. Tod Kristoferson dëshmoi se “në Kishë sot, ashtu si edhe në Kishën e hershme, vendosja e doktrinës së Krishtit ose korrigjimi i shmangieve doktrinore është çështje e zbulesës hyjnore për ata që Zoti u jep autoritetin e një Apostulli” (“Doktrina e Krishtit”, f. 86).

  39. Shihni te 2 Korintasve 13:1; 2 Nefi 11:3; Ethëri 5:4; Doktrina e Besëlidhje 6:28. Plaku Nil L. Andersen vëzhgoi: “Disa e vënë në dyshim besimin e tyre, kur gjejnë një thënie të një udhëheqësi të Kishës dekada më parë, që duket në mospajtim me doktrinën tonë. Ekziston një parim i rëndësishëm që qeveris doktrinën e Kishës. Doktrina [jepet] mës[im] nga të 15 pjesëtarët e Presidencës së Parë e të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo nuk fshihet në një paragraf të turbullt të një bisede. Parimet e vërteta [jepen] mës[im] shpesh e nga shumëkush. Doktrina jonë nuk është e vështirë për t’u gjendur” (“Prova e Besimit Tuaj”, Liahona, nëntor 2012, f. 41).

    Plaku D. Tod Kristoferson në mënyrë të ngjashme dha mësim: “Duhet mbajtur mend se jo çdo deklarim i bërë nga një udhëheqës i Kishës, në të shkuarën ose në të tashmen, është doktrinë detyrimisht. Është përgjithësisht e kuptueshme në Kishë se një deklarim i bërë nga një udhëheqës mbi një rast të vetëm, shpesh përfaqëson një opinion vetjak, sado që është i menduar mirë, që nuk është e thënë të jetë zyrtar ose i detyrueshëm për të gjithë Kishën” (“Doktrina e Krishtit”, f. 88).

  40. Shihni tek 3 Nefi 11:32, 40. Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Kam folur më parë rreth rëndësisë së mbajtjes të pastër të doktrinës së Kishës. … Shqetësohem për këtë. Devijimet e vogla në mësimdhënien e doktrinës mund të prijnë drejt gënjeshtrave të mëdha e të liga” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 620).

    Presidenti Dallin H. Ouks paralajmëroi se ka disa “që përzgjedhin disa fjali nga mësimet e një profeti dhe i përdorin këto për të përkrahur programin e tyre politik ose qëllime të tjera vetjake. … T’i shtrembërosh fjalët e një profeti për të përkrahur një program vetjak, politik ose financiar apo të ndonjë lloji tjetër, është të përpiqesh ta manipulosh profetin dhe jo ta ndjekësh atë” (“Our Strengths Can Become Our Downfall” [mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 7 qershor 1992], f. 7, speeches.byu.edu).

    Presidenti Henri B. Ajring paralajmëroi: “Doktrina e fiton fuqinë e saj kur Fryma e Shenjtë e pohon se ajo është e vërtetë. … Ngaqë na nevojitet Fryma e Shenjtë, ne duhet të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm që të mos shkojmë përtej mësimdhënies së doktrinës së vërtetë. Fryma e Shenjtë është Shpirti i së Vërtetës. Pohimi i Tij ftohet me anë të shmangies prej nesh të spekulimit ose interpretimit vetjak. Kjo mund të jetë e vështirë për t’u bërë. … Është tunduese të provosh diçka të re ose të bujshme. Por ne e ftojmë Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë kur jemi të kujdesshëm për të dhënë mësim vetëm doktrinën e vërtetë. Njëra nga mënyrat më të sigurta për të shmangur madje shkuarjen pranë doktrinës së rreme, është të zgjedhim të jemi të thjeshtë në mësimdhënien tonë. Parrezikshmëri fitohet nëpërmjet asaj thjeshtësie dhe pak humbet” (“The Power of Teaching Doctrine”, Liahona, korrik 1999, f. 86).

    Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Kërkimi i një kuptueshmërie më të madhe është pjesë e rëndësishme e zhvillimit tonë shpirtëror, por ju lutem, jini të kujdesshme. Arsyetimi nuk mund ta zëvendësojë zbulesën. Spekulimi nuk do të çojë në njohuri më të madhe shpirtërore, por mund të çojë në mashtrim ose mund ta largojë përqendrimin tonë nga ajo që është zbuluar” (“Natyra Juaj Hyjnore dhe Fati Juaj i Përjetshëm”, Liahona, maj 2022, f. 70, 75).

  41. Shihni te Mateu 23:23. Presidenti Jozef F. Smith paralajmëroi: “Është shumë e pamend që të marrim një fragment të së vërtetës dhe ta trajtojmë atë sikur të ishte një gjë e plotë. … Të gjitha parimet e zbuluara të ungjillit të Krishtit janë të nevojshme dhe thelbësore në planin e shpëtimit.” Ai më tej shpjegoi: “Nuk është as rregullore e mirë as doktrinë e shëndoshë që të merret njëri nga këto, të veçohet nga i tërë plani i së vërtetës së ungjillit, të bëhet një hobi e veçantë dhe të varemi nga ai për shpëtimin dhe përparimin tonë. … Ato janë të gjitha të domosdoshme” (Gospel Doctrine, bot. i 5‑të [1939], f. 122).

    Plaku Nil A. Maksuell shpjegoi: “Parimet e ungjillit … kërkojnë sinkronizim. Kur shkëputen nga njëri‑tjetri ose izolohen, interpretimet dhe vëniet në zbatim të këtyre doktrinave nga njerëzit mund t’i bëjnë ata që të veprojnë padrejtësisht. Dashuria, nëse nuk kontrollohet nga urdhërimi i shtatë, mund të bëhet një dëshirë trupore. Theksimi i lavdërueshëm i urdhërimit të pestë lidhur me nderimin e prindërve, në qoftë se nuk kontrollohet nga urdhërimi i parë, mund të përfundojë në besnikëri pa kusht kundrejt prindërve që veprojnë gabim, në vend të besnikërisë ndaj Perëndisë. … Madje durimi baraspeshohet nëpërmjet ‘qort[imit] në kohën e duhur me mprehtësi, kur … nxite[t] nga Fryma e Shenjtë’ [Doktrina e Besëlidhje 121:43]” (“Behold, the Enemy Is Combined”, Ensign, maj 1993, f. 78–79).

    Presidenti Marion G. Romni udhëzoi: “Hetimi në [shkrimet e shenjta] për qëllimin e zbulimit të asaj që ato e japin mësim sikurse ishte urdhëruar nga Jezusi, është gjë shumë e ndryshme nga gjuetia nëpër to për qëllimin e gjetjes së fragmenteve të cilat mund të vihen në shërbim që të përkrahin një konkluzion të parapërcaktuar” (“Records of Great Worth”, Ensign, shtator 1980, f. 3).

  42. Shihni te 1 Korintasve 2:4; Moroni 6:9. Plaku Xhefri R. Holland theksoi nevojën për ta komunikuar ungjillin e Jezu Krishtit në një mënyrë që çon drejt lartësimit shpirtëror nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë: “Zoti kurrë nuk i ka dhënë këshillë më të theksuar Kishës sesa këshilla që ne duhet ta japim mësim ungjillin ‘me anë të Shpirtit, madje të Ngushëlluesit, i cili u dërgua për të predikuar të vërtetën’. A e japim mësim ungjillin me anë të ‘Shpirti[t të] së vërtetës’? – ka pyetur ai. Ose a e japim atë mësim ‘me ndonjë mënyrë tjetër? Dhe nëse është me anë të ndonjë mënyre tjetër’, paralajmëron Ai, ‘nuk është prej Perëndisë’ [Doktrina e Besëlidhje 50:14, 17–18]. … Asnjë lloj të mësuari të përjetshëm nuk mund të ndodhë pa përshpejtimin e Shpirtit nga qielli. … Kjo është ajo që anëtarët tanë e duan vërtet. … Ata duan që besimi i tyre të forcohet dhe shpresa e tyre të përtërihet. Ata duan, me pak fjalë, të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë, të forcohen nga fuqitë e qiellit” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26).

  43. Shihni tek Alma 13:23. Duke folur për Atin tonë Qiellor, Presidenti Rasëll M. Nelson dëshmoi: “Ai komunikon me thjeshtësi, qetësi dhe me një qartësi të tillë mahnitëse saqë ne nuk mund ta keqkuptojmë Atë” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89).

  44. Shihni te Psalmeve 26:3; Romakëve 13:10; 1 Korintasve 13:1–8; 1 Gjon 3:18.

  45. Shihni te Psalmeve 40:11.

  46. Shihni te Romakëve 8:16.

  47. Shihni te 1 Samuelit 2:3; Mateu 6:8; 2 Nefi 2:24; 9:20.

  48. Shihni te Zanafilla 17:1; Jeremia 32:17; 1 Nefi 7:12; Alma 26:35.

  49. Shihni te Jeremia 31:3; 1 Gjon 4:7–10; Alma 26:37.

  50. Shihni te 2 Nefi 9; Doktrina e Besëlidhje 20:17–31; Moisiu 6:52–62.

  51. Shihni te Gjoni 3:16; 1 Gjon 4:9–10.

  52. Shihni te Gjoni 8:29; 3 Nefi 27:13.

  53. Shihni te Gjoni 15:12; 1 Gjon 3:11.

  54. Shihni te Lluka 22:39–46.

  55. Shihni te Gjoni 19:16–30.

  56. Shihni te Gjoni 20:1–18.

  57. Shihni te 1 Korinstave 15:20–22; Mosia 15:20–24; 16:7–9; Doktrina e Besëlidhje 76:16–17.

  58. Shihni te Veprat e Apostujve 11:17–18; 1 Timoteut 1:14–16; Alma 34:8–10; Moroni 6:2–3, 8; Doktrina e Besëlidhje 19:13–19.

  59. Shihni te Mateu 11:28–30; 2 Korintasve 12:7–10; Filipianëve 4:13; Alma 26:11–13.

  60. Shihni te Mateu 16:18–19; Efesianëve 2:20.

  61. Shihni te Mateu 24:24; Veprat e Apostujve 20:28–30.

  62. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:1–4; 21:1–7; 27:12; 110; 135:3; Joseph Smith – Historia 1:1–20.

  63. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:14, 38; 43:1–7; 107:91–92.