2015
Një Vendim Fitimtar
Tetor 2015


Një Vendim Fitimtar

Kjo ishte mundësia e saj për të luajtur në ekipin fitues, si mund të thoshte jo?

“Mbaj mend ditën e shabatit, që ta mbash të shenjtë” (Mosia 13:16).

Pamja
Product Shot from October 2015 Liahona

Miranda u ngut për në derën kryesore, mirënjohëse se shtëpia e saj ishte më e freskët se moti i nxehtë veror jashtë. Ajo ishte e djersitur nga loja në ndeshjen e saj të fundit të futbollit për atë sezon dhe e acaruar sepse ekipi Teal Turbos kishte humbur. Përsëri.

Mami erdhi në dhomë duke mbajtur një shishe me ujë dhe një qese me feta portokalli të mbetura nga ndeshja. “Ju bëtë një lojë të shkëlqyer. Të qenit portiere është një punë e rëndë.”

Miranda kishte luajtur mirë, ajo kishte bllokuar shumë goditje dhe kishte shkelmuar më fort se zakonisht. Por shumica e vajzave të tjera në ekipin e saj nuk kishin luajtur kurrë futboll më parë dhe sot e bënë zyrtare: ato kishin humbur çdo ndeshje këtë sezon.

“Unë thjesht dëshiroj të jem në një ekip që fiton një herë në kaq kohë, e di?” Ca lot rrodhën nga cepat e syrit të Mirandës dhe ranë në fanellën e saj blu me të gjelbër. Ndërsa i mbyllte sytë duke i shtrënguar, ra telefoni.

Mami e ngriti telefonin dhe pas një çasti tha: “Është për ty”.

“Përshëndetje! Miranda? Jam Tomi, trajneri i ekipit Chili Kickers. Po e shikoja ndeshjen tënde sot. Dukeshe shkëlqyeshëm atje.”

Zemra e Mirandës filloi të rrihte më shpejt. Chili Kickers ishte ekipi më i mirë i futbollit në ligë!

“Ekipi ynë do të shkojë në ndeshjet e kampionatit rajonal muajin tjetër. Ti luajte aq mirë sot sa që dua të vish me ne si portiere rezervë.”

Zemra e Mirandës thuajse i kërceu nga kraharori. Kjo ishte mundësia e saj që të luante në një ekip fitues!

“Do të doja shumë të vija!” tha Miranda. Ata folën për disa minuta rreth hollësive përpara se ajo ta mbyllte telefonin dhe të vraponte në dhomën tjetër për t’i treguar mamit. Së bashku ato filluan të shkruanin datat e stërvitjeve dhe ndeshjeve në kalendarin e familjes.

Papritur mami ndaloi së shkruari, me stilolapsin që rrinte pezull mbi një nga katrorët e kalendarit.

“Obobo. Miranda, këto ndeshje janë të dielave. Ja, shikoje.” Ajo tregoi me gisht te plani i ndeshjeve dhe u kthye nga Miranda me një vrenjtje të shqetësuar në fytyrë. “Ç’mendon se duhet të bësh?”

Mirandës i pikoi në zemër dhe kafshoi buzën ndërsa mendonte për alternativat e saj. Mami mund ta linte të luante nëse ajo ia kërkonte por, kur mendoi rreth lojës të dielën dhe veçanërisht rreth mungesës në Kishë, pati një ndjesi boshllëku në stomak. Ajo e dinte se e diela ishte për të shkuar në kishë dhe për të adhuruar Atin Qiellor dhe ajo nuk mundej realisht t’i bënte ato gjëra ndërsa luante futboll.

“Mendoj se duhet t’i telefonoj përsëri dhe t’i them se nuk mund të luaj”, tha Miranda. Ajo u përpoq fort që të mos qante. Edhe pse ajo e dinte se ishte zgjedhja e duhur, ishte e vështirë të hiqte dorë nga diçka që e dëshironte kaq tmerrësisht.

“Dhe a e di se çfarë mendoj unë?” tha mami duke i dhënë një përqafim të madh. “Unë mendoj se ti je një fëmijë i shkëlqyer.”

Atë të diel, ndërsa Miranda qe ulur në Fillore, mendoi rreth vendimit të mirë që kishte marrë. Trajneri u befasua kur Miranda i kishte telefonuar dhe kishte thënë se nuk mund të luante futboll të dielave. Ai ishte përpjekur të arrinte t’ia ndryshonte mendjen, por ajo ishte e patundur në vendimin e saj. Tani, teksa dëgjonte këngët dhe mësimet e Fillores, Miranda buzëqeshte. Ndjenja paqësore në zemrën e saj i tha se ishte në vendin e duhur. Ajo kishte marrë një vendim fitimtar në fund të fundit.

Ilustrimi nga Brad Teare