2015
Fjalë për ta Ndryshuar Botën Tonë
Tetor 2015


Fjalë për ta Ndryshuar Botën Tonë

Një këshill distrikti në Ganë vë në dukje se si këshillimi së bashku dhe përdorimi i burimeve vendore mund të krijojnë mundësi për rritje vetjake dhe shërbim ndaj të tjerëve.

Pamja
illustration of people helping each other climb a tower of books

Ilustrimi nga Taylor Callery

Motra Vida Osei nga Gana donte të mësonte të lexonte dhe shkruante anglisht. Ajo i kishte provuar programet e komunitetit disa herë, por e kishte humbur kurajën dhe kishte hequr dorë brenda disa javësh. Atëherë, një të diel, teksa frekuentonte mbledhjet në Degën e Dytë, ajo mësoi se Distrikti Asamankese po sponsorizonte një program për të mësuar shkrim-këndimin e anglishtes. Vendosi ta provonte dhe të regjistrohej.

Shpejt mësoi se ky program ishte i ndryshëm. Ajo do të ishte në gjendje ta frekuentonte me shoqe nga kisha. Shkrimet e shenjta përdoren si materiale studimi, kështu që ajo do të mësonte anglishten dhe ungjillin në të njëjtën kohë.

Dy muaj pasi e filloi klasën, Vida bëri lutjen e saj të parë në klasë – të parën fare. Tre muaj pas fillimit, ajo dha bisedën e saj të parë fare në mbledhjen e sakramentit, pjesërisht në tuisht, një gjuhë vendore afrikane, dhe pjesërisht në anglisht. Katër muaj pas fillimit, ajo filloi të shkruante në një fletore të vjetruar porositë, shpenzimet dhe çmimet për punën e saj si rrobaqepëse e vetëpunësuar. Ajo bëri më pak gabime me klientët, mori çmime më të ulëta nga shitësit dhe bëri më shumë para sesa kishte bërë më parë në çfarëdo muaji të kaluar.

“Isha shumë e druajtur të ndiqja një klasë shkrim-këndimi me këdo”, tha ajo. “Por kur klasa e shkrim-këndimit u mbajt në një shtëpi mbledhjesh të kishës, me anëtarë që i njihja, mora kurajën që të përpiqesha sërish. Dhe tani unë mund t’i lexoj shkrimet e shenjta dhe ta përmirësoj biznesin tim nëpërmjet leximit dhe shkrimit të anglishtes.”

Në pjesën e Afrikës në jug të shkretëtirës së Saharasë, shumë njerëz, veçanërisht gratë, nuk dinë se si të lexojnë dhe të shkruajnë. Analfabetizmi është kaq gjerësisht i përhapur sa një fjalë e urtë afrikane thotë: “Nëse do ta fshehësh diçka, shkruaje atë në një libër”. Për gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme si Vida, megjithatë, njohuria për shkrim-këndim është duke u shtuar.

Sfida për t’u Kapërcyer

Infrastruktura e kufizuar dhe arsimimi i kufizuar publik në shumicën e shteteve në jug të shkretëtirës së Saharasë nënkuptojnë mundësi të kufizuara, veçanërisht për vajzat. Për shkak të kostos së lartë të shkollimit dhe gjendjes së nënshtruar të vajzave në shoqëri, për shumë njerëz leximi duket si një aftësi e paarritshme. Në Ganë, për shembull, edhe pse anglishtja është gjuha zyrtare, vlerësimet thonë se më pak se gjysma e grave të rritura flasin anglisht. Në zonat fshatare të Ganës, dy të tretat e grave të rritura janë analfabete.

“Shumica e grave të rritura në qytezat dhe fshatrat tona nuk flasin anglisht”, thotë Seth Opongu, presidenti i Distriktit Abomosu në Misionin Perëndimor të Akrës në Gana. “Gjuha jonë vendore, tuishtja, ka qenë një gjuhë e pashkruar për shekuj. Vetëm kohët e fundit është krijuar një alfabet për tuishten, prandaj pak njerëz e lexojnë, nëse munden.”

“Motrat duhet të mbështeten te njerëz të tjerë – kryesisht bashkëshortët e tyre nëse janë të martuara, ose në fjalët që iu thuhen nga mikeshat e tyre, nëse nuk janë të martuara – për t’i kuptuar parimet e ungjillit dhe rregulloren e Kishës”, shpjegon Xhorxhina Amoaka, presidentja e Shoqatës së Ndihmës për distriktin. “Shumë kanë dëshira të mëdha për të shërbyer, por ato nuk mund t’i lexojnë manualet apo revistat, kështu që mundësitë e tyre për të marrë pjesë në kishë janë të kufizuara.”

Këshilla nga Këshilli

Derisa gratë nuk flasin anglisht në shtëpitë e tyre ose në treg, pjesëmarrja në Kishë siguron nxitjen e tyre kryesore për ta mësuar gjuhën. Prapëseprapë anëtarët për një kohë të gjatë dhe të kthyerit e rinj në besim mund të hasin kundërshtim nga familja lidhur me programet e mësimit të shkrim-këndimit. Këshilli i distriktit e diskutoi këtë shqetësim dhe më pas Presidenti Opong foli me udhëheqësit e priftërisë dhe udhëheqëset e organizatave ndihmëse në secilën degë rreth një programi për të gjithë distriktin lidhur me të mësuarin e shkrim-këndimit. Edhe pse lejohej për të gjitha gratë në komunitet, programi do të përqendrohej te gratë në Kishë. Në vend që të ftoheshin individët veç e veç, ftesat do të drejtoheshin për të marrë pjesë në grupe – për shembull, presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Fillores do të merrnin pjesë së bashku, kështu që të mund ta mbështetnin njëra-tjetrën.

Bazuar në diskutimet me degët, udhëheqja e distriktit vendosi të mbante klasa për të mësuar shkrim-këndim në secilën degë të dielave, si edhe dy herë gjatë javës. Pas një përpjekjeje të përqendruar gjashtëmujore, certifikatat e përfundimit do t’u jepeshin atyre që frekuentonin rregullisht dhe i përfundonin detyrat e caktuara për në shtëpi.

Burimet iu Përshtatën Nevojave

“Një nga sfidat ishte të gjendej një mënyrë për t’iu mësuar lexim dhe shkrim njerëzve që kanë vetëm një gjuhë të folur”, shpjegon Plaku Xhim Dalton, një misionar i moshuar që shërben në distrikt. “Për shkak të traditës së gjatë të tuishtes si një gjuhë vetëm e folur dhe e pashkruar, shumica e njerëzve që e flasin atë nuk dinë se si ta shkruajnë, kështu që ne duhej t’ia fillonim duke u mësuar atyre se si të shkruajnë.”

Ransford Darkuahu, i këshillit të lartë të Distriktit Abomosu, punoi me dy misionare të kthyer nga misionet, Frensis Ansahun dhe Seselia Amankuahun, për të përdorur një manual të prodhuar në zonën vendore. Pjesëmarrësve iu tregoheshin figura dhe iu kërkohej të shkruanin rreth asaj që shihnin. Kjo i ndihmoi ata të zhvillonin aftësitë bazë të shkrimit ndërkohë që mësonin të mendonin në anglisht. Sapo disa aftësi bazë ishin fituar, burime më të përparuara për të mësuar mund të përdoreshin më pas.

Përgatitja dhe Përshtatja

Përpara se të fillonte programi, specialistë për shkrim-këndimin përgatitën instruktorë jo vetëm për metodat e të mësuarit, por edhe për mënyrën se si të jepnin mësim për higjienën e përditshme dhe aftësitë për jetën familjare. Por edhe përgatitja më e mirë nuk mund t’i kishte parashikuar disa nga sfidat e hasura kur klasat filluan: ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike në zonën i bënë klasat e mbrëmjes të vështira për t’u drejtuar, ankth u krijua nga thashethemet se minatorët e papërmbajtshëm të arit po sorollateshin nëpër rrugë natën dhe me raste ata që i kishin çelësat nuk ishin në gjendje të vinin në kohë për t’i hapur godinat e kishës.

Edhe një herë, këshilli i distriktit diskutoi për atë që nevojitej të bëhej. Në përgjigje të këshillës së tyre, grupet e pjesëmarrësve filluan të vinin në klasë së bashku. Atyre iu dhanë elektrikë dore që t’i ndihmonin të ecnin të sigurt përgjatë shtigjeve të formuara nga hapat. Udhëheqësit vendorë autorizuan përdorimin e gjeneratorëve për të pasur drita natën në godinat e kishës. Anëtarëve të mirëbesuar, të cilët jetonin pranë godinave, iu dhanë çelësa që të mund t’i hapnin godinat në kohë.

Prezantimet gjatë Diplomimit

Gjashtëdhjetë e një anëtarë dhe kërkues e filluan programin. Dyzet e tre i përfunduan të gjitha sesionet dhe detyrat e shtëpisë. Gjatë diplomimit, ato u ftuan të jepnin prezantime të shkurtra.

Pamja
Participants, family members, and friends celebrate at graduation ceremonies for the district-sponsored literacy program.

“Përpara se të fillonte programi i shkrim-këndimit, unë nuk mund të lexoja aspak”, tha Sandra Obeng Amohu e Degës Sankubenase. “Kur bashkëshorti im udhëtonte për punë, unë kurrë nuk pata mbrëmje familjare. Disa javë më parë kur ai kishte ikur, djali im më i madh më ndihmoi të lexoja manualin dhe unë iu dhashë një mësim në anglisht fëmijëve të mi. Që nga ajo kohë, e kam bërë këtë gjë çdo javë që bashkëshorti im nuk është në shtëpi.”

Prosper Gajkete, i cili pavarësisht nga aftësitë e tij të kufizuara të anglishtes, ka mbetur një anëtar besnik në Degën e Dytë të Abomosut, lexoi një dëshmi prej tri fjalish që e shkroi vetë. Ai tha se nuk mund të lexonte ose shkruante përpara klasës, por tani ai mund t’i ndihmojë fëmijët e tij të vegjël me detyrat e tyre të shtëpisë. “Falë asaj që kam mësuar”, tha ai, “unë mund të jem një atë më i mirë”.

“Tani unë mund t’i lexoj shkrimet e shenjta vetë”, tha Kuaku Sasu nga Dega Kuabeng. “Më parë e dija që Libri i Mormonit ishte i vërtetë, edhe pse nuk mund ta lexoja atë. Tani e di se është i vërtetë teksa e lexoj atë. Dëshmia ime po rritet e rritet.”

Anëtaret e presidencës së Shoqatës së Ndihmës së Degës Asunafo thanë se ato përkushtuan çdo të enjte për të folur me njëra-tjetrën vetëm në anglisht. “Ajo i bëri disa biseda më të gjata atë ditë ngaqë ne nuk mund të mendonim për fjalët e duhura që t’ia thoshim njëra-tjetrës”, tha Evelin Agueiua, presidentja e Shoqatës së Ndihmës. “Por shpejt filluam të përkthenim për njëra-tjetrën, duke gjetur fjalët e duhura për t’i thënë. Ngaqë po mësonim së bashku, asnjërës prej nesh nuk i vinte turp ose nuk kishte frikë se thoshte fjalët e gabuara. Ne thjesht e ndihmonim njëra-tjetrën.”

Përfitimet Shtohen

Gratë që e përfunduan programin e shkrim-këndimit në Distriktin Abomosu, thanë se ato u ndien më mirë rreth vetes dhe kishte më shumë të ngjarë të merrnin pjesë në kishë. Ato u bënë më të gatshme për të pranuar thirrje, për të lexuar shkrimet e shenjta dhe për të dhënë mësim si në kishë ashtu edhe në shtëpi. Disa burra gjithashtu e përfunduan programin. Duke qenë fermerë që kryesisht punonin për të ushqyer familjet e tyre, ata thanë se tani janë më në gjendje të llogaritin shpenzimet dhe shitjet e prodhimit të tyre, të ndihmojnë fëmijët për detyrat e tyre të shtëpisë dhe të lexojnë shkrimet e shenjta vetë dhe me familjet e tyre.

Të nxitur nga suksesi në Abomosu, Distrikti fqinj Asamankese ka filluar programin e vet të shkrim-këndimit.

“Aftësimi për të lexuar e shkruar po e ndryshon jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë”, tha Gledis Aseidu nga Dega Sankubenase. “Fjalët po e ndryshojnë botën tonë dhe ne e falënderojmë Atin tonë në Qiell.”

Pjesëmarrësit, anëtarët e familjeve dhe miqtë festojnë në ceremonitë e diplomimit për programin e shkrim-këndimit të sponsorizuar nga distrikti.

Figurë e bërë në pëlhurë nga Africanway/iStock/Thinkstock