2015
Duke u Lutur Udhës Sime për në Rotuma
Tetor 2015


Duke u Lutur Udhës Sime për në Rotuma

Xhon K. Muaror, Uellsi i Ri Jugor, Australi

(Autori ka ndërruar jetë.)

Pamja
illustration of a ship at sea

Ilustrimi nga Allen Garns

“Westerland-i u nis dje”, më tha kunata ndërsa na përshëndeti në Aeroportin Ndërkombëtar Nadi në Fixhi.

Isha edhe i trishtuar, edhe i zhgënjyer nga lajmi. MV Westerland-i ishte barka që supozohej të na çonte të takonim vëllanë tim më të madh në Ishullin e Rotumës. Rotuma është afërsisht 600 km në veriperëndim të Viti Levus, ishullit më të madh të Fixhit. Nëse të ikën barka, me shumë gjasë do të të duhet të presësh ditë ose madje javë për tjetrën.

Një vit më parë kisha shkuar në Rotuma për ta ndihmuar vëllanë tim të restauronte shtëpinë e gjyshes sonë dhe unë e lashë atë për shkak të një mosmarrëveshjeje të lidhur me punën. Tani doja ta shikoja sy më sy e t’i thosha sa keq më vinte.

Një javë përpara se bashkëshortja ime, Akata dhe unë të fluturonim për në Fixhi nga Australia, mbesa ime më tha se Westerland-i do të shkonte në Rotuma ditën përpara se ne kishim planifikuar të mbërrinim. E mora menjëherë në telefon zyrën e barkës dhe iu luta ta shtynin udhëtimin për dy ditë.

“Jo, nuk mundemi edhe sikur të dëshironim”, erdhi përgjigjja. “Këshilli i Ishullit të Rotumës ka bërë përgatitje për një gosti mirëseardhjeje dhe barka duhet të niset siç është planifikuar.”

Më shkrepi një mendim në kokë dhe vendosa të lutesha e të agjëroja.

“I dashur Atë Qiellor”, u luta “do të doja shumë ta kapja barkën për në Rotuma. Besoj se ata nuk mund ta shtyjnë udhëtimin një ditë apo dy, por Ti e ke fuqinë për ta bërë atë. A mundesh Ti të lutem të heqësh vetëm një bulon kudo qoftë në barkë në mënyrë që ta pengosh udhëtimin që unë të mund të hipi në barkë? Duhet të shkoj në Rotuma e të pajtohem me tim vëlla.”

Pasi e kishim dëgjuar lajmin zhgënjyes, ne vazhduam rrugën për në port në anën tjetër të ishullit. Megjithatë, atje mësuam se barka kishte pasur probleme me motorin dhe nuk ishte nisur ende. Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes sime! Siç u mor vesh, nuk duhej hequr vetëm një bulon por i tërë motori që të riparohej një rrjedhje e madhe karburanti.

Kur barka më në fund u nis një javë më vonë, unë isha në bord. Kur mbërritëm në Rotuma, e përqafova tim vëlla dhe i kërkova ndjesë dhe kështu e rivendosëm marrëdhënien tonë. Ajo sigurisht që ishte një ditë ngazëllimi.

Unë do të jem përgjithmonë mirënjohës për këtë përvojë të mrekullueshme shpirtërore dhe për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ajo është një dëshmi që mrekullitë ende ndodhin sot, që Ati Qiellor jeton dhe u përgjigjet lutjeve tona të sinqerta, që lutja dhe agjërimi shkojnë krah për krah dhe që ungjilli është i vërtetë edhe në një fshat të vogël në ishullin e vockël të Rotumës.